E Premte, 03.29.2024, 03:34am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
FADIL KRAJA NË PANTEONIN E SHQIPTARISË
Nga ARJAN SUKNIQI

E Hënë, 07.21.2014, 03:34pm (GMT+1)


Përpara disa ditësh rastësisht ndoqa një dokumentar të realizuar mjeshtërisht nga skenaristi Ilir Buçpapaj me regji të Osman Mulës. I çoroditur nga pamundësitë e injorancës që na përplasën tanë ditën e Perëndisë përpara fytyrës, ku djallëzia është bërë si sheqeri i kafesë së mëngjesit, ku shpresa është bërë eter, u bëra dëshmitar i një përkushtimi i dy "arkeologëve" të botës reale.

Them kështu, pasi personazhi që trajtohej është në kulmet e krijimtarisë dhe kështu ky dokumentar nuk kish si të fillonte ashtu siç jemi mësuar mjerisht ku sekuenca e parë filmike fillon në një varr të shprishur, ku ca fije bari të shpërndara kuturu të japin simbolikisht idenë e një njeriu të harruar sa ishte gjallë. A thua se bota e përtejme ja shton më shumë vlerat. Por jo! Lavdi zotit këtë herë autorët me përkushtimin e tyre bënë që të harrohej batuta që rëndom belbëzohet si gjetje "Po kërkush su kujtu për së gjalli për Të".

Një personazh simpatik trajtohej në këto sekuenca, i pa zhurmshëm, pa ceremonitë e trumpetave të kohës, por butësisht i pranuar organikisht nga të tërë. Një Gegë imcak me talent dhe intelekt prej gjigandësh do të kishte fatin të materializonte amanetin e Mjedës, "Për Shqiptarinë gacen e zjermit të atdhedashurisë kurr njiherë s'duhet me e lan me u fik". E kështu ky amanet një mot gërsiti mbi pullazin e Krajanëve dhe kjo derë e madhe u hap butë duke i dhanë më shumë dashuri këtij amaneti njërin prej pinjollëve të familjes. Në turr të vrapit pa mëdyshje djaloshi 15 -vjeçar e mbajti frymën në Mjedë aty ku vite më parë dramaturgu i "Toka Jonë" Kolë Jakova kishte hedhur farën e dijes, aty ku Mjeda i madh predikonte bashkimin, aty ku dhe zogjtë këndojnë kangën e trimnisë. Aty do të ishte fillesa e kësaj pene mahnitëse të mbarsur natyrshëm nga legjendat, nga historia e kishës së Shën Mërisë, nga Meshari i Buzukut, nga Fishta e nga Migjeni, por edhe nga kushtetuta e Malësisë ajo e kanunit të Lek Dugagjinit të cilën e zbërtheu në cdo molekulë për ta bërë më vonë si udhërëfyese në krijimtarinë e tij. Pena e tij do të uluriste me i tregu gjithkuj se ne ishim, jemi dhe do të jemi këtu si trashëgimni e shekujve në paqe dhe pa ju përzi kërkuj në konakun e vet. Kjo staturë intelektuale e formatuar natyrshëm në një brishtësi fizike ishte ngjizur nga dy prindër intelektual që kanë mbetur në memorjen historike të një qyteti që menunë kryesore ka kulturën.

Nga një nënë e shkolluar, mësonjësja e parë femër në të gjithë qarkun e Shkodrës e cila studioi në kolegjin Anglez në Stamboll me shumë kurajo solli oksidentin duke i gjetur hapësirë për të qëndruar me dinjitet në influencat dhe korentet e kohës. Eksperimenti i parë i kësaj zonje ishte fëmija e saj që u bë shembull dhe model i qytetarisë një polyglot, një shkencëtar i letrave një sqimatar skrupuloz i volumeve gjigante, por dhe rifiniturave detajore.

Kjo mbarsje e tillë në shpirtin e një gjeniu me koshiencë të plotë artistike hapi siparin e një prodhimtarie marramendëse letrare ku romanet, prozat, skicat, dramat dhe komeditë do të ndiqnin njëra tjetren, dhe këto bashkë bëhen rreth 80 të tilla.

Tronditëse janë "Melodi Malësore", "Fisheku në Pajë", "Flamur në Darsëm", "Baca i Gjetajve", "Gjaku i Arbërit", etj, të gjithëve na kujtohen emocionet dhe gulçitjet që këto vepra krijonin në sallë, sigurisht për ata që fati i ledhatonte duke i bërë prezent.
Tek shikoja ato sekuenca një emocion më përshkoi qënien, natyrisht dhe i ngarkuar nga përditshmëria me paudhësitë mjerane që na përplasen çdo ditë si dyer të ndryshkura në fytyrë, nuk më vjen turp ta them se lotët nuk më bindeshin, ndaj dhe gjumi bëri divorc me mua.

Po nuk kish si të ndodhte ndryshe kur ky burrë shpatull ngushtë u ba oksigjen për dhjetra aktorë të mrekullueshëm, në një teatër të mrekullueshëm që në vendin e kulturës mbante emrin e Migjenit të madh. Ky teatër i hapi krahët dramës së Fadil Krajës, dramë e cila i ftoi varzat dhe djelmoshat dhe i rriti ndër vite si aktorë profesionistë ku tash me thinja janë personazhe shumë të dashura të skenës teatrale shqiptare. Dramat e Fadil Krajës i dhanë mundësinë çdo aktori të krijonte personalitetin artistik, konfiguracionet e roleve mbanin kontraste të theksuara, ku epikja dhe lirikja ecnin mbi shtratin e vet të pahallakatur nga trazimet që i impononte mjedisi.
Unë pashë Tinka Kurtin, Bruno Shllakun, Zyliha Milotin, Elez Kadrinë, etj me një sinqeritet fëmije dhe plot mirënjohje dhe me padurim kërkonin të shpreheshin me fjalë zemre për njeriun që me veprat e tij u krijoi mundësinë për t"˜u personifikuar me dinjitet si aktorë profesionistë.
 
Të gjithë transmetonin një ndjesi ku tashmë ata kishin binjakëzuar shpirtrat e tyre për një gjë të madhe me dëshmitarë spektatorin dhe me noter paqen.            

    
Pra sigurisht duke parë sekuencat filmike aspak nuk më duken të rastësishme përqasjet që ky njeri kishte për profesionalizmin e vërtetë. Krijesat e tij, Ai gjithmonë përpiqej t"˜ua besonte atyre që shpirti i pulsonte në ritmet e përgjegjshmërisë dhe dashurive të mëdha!!! E ku mund të gjente tjetër kënd që shpirti dhe talenti ti bënin kimi mes vedit ma mirë se me të madhin Serafin Fanko. E filluan bashkë këtë rrugëtim duke marrë dhe dhënë gjak nga gjaku i tyre cdo krijesë që kishin vendosur ta sillnin në jetë. Një bashkëpunim i cili strukte cdo bicimsez që përpiqej me buri kafiqesh të amortizonte britmat e harresës ato që për faj të gjeneratave të pavemendshme në injorance të plotë po mbyllën ndër sundukë e peshtafte duke i trajtuar si antikuare demode per ti zevendesuar me adoptime që identitetin e masakrojnë. Askush nuk i harron dot se çfarë force i dha thjeshtësisë së fjalës apo frazës regjia virtuoze e Serafinit. Dhe kështu me hap të kujdesshëm ecnin ndër majat e madhështisë ndër dekada e kështu vazhduan bashkë deri sa njeri u detyrua të largohej nga ky mission. Por mjeshtri Kraja edhe me vitet e moshës ndër shpatulla thiri rininë për të çuar përpara amanetet e besës që ndër dekada kishin lidh me shoqi shojin. Një bashkëpunim deri në përkryeje artistike ku me 'brutalitetin e të pakonkurueshmes " zunë vend në panteonin e dritave të ndezura perjetësisht të Shqiptarisë.

Nuk u çudita aspak kur gjithkush rendëte për me e thanë diçka për profesorin. Jo, jo nuk u çudita kur shumë prej atyne djelmoshave artikulonin qartë dhe plot krenari se jam nxanës i Fadil Krajës.

Dridhërim teksa dëgjoje mesazhe mirësie në çdo cep të SHKODRËS, KRAJËS, MJEDËS tanë atyre ZONAVE QË E QUAJTËN FATLUM VEDIN ku gjithkush donte me marrë nga kjo madhështi e këtij lisi që mbiu në Shkodër e që lulet dhe gjethet e dijes ju shpërndanë në të gjithë Shqiptarinë.

Dikush tha se në momente të caktume ka përjetuar situata që dhe kërkonin me i hup zanin!!

Jo, ky za nuk kish lind me hup se edhe Fishtës, Mjedës, Migjenit, Konicës dhe Nolit u përpoqën në kohë të ndryshme me ja mbyll tefterët, por S'mujtën, se ata erdhen si misionarë në këtë botë për ta majt thëngjillin e shqiptarisë gjithëherë të ndezun.
Shkodrani i urtë Kraja erdhi si misionar NË ATË QYTET QË I AFROI ME BUJARI flladin e aromës së sherebeles së Taraboshit, vrullin rinor të Drinit, qetesinë dhe zotnillekun e liqenit, por edhe " brutalitetin" e Kirit, dhe misionarë të tillë zoti i shëndron në engjuj që kurdoherë me sperkatë me aromen e mirësisë dhe mos harresës të një ndëgjegjeje kombëtare të formume dhe të trashëgume bash në ato troje prej qindra shekujsh.
Unë pash një intelektuale prej derës së mirë që rrëfente në konakun e Krajanëve me një sinqeritet dhe plot humanizëm një histori shumë vjeçare bashkëshortore. Pash inamorimin e kirurges së parë femër në Shkodër asaj që ndau dhe përjetoi shumë emocione për vite të tëra me njeriun që zoti i kish ngjizur shpirtin misionar. Unë pash një bashkëpunëtore që filtronte dashamirësisht çdo fragment të veprës së bashkëshortit, sigurisht kjo ndodhte sa herë që bisturia ishte në qetësi.

Unë ndjeva, se pash të shkruar! por gjithkund në atë shtëpi fanitej Betimi i Hipokratit, një fole që pareshtur prodhonte mirësinë.

Unë pashë njerëz që kërkonin ta "bënin" të tyren këtë figurë tashmë ikonë të shqiptarisë dhe kuptova shpejt se vërtet ky nuk kish projektuar Brooklyn Bridge, por kish endur me shumë urtësi fillin e mos harresës këtej e andej kufirit, kish mbajt shpresën se gjymtyrët sado gjatë s"˜munden me qënë funksional pa trungun e tyre. Dhe tu i kujtu gjithkuj se këtej dhe andej bukës i thonë buk dhe nanës nanë. Askush s'mundet me harru dridhërimat që dramat e tij shkaktuan në Kosovë dhe Maqedoni. Forca e fjalës dhe mjeshtëria regjizoriale e Serafin Fankos improvizuan një log gjigant ku Gjakovari Ndrek Luca me batutat e ujitura me qumësht shqiptarie depertoi në çdo shpirt ku zaptimi i huaj i kish ba zgavër ku melhemi i vetëm qe shpresa dhe korri i logut ku dirigjent pat padurimin ju pergjigj Batutës Së bacës së Gjetajve kur ai i pyet A jeni ju me Bacën !? dhe korri u logut si oshëtima e maleve artikulonte, Po, Po.

Kjo oshëtimë me shpejtësinë e erës përshkoi tana hapësirat Shqiptare duke u shndërruar si një aureole ku të gjithë tash lirshëm e shohim dhe komunikojmë Shqip. Se shqip e kish shkru Fadil Kraja dhe shqip e la amanetin kollozi Ndrek Luca; se në banesën e fundit dua të më çoni me plis të bardhë dhe në vendin ku linda që tash përseri flitet shqip.

Gjithkush mundet me shkrue, por diferencën e bën ai që me fjalën e tij hyn natyrshëm dhe deperton në çdo shpirt njerëzor. Këto krijesa njerëzore vinë me shumë pakicë në një shoqëri, ndaj duhet të respektohen dhe inkurajohen gjatë gjithë jetës si misionarë. Në fakt kur shikon që një shoqëri si e jona respekton me të njëjtin titull edhe një bejtexhi tallavash tronditësh, por ky fenomen është bërë normal, ka kohë që bishti është bërë më i rëndë se sqepari.

Nuk më çudisin as pushtetarë ministra që ishin dhe këta showmenët rishtarë që vrapojnë për të bërë selfie me këto ikona duke vrapuar për t'i nxjerrë nëpër rrjete sociale për të treguar respektin e tyre.

Nëse eshtë kështu ky gjigant tashmë i ka kaluar përmasat e madhështisë të një kombi.
E keni gjallë në krijimtari, keni shansin e madh të mbeteni në histori që për herë të parë një gjeni kombëtar nderohet me titullin NDER I KOMBIT, bëjeni, se një komb i tërë ja ka borxh , ani se tash ju e keni fatin me e nderue në emër të popullit.

Dikur i shpëtoi dënimit në emër të popullit tash nderojeni në emër të popullit

Nder, për një qytet që skicoi ardhmërinë e kulturës i cili në vështirësitë që po kalon ka nevojë për këtë energji për tu ridimensionuar për vazhdimësi dhe jo per të vazhduar të përmendi në çdo moment mburrjeje të së shkuares.

Fadil Kraja me shokë nuk janë veç të Shkodërloces ata tashmë i përkasin Shqiptarisë.
Ata erdhën si Misionarë dhe u shëndëruan në Engjuj.

ARJAN SUKNIQI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
DASHURIA JO GJITHMONË E DËGJON ZËRIN TONËCikël poetik nga FRANCESCO PETRARCA (20 korrik 1304 - 19 korrik 1374)Shqipëroi: ELIDA BUÇPAPAJ (07.20.2014)
SULEJMAN MATO - SI U ANULUA MBLEDHJA E LIDHJES KU DO TË LINÇOHEJ KADAREJA (Intervistë) (07.20.2014)
JANË CA QË GABOHENPoezi nga ELIDA BUÇPAPAJ (07.19.2014)
ALPHONSE DE LAMARTIN DHE DE RADANga MOIKOM ZEQO (07.19.2014)
DO FLEJË MES LULEVEHaiku nga ADEM ZAPLLUZHA (07.17.2014)
TRUPI IM ME TAKON MUATregim nga KLEO LATI (07.17.2014)
IK E IK NËPËR ZHAPOKIKËTregim nga PËRPARIM HYSI (07.16.2014)
SILUETA TË PROFILIT NË IKJE - Mbi krijimtarinë poetike të Kolec Traboinit- Nga ANTON GOJÇAJ, Podgoricë (07.16.2014)
LUTJA E DËSHPRUEMENga ERNEST KOLIQI (07.15.2014)
LETRA E BABAITProzë nga NADINE GORDIMER (20 nëntor 1923 – 13 korrik 2014) (07.15.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 

 
VOAL
[Shko lart�]