VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

VËLLAI IM
Poezi nga NAZMI HIKMET
Përktheu: FASLLI HALITI

E Martë, 04.29.2014, 07:31am (GMT1)


VËLLAI IM

Si akrepi, vëllai im,
Ti je si akrepi
Në një natë lemerie.
Si trumcaku, vëllai im,
Ti je si trumcaku
Në minutat e tij të shqetësuara.
Si molusku, vëllai im,
Je si molusku
Mbyllur dhe i qetë.
Je i tmerrshëm, vëllai im,
Si goja e një vullkani të fashitur.
Dhe ti, fatkeqësisht, s'je një, s'je pesë,
Por je miliona.
Je si dashi, vëllai im.
Kur xhelati i veshur me lëkurën tënde,
Kur xhelati ngre shkopin
Ti ngutesh të futesh prapë në tufë
Dhe shkon duke vrapuar në thertore, gati krenar.
Je më qesharakja e krijesave, pra,
Më qesharake se peshku
Që jeton në det pa as një dituri për detin.
Dhe nëse ka shumë mjerim mbi tokë
Kjo ndodh falë jush, vëllai im.
Nëse jemi të uritur, të rraskapitur,
Nëse jemi të rrjepur deri në kockë,
Të shtrydhur si rrushi për të nxjerrë verën tonë,
A duhet të them se gjithë faji është yti?
Oh jo!
Jo, por prapë, faji më i madh yti është, vëllai im.
Përktheu: FASLLI HALITI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.