VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

E KUR PO VJEN AJO E LUME LETËR?
Poezi nga VEHBI SKËNDERI

E Enjte, 05.01.2014, 08:07am (GMT1)



E ç'qenka ky ketër trazavaç, që përtyp si lajthi kokrrat e yjeve. Ç'është ky ketër?
Mbrrini nga lartësitë qiellore, (s'dihet nga ç'galaktikë) Dhiata e Re a Dhiata e Vjetër
E ç'është ky postjer i çalë!

E kur po mbrrin kjo letër...
Pse nuk po vjen ajo e lume letër. E  bardhë letër. E nëmur letër!

Ka qindra vjet që e pres. Ka qindra vjet që e presim. E kur do të qeshim, kur do të qeshim.
E çfarë fshihet prapa ledheve të syve të tua. Prapa gjerdheve të qepallave e qerpikëve.
E kush përgjon pas jargavanëve e trëndafilëve
erëmirë?
Thua do ta shkul dot nga rrënjët këtë shkretëtirë
të tmerrëshme,
prapa puplave të kësaj buzëqeshjeje
të ëmbël.

E çfarë fshihet pas dritares e tantellave transparente të perdeve, kollonave
e fasadave të qytetit.
E çfarë mërie e vuajtje struket përposh honeve e dallgëve
të detit.
Ku ishe ti kur digjeshin grunoret e pyllnajat e Mëmblave. Ku ishe ti
kur rrënoheshin sarajet e ëndërrave.

Kur vërshoi Apokalipsi. Ku ishe ti, ku ishje.

E çfarë të falin ty kambanat nëpër festat e të dielave
E çfarë fshihet pas kësaj buzëqeshjeje vezulluese të të kuqit të buzëve
ngjyrë vishnje. Ku ishje?

Dielli gjithnjë bujar vesit me ngjyrën e purpurt rrënojat e kështjellave.
Edhe rrezet e fundit ua hedh si për t'i zbutur frengjive edhe kullave të burgjeve
Dhe të rrenave...

E sa mjelma të bardha janë zhytur brenda dy liqejve të syve të tu. E s'janë dukur.
E sa anije janë nisur nga këto brigje e s'janë sosur. Thua i kanë vjedhë piratët? Thua
janë mbytur?
E sa rosa të egra janë turrur qiejve lart. Dhe janë zhdukur !
E ç'qenka ky ketër trazovaç, që thyen nëpër dhëmbë kokrrat e yjeve, si lajthi. E ç'qenka ky ketër?

E kur po mbrrin kjo letër...
Pse nuk po vjen ajo e lume letër. E  bardhë letër. E nëmur letër!

Reinach, 10 shtator 2002

-
Nga libri "Zvicra Shqipëria ime", Prishtinë 2004

VEHBI SKËNDERI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.