E Enjte, 03.28.2024, 08:34pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
SI PO IA ÇON, MOJ DASHURI E PARË!!!
Tregim nga PËRPARIM HYSI

E Djelë, 07.27.2014, 04:48pm (GMT+1)


Sado që kemi vjete e vjete që jemi ndarë, vjen një moment që zë e të kujtoj. Kjo ndodh jo se do zhbëjmë atë që ndodhi, por nuk ke se si u shpëton ca asosacioneve që, ashtu kur nuk i pret, vijnë dhe vënë domenin. I mundur nga këto, ua lëshon kapistallin kujtimeve dhe, si në një film me metrazh të gjatë, bie peng aq sa zë e mbresohesh. Befas, e shkuara, sado e shkurtër, të vjen para sysh dhe të bëhet sikur po e përjeton tani atë që ka mbi pesëdhjetë vjet që ka ndodhur. Mbresa, sado e largët, bëhet e prekëshme dhe të sëmbon. Të sëmbon sikur heq korën e një plage dhe,sa e heq këtë korë sado metaforike, ndjen dhimbje. Një dhimbje pakësa të ëmbël, por edhe të dhimbshme.
* * *
Ne u deshëm. Kjo dashuri lindi ashtu tak-fap, sapo u pamë sëpari. Atëherë ti ishe si një lule e brishtë, me ca sy të zinj që unë gjetkë nuk i kisha parë. Sa u takuam, lëshove një buzëqeshje dhe mua m'u duk se ti dije të qeshje më bukur se kushdo në botë. Pra, nga një lule e brishtë, ti u zhdrrove në një ëngjëll apo si një diell që shndrisje vetëm për mua. Natyrisht, unë hesapet i bëja pa pyetur hanxhinë. Po, më thuaj, moj e dashur, cili nga ata që dashuron është racional? Që atë çast, unë të desha dhe aq i vendosur qeshë,sa thosha:- Po duket që atje tej që edhe ajo më do. Qeshë apo nuk qeshë afër të vërtetës, këtë do ta tregonte koha, por unë ama e kisha të mbushur mëndjen top: ti nuk kishe se si të më thoshe: jo. Se nuk kishe arsye,- mendoja unë. Se... epo ku kish më të bukur se unë?!!!! Dhe, tek të shkruaj sot që jam mëndjekthiellët, s'kam se si mos vë buzën në gaz me atë "bukurosh të pashokë". Për ta bërë më të plotë "portretin tim të bukur", nuk lashë vazo me brilantinë në dyqan, për të shtruar flokët e mi si gjëmbairiqi të asaj kohe, të kësaj koke, sot me thinja, që nuk duronte krëhër. Nga natyra, tërë jetës kam qenë rebel dhe dukej dhe flokët qenë si tel. Nuk kishte krëhër që t'i shtronte. Brilantina kish bërë punën e saj dhe, tek shiheshim, ti më hidhje sytë dhe ia jepje të qeshurit. Zor se vije vetëm në ato pak raste. Pranë teje, një shoqe pak më e madhe se ti në moshë. Kjo kish dhe përvojë në këtë fushë ku ne sapo shkelnim. Ajo qe e fejuar dhe qe si "tutore" për ty. Ti qe dy klasë më poshtë se sa unë, por vëndi ku takoheshim,qe konvikti. Qemë të dy konviktorë dhe, po t'i zije besë "horoskopit" tim (aso kohe as që njihej fjala horskop!), unë "lexoja" kështu: jemi nga një rreth dhe kjo është një arsye që ti të më doje. Aq i bindur qeshë në këtë arsyetim,sa nuk kish burrënëne, të ma rrëxonte bindjen time. Konviktorë: po ne qemë si vëllezër e motra. Po të mendoje kështu, atëherë si mund që të më doje? Po unë e ngarkoja mushkën më shumë këtej nga ana ime dhe thosha:- Pse mos jam ai Halili i "Visareve të Kombit" që thoshte:- Tanë çikat e Jutbinës ku janë/ bash si motra po më duken. Jo, mor xhan,- i bëja vetes qejfin,- ç'motër e kam. E dua dhe pikë. E dua dhe pikë ishte pak. Por betohesha:- Dhe ajo më do.
* * *
Askujt nuk i kisha thënë që të doja. E bukura është se as ty nuk të kisha thënë gjë. Pra,qe si një "film pa zë". Qe, sipas meje, një fshat që dukej dhe fshati që duket, nuk ka nevojë për kallauz. Mos kujto se flija rehat, sado që ty nuk të kisha thënë. Prisja momentin. Se, pa ardhur koha, as edhe një gjë nuk realizohet. Për t'u bërë më prezent, dalë e ngadalë po ndryshoja "luk". Nga dollapi i rrobave nxora kostumin dhe i nxora ujtë e zi, sado që i shkreti babai im, më kish porositur:- Vishe rrallë e në ditë festash,se këtë ke:laj-thaj. Mirë e kishte babai im, po nuk e dinte se tani të gjitha ditët për mua qenë festë. U bëra si ato adoleshentet që nuk i ndahen pasqyrës. Një orë me të shtruar flokët-gjëmb. Zura i mallkoja: si guxonin që rebeloheshin ashtu dhe më prishnin bukurinë? Dhe, pasi sigurohesha se gjithë bashkëshokët i kisha vënë poshtë me lukun tim, turresha tutje korridoreve që të më shihje ti. Mundimi nuk më shkonte kot. Më shihje, lëshoje atë buzëqeshjen (mua kaq më duhej) dhe më tej asgjë. Fare asgjë. Fare asgjë, po përse qeshje?- pyesja unë. Dhe po vet përgjigjesha:- Qesh,se më do. Të qe kështu? Kur një të shtunë në mbrëmje,ia bëra ferk. Qe një mbrëmje vallëzimi. Isha një nga organizatorët. Si t'ia bëja që të kërceja me ty? Se kish shumë çuna dhe pak goca. Me të qeshur (unë shquhesha për shaka dhe këtë e merrja si plus mbi të tjerët) thashë: dyzet kolonjarë, me gjysmare farë. E thashë me zë të lartë ( pra,qeshë dhe më i bukuri,por dhe më i zgjuari,de) dhe, kur pashë që të gjithë ia dhanë të qeshurit, unë sytë mbi ty: qeshje për mua. E për kë tjetër?! E rregullova dhe për kërcimin. Vendosëm rregull: me kuadrile. E ndreqa punën që, ndërsa unë bëja si kavalier, Strahilin, ajo, pra që më donte, partneren e Strahilit, Sherinën. Qenë personazhë të një filmi baladë bullgar, ku Strahili bëhet copë për Sherinën. Me demek, të çoja mesazh: kështu bëhen dhe unë copë për ty. Naivitet, domosdo. Po vallë a hahet rrushi i papjekur? Më së fundi, ja kërcyem. Unë të shtrëngoja dorën dhe, tek ti nuk hiqej tënden, e merrja si pranim të asaj që ndjeja. Që "ndjenim", më sakt. Kaq. Sado që kërcyemë dhe dy herë të tjera.
* * *
Të dielën me atë "tutoren" që nuk të ndahej, ti erdhe tek klasa ime kur po bënim studim. Klasa plot, por me "tutoren" si gardiane, s'kishe pse të emcionoheshe. Unë (hapu dhe të futem brënda) lëviza tek banka sikur po më hanin pleshtat. Hytë të dyja dhe "tutorja" u drejtua tek unë:- Për ty kemi ardhur ( epo kot thosha që më do?!!!), se kjo, Bisharetja, ka një analizë fjalie që nuk e bën dot. Po ç'e kisha unë një analizë? Aq më tepër kur qe puna për Bishareten! Ndërsa unë po i hidhja një sy fjalisë, Bishareti hodhi sytë: jo mbi mua,jo. Tek tabela e nderit. E pa dhe lëshoi atë buzëqeshjen. E kishte për mua. Po si nuk e kishte për mua, kur nga tri emra, një qe emri im. Sado që u kalmenda se plus "bukurisë" që nuk më mungonte, po isha i dalluar. Pak inat më erdhi që mbi emrin tim, domethënë i pari, qe Mit'hati. E mora inat Mit'hatin se në atë moment duhet të isha unë i pari. Sidoqoftë, po a nuk isha më i "bukuri?!", po dhe Strahili , ai komiti i tmerrshëm, që përmbyste dynjanë për Sherinën. Lëre-lëre,seç mendoja dhe se si i prisja drutë për hesapin tim. Për hesapin tonë. Dhe, pak nga pak, një çap sot dhe një nesër, unë ia bëra: bamp! U skuqe dhe po dridheshe si një zog i trëmbur. Unë aty përballë me ato flokët ngarkuar me brilantinë që dhe sot, kur i mendoj, ma shpallin. Më the: po! Po dhe aq u ngazëlleva, sa qeshë gati të të merrja në krah e të fluturonim në qiell. M'u duk se atë ditë u bë kataklizëm. Bota u përmbys dhe, në gjithë botën mbarë, ekzistonim vetëm unë e ti. Unë e ti dhe asnjë tjetër. Po ç'duheshin të tjerët, vallë? Kur ndodhi "kataklizma", unë sapo mora maturën. Ti kishe dhe dy vjet akoma. Po ç'ishin dy vjet?
A nuk thonë që e mira pret. Pakti u bë. Gojëkyçur. Film pazë. Askush mos e marr vesh.
* * *
Unë po zura qiellin e shtatë. Kaloi një vit dhe ne, sipas paktit, shiheshim në distancë dhe vetëm shkëmbenim letra. Mbi zarf unë vija një emër të një kushërirës tënde dhe ti , gjasme, letrat m'i dërgonte dikush nga shkolla. Po vallë ç'gjë në botë mbeti pa u marr vesh. Kur ti ishe në maturë, unë bëra si bëra, dhe u duka andej nga shkolla. Tani qeshë bërë"tjetër": veç kostumit, kisha vënë dhe kollare. E kuqe flakë kollarja si domethënie për dashurinë tonë. Enkas për ty erdha, por takimi qe si "tangent". Na dukej sikur gjithë sytë e botës shikonin nga ne. Epo "faji" jo vetëm është i dukshëm, por dhe i lexueshëm. Sado "tangent", por letrat "kullonin" nga dashuria jonë. Oh, kur po vjen ky qershori i vitit 1961!
* * *
Pas kasavetit,- thonë turqit,- ka selamet. Erdhi dhe qershori që ti more maturën dhe unë mezi prisja të të vija në shtëpi. Buisja dhe bëja "buf" si ajo pema e Krihstlindjes nga dritat. Po a nuk thonë me të drejtë:- Mos u gëzo, o i gëzuar! "Buf" bëja nga gëzimi se, më së fundi, pas një pritjeje të gjatë, do të kurorëzonim dashurinë tonë. Dhe ç'ndodhi! Të tutë sa morën vesh që unë isha me "qere" nga biografia, u hodhën në sulm me gjithë "artilerinë e kohës", për të të shpëtuar ty nga një "armik" pontencial. Ti, për fat të keq, u dorëzove. Për ta bërë fakt të kryer dhe, për t'ma lënë mua dopio gjashtën në dorë, të martuan,sa hap e mbyll sytë, me një "kuadër të pjekur" të sërës suaj. Pa frikë, ky "kuadër i pjekur", duhet të qe nja 10-12 vjeç më i madh se sa ti, por sa rëndësi kish: qe një kohë që vriste dhe dashuritë. Unë, Strahili, mbeta pa Sherinën. Epo kot nuk thonë: të tjera duamë, të tjera në duan dhe të tjera marrim. Ja, kështu ndodhi. Ndodhi si ndodhi dhe, tek përsiatem me këtë dashurinë e parë, zë u kthehem atyre viteve dhe nuk para të vë faj. Tani, natyrisht, që të dy jem plakur, por unë ama që nuk të kam parë qysh nga 1961, kë nuk kam pyetur për ty. Me që dhe shkruaj, enkas këtë tegim e kam shkruar për ty:- Si ia çon, moj dashuri e parë? Nuk do kishte ngushëllim më të madh për mua, sikur të lexoje ç'kam shkruar dhe të më shkruaje qoft dhe dy fjalë.

Thonë që shpresa vdes e fundit. Dhe unë shpresoj. Pse shpresoj, ja dhe adresa ime: [email protected]

Tiranë, 25 korrik 2014

PËRPARIM HYSI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
SADIK BEJKO - NASHO GABOI, KADARE S'FOLI PËR ROMANIN, MIQTË ATËHERË TË SHISNIN (Intervistë) (07.27.2014)
SHI PRANVEREHaiku nga libri 'Një grush dashuri' nga ADEM ZAPLLUZHA (07.25.2014)
GJARPËRI PIKALOSH, AKREPI BISHTGJYSMËPËRDREDHUR DHE HARABELI SQEPVERDHËFabul nga XHEVAHIR CIRONGU (07.25.2014)
IDIOTI I PARAFUNDIT...Tregim nga ARDI OMERI (07.25.2014)
BOTA GOMARESKE(Satirë e „ëmbël“)Nga AGIM GASHI (07.24.2014)
VALS I KËNGËS SË DHIMBSHMEPoezi nga SEJDI BERISHA (07.24.2014)
PABLO NERUDA, AMBASADOR NË PARIS, NË VEND TË PERSEKUTORËVENga LUAN RAMA, studiues (07.24.2014)
UNË DHE HEMINGWAYNga MARLENE DIETRICH (07.22.2014)
FADIL KRAJA NË PANTEONIN E SHQIPTARISËNga ARJAN SUKNIQI (07.21.2014)
DASHURIA JO GJITHMONË E DËGJON ZËRIN TONËCikël poetik nga FRANCESCO PETRARCA (20 korrik 1304 - 19 korrik 1374)Shqipëroi: ELIDA BUÇPAPAJ (07.20.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 

 
VOAL
[Shko lart�]