E Shtunë, 04.20.2024, 08:15am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
LETRA E NASHO JORGAQIT - INKUIZICION AGJENTUROR KUNDËR KADARESË
Nga LILIANA HOXHA

E Enjte, 07.31.2014, 10:18am (GMT+1)



Librat "Pushtimi i brendshëm" e "Tanët", të botuar dy-tre vjetët e fundit, nuk u kundërshtuan dot publikisht, përveç tentativave mediatike për ta kaluar pistën e së keqes kombëtare, nga agjentura, siç kam theksuar unë, në mafia, sikur këto të mos ishin e njëjta gjë në sistemin komunist dhe në atë të sotmin, rrjedhimi i tij. Por paradoksalisht është sulmuar me insistim këtë verë Ismail Kadare, pikërisht kur vëmendja duhej të ishte në rezultatin e 300 ditëve të qeverisjes së pushtetarëve të zgjedhur pikërisht nga mafia-agjentura, pra për të fokusuar vëmendjen tek shkrimtari i madh, ndërsa ekonomia shtetërore dhe e individit ka rënë, si dhe ka lulëzuar krimi në pushtet. Kjo është një arsye bazë, përveç arsyeve specifike që do t'i parashtroj. Kohët e fundit, shkrimtari i madh ka theksuar publikisht kërcënimin politiko-social të fenomenit "Judë", që është refreni im tek libri "Tanët". Paralelisht në një emision televiziv për këtë libër, pyetem befas e djallëzisht se çfarë mendoj për Ismail Kadarenë. Animatori ishte i sigurt që do ta kritikoja, siç edhe ka ndodhur. Duke u ngritur mbi problemet personale, për çka jam shprehur edhe e revoltuar për shkrimtarin tim të vyer, thashë atë që mendoj në mënyrë determinante, pra si e shoh unë atë në lidhje me kombin. Theksova: "Kadare është krenari kombëtare". Në Shqipëri nuk ka ardhur kurrë e keqja nga poshtë. Nuk ka pasur kurrë "Al Capone" për të organizuar mafien apo agjenturën, se shqiptari ka qenë kaq i mjeruar, sa këto bëma i takonin veç botës së pushtetit antishqiptar, fatkeqësisht kjo që prej Zogut e deri më sot. Por u bënë plot 24 vjet që Kadareja sulmohet pa mëshirë nga e ashtuquajtura mafia apo agjentura mbrapa personave të veçantë, nëpërmjet "inteligjencës opinionbërëse", dikur nga Rama, më vonë Lubonja etj., etj., deri më sot. Jo më kot, qëllimi për të denigruar autorin ka filluar me letrën autokritike që shkrimtari i pati dërguar Nexhmije Hoxhës, pasi ajo e emetoi në media pabesisht. Them kështu, se kurrë nuk u prononcua vetë ajo. Çudia në atë barbari sulmesh ishte se panelet mediatike anti-Kadare mbështesnin N. Hoxhën, ndërsa shkrimtarit ia konsideruan dhe artin e tij të paarritshëm, si të pavlefshëm.
* * *
Ishte atëherë kur unë vendosa që për nga vlerat kombëtare do të jem gjithmonë në mbrojtje të Kadaresë. Sepse unë pata shansin të kem në duar në vitet '92-'93 një tjetër dosje të famshme inkriminimi të N. Hoxhës ndaj Kadaresë. Me kaligrafinë e saj mbi dosje shkruhej: "Dosja për Ismail Kadarenë". Përveç letrës autokritike si dokument kryesor kundër shkrimtarit, kjo dosje përmbante dhe poezinë e plotë "Në mesditë Byroja Politike u mblodh", pjesë e së cilës është ekstrakti i botuar me titullin "Pashallarët e kuq" rreth vitit '74, që menjëherë u ndalua. Po të lexohet sot poezia e plotë, gjithkush do ta quante Kadarenë disident, që në atë kohë e sot e kësaj dite. Gjykuar gjithmonë duke u bazuar në rrafshin historik e kohor, domethënë në çfarë periudhe të diktaturës u ndodh shkrimtari, në cilën periudhë të saj filloi kritikën, si dhe cilat janë veprat më të spikatura me vazhdimësi goditëse ndaj sistemit, si "Nëpunësi i pallatit të ëndrrave" etj., etj. Në kohën përkatëse fluturoja mbi re prej lumturisë personale, e porsamartuar ose si nënë e re, dhe nuk e kam ndjekur Kadarenë hap pas hapi. Por më kujtohet, përveçse kam mbajtur shënime, që për poezinë "Pashallarët e kuq" Nexhmije Hoxha tha: "Ismaili kishte shkruar një poshtërsi". Unë iu përgjigja: "Po më mirë të shkruajë hapur, sesa në mes të rreshtave, si deri tani". Enver Hoxha dëgjonte dhe na ndërhyri me ton shumë serioz: "Jo, jo! Ai duhet dëgjuar, se është i mençur!". Dialogun e zgjeruar me Enver Hoxhën lidhur me Kadarenë në Pogradec mund ta shtjelloj herë tjetër.

Midis të tjerash, Kadare është luftuar shumë, duke e krahasuar me disidentët rusë, kryesisht Pastërnakun, i cili mori pjesë në luftërat e brendshme e civile para vendosjes së diktaturës në Bashkimin Sovjetik, kur fare mirë mund të vritej, përveçse të dilte nga ajo dramë me jetë të shkatërruar. Ndërsa Kadareja, me inteligjencë të lartë e ndëshkoi rreptësisht diktaturën, hipur mbi kalin e vetë sistemit. As ai nuk pretendoi e as ne nuk do ta donim një Kadare martir.
* * *
Në 28 prill të këtij viti (2014), tek gazeta "Dita" botohet befas e plotë poezia në fjalë, për çka pashmangshmërisht i bën nder autorit, që të ketë guxuar që në '74-ën të godasë në zemër të diktaturës. Për vetë mendjen e mjerë të inkuizitorëve, kjo poezi botohet bashkë me mbrojtjen që i bën Mehmet Shehu shkrimtarit me rastin e botimit të "Pashallarëve të kuq" në 20/10/1975. Të dyja dokumentet, edhe poezia, edhe fjala e Mehmet Shehut, janë nxjerrë sipas radhës nga dosja e N. Hoxhës. Për fat të keq të fantazisë së sëmurë të saj, veç bashkëpunim të Kadaresë me M. Shehun nuk gjen këtu! Gjë për të cilën paralelisht ajo insiston tek dosja tjetër famëkeqe e krimit të vetë M. Shehut, ku përpiqet të inkriminojë Kadarenë në deponimet e Fiqirete Shehut e fëmijëve të saj. Dosjen e Kadaresë e kisha veçuar nga dokumentet e N. Hoxhës kur ajo ndodhej në burg, për të ruajtur shkrimtarin e madh, madje të gjeja rastin dhe t'ia jepja autorit. Dosje të cilën duhet ta ketë marrë fshehurazi Pranvera, që jetoi jo pa qëllim dy muaj tek unë në ato kohëra.
* * *
Po të shohim kronikën e subjekteve të sulmeve ndaj Kadaresë, vërtetoj që ai është goditur për çdo rast vetëm me elementë të dosjes, dhe debatet janë iniciuar prej tyre. Duhet ditur që dosja përmbante dhe letrën e Dhora Lekës në gjallje të saj, për çka dhe vetë ajo u nxit të kritikonte Kadarenë sipas planit të inkuizitorëve. Madje është nxitur të shkruajë një tjetër letër në fundmoshën e saj, për të përsëritur një tjetër farsë, kësaj radhe me mendje të çoroditur të botuar pas vdekjes së saj.
* * *
Më e pajustifikuara për vetë autorin e sulmit, duke qenë vetë shkrimtar, për "sebepet" që përdor, është kjo e Nasho Jorgaqit. Pa u ndalur në nivelin mediokër të trajtimit e sidomos të arsyeve për të sulmuar Kadarenë në raport me artin e tij të madh, duhet të ndalem për dijeni të lexuesit: kush është vepra e brendshme e Nasho Jorgaqit. Përsëri kam përgjegjësinë si dëshmitare, përveçse si analiste. Kam folur shumë herë për të si vegël e dy Nexhmijeve dhe Ilir Hoxhës, por besoja që mbetej vetëm në nivelin e kalemxhiut. Nuk do të besoja dot që cilido shkrimtar të mund të diskutojë për të madhin Kadare në është shkrimtar i sinqertë apo jo. Të thuash se na duhej një "thembër Akili" për të gjykuar veprën e tij?! Por në rastin e Nasho Jorgaqit, i demaskuar nga unë si një nga "Tanët", aq më tepër nuk do ta besoja që do të vetëshpallet si vegël e inkuizicionit mafioz kundër Kadaresë. Po kush është Nasho Jorgaqi? Më e pakta që mund të them nga sa di për të, është nxitësi sistematik dhe pjesëmarrësi në grup në krah të Ilir Hoxhës. Madje edhe kur ky i fundit me intervistat qesharake të tij e dinte që do të hynte në burg për t'u bërë "hero", kur Sokoli dhe unë rreth vitit '94 i tërhiqnim vëmendjen vëllait të madh. Pra Nasho Jorgaqi ishte një nga nxitësit e programit që Iliri, pasi të bëhej "hero", të rimerrte pushtetin bashkë me Ramiz Alinë pas '97-ës, gjë që siç dihej dështoi. Ndaj unë shqetësohem vërtet që njerëz të tillë nuk kanë fuqinë të shkëputen, pra janë thellësisht të kapur, aq sa të urdhërohen nga fuqia okulte antishqiptare për të goditur vlerat kombëtare. Sepse ky inkuizicion nuk synon vetëm personin Kadare bashkë me veprën e tij, por synon të çmobilizojë mundësinë e popullit shqiptar që të jetë i aftë të mendojë si i tërë për interesat e tij, sepse përjetshëm na kanë përçarë duke na goditur në materien gri, domethënë të na qorrollepsin.

Shkrimtari tjetër i madh, Dritëro Agolli, që flet me gjuhën e Ezopit, ka thënë për Kadarenë: "Ku pyet luani nga mizat!". Do të ishte mirë po të ishte ky peizazh butaforie, por sulmi vjen nga njerëz që kanë vrarë njerëz, nga njerëz që, nëse nuk e kanë skeptrin e pushtetit në dorë, kanë atë "magjik" apo të padukshëm, kanë fuqinë e urdhëruesit në pushtet, politikë e shoqëri civile.
* * *
Por fuqia okulte ka edhe arsye personale tepër therëse ndaj Kadaresë. Përveçse vlerë e pathyeshme kombëtare, Kadare është i vetmi që ka sulmuar N. Hoxhën në parathënien e librit të Fahri Balliut "Zonja e Zezë". Kadare është i pari dhe i vetmi që ka kuptuar dhe deklaruar në veprat e pas '90-ës: "Por Enveri nuk e dinte që kishte kundër gruan e tij". Pra Kadareja ka ditur me kohë dhe me një fjali të na thotë çka Fahri Balliu ka ndarë në mënyrë proverbiale: "Enver Hoxha ishte diktatori, kurse Nexhmije Hoxha ishte diktatura". E pra Kadareja është një vizionar, por ne shqiptarët nuk kemi ditur të udhëhiqemi prej tij, madje vazhdojmë e shqetësojmë. Edhe Shollohovi, për arsye sadopak analoge të raportit të tij me Stalinin, është akuzuar për plagjiaturë në kryeveprën "Doni i qetë". Shollohovi nuk iu përgjigj akuzave, por kërkoi me insistim dorëshkrimin që e kishte shpërfillur. Dorëshkrimi u gjet pas vdekjes së tij. Me këtë dua të them që, vepra e Kadaresë s'ka nevojë për mbrojtje, as nga autori e nga të tjerët. Ajo venerohet nga shumica e shqiptarëve. Le të vazhdojnë ta sulmojnë. Venerimi do të zgjerohet kudo ku shqiptarët ndodhen.

--
Në librin e tij "Mjegullat e Tiranës", Kadare tregon se vuri duart në kokë kur e pa veten si "hero pozitiv" në një vepër të Nasho Jorgaqit (nuk e përmend shkrimtarin me emër). Kjo solli reagimin e Jorgaqit, i cili përmes një letre të hapur në "GSH", hodhi dyshime mbi kohën e shkrimit të "Mjegullat e Tiranës" dhe thumboi Kadarenë se: askush nuk mund ta ndryshojë të shkuarën e vet. Pas kësaj, mbi 20 botues, shkrimtarë, kritikë e dashamirës të letërsisë u bënë pjesë e debatit në faqet e "Gazetës Shqiptare". Sot po publikojmë artikullin e Liliana Hoxhës, bashkëshortes së Sokol Hoxhës dhe autores së librit "Tanët", e cila ka qenë aktive në faqet e "GSH"-së me publicistikën e saj.

LILIANA HOXHA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
SHETITJE E VONË ME GJOKË BECIN DHE “PLIS NË LUVËR”Esé nga REXHEP SHAHU (07.30.2014)
FIRMA E RRAHMANITKujtimit të Sejfulla MaleshovësTregim nga PËRPARIM HYSI (07.30.2014)
GLOBI YNË, GJYSMË TOKE E GJYSMË LOTICikël poetik nga SHABAN CAKOLLI (1958-2014) (07.29.2014)
KRIMI TEKSTOLOGJIKEsé nga ILIR YZEIRI (07.28.2014)
NJË VLERË UNIVERSALEFragment proze nga VILHELME VRANARI HAXHIRAJ (07.28.2014)
LUMENJTË  E  ËNDRRAVE TË ZEF MULAJT...Esé nga LULZIM LOGU (07.27.2014)
SI PO IA ÇON, MOJ DASHURI E PARË!!!Tregim nga PËRPARIM HYSI (07.27.2014)
SADIK BEJKO - NASHO GABOI, KADARE S'FOLI PËR ROMANIN, MIQTË ATËHERË TË SHISNIN (Intervistë) (07.27.2014)
SHI PRANVEREHaiku nga libri 'Një grush dashuri' nga ADEM ZAPLLUZHA (07.25.2014)
GJARPËRI PIKALOSH, AKREPI BISHTGJYSMËPËRDREDHUR DHE HARABELI SQEPVERDHËFabul nga XHEVAHIR CIRONGU (07.25.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lart]