E Enjte, 03.28.2024, 02:08pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
SADIK BEJKO - NASHO GABOI, KADARE S'FOLI PËR ROMANIN, MIQTË ATËHERË TË SHISNIN (Intervistë)

E Djelë, 07.27.2014, 08:30am (GMT+1)



TIRANE - Epoka e revolucionit, thotë Kundera, ishte epoka kur "poeti mbretëronte me xhelatin". Jo pak, por qindra e mijëra vëllime me poezi janë shkruar nën diktaturë. Me të vërtetë, ato janë poezi? Me të vërtet duhet t'ia përmendim sot një shkrimtari të shquar poezitë që shkruante për të shpëtuar veten... se ashtu duhej?", - pyet poeti Sadik Bejko, ndërsa vjen në një intervistë në "Gazeta Shqiptare" për të shpalosur mendimin e tij në lidhje me debatin Kadare-Jorgaqi, nisur pas botimit të letrës së hapur në prof. Nasho Jorgaqit në "GSH". Bejko thotë se miqësia mes Kadaresë e Jorgaqit është e shkallmuar plotësisht, e se megjithatë, ky i fundit ka gabuar me letrën. Ndërsa citon Bertol Brehtin dhe jep rastin e Kunderës, mendon se Kadare është treguar dinak duke mos folur për të gjitha me të gjithë dhe se shkrimtari e ka paguar 'haraçin' a 'taksën' e botimit për të mbijetuar e krijuar veprat.

Z.Bejko, si e pritët dhe si e lexuat letrën e prof.Nasho Jorgaqit për Kadarenë?

Nuk e prita fare mirë botimin e një "letre të hapur" midis dy ish-miqsh. Letra të tilla gjithmonë hapen kur miqësia ka marrë fund dhe nuk priten veç hapje të letrave dhe të haureve të vjetra, të cilët për hir të së vërtetës, si haure që janë, nuk mbajnë erë të mirë. "Hapje" të tilla flasin dhe për një periudhë kohore jo të vogël të fërkimeve e të ngricës së marrëdhënieve dypalëshe, të cilat më së fundi janë aq të mahisura sa hidhërimi plas sheshit. Duke mos i njohur nga afër raportet më të fundme midis prof N. Jorgaqit dhe shkrimtarit Kadare, për këtë nuk mund të them asgjë të saktë.

Kur keni lexuar romanin e Kadaresë, si i keni lexuar frazat për Jorgaqin?
Mospërmendja e emrit të Nasho Jorgaqit nga I. Kadareja është pasojë e këtyre raporteve tashmë të shkallmuara plotësisht. Duke marrë shkas prej (përtej) këtij sebepi, në letrën e tij, prof. Nasho Jorgaqi shpërthen e shkon shumë më larg se sa një problem etik midis dy miqsh të prejkohshëm, "të njohur e dashamirës" që nga mesi i viteve '50 të shekullit që shkoi, të dy burrave të moshës njëri afër të 80-tave e tjetri përmbi të tetëdhjetat. Besoj, që kjo është e pashoqe, jo vetëm në letrat shqipe, por me siguri fare e rrallë edhe gjetkë në botë. Ç'alarm, apo ç'porosi që nuk e treste dheu, donte të kumtonte prof. Nasho Jorgaqi përtej asaj që ish-miku në moshë më të vogël, i viteve të hershme studentore, kish shkelur etikën? Prof. Nashua atë e njeh dhe e di që ai nuk është dhe aq i kujdesshëm? Madje, sipas "Letrës..." në fjalë, ai është pak indiferent, i çuditshëm, i heshtur... Prof. Nashua në studimet e tij ka sjellë një thënie të miqve të afërt të peshkopit Noli: ai, Fan Noli kishte të gjitha të metat njerëzore që kanë njerëzit, plus të metave të atij vetë, të Nolit. Prof. Nashua është një njohës i personaliteteve letrare, si historian i letërsisë dhe e di se njerëz janë dhe krijuesit, sado të shquar qofshin. Prof.Nashua duhej të kuptonte se ish-miku i tij i talentuar, I. Kadare, sipas tij që herët "solist në letërsi" nuk është pa të meta. Atëherë pse nuk e paska zënë gjumi, pse qenka ndjerë shumë keq për pak më shumë etikë mes miqsh?

Ju, çfarë kuptoni nga letra?
Preokupimi kryesor i letrës është se ish-miku po mistifikon, po falsifikon të kaluarën e tij, po shet e po ble të kaluarën. Ai ka qenë një i ri me pikëpamje komuniste, me krijimtari komuniste, madje i talentuar si i tillë, pse tani do të hiqet si tjetër njeri? Dhe me kë? Me atë që e njeh aq mirë. Me kë? Me atë që si studiues letërsie di të mbajë arkiva: i ka ruajtur letrat, kartolinat, dedikimet e librave, i ka ruajtur në ditar bisedat e ngjarjet jetësore, ia ka ndjekur dhe gjithë krijimtarinë, si mik, por kryesisht si studiues. Sado korrekte në plan të parë, e gjitha kjo logjikë është një gabim i pafalshëm për një studiues, madje një gabim me G të madhe.

Ju mendoni se prof. Nasho Jorgaqi ka gabuar, si e argumentoni këtë qëndrim tuajin?

E para: ai i merr për të mirëqena ato që kanë folur e me gjasme kanë menduar, miqtë e dikurshëm me njëri-tjetrin. Në një kohë të palirisë, siç ishte diktatura, njeriu mbrohet edhe nga vetja, jo më nga miqtë, sado të afërt. Por edhe në liri... ne nuk mund të jemi "të sjellshëm" gjer në fund me miqtë. Pak "mirësjellje", dmth., fshehje e së vërtetës, të bën mirë. Mbasi ikin miqtë që dhe i uruam për diçka, ne qeshim me veten dhe me miqtë tanë. Kjo e qeshur mbas shpine me miqtë tanë nuk është etike, por është e vërtetë. Te Kundera, policia sekrete vuri në transmetim radiofonik bisedat e dy poetëve disidentë, talljet e tyre me miqtë e ngushtë, me qëllim që t'i diskreditonte... por njerëzit qeshën, vazhdon Kundera, se ne të gjithë kështu bëjmë. Nëse Kadareja sy më sy, ia ka mburrur "Dashurinë e Mimozës", dhe me vete "ka vënë duart në kokë", kjo nuk është gjë që nuk ndodh edhe sot e gjithë ditën. Kushedi sa shokëve ne ua urojmë veprat, e sa ikin ata, mbledhim buzët. Sot kjo ndodh me mua, nesër ndodh me ty apo me atë tjetrin. "Hëm, hëm o ju që më dëgjoni, e keni mirë atë gjërì...?" thoshte Pushkini për këtë të nevojshme hipokrizi. "Ndryshe do bëhemi mizantropë, do mbetemi pa miq", thotë Molieri në komedinë "Mizantropi"

Gabimi i dytë i prof Nashos: Bertold Brehti porosiste ushtrimin e dinakërisë nga krijuesit nën regjime totalitare. Kjo është një tragë e rrahur dendur në rrugën e të mbijetuarve nën diktaturë. Prof. Nasho Jorgaqi thotë, madje citon nga arkivi i tij privat: Ti, I. Kadare ke pasur këto apo ato mendime të fshehta apo edhe publike, ty, unë të njoh mirë I.Kadare (siç). Por a mund të jetë e vërtetë? Është e vërtetë se e njeh kaq mirë një mikun tënd jo vetëm në mungesë lirie, por edhe sot? "E vërteta më bën keq", ishte vargu i një kënge italiane të viteve '60. Ti vazhdon Prof. Nashua, ke shkruar "Sekretarin", "Motivet partizane" etj., etj., dhe këto kanë qenë vepra "të partishme"... Ti dhe në artikuj ke mbrojtur realizmin socialist, thuhet në "Letrën e hapur". Po, i kam shkruar, mund të thotë I.Kadare, edhe komunist mund të jem bërë, por a kam qenë qinpërqind "i partishëm" apo... kam paguar haraçin, taksën e botimit, taksën për të mbijetuar dhe krijuar veprat që sot më bëjnë të pavdekshëm. Në emër të këtij synimi, a nuk ia vlente që ta ushtroja porosinë e Brehtit mbi dinakërinë? Ata që i morën për të vërteta manovrat e krijuesit për mbijetesë, le të mbeten të fyer... Nuk kemi ç't'u themi.

Duke ndjekur këshillën e Brehtit, Kadare është treguar dinak, pra nuk ka pasur dhe aq besim?
Them se duke ndjekur këshillën e Brehtit, Kadareja fare mirë mund të shkruante një roman intim si "Mjegullat e Tiranës" dhe ta mbante në sirtar, në të njëjtën kohë kur kritikët zyrtarë e mburrnin për veprat "e partishme" që sapo përmendëm.
Dhe "Qyteti pa reklama", "Hija", "E bija e Agamemnonit" ishin vepra sirtari apo të fshehura në banka. Kadare e ka ushtruar këtë lojë me kohën e tij.... Pra, edhe me miqtë e tij. Ata nuk duhet të mbeteshin të fyer, por si miq duhet ta falenderonin. I. Kadare ka ruajtur veten, por i ka ruajtur edhe ata. Kohët të tilla ishin. Disa miq të shisnin sipas parimit "dua partinë, pastaj të dua ty, dashuri". Disa të tjerë të shisnin se nuk rezistonin në hetuesi. Kadareja duke ua fshehur "mëkatet" e veta, i ka mbrojtur ata që ia mbanin shënim bisedat, mendimet... në fund të fundit, ka mbrojtur miqtë e tij.

Nuk duket se është kuptuar si mbrojtje fshehja e 'mëkateve' në kohë diktature dhe rrëfimi i tyre në liri. Kadaresë po i përmenden sot, edhe poezi të shkruara e botuara asokohe, por që bien në kundërshtim me idetë e tij mbi regjimin. Si i lexoni?
Epoka e revolucionit, thotë Kundera, ishte epoka kur "poeti mbretëronte me xhelatin". Jo pak, por qindra e mijëra vëllime me poezi janë shkruar nën diktaturë. Me të vërtetë, ato janë poezi? Me të vërtet duhet t'ia përmendim sot një shkrimtari të shquar poezitë që shkruante për të shpëtuar veten... se ashtu duhej?
E po ç'është krijuesi? Këtu prapë po citoj Kunderën: "Ju jeni komunist, zoti Kundera? - Jo, jam romancier". "Jeni disident? - Jo, jam romancier". "Jeni i majtë apo i djathtë? - As njëra, as tjetra. Jam romancier".

Ka edhe një gabimi të tretë, është i një natyre më të hollë. Lidhet me atë ç'është krijuesi, ç'është njeriu? Duke qenë njeri i letrave, unë pyetjes se "ç'është njeriu', po i përgjigjem me Leon Tolstoin, me personazhet e librit "Lufta dhe paqja". Kush ishin Pjer Bezuhovi, A. Bollkonski? Në jetën e tyre ata provuan ateizmin, fetarizmin, u bënë luftëtarë, pastaj u penduan që qenë të tillë. Braktisën familjet. Braktisën idetë, braktisën ideale, braktisën dashurinë dhe fjalën, e u kthyen prapë te të dashurat e mëparshme. Ata ndryshuan, për të mbetur të pandryshuar, domethënë, po ato personalitete të gjalla në kohë e në rrethana që vazhdimisht ndryshojnë dramatikisht. Ne i duam në ndryshueshmërinë, jo në statizmin anemik. I duam me mish e gjak, jo si mishërime idesh a parimesh. Tolstoi është një shkrimtar i realizmit. Nuk mora ndonjë shkrimtar që thotë: Bar do të hamë, por nga llogoret nuk luajmë.

Spartak Ngjela ka thënë "I santi non si toccano". Ju qëndroni në këtë linjë?

A nuk është Ismail Kadare një romancier par excellance? I njohur botërisht? Është dhe nuk ka studiues ta kundërshtojë. Atëherë, pse duhen letrat e hapura me vrer të fshehura? Kjo ndodh se sot, hapur e publikisht, Ismail Kadare shton edhe diçka tjetër. Ai thotë: Nuk dua të jem komunist, nuk kam qenë asnjëherë komunist. Jam Perëndimor dhe nuk dua të jem në vathën e kuqe apo jeshile Lindore. Kjo disa i tërbon. Qofshin dhe miq, i bën armiq. Dhe harrojnë kryesoren: ai është krijuesi. Ai është krijuesi botërisht i pranuar për vlerat e tij universale. Dhe për të qenë krijuesi autentik, rëndësi ka brendësia e krijimtarisë, kanë rendësi kumtet që përçon nëpër kohë e hapësira të panjohura teksti i veprave. Ashtu si teksti i Shekspirit, si teksti i Servantesit, si teksti i Dantes, Tolstoit, Kafkës. Jashtësia, dmth., jeta e shkrimtarit, jeta intime, jeta publike, jetëshkrimi i veprës apo i autorit të saj pak rëndësi kanë. As drejtimet letrare, as simpatitë politike a filozofike.

Zoti do ta pyesë, kur të jenë ballë për ballë: Kush je ti Ismail Kadare? Me siguri, do të përgjigjet: Unë jam një romancier. Dhe qielli do t'i hapet.
Problemet e tij janë në tokë. Është thënë: asnjëri nuk bëhet profet në vendin e vet. Tokësorët e vendit të vet, hapin skeda e thonë: kush ke qenë ti e dimë ne. Po dhe kush je ti sot, në skedat e tona vendin e ke. Vërtet të veckël para një formati shumë të madh.

FATMIRA NIKOLLI


Rating (Votes: )   
    Comments (2)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
SHI PRANVEREHaiku nga libri 'Një grush dashuri' nga ADEM ZAPLLUZHA (07.25.2014)
GJARPËRI PIKALOSH, AKREPI BISHTGJYSMËPËRDREDHUR DHE HARABELI SQEPVERDHËFabul nga XHEVAHIR CIRONGU (07.25.2014)
IDIOTI I PARAFUNDIT...Tregim nga ARDI OMERI (07.25.2014)
BOTA GOMARESKE(Satirë e „ëmbël“)Nga AGIM GASHI (07.24.2014)
VALS I KËNGËS SË DHIMBSHMEPoezi nga SEJDI BERISHA (07.24.2014)
PABLO NERUDA, AMBASADOR NË PARIS, NË VEND TË PERSEKUTORËVENga LUAN RAMA, studiues (07.24.2014)
UNË DHE HEMINGWAYNga MARLENE DIETRICH (07.22.2014)
FADIL KRAJA NË PANTEONIN E SHQIPTARISËNga ARJAN SUKNIQI (07.21.2014)
DASHURIA JO GJITHMONË E DËGJON ZËRIN TONËCikël poetik nga FRANCESCO PETRARCA (20 korrik 1304 - 19 korrik 1374)Shqipëroi: ELIDA BUÇPAPAJ (07.20.2014)
SULEJMAN MATO - SI U ANULUA MBLEDHJA E LIDHJES KU DO TË LINÇOHEJ KADAREJA (Intervistë) (07.20.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 

 
VOAL
[Shko lart�]