VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

GANI PLLANA: ME LIBRIN E DYTË, VAZHDON UDHËN E KRIJIMEVE POETIKE…
Nga Prof. MURAT GECAJ, publicist e studiues-Tiranë

E Hënë, 04.28.2014, 02:44pm (GMT1)


Po të më thoje para 3-4 vjetësh, kur për herë të parë u takova, në Prishtinë, me Gani Pllanën, i shoqëruar nga miku ynë i përbashkët, prof. Skënder Skënderi, se ai do të shkruante poezi dhe me to do ta botonte dy libra, ndoshta, nuk do ta besoja. Në atë udhëtim, por dhe në veprimtari tjera në Tiranë, ne jemi njohur si pjesëmarrës në përbërje të grupimit joqeveritar, Instituti i Integrimit të Kulturës Shqiptare, me qendër në Tiranë dhe që e drejtonte i ndjeri, dr. Ibrahim Gashi. Dr.Ganiu ka mbaruar studimet dhe ka shërbyer në fushën e inxhinierisë mekanike. Megjithatë, nuk është aspak e habitshme, se përse kohët e fundit ka nisur të botojë poezi.

Zakonisht, fëmijët i ndjekin prindërit në udhën e profesioneve të ndryshme. Ndërsa, në rastin konkret, më ngjan se ky baba po ecën në udhën e nisur nga e bija, Albulena. Pas botimit në gazeta e revista të disa poezive të saj, ajo e mblodhi krijimtarinë e vet në librat për fëmijë, që u publikuan në Prishtinë: "Dashuria për lulet"( 2004), "Në pritje"(2005), "Njomëza arbërore, për pavarësi" (2005) e "Doli ylberi" (2006). Ndërsa më tej publikoi librin me tregime, përsëri për moshën e të vegjëlve, "Zana dhe miku i saj, dreri" (2007) dhe më 2012 librin poetik, "Si e kam atë Kosovë?". Ndërsa babai i saj, pra Ganiu, librin e tij të parë, "Për një pikë ujë", e botoi dhjetë vjet më vonë, nga ai i librit të parë të së bijës, pra më 2013.

Por, në këto shënime të mijat modeste, dua të nënvizoj përsëri, se e rëndësishme është që Gani Pllanën nuk po e "pengon" mosha e tij, që të shkruajë e të botojë poezi të frymëzuara nga realiteti i përditshëm. Ja, tani kemi ndër duar një libër tjetër të tij, pra atë të titulluar "Melodia e përjetëesisë "(Prishtinë, 2014). Në këtë vëllim janë përmbledhur 22 poezi, me tematikë të larmishme. Në recensionin e publikuar aty, nga Halit Gashi e Jonuz Fetahaj, lexojmë edhe këtë vlerësim domethënës të tyre: "Gjithashtu, në këto vargje hetojmë edhe komunikimin poetik, që autori përpiqet ta vërë si urë, që njëjtëson idenë dhe mesazhin që përcjell te lexuesi. Andaj, vetëm kur të lexohen poezitë e Gani S. Pllanës, në vëllimin "Melodia e përjetësisë", mund të nxirret ekstrakti nga çdo poezi dhe të krijohen mbresa për vargje, që të bëjnë për vete...".

Ndërsa unë pata kënaqësinë që, poezitë e këtij vëllimi, t'i lexoja në dorëshkrim, të cilin ma dërgoi Ganiu me e-mail. Dhe jo se jam ndonjë "specialist" i kësaj fushe, por sepse sikur jam përshtatur me krijimet e tij. E them këtë gjë, se i kam lexuar e kam shkruar pak radhë edhe për poezitë e vëllimit të parë.

Ashtu siç është e njohur, zakonisht, poezitë ose vjershat i thurin autorët, duke respektuar disa rregulla të përcaktuara e tradicionale. Pra, në to ruhet ritmika e vargjeve, e puthitur ose e gërshëtuar. Ndërsa njihen edhe poetë, që shkruajnë me vargje të lirë, pra duke mos i zbatuar rregulla të tilla "stendarde". Sigurisht, në këtë rast, nuk bëhet ndonjë "mëkat", siç mund të shpreheshim edhe për poetin tonë, Gani Pllana.

Duke mos u ndalur posaçërisht në analizën, një për një, të poezive të këtij libri, të cilat dallohen nga thjeshtësia e tyre, mendoj se autori na bën të bashkohemi me të dhe për temat e larmishe, që trajton. Janë me ndjeshmëri njerëzore vargjet e poezisë së parë, "Tri gota". Aty autori shkruan: "Gota e parë, nga Nëna,/ e ëmbël si mjaltë,/ mbahet mend përherë,/ të drejton në jetë...". Pastaj thotë se gota e dytë është nga mësuesja dhe, e treta, nga të dashurit e zemrës sonë. Te poezia "Melodia e përjetësisë", pra nga e ka marrë titullin tërë libri, lexojmë vargjet-përgjithësim: "Gabohen,/ kur thonë se të shkuarën/mund ta hedhësh pas krahëve!/ E shkuara kapet me thonj fort/pas së tashmes./Kthej kujtesën tani,/ kuptoj që s'kam gabuar".

Na tërheqin vëmendjen edhe poezitë me ndjenja atdhetare e qytetarie. Te "Liria" shkruan, se atë:"...do ta ruajmë si sytë e ballit!" dhe te "Mbi të gjitha, harmonia": "Fjala e ëmbël ka vlerë,/hapë zemra njeriu,/hapë dyer kalash, /thyen shkëmbinj ,/nuk tretet në ujë,/nuk digjet në zjarr!". Me këtë përmbajtje janë edhe poezitë: "Kosovë e dashur", "Kongresi i Manastirit", "Normalja e Elbasanit" etj. Autorit, si të gjithë ne, i therë në zemër plaga e emigracionit dhe lëshon thirrjen që fëmijët e bashkatdhetarëve tanë, kudo nëpër botë, të mos e humbasin gjuhën tonë të bukur amtare ("Protestë", "Në një gjuhë tjetër"). Për këtë dukuri të dhimbshme, pra të emigracionit, flasin edhe poezi të tjera, si "Deri kur?", duke nënvizuar se janë bërë dhe po bëhen "zbrazje e shpërngulje", që nga shekulli i 15-të dhe deri sot. Ndërsa te "Testament" shprehet në vargje: "Kurbeti është plagë,/ ai e çanë gurin!"

Më tej, në 60 faqe të këtij libri, krahas anëve pozitive të jetës së përditëshme, autori na përballë edhe me dukuri e shqetësime të kohës. Ja, te "Apoteoza e bukës": "M'u përdrodhën muskujt,/leshrat m'u ngritën si therra iriqi!/ Me këtë muzikë popullore,/ për kafshatën e gojës!" Por ky autor, i trajton me përparësi këtu edhe temat e mprehta, me përmbajtje atdhetare: "Bashkimin e Kombit,/ s'mund të na ndalë askush!/ E shkroi, e arsyetoi,/ e tha me zemër, poeti"(Poezia"Dalja në dritë").

Dëshiroj që, këtë shkrim për librin e dytë poetik të kolegut e mikut Gani Pllana, ta mbylli me vargjet e tij mjaft shprehës, mbushur me krenari kombëtare shqiptare: "Jam shqiptar, / flas shqip,/ dashuroj shqip,/ urrej shqip, /gëzohem shqip,/ shkruaj poezi shqip,/ bërtas shqip,/ kalëroj shqip,/ ha e pi shqip!"

Tiranë, 28 prill 2014

Prof. MURAT GECAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.