VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - TRUPI IM ME TAKON MUATregim nga KLEO LATI

                                                                                      

E Shtunë, 04.20.2024, 08:25am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
TRUPI IM ME TAKON MUA
Tregim nga KLEO LATI

E Enjte, 07.17.2014, 07:54am (GMT+1)



Edlira qëndronte përballë tij, si një perëndeshë. Ishte kaq e bukur, por edhe e drojtur. Rrallë ndodh, tepër rrallë, që femrat e bukura të jenë të drojtura. Ndoshta bukuria atyre u jep një guxim të tillë, sa shpesh të jenë edhe moskokëçarese jo vetëm ndaj të tjerëve, por edhe ndaj vet sjelljes dhe fjalëve që ato thonë në komunikim me të tjerët.
Edhe pse nuk po e shihte drejt e në sy, ajo i ndjente vështrimet e tij lakmitare. Ajo nuk guxonte ta vështronte në sy. Ngriti pak kokën dhe vështrimi i saj qëndroi tek një tablo e madhe pikture, vendosur në mes të faqes së murit përballë.
-Kjo pikturë është origjinale, e kam blerë vet në studion e piktorit, vitin e kaluar, kur isha me pushime në Barcelonë - tha ai pa ia ndarë sytë - Spanja ka piktorë të mrekullueshëm. Po të të them se sa shtrenjtë e kam blerë këtë pikturë, nuk do ta besosh...Pikturat origjinale kushtojnë shumë shtrenjtë - e mbylli ai ligjëratën e tij të gjatë, me një shprehje të dukshme vetmburrjeje, por që tek ajo, ndryshe nga sa mendonte ai, nuk bëri ndonjë përshtypje të veçantë.
Madje, kishte ndodhur e kundërta.
"Piktura mund të jetë origjinale, por ti vetë a je origjinal?"- kishte thënë ajo me vete, pa guxuar ta shpinte më tutje mendimin.
Vetëtimthi iu kujtua biseda që kishte patur me Denisën, dy ditë para se të vinte në zyrën në të cilën ndodhej tani. Ajo i kishte thënë:
-Njeriu duhet t'i rrëmbejë shanset që i jepen në jetë. T'i rrëmbejë kur ato i vijnë, madje të jetë gjithnjë i përgatitur për këtë. Se jo gjithnjë jeta të ofron shanse. Na ndodh jo rrallë që kur jeta na ofron një ose disa shanse, ne femrat bëjmë rolin e të vështirës, sillemi me naze, me mendimin se edhe po i braktisëm shanset që na u ofruan, me siguri që jeta pas kësaj do na ofrojë plot e plot shanse të tjera. Por pikërisht ky është gabimi, shpesh fatal, që bëjmë ne femrat. Jeta nuk është si një treg, që ti mund të kthehesh dhe ta marrësh atë mallin që të ka pëlqyer herën e shkuar që kalove andej. Me jetën është krejt ndryshe. Në më të shumtën e rasteve, në mos në të gjitha rastet, ndodh tamam kështu: kur kthehemi për të parë edhe një herë atë që na ka pëlqyer kur e dalluam për herë të parë, shohim se nuk ndodhet më aty. Ose ka ikur vetë, ose e kanë marë të tjerët...".
Pastaj, me fytyrën e përhumbur në tymin e dendur të cigares që e thithte pa pushim, kishte shtuar:
-Ti je vajzë e mençur, por mos e humb shansin që po të jepet. Shefi im është një njeri i fuqishëm, me influencë, ai i ka dyert e hapura gjithandej. Shko takoje dhe bën mirë që të mos i shmangesh...
-Do shkoj ta takoj, se kam nevojë të më ndihmojë, por...nuk dua të përfshihem në ndonjë situatë të pakëndshme...Më kupton çfarë dua të them?
-Unë të kuptoj, po ti a më kupton kur të them se nuk është mirë të shmangësh diçka që vërtet sot nuk të duket aq e drejtë, ndoshta edhe e gabuar, por që nesër mund të dalë se ka qenë rruga që të ka nxjerrë atje ku duhet? Mos harro se ndodh jo rrallë që njeriu e takon fatin e tij pikërisht në rrugën që fillimisht e quan të gabuar dhe përpiqet ta shmangë. Ti bëj si të duash, por...
Edlira kishte heshtur, pa ditur ç'të thoshte. Ose ndoshta ngaqë nuk donte të thoshte çfarë po mendonte. Atëhere Denisa vijoi të fliste:
-Ti bëj si të duash, por më lejo të të them edhe diçka tjetër: femrat kanë më shumë nevojë për meshkujt, sesa ata kanë nevojë për femrat. Kështu është, paçka se në pamje të parë duket se është e kundërta.
- Këtë që më thua e ke thjesht nga përvoja jote, apo nisesh edhe nga...?
Tjetra e ndërpreu, pa e lenë ta çonte mendimin deri në fund:
- Natyrisht, edhe nga përvoja ime, por edhe nga e vërteta. Nga ajo e vërtetë që e
shohim të gjithë përditë. Edhe ti vetë e shikon qartë këtë të vërtetë. Vetëm nëse nuk do që ta pranosh...
Pastaj, krejt papritur, Denisa flaku tej cigaren dhe pa ia shqitur sytë, shpërtheu:
-Femra, në përpjekjet që bën për të arritur atë që dëshiron, zakonisht gjendet përpara një dere të mbyllur. Mos ki iluzione se duke pritur atje, pa bërë asgjë, në një moment do ta gjesh derën të hapur, qoftë edhe rastësisht. Nëse ke shkuar për të takuar një burrë, qoftë edhe për të zgjidhur një problem të thjeshtë, fillimisht duhet të hysh në mëndjen e tij, për të kuptuar se në ç'mënyrë ai mendon. Kuptove?
...Vërtet, çfarë po mendonte në ato çaste burri që tani ndodhej fare pranë saj? Ai që Denisa herë e quante shefi, herë bosi, herë i dashuri, madje në një rast gjatë bisedës e kishte quajtur edhe kompetenti.

Edlira qëndronte përballë tij, si një perëndeshë. Në veshë i jehuan fjalët që i kishte thënë Denisa:"Sot njerëzit i zgjidhin problemet vetëm përmes dy rrugëve: ose përmes pushtetit, ose përmes parasë. Aq më mirë për ata që i kanë mundësitë me të dyja rrugët sëbashku. Bosi i ka të dyja këto...".
Por nga këto mendime e shkëputi zëri i tij. Ai, duke perifrazuar Niçen, të cilin e kishte lexuar përpara se të ngjiste shkallët e tempullit të pushtetit dhe të parasë, i tha saj:
- Njeriu, nëse nuk do që të vdesë nga etja, duhet të mësojë që të pijë nga të
gjitha gotat. Po ashtu, nëse do që të mbetet i pastër ndërmjet njerëzve, ai duhet të dijë që të lahet edhe me ujë të ndotur...
Në fakt, ai kështu kishte vepruar. Me nuhatjen që jo të gjithë njerëzit e zotërojnë, pavarësisht nivelit dhe kulturës që kanë, ai kishte arritur ta kuptonte thelbin e funksionimit të mekanizmit të mbijetesës, pastaj të jetesës gjithnjë e më të mirë. Derisa, më në fund, kishte arritur në fazën e një jete luksi. Me këtë motiv, ai e kishte frymëzuar vetveten të shikonte gjithnjë përpara, të përpiqej shumë, të mos thyhej kur të tjerët e mënjanonin, siç ishte ndjerë i fyer dhe i dëshpëruar në adoleshencë dhe në rininë e vet, kur ëndrrat që kishte thurrur i ishin thërrmuar, i qenë shpërndarë sa andej këtej si coprat e qelqit të thyer në tokë. Në fillim i ishte dashur të mbijetonte. Nëse nuk do ta luante mirë lojën, jeta do ishte për të tepër e vështirë, ashtu siç ishte për shumicën e njerëzve që ai njihte nga afër. Ashtu si një dramë në teatër ka nevojë për aktorë të mirë që të quhet e suksesshme, edhe jeta duhet luajtur bukur. Varej prej tij se sa aktor i talentuar do tregohej, që shfaqja e jetës t'i pëlqente atij vetë në radhë të parë. Për të tjerët as që i bëhej vonë. Rëndësi kishte jeta e tij. Vetëm jeta e tij.
Por kur kishte kuptuar se, më në fund, e kishte fituar betejën për mbijetesën dhe se ishte bërë dikush, me emër, me pushtet dhe me pará, ai kishte ndjerë nevojën që të tjerët, njerëzit që e rrethonin, duhej ta adhuronin për atë çfarë ai ishte dhe bënte. Duhej ta shikonin ndryshe nga sa e kishin parë më parë. Tani ata nuk ishin të parëndësishëm për të, për suksesin e tij, për jetën e tij. Përkundrazi, simpatia dhe adhurimi i tyre ishin element i domosdoshëm i kënaqësisë dhe vetkënaqësisë së tij. Ai dëshironte gjithnjë e më shumë, por, ndërkohë, kërkonte që edhe të tjerët të ishin të dëshiruar për të. Dhe kjo i ndodhte sidomos me femrat dhe me eprorët.
Ai kishte ndjerë, krejt vetvetiu, se pa femrat dhe eprorët paratë dhe pushteti që kishte siguruar nuk do t'i jepnin atë kënaqësi që në fakt po ia jepnin çdo ditë. Nuk dinte ta shpjegonte saktësisht se ngase buronte kjo lidhje e çuditshme midis tyre, por - sipas tij - në këtë rast kishte diçka të ngjashme në lidhjen që ekziston midis pushtetit dhe parasë. Duket se as njera dhe as tjetra nuk do të kishin vlerën që merrnin kur kombinoheshin me njëra tjetrën.
Edlira nuk e kuptoi as vet pse në atë çast, duke ndjerë një lloj pështirosje për fodullëkun dhe vetsigurinë që tregonte burri ndaj një femre të panjohur, ardhur në zyrën e tij për t'i kërkuar ndihmë dhe jo për t'u ndjerë e mikluar prej tij, iu kujtuan fjalët që babai i saj kishte thënë një mbrëmje, tek qëndronin pranë njeri tjetrit: "Pushteti dhe paratë, bija ime, të mbrojnë nga shumë gjëra, por jo nga turpi".
Shpesh pyeste veten se si ishte e mundur që të ekzistonte ajo lidhje e pandarë mes parasë dhe pushtetit. Kishte dëgjuar plot njerëz të thoshnin se, qoftë edhe e vetme, paraja zotëronte goxha pushtet, ashtu sikurse, nga ana tjetër, njerëzit me pushtet e kishin shumë të lehtë të siguronin jo pak pará. Një ditë gati ishte tronditur kur shoqja e saj i kishte treguar se i dashuri i vet, vetëm në një udhëtim që bënin për fundjavë në ndonjë nga kryeqytetet e Europës, harxhonte shumë më tepër nga paratë që babai i saj merrte prej rrogës së një viti të tërë. Dhe tek kishte përfytyruar babanë që thuajse çdo ditë vinte i lodhur në shtëpi, me dëshirën e vetme të shtrihej tek divani, të pinte në heshtje kafen që ja përgatiste e shoqja, kishte ndjerë një lëmsh t'i mbështillej në fyt...

Ai zgjati dorën dhe i preku flokët. Ia ledhatoi butësisht. Ajo nuk lëvizi nga vendi.
Qëndronte si e ngrirë në këmbë. Vetëm se trupi i dridhej. E vështroi drejt e në sy. Ishin aq pranë, sa ndjeu ngrohtësinë e frymës së saj. Atij iu duk se edhe fryma e saj kishte aromë. Me majën e gishtit tregues të dorës së djathtë i përkëdheli buzën e poshtme. Ajo sërish nuk lëvizi nga vendi, vetëm uli sytë poshtë, duke vështruar në parketin e lëmuar të zyrës. Këtë qëndrim të saj ai e mori si bindje dhe nënshtrim. Megjithatë nuk nxitoi të shkonte më tutje. Edhe pse në vetvete ndjente sigurinë se femra që kishte aq pranë, thuajse ngjitur me trupin e tij, e cila kishte ardhur në zyrën e tij për t'i kërkuar ndihmë,edhe për pak, për fare pak, do ishte krejt e tij, do i jepej pushtetit të tij mashkullor, ai nuk ngutej. I pëlqente të luante, ashtu si ajo kafsha grabitqare që pëlqen të luajë me prenë e vet. Me shumicën e femrave, me të cilat ndante shtratin, ai mbante një distancë sigurie, sikurse i pëlqente ta quante. Nëse për shumë burra intimiteti me një femër, sidomos ndarja e shtratit me të, është një lloj shembjeje e murit dhe e distancës që ekziston në rrethana të tjera, të zakonshme, për atë nuk ishte ashtu. Intimiteti, shtrati, seksi, në rastin e tij, nuk rrëzonte ndonjë mur, nuk ngushtonte ndonjë distancë, thjesht bashkonte dy trupa, shuante një uri seksuale, afirmonte fuqinë e pushtetit të tij mashkullor që forcohej prej të qenit njeri me pushtet dhe me shumë pará. Me këtë shpjegohej që më pas, me femrat që kishte kaluar një çast, apo edhe një natë të tërë, ai thuajse nuk mbante asnjë raport, nuk shkëmbente asnjë telefonatë, asnjë mesazh, sikur ato të mos ekzistonin për të, apo ai të mos ekzistonte për ato. Përjashtim bënte vetëm Ami dhe Denisa, ndonse edhe me ato të dyja nuk bëhej fjalë për ndjenja. E vërteta është se ai nuk kishte rënë kurrë në dashuri me ndonjë femër.
As vet nuk e kuptoi pse i shkrepi dëshira që këtë femër të bukur, të cilën fati ia kishte sjellë tek zyra e tij, ta takonte sërish të nesërmen. Ndoshta ngaqë ishte vërtet kaq e bukur? Apo mos vallë ngaqë ishte kaq e sjellshme dhe e drojtur? Apo për të dyja këto?
- Do t'ju jem mirënjohëse nëse ma bëni këtë nder. - tha befas ajo.
- Mirënjohëse...Hm! - ia bëri ai dhe në cep të buzëve të tij mbiu një si buzëqeshje e ngrirë.
Pastaj shtoi: - E ç'ta bëj mirënjohjen? Për çfarë vlen ajo?
- Si për çfarë vlen? Mirënjohja është njerëzore...
- Edhe nderi që unë do të bëj ty ka anën e vet njerëzore, por ka edhe anën
materiale. Të fillosh punë sot është gjëja më e vështirë, por edhe më e rëndësishme për një njeri. Aq më tepër për një femër.
Ajo u ndje ngushtë. Ndoshta nuk e kishte pritur që biseda të rridhte ashtu.
- Ju e keni fjalën për...dua të them...doni t'ju jap pará për...
Nuk mundi të vazhdonte më tutje. Mendoi në çast se ndoshta do ishte më mirë
të dëgjonte më tej se çfarë nënkuptonte ai me atë që kishte thënë pak më parë.
Dhe, në fakt, ai foli menjëherë, me një lloj sigurie dhe fodullëku në vetvete, sa
ajo ndjeu atë pështirosjen e pak çasteve më parë.
- Jo, mos u shqetëso. Nga një femër e bukur një burrë vetëm pará nuk mund të kërkojë!
Ajo u drodh. Qëndronte e heshtur, si një statujë, pa ditur çfarë të bënte, çfarë të
thoshte, si të reagonte. Edhe një herë tjetër këtë qëndrim të saj ai e mori si tundim, si bindje, madje si nënshtrim. Dhe sërish nuk nxitoi që të shkonte më tutje, ndonse e ndjente se brenda tij po përndizej dëshira dhe instikti mashkullor.
-Ndoshta arrini ta kuptoni pozitën time...unë punë kërkoj...Me siguri që edhe ju,
dikur, nuk e keni patur aq të lehtë për një punë këtu në Tiranë - tha ajo, pa e fshehur trazimin e brendshëm që e mundonte.
Hm, dikur! Balli i tij befas u mvrejt, si një qiell i murrëtyer. Si guxonte ajo t'i kujtonte atij, qoftë edhe krejt rastësisht, të kaluarën? Jo, ai nuk donte që të kthente kokën pas, por ja që herë pas herë njerëz të ndryshëm, si kjo bukuroshe tani, apo ngjarje dhe histori nga e kaluara, atij i gërvishnin kujtesën. Shumicën prej tyre nuk donte t'i kujtonte. Po të ishte e mundur do t'i kishte fshirë njëherë e mirë nga hard disku i mendjes së vet, por kjo qe e pamundur. Njeriu kishte shpikur kompjuterin, me memorien e tij, me "kujtimet" që i mbante të rezervuara brenda tij, me mijra, kishte krijuar dhe mundësinë që me një klikim të thjeshtë "delete" ta bënte kompjuterin pa kujtesë, të boshatisur nga e kaluara. Ja, kështu, si në rastin e kompjuterit, ai do dëshironte aq shumë që me një komandë të fshinte shumçka nga e kaluara e vet. Të mos kujtonte tërë ato vite ku ai nuk kishte qenë asgjë në këtë botë, thjesht një njeri i papërfillur që ishte përpjekur shumë, por nuk kishte bërë thuajse asgjë të rëndësishme në jetën e vet.
Por kujtimeve nuk mund t'ua mbyllësh dot derën, siç mund t'ia mbyllësh një miku, një shoku, një të afërmi, një vartësi. Ato vërshojnë në mendjen e njeriut, tamam si ajo era që vërshon nëpër të çarat e dyerve dhe dritareve, edhe pse janë të mbyllura mirë. Madje, pikërisht se janë të mbyllura mirë, era jo vetëm depërton brenda atyre të çarave, por pikërisht për shkak të tyre ajo lëshohet si me pickamë nëpër mjediset e brendshme të shtëpisë, a thua si një ankim për pengesat që i kanë vendosur në rrugëtimin e saj. Kështu, me një lloj pickame të tillë, në mendjen e tij vërshonin herë pas here kujtime nga e kaluara e vet dhe në raste të tilla ai ndjehej keq.
Megjithatë nuk kishte pse të përhumbej në kujtime të së shkuarës dhe të përthithej nga honi i errët i saj. Kohët kishin ndryshuar, nuk ishin më ato të mëparshmet, kur ai ishte një njeri krejt i panjohur, i papërfillshëm. Tani ishte krejt ndryshe, jetonte në një kohë tjetër. Megjithatë ai asnjëherë nuk e humbiste logjikën e kohës. Le të ndryshonin kohërat, le të përmbyseshin gjendje dhe situata, që nga ato më të thjeshtat dhe deri tek më të mëdhatë - fitore dhe humbje partish të mëdha, krijim partish të vogla, rrëzime të befta qeverish dhe krijim të planifikuara qeverish - ai nuk e humbiste për asnjë çast logjikën e kohës. Kishte njohur shumë njerëz, të suksesshëm si edhe ai, që të dehur me atë çfarë u kishte dhënë koha, e kishin humbur logjikën e saj. Por vetë koha kishte treguar se, në një moment të caktuar, ata kishin humbur nga gjërat e fituara. Jo, ai nuk do ta bënte kurrë këtë gabim. Dhe nuk e kishte bërë. Ishin ndërruar qeveritë, sa nga njeri krah në tjetrin, por ai kishte mbetur pa lëvizur. Shumë të tjerë i përlante dallga që me të parë. Ai, përkundrazi, qëndronte i pacënuar, sado e fuqishme dhe e papritur të ishte dallga...
Tani ai jetonte çastin e vet. Një çast fatlum, që kishte nisur qysh përpara dhjetë vjetësh. Dhjetë vjet nuk janë pak, por këtë periudhë ai e mendonte gjithnjë si një çast. Jo se jetonte me frikën se ndonjë ditë, krejt befasisht, ky çast do pushonte së qëni aq fatlum. Natyrisht, jo për këtë. Vërtet që shpesh jeta merr kthesa të forta, të paparashikuara, në mjaft raste edhe dramatike. Gjatë këtyre dhjetë viteve ai kishte parë vetë me sytë e tij shkëlqimin dhe rënien krejt të beftë, thuajse në humnerë, të mjaft miqve dhe të njohurve të tij. Disa prej tyre, nga protagonistë qenë shndrruar në viktima fatkeqe. Për shumë kohë ata kishin qenë të fuqishëm, aq sa jo thjesht ata vetë, por edhe të tjerët rreth tyre mendonin se ishin të pacënueshëm, megjithatë nuk kishin mundur dot që t'i bënin ballë lëkundjeve sizmike që krijon herë pas herë pushteti. Po ai pushtet që prodhon politika dhe paraja, që deri në çastin e theqafjes atyre u kishte krijuar një pozitë të fuqishme, të privilegjuar, në dukje të pacënueshme nga asgjë.
Por me atë vet nuk kishte ndodhur kështu. Ai vazhdonte, edhe pas dhjetë vitesh, t'i ngjitej si një kulpër pushtetit dhe parasë, duke i mbrojtur ato dhe, njëkohësisht, duke qenë i mbrojtur prej tyre. Edhe pas dhjetë vitesh ai jetonte çastin e vet. Ai ndodhej atje, në vendin e duhur, në çastin e duhur. Ashtu si çdo send që në këtë botë e ka një vend, edhe njëriu në jetën e vet e ka një çast. Castin e tij ai nuk do ta linte t'i ikte nga duart, t'i fshihej nga koha...
Ai u afrua akoma më shumë pranë Edlirës. "Nga një femër kaq e bukur si ty,
një burrë vetëm pará nuk mund të kërkojë! - tha ai të njejtat fjalë, por kësaj here me zë të ulët, thuajse duke pëshpëritur, ndërkohë që u përkul pak dhe afroi buzët e tij tek buzët e saj.
- Jo, nuk mundem! - tha shkurt dhe prerë ajo.
Ai u përpoq të vinte buzën në gaz, pa bërë as edhe një milimetër prapa.
Por Edlira largoi kokën, dukshëm e zemëruar. Por ky qëndrin i saj atë e bëri akoma më shumë nervoz. Kundërshtimin e saj ai e mori, ashtu siç kishte bërë gjithnjë me femrat, si një shenjë të natyrës së tyre nazike. E njihte mirë këtë sjellje të femrave. Madje, shumë prej atyre femrave me të cilat kishte shkuar, edhe pse brenda tyre kishin vendosur që të shkonin me atë, t'i jepeshin atij tërësisht, në dukje bënin sikur lëkundeshin, sikur ishin në mëdyshje. U pëlqente që mashkulli t'u avitej sa më shumë rretherrotull, t'i joshte me fjalë, me vështrime, madje edhe me lutje. Por ai nga kjo sjellje e tyre përndizej më keq, kundërshtimin e femrave e merrte si fyerje, sjelljen e tyre ledhatare e lexonte si "tundje bishti", siç i pëlqente të thoshte. Ai nuk donte kurrsesi të tërhiqej. Më saktë, ai nuk dinte të tërhiqej.
Me një lëvizje të shpejtë, si të një grabitqari të sprovuar, ai afroi buzët e tij
tek buzët e saj. E puthi aq vetëtimthi, sa asaj nuk i dha as mundësinë më të vogël për të reaguar, për t'u mbrojtur. Klithma e saj, si e një zogthi, u mbyt në hapësirën mes buzëve të saja dhe buzëve të tij. Buzët e saj të njoma, si të ishin të lagura prej ujit të pastër të ndonjë liqeni malor, e përndezën akoma më shumë epshin e grabitqarit të sprovuar. Prekja e atyre buzëve ishte e mjaftueshme që ai të ndjente uraganin e fuqishëm të dëshirës për ta sunduar atë trup femre, atë bukuri të rrallë që fati ia kishte sjellë tek zyra e tij e ngrohtë në atë ditë të ftohtë dhjetori.
Por tamam në kohën që ai po mendonte se tashmë ajo femër kishte rënë përfundimisht në grackën e tij, ajo arriti t'i shkëputej, të largohej prej trupit të tij me një shpejtësi të tillë sa atë e la me gojë hapur. Po me një shpejtësi të tillë ajo tendosi krahun e saj të djathtë dhe e goditi aq fort në fytyrë me shpullën e saj të butë, sa atij i lëshuan sytë xixa.
-Maskara! - klithi ajo, duke derdhur nga sytë e saj të bukur një det të tërë mllefi, urrejtjeje dhe neverie.
"Kurvë!" klithi ai brenda vetes prej një zemërimi që ia përndezi gjakun.
Ishte plagosur krenaria e tij. Brenda harkut të disa sekondave ai i premtoi vetes se ndaj asaj femre ai do hakmerrej. Me patjetër!
Krenaria e plagosur kishte bërë që brenda tij të mbinte një zemërim dhe egërsim deri në kufijtë e hakmarrjes. Përse, atëhere, Niçja thoshte se atje ku plagoset krenaria mbin diçka më e mirë se krenaria?
-Maskara! - klithi sërish ajo, duke e vështruar me neveri dhe përbuzje - Erdha tek ty jo për të shitur trupin tim, por për të të kërkuar ndihmë. Trupi im më takon mua. Ti ke pushtet, ke pará, mund të jesh në gjendje të bësh çdo gjë, por trupin tim nuk e fiton dot. Sepse trupi im më takon mua. Mua dhe atij që unë do dua t'ia jap. Askujt tjetër...Ti je një burracak i ndyrë, që e mat fuqinë tënde me pushtetin dhe me paranë. Me joshjen e parasë dhe të pushtetit ke çuar në shtrat kushedi sa femra, mbi trupat e tyre lakuriq ke zbrazur epshet e tua të ndyra, me siguri ke provuar edhe perversitete gjithfarëllojsh, por mos mendo se mund të bësh gjithçka me të gjitha...
Edlira fliste rrëmbyeshëm, si një furtunë që nis krejt befasisht pas një kohe të qetë. Donte t'i zbrazte edhe plot fjalë të tjera, por befas ndaloi, i hodhi një vështrim plot përbuzje dhe neveri dhe pastaj doli me nxitim nga zyra, duke e përplasur fort derën pas saj.
Në kohën që po zbriste shkallët, as vetë nuk e kuptoi pse iu kujtua biseda që kishte bërë shumë kohë më parë me të atin, kur ai ishte kthyer nga peshkimi.
- Baba, si jetojnë peshqit në det?
- Ashtu si njerëzit në tokë: të mëdhenjtë hanë të vegjlit.

KLEO LATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
IK E IK NËPËR ZHAPOKIKËTregim nga PËRPARIM HYSI (07.16.2014)
SILUETA TË PROFILIT NË IKJE - Mbi krijimtarinë poetike të Kolec Traboinit- Nga ANTON GOJÇAJ, Podgoricë (07.16.2014)
LUTJA E DËSHPRUEMENga ERNEST KOLIQI (07.15.2014)
LETRA E BABAITProzë nga NADINE GORDIMER (20 nëntor 1923 – 13 korrik 2014) (07.15.2014)
KAPITULLI I PARË NGA ROMANI 'TË NGJASHMIT OSE BASTARDËT'Nga THANI NAQO (07.14.2014)
RUGOVA DHE ZBULIMI I BOGDANITStudim nga KUJTIM M SHALA (07.13.2014)
BRAZDAT E JETESShqipërime poetike nga SINAN KËRPAÇI (07.12.2014)
POETI, NJË GRUA QË NJOHA NË DIMËR, SHOFERI I FURGONITTri tregime nga ROLAND GJOZA (07.12.2014)
KORRIER ME URINËN E ZEUSITProzë humoristike nga REZART PALLUQI (07.10.2014)
VETËM ZOGJTË SHPËTUANHaiku nga ADEM ZAPLLUZHA (07.09.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]