VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

URATA E PËRJETSHME dhe SHOH
Poezi nga FASLLI HALITI

E Enjte, 04.24.2014, 02:59pm (GMT1)






URATA E PËRJETSHME

Muhamedi kalon fushave, mbi dhè.
Sheh njerëz të gëzuar,
Të gëzuar
Sa s'ka
Aq të  lumtur i sheh
E aq të hareshëm i duken ata...

Ç'janë këta njerëz të lumtur kështu,
Ç'i lumturon
Këta
Të bekuar?
Ky lëng i gëzon,
Ky lëng i kulluar ?!

Ky lëng i perëndisë
Si quhet
Raki ?!
Nga ferra del ?!
Po e provoj...
M'u çelën sytë,
Marr frymë lirisht.
Uratën paç moj bija e ferrës,
Paç bekimin tim dhe të Perëndisë

Ecën Profeti, ecën
Ecën
Si zot i tokës mbi tokën e bekuar.
Avuj rakie enden si mjegull e dehur
Që i merren këmbët në muzg,
Avuj
Turbullues, 
Avuj marramendës
Avuj të dehur, pluskues .

Po kjo përskuqje
Nderur tutje
Përtej,
Si qefin violë mbi dhè.
Po ai gjak i kuq, avullues
Po ai lëng i kuq flakërues atje ?

Po këta të sakatuar?
Kush i sakatoi,
Kush i theri robtë e zotit kështu ?
Si?
Bija  e ferrës
I theri ata ?!
Bija e ferrës,
Ma bëri këtë hata!?

Unë Muhamedi
Të mallkoj bijën e ferrës
Ta bëj atë
Lanet..!

Kur unë jap uratën, e jap atë përjetë!


SHOH

Në bërthamën e frutit shoh farën,
Brenda farës shoh lulen,
Brënda lules shoh frutin,
Brënda frutit shoh trungun,
Brenda trungut degët,
brenda degëve shoh gjethet,
Shoh lulet,
Frutin e ri,
Farën e re
Që pret të dalë...

Vetëm riprodhimi njerëzor nuk është sezonal!

1990,  revista Nentori
FASLLI HALITI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.