E Enjte, 04.25.2024, 10:55pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
KAPEDANI ARVANITAS I PAPADIAMENTIT, SHENJTOR I LETRAVE GREKE
Nga Dr. G. GIAKOUMIS

E Mërkurë, 08.20.2014, 09:30am (GMT+1)


Përsiatje për një nga figurat e prozës moderne greke, Aleksandër Papadiamantin dhe novelën e tij dedikuar kapedan Kristo Milionit

 Aleksandër Papadiamanti konsiderohet si "shenjtori i letrave greke". Të tjerë e kanë quajtur "murgu i njerëzve", domethënë murgu që nuk jeton në manastir, por në mjedisin shoqëror midis njerëzve. Ai vetë ishte indiferent për pamjen e tij të jashtme, asketik dhe vetmitar, gdhinte mbi shkrime, i prirë për verë dhe duhan, i plogësht dhe i mbyllur në vetvete, i ndarë nga bota, por ndjekës i përulur i kishës së Shën Eliseut, në lagjen Plaka të Athinës. Bëhet fjalë për figurën më të nderuar të prozës moderne greke, për një njeri nga natyra modest, i patepruar, adhurues i folklorit, adhurues i flaktë i besimit dhe jetës ortodokse, njohës i thellë i shpirtit popullor, gjuhëtar si edhe përdorues i shkëlqyer i një gjuhe të veçantë, të përzier (popullore dhe katharevusa), që nuk hezitoi të thithë fjalor nga gjuha e lashtë greke si dhe nga e folura laike e greqishtes, me idioma dialektologjike, vendase, edhe sot 100 vjet pas vdekjes së tij, është me të vërtetë i paarritshëm.

Aleksandër Papadiamanti lindi në Skiatho në vitin 1851, aty ku edhe vdiq më 1911. Ishte i vetmuar, oligark dhe pati një jetë të përkorë. Punoi si përkthyes dhe shkrimtar nëpër gazeta. Në jetë Papadiamanti pati dy pasione të mëdha: shërbesat ortodokse dhe pijen, përdorimi i së cilës asnjëherë nuk iu afrua kufijve të turpit.

Zakonisht, temat e Papadiamantit bazoheshin në jetën e bashkëqytetarëve të ishullit të tij. Burime të historive të tij ishin natyra, realiteti social dhe historia e tij e afërt. Heronjtë e tij ishin peshkatarët e djegur nga dielli, bujqit e tokës, priftërinjtë shërbesëtarë, zonjat besimtare, të vuajturit nga jeta...

Kryesisht shkroi tregime. Mbi 150 vëllime është vepra e tij "e plotë", tregime, novela, romane e disa poezi. Por platforma e plotë e veprës së tij janë 180 tregimet e tij, që adhurojnë natyrën apo dashurinë e madhe natyraliste apo moraliste, patriotike apo satirike, gjithmonë sociale dhe antropocentrike, mbushur me thjeshtësi popullore, besim fetar, thellësi shpirtërore dhe dramacitet; e të tjera vepra dramatike, psikanalitike, forma të trilluara, mbushur me pasion lirik...

Shkroi dhe disa novela, ndër të cilat më emblematikja, ndofta edhe kryevepra e tij, ishte "Vrasja" dhe tre romane; "Emigrantja", "Tregtarët e kombeve", "Evgjitka". Së fundi shkroi edhe poezi.

Megjithëse Papadiamanti shkroi në kathaverusa (ligjërim zyrtar i përdorur në Greqi përgjatë viteve), dialogët e tij ishin të krijuar me gjuhë laike, shpesh idiomatike, gjithmonë e gjallë dhe e çiltër. Megjithë mënyrat elitare që përdori, tekstet e tij ishin gjithnjë të kuptueshme falë nuancave laike, dialogët e gjallë dhe rrëfimet e tij plot jetë. Përshkrimi i natyrës i drejtohet lirizmit, ngjyrimet e përshkrimeve të karaktereve njerëzore priren drejt realizmit, përkujtimi i përjetimeve të kaluara bëhet me një romantizëm të butë. Në vëzhgime është i përpiktë dhe fjalëhollë, në karakterizimin e tipeve është i mbushur me humor dhe hokatar, i natyrshëm, në përshkrim tejet pikturues dhe në teknikat e rrëfimit mjeshtër i paarritshëm. Papadiamanti u tregua virtuoz i rrëfimit duke hapur rrugën e tregimit bashkëkohor grek. Gjithkund, brenda tregimeve të tij realet dhe jo surealet, personat dhe jo idetë; pamjet dhe jo vetëm përshtypjet; fryma neohelenike dhe jo fjalërimi europian; kristianizmi i jetës dhe jo i predikimeve; mençuria e vërtetë popullore dhe jo iluministët e shkrimeve; patriotizmi dhe jo demagogjia. Në vend të pallateve madhështore të Athinës, vlerë për Papadiamantin kishin peizazhet dhe kishat e vogla në terrene të hapura; në vend të sukseseve të mëdha, lidhjet me traditën; në vend të entuziazmit të boshtë, besimin në Zot si e vetmja mënyrë e aftë për t'iu kundërvënë "çdo vlere njerëzore të kotë, konvencionale dhe vulgare".

Fantazia, ironia e tij e hollë, ndjeshmëria e ngrohtë, njerëzorja, besimi fetar dhe mallëngjimi, vringëllima lirike dhe një misticizëm ortodoks janë elementët që përshkojnë gjithë veprën e tij, duke i dhënë formë një veçantie origjinale të rrallë tejet krijuese. E quajtën "sarkastik", por Papadiamanti sarkazonte pandjeshmërinë veprimet dhe jo njerëzit, situatat shoqërore dhe jo sjelljet e pafajshme. Kritikonte ashpër qëndrimet sociale dhe mentalitetet, të cilat i damkoste brenda tragjikes së heronjve të tij, por vetë heronjtë e tij tragjikë i shfajësonte butësisht, duke i dhënë deri diku ngjyrime të jashtme shenjtërimi.

Me veprën e tij ky shkrimtar përuli të shkolluarit mendjemëdhenj e kryeneçë dhe lartësoi modestët dhe të përbuzurit. Lartësoi ortodoksinë laike në një sistem historik jetësor, duke vënë në lojë në mënyrë helmuese, demagogët dhe të gjithë ata që kishin fituar jetë të rehatshme.

Sigurisht, ekzistonin kritikë që mbajtën qëndrime negative për veprën e tij: folën për "psikologjinë e dekadencës dhe të pesimizmit". E karakterizuan si fatalist pa vizion të ri, si një piktor të thjeshtë të një jete pa të ardhme të përparuar dhe pa shpirt luftarak. Padyshim që Papadiamanti nuk ishte dinamik dhe vizionar si Palamas. Ishte nostalgjik me vështrim drejt të kaluarës së prapambetur dhe jo drejt së ardhmes. Bota e tij helenike ishte e përvuajtur dhe e pashpresë; besimi i tij ishte eremit dhe jo reformator i botës; ishte i lidhur ngushtë me traditën, dhe jo me forcën rilindëse dhe edukuese të ortodoksit dinamik; e kishte vendosur veten në anën e popullit të thjeshtë dhe të pakorruptuar, me lirizmin e bukurisë natyre me veçimin shpirtëror, me melankolinë për "të kotën" dhe "vulgaren e çdo vlere njerëzore"-sesa me ashpërsinë e moralit të ri qytetar, të shoqërisë pa komunikim, me sipërfaqshmërinë e cekët dhe të shfaqur me hipokrizi nën dritën snobe të njerëzve të famshëm...

Dy libra në shqip

Te romani "˜Kapedan Kristo Milioni' bëhet fjalë për një rrëfim në asht të të cilit qëndron një këngë popullore greke kushtuar vdekjes heroike të Kristo Milionit. Konsiderohet si vepra historike më e suksesshme e letërsisë artistike moderne greke. Arvanitasi Kristo Milioni është një luftëtar tipik popullor, që i luftoi këmba-këmbës turqit dhe, pas tyre, aristokracinë e vjetër dhe oligarkinë mbretërore mikroskopike të Greqisë së Otonit dhe pushtetit të Bavarëve. Tregimi "Kristo Milioni" sjell të gjalla vitet heroike të kaçakëve të maleve kundër pushtimit otoman.

Tek "E përmalluara", Papadiamanti rrëfen jetën e plogësht bashkëshortore të vajzës së re, Lialio me një burrë plak, që në fshat njihej si xhaxha Vetmushi. Gruaja e re, e mbytur nga rutina e jetës së përditshme "ëndërron" teksa largohet me varkë e përmalluar për vendin e saj. Në përpjekje për t'i dhënë kuptim jetës, ajo ndjen kënaqësi tek flirton me djaloshin e ri Mateo. Në mes të detit me varkën e tij, Lialioja e përmalluar jeton jetën që s'e pati kurrë.

Tek E përmalluara shihet Shqipëria e sotme. Fati i Lialiosë ngjan me atë të shumë grave shqiptare, me fatin e shumë, shumë vajzave të varfra shqiptare që i kanë detyruar të martohen. Te Vrasësja, kryevepra e Papadiamantit, po ashtu lexuesi njihet me jetën skllavëruese të shumë vajzave dhe grave shqiptare. Në qendër të rrëfimit është një vajzë që ka lindur në një familje të varfër me shumë fëmijë, skllave e prindërve e që më pas u bë skllavja e burrit, e fëmijëve, madje edhe e nipit, e mbesës, në fund të jetës së saj.

Dr. G. GIAKOUMIS


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NJË ROMAN ME THEKS TË FORTË SHOQËROR I THANI NAQOSNga ALEKO LIKAJ (08.20.2014)
KËNAQËSIA ESTETIKE QË TË JEP POEZIA E POETIT TË TALENTUAR PËRPARIM HYSINga Prof. dr. ESHREF YMERI (08.18.2014)
SYTË BLU TË DETITCikël poetik nga VILHELME VRANARI HAXHIRAJ (08.17.2014)
PRITJAPoezi nga BESIM BOKSHI (1932-2014) (08.17.2014)
GUSHT NË TIRANËPoezi të reja nga QAZIM SHEHU (08.16.2014)
MIGJENI, VETVRASJA E TRUMCAKUTEsé nga MOIKOM ZEQO (08.15.2014)
A DO TË KONVERTOHEJ FAIK KONICA?!Nga FOTAQ ANDREA (08.12.2014)
NËPËR GJYMTYRËT E MJEGULLAVEVëllim i ri poetik nga ADEM ZAPLLUZHA (08.11.2014)
TESTAMENTI I NJË SHKRIMTARI FANTASTIKO-SHKENCORNga NATASHA LAKO (08.11.2014)
”SHTËPIA PA DYER” E VALBONA HAKLAJNga SOKOL DEMAKU (08.10.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lart]