DASHURIA JO GJITHMONË E DËGJON ZËRIN TONË Cikël poetik nga FRANCESCO PETRARCA (20 korrik 1304 - 19 korrik 1374) Shqipëroi: ELIDA BUÇPAPAJ
E Djelë, 07.20.2014, 05:13pm (GMT+1)
 
BEKUAR QOFTË DITA, MUAJI E VITI
 
Bekuar qoftë dita, e muaji, e viti, e stina, e koha, e ora, e çasti, e fshati i bukur, e vendi ku i pashë së pari ata sy të bukur që ma pushtuan shpirtin;  
e bekuar qoftë ankthi i parë që më kaploi dhe që e kuptova se kjo ishte Dashuria vërtetë, e harku, e shigjeta që më mori në shenje, e plagët që deri në thelb të zemrës më shkaktoi.  
Bekuar fryma që kam shpenzuar Duke thirrur femrën që dua, E dihatjet, e lotët e përvuajtur, 
e bekuar qofshin të gjitha letrat që kam shkruar me të cilat e bëra për vete, dhe qoftë bekuar mendja ku vetëm mendimin për atë kam ruajtur.
 
VETËM E MENDUESHËM NË FUSHAT MË TË SHKRETA
 
Vetëm e mendueshëm në fushën më të shkretë Shkoj duke e matur me hapat e mi të vonuar të plogët, e sytë i lë të treten ku të munden pa qëllim deri vonë ku gjurmët e njeriut ranishtja ruan përjetë.  
Nuk gjej tjetër shpëtim përveç ikjes Nga rrëmuja dhe ankthi i njerëzisë; Sepse në aktet e të tilla unë e shfryj Jashtë meje atë që brenda meje ndryhet;  
Sepse unë besoj se tani ranishtet, malet E lumenjtë e pyjet e dinë çfarë travajesh Përshkojnë jetën time, e trazojnë. 
Por duke e ditur se as në rrugë pa mbarim Apo në pyje duke kërkuar Dashurinë Ajo jo gjithmonë na e dëgjon zërin tonë.
 
KUR MIDIS GRAVE TË TJERA KOHË PAS KOHE  
Kur midis grave të tjera kohë pas kohe Fytyra e së dashurës më shfaqet tek ato, kur secila sosh është më pak e bukur se ajo gjithnjë e më shumë dashuria për atë më shtohet.  
Unë bekoj vendin e kohën e orën Ku sytë e saj më thanë po për herë të parë E thashë:- Shpirti im perëndinë që atë çast Ishte aq e njerëzishme falënderoje:  
Prej asaj të vjen mendimi i dashurisë, që sa më shumë e ndjek aq më shumë të fton, pa ditur t'ia dish për askënd në botë.  
Nga ajo buron hijeshia shpirtërore Që rrjedh nga qielli nëpër ty; Ajo na jep madhështinë e shpresës sonë.
 
E DASHURA QANTE, EDHE UNË ME ATË NGANJËHERË
 
E dashura qante, edhe unë me atë nganjëherë, nga ajo hapat e mi nuk ishin kurrë larg, duke admiruar për ndjenja të çuditshme e bajate shpirti yt nyjet e së cilës ka prerë.  
Tani që në udhën e drejtë Zoti e ka kthyer prap, me zemër të hapur duart i ngre drejt qiellit prore, e falënderoj atë, që lutjet e drejta njerëzore mirësisht, hirësia e tij, i dëgjon atje nga lart.  
E vetë, duke u rikthyer në jetën dashurore të lumtur, për t'ju bërë që t'ia ktheni shpinën dëshirës së bukur, do të gjeni rrugës gropa, pusa, shkrepa 
për t'ju treguar sa e humnershme është zbritja, e sa alpine dhe e rëndë është ngjitja, në mënyrë që njeriu t'i përqafojë vlerat e vërteta.
 
ISHIN FLOKËT E SAJ TË ARTË PËRHAPUR NËPËR ERË
 
Ishin flokët e saj të artë përhapur nëpër erë,
të cilat në mijëra gërsheta aq hijshëm përdredhur;
e drita lëbyrëse tej mase e përndezur
e atyre syve të bukur, nga buron zgjuarsia e saj përherë;
 
e fytyra plot me hire përvujtnorë,
nuk di nëse e vërtetë apo e trilluar ishte,
më dukej se një zjarr dashurie në kraharor e kishte,
një mrekulli që menjëherë të shkrumbon.
 
Nuk dukej ajo se ishte krijesë e vdekëshme,
por një formë engjëllore ajo dukej; e gjithqysh tjetër
fjalët e saj tingëllonin, por kurrë si zë njerëzor:
 
një shpirt qiellor, një diell i gjallë i mirëfilltë
ishte pamja përballë meje, e nëse nuk ishte e tillë,
për së gjalli dot s'i shmangesh harkut të saj hyjnor.
 
ISHTE DITA KUR ZBEHESHIN RREZET
 
Ishte dita kur rrezet e diellit zbeheshin kur
Për fajin, për pamëshirën tënde, e dashur mizore,
Teksa pranë teje isha e nuk më shikoje,
Se me sytë e tu të bukur, Grua, më kishe bërë gur.
 
Koha nuk më dukej se po më mbronte
Nga shigjetat e Dashurisë; por rendja marrëzisht
I sigurtë, pa dyshuar: pavarësisht
Se travajet dhe dhimbja ime aty fillonte.
 
Dashurinë e gjeta krejt të çarmatosur,
dhe rruga ishte hapur nëpër sytë drejt zemrës,
rrugë krejt krijuar prej lumenjsh të lotëve.
 
Por, sa më duket, ajo nuk denjoi
Të më plagoste rëndë
Madje as harkun kundër meje nuk e nxori.
 
 
RIVALI IM, TË CILIN E KE ZAKON TA SHIKOSH
 
Rrivali im, të cilin zakon e ke ta shikosh
Me ata sytë e tu që dashuri e qiell kanë nderuar,
Ata sy që jo në bukuritë e tij janë dashuruar
Sa në kënaqësitë dhe dëfrimet vdekësore.
 
Duke dëgjuar këshillat e tij e dashur
Më ke përzënë nga strehëza ime e ëmbël:
medet ç'braktisje! Kur unë s'doja asnjë
lumturi tjetër në botë veç të jem pranë teje.
 
Por unë verbuar marrëzisht pas bukurisë,
Nuk merrja dot me mend dëmin që i bëja vetes
Duke përlqyer krenarinë tënde boshe e të egër. 
 
Natyrisht, nëse e rikujton Narcisin,
kjo është rruga e pafund e kotësisë;
ajo rrugë për lule as për bar nuk është e denjë.
Shqipëroi: ELIDA BUÇPAPAJ
|