VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

RRËNJËT
Poezi të reja nga QAZIM SHEHU

E Mërkurë, 04.30.2014, 10:39am (GMT1)



RRËNJËT

Pemën stuhia e hodhi përtokë,
Krahët u hapën dhe ra përmbys.
Madhështi e gjelbërimit u rrëzua,
Rrënjët u ndjenë ligsht.
Pemët e rrëzuan, rrënjët s`tunden,
Filiza do çelin pas një kohe,
Njerëzit të shohin një shenjë e të luten,
Për vazhdimin e kësaj bote...


FJALA

Fjala s`pranon aktrim,
Kur i dobti vuan,
Fjala kthehet qëllim,
Kur na shkelin thuan.
Fjala është protestë,
Dashuri e flaktë,
Kur rrëmbehet pjesë,
Mbetesh barkthatë.
Fjala s`pranon të vidhet,
Të lidhet s`pranon,
Kur e drejta shitet,
E drejta gabon.
Fjala zhvishet ,zhytet,
Në lumin e ngrirë,
Nuk duron mitet,
Që lypin pa mëshirë,
Adhurim për ta,
Adhurim kur s`ka,
Kur i dobti vritet
Në lak të hallit, hata...,


FRESKORE

Ne përherë na bëjnë freskore,
Ata që atdheun ngrenë,
Me fjalë të lëmura,përmendore,
Na kujtojnë atdhenë.
Sikur ne nuk e dimë,
Sikur e kemi harruar,
Ku e ka atdheu lavdinë,
Afshi i tij i buruar.
Dhe i shohim në gazeta,
Ne tribuna dhe ekrane,
Trumbetojnë pa të meta,
Atdhetarizëm ,hane, hane.
Dhe ne i durojmë,
Fjalët e tyre freskore,
Si një daulle në mesnatë,
Si një këngë vajtimore.
Sikur ne nuk e dimë,
Ku e ka fillesën atdheu,
Na dalin trimat në vitrinë,
Me llak shndritës Prometeu...

QAZIM SHEHU


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.