VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - KUR HAPESHIN PORTAT E QIELLITTregim nga SULEJMAN MATO

                                                                                      

E Mërkurë, 04.24.2024, 08:52pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
KUR HAPESHIN PORTAT E QIELLIT
Tregim nga SULEJMAN MATO

E Djelë, 08.24.2014, 03:18pm (GMT+1)


Natën e dhjetë gushtit astronautët e kanë quajtur "Nata e meteorëve". Gjatë rrotullimit të vet, toka futet në një zonë ku çdo kureshtar mund të shikojë rënien e meteorëve. Një spektakël qiellor i jashtëzakonshëm. Në vegjëlinë e saj gjyshja kishte përgjuar rënien e yjeve. Ku ta gjej tani atë gjyshe të dashur, jo vetëm pse më ka marrë malli , por edhe për t'i treguar të vërtetën e Portave të Qiellit

Nëse ti do të njohësh ligjet e qiellit, ligjet e
Zotit me qartësinë e mendjes, përqendrohu
në qiell, aty ku yjet lidhen me një paqe kozmike.
Boeti (524)

Ajo ishte një natë e pazakontë gushti. Të shtyrë nga kureshtja për të parë mrekullinë e hapjes së Portave të Qiellit, i kërkuam gjyshes të flinim në lëmin mbi shtëpi, te shtrati thurur me thupra, njëra anë e të cilit rëndonte mbi degën e qershisë, tjetra mbi grumbullin e druve. Ishte një shtrat me dyshek kashte i cili shërbente për të ruajtur arën me misër nga derrat e egër.

Pritëm e pritëm me sytë në yje. Të lodhur nga lojërat e ditës, askush nuk rezistoi dot për ta parë atë çast magjik. Në mëngjes pyetëm njëri-tjetrin, kush i kishte parë portat e qiellit.

Të katër fëmijët e Bezhanajve, përfshi edhe mua, kishim bërë gjumë qengji, në pritje të një mëngjesi që po vonohej. Kur e kuptuam se asnjëri nga ne nuk kishte qëndruar dot zgjuar, nuk e di pse na hipi dëshira të gënjenim njëri-tjetrin.

Besoja hodhi një mufkë të padëgjuar kurrë, kinse vetëm ai i kishte parë portat e qiellit.
-Çfarë pe?- e pyeta unë
-Pashë një njeri me mjekër të bardhë... shumë të gjatë... si babaxhan, që u shfaq papritur në qiell...
-Edhe unë i pashë!- thirri Lani. Ku duronte dot ai t'i dilte njeri para? Nisi të dërdëllisë edhe ai gjëra pa kuptim dhe pa asnjë lidhje.
- Unë pashë... ...në fillim unë pashë një qiell me yje, pa mbarim, pastaj yje...Prapë yje...Yje pa mbarim...
- Po pastaj? - e ngacmova unë për ta ngecur. Ai nisi të fliste shpejt, sikur shpejtësia do t'i vinte në ndihmë për t'u bërë më i besueshëm.
- Pastaj pashë një tigër..., -thirri me zë të lartë si të kishte zbuluar diçka, Një tigër të kaltër....
- Si i kishte sytë? - e pyeti Besoja për ta çorientuar.
- Sytë? Sytë i kishte të zjarrtë...
-Po krifën?
-Krifën e kishte, e kishte...Nisi të picërronte sytë me kokën ngritur lart, sikur kërkonte t'i kujtohej ngjyra.
- E mjaft, se na gajase,- ia preu në mes fantazinë Arzikoja, motra e madhe e Besos.
Ndërkohë edhe ajo nisi të fantazojë për qejf të vet:
- Unë pashë një re të madhe, një re e cila fillimisht ishte e trëndafiltë, më pas u nxi e më pas u shndërrua në një shtëllungë të zezë, sa nxiu gjithë qiellin...
Kur më erdhi radha mua, unë sajova një variant më të besueshëm. Tregova që kisha parë ca porta të larta, të larta..., por vetëm për një çast...
- Fytyrë njeriu, të them të drejtën, nuk pashë, - u thashë. Me këtë të fundit mendova se do të bëhesha më i besueshëm dhe më realist. Prita të më kundërshtonin, por askush nuk foli. Qysh në atë çast të jetës sime kuptova se unë duhet të kisha aftësi për trillime të besueshme, pasi trillimi nuk ka asnjë kuptim nëse nuk është dhe i besueshëm.
Bisedat vinin nga vinin, mendja na mbetej te portat e qiellit. Shkuam dhe pyetëm gjyshen. Mos vallë i kishte parë ajo?
- Mbrëmë nuk u hapën. - u shfajësua ajo. - Po ju mos u shqetësoni. Sigurisht do të hapen sonte. Orën nuk jua them dot (dukej ashiqare që edhe gjyshja ia fuste kot ).
Në ato vite ne jetonim me frikën e xhindeve që vërtiteshin jashtë shtëpisë sonë, por portat e qiellit ishin ndryshe, ato na e kishin nxitur shumë kureshtjen...

* * *
Edhe nata tjetër na kaloi me sy në yje. Unë nuk e ndava për asnjë çast shikimin nga qielli. Humba në blunë e pafund. Më trembte largësia e yjeve. Çfarë kishte pas yjeve...? Përsëri yje...Po pas yjeve të tjera? Përsëri yje...Pati një çast që m'u duk vërtet sikur pashë diçka të pazakontë, sikur porta që prisnim të hapej, u hap dhe u mbyll....Kjo gjë m'u duk se ndodhi kaq shpejt dhe në mënyrë aq të beftë, saqë nuk pata kohë të kuptoja në kisha parë vërtet diçka apo ishte një sajim i trurit tim. Gjithmonë e kam menduar atë çast : i pashë të hapen portat vërtet apo ishte një iluzion i çastit? Këtë enigmë as sot e kësaj dite nuk e kam sqaruar dot. Nëse do të kishte ndodhur kjo gjë, atëherë unë duhet të isha njeriu i vetëm në këtë botë që Zoti kishte vendosur t'ia plotësonte dëshirën, duke i shfaqur para syve, vetëm për një çast, atë që njerëzimi s'kishte mundur ta shihte as në ëndërr.
-Kush numëron gjer në njëqind yje..., - tha Arzikoja.
Unë! thirrëm të tre njëzëri.
U vumë në garë. E provuam disa herë, por unë nuk shkëlqeva. Hutohesha nga largësia e yjeve. Në ato çaste veten e ndieja si një pupël zogu që vërtitet në ajër. Unë i vogël, i vogël, yjet të mëdhenj, qielli i madh, i madh. I madh dhe i pafund.
Një hënë e madhe dhe e bardhë lundronte në qiell, e shoqëruar nga një yll i vogël. Lëvizte hëna, lëvizte dhe ylli, si roja e saj.
75... 76...77 ... numëronte Besoja për të përzënë gjumin.
79... 80...81... e ngrinte zërin Lani mbi të tjerët. Zëri i Arzikos ishte i hollë dhe i tingullt. Për një çast pllakosi qetësia.
- Po fle...?
- Jo, - tha Besoja në gjysmëdremitje.
- As unë, - tha Lani.
Nuk e mbaj mend mirë kur na zuri gjumi dhe kush fjeti i fundit.. Kur hapa sytë dhe pashë përreth, vura re me trishtim që në krevatin e thurur me thupra kisha mbetur vetëm unë.
-E humba shansin,- mendova me keqardhje, por isha i sigurt që askush nga kushërinjtë e tjerë nuk e kishte parë hapjen e Portave të Qiellit.


* * *
Në mëngjesin tjetër, sa u takuam, nisi përsëri avazi i vjetër:
- Unë i pashë, - tha Besoja.
- Edhe unë, - ia futi mufkës Lani, si zakonisht. Po kush e besoi. Kur unë i thashë Besos të bënte be "Për kokë të nënës!" ai e mbylli squpin. Ashtu siç ishim, shkuam te gjyshja për ta akuzuar edhe atë si mashtruese.
- Do të kem ngatërruar përsëri datën, - u justifikua ajo...- Mos ma vini re se edhe mendja më ka lënë... Zotit nuk i kërkojmë dot llogari, ai i di vetë punët e tij. Nëse do t'i hapë, i hap. Nëse nuk do t'i hapë, nuk i hap! Unë di t'ju them vetëm kaq, sipas Kur'anit portat e qiellit hapen në datat tre-katër- pesë gusht të çdo viti. Katër gushti kishte kaluar, mund ta provonim edhe njëherë. Punë e ngatërruar. Hajt të qëndroje dhe një natë tjetër zgjuar...
Zgjidhjen për mua e bëri fare thjesht nëna. Ajo më kërkoi në oborr kur ne ishin duke luajtur kukafshehthi. Më gjeti të fshehur pas trungut të ullirit dhe më kapi për veshi:
- Kështu i dëgjon këshillat e mia? Të dhashë leje vetëm për një natë e ti ke tri ditë e tri net që nuk mblidhesh në shtëpi. S'ta ka qejfin njeri të të mbajë me bukë.
Ajo mërzitej shumë që unë nuk shqitesha nga shtëpia e gjyshërve. Unë atëherë nuk e kuptoja arsyen. Ajo nuk donte që në atë shtëpi të varfër e me shumë fëmijë të bëhesha barrë edhe unë.
Atë ditë ajo bëri fjalë dhe me gjyshen:
- Mos e përkëdhel, përzëre!- i tha në formën urdhërore.- Pak halle keni. Do të mbani me bukë dhe bizdrëngun tim?

Më mbërtheu prej dore dhe më tërhoqi zvarrë. Turivarur shkova pas saj duke mallkuar fatin tim të keq që kisha ardhur në jetë nga një nënë autoritare dhe e pashpirt. Në të vërtetë fjalët e saj përputheshin me shikimin e shqetësuar të gjyshes, sa herë që na mblidhte para sofrës bosh.

Megjithatë, nëse ka momente në jetën time që unë e kam ndier veten të lumturuar dhe të sigurt, kanë qenë pikërisht ato të kaluara në shtëpinë e varfër të gjyshit: Katër lugë të uritura në duart e katër fëmijëve, të ulur fisnikërisht para një kuvshi të drunjtë me përshesh... në gjunjë, sikur t'i faleshin atij mëngjesi varfanjak, bekuar nga sytë e qeshur të gjyshes që na qëndronte mbi krye si një engjëll mbrojtës.

Atë natë në shtëpinë time unë iu luta mamasë të flija pranë dritares. Gjatë gjithë natës qëndrova nën dritare, si kukudh, me sytë drejt qiellit. "Diku, në ndonjë yll, duhet të jetojnë njerëz,- mendoja. - Diku në ndonjë yll sigurisht jetojnë të vdekurit...".

E cili prej nesh, në një natë të qëruar gushti, si kjo, qoftë dhe njëherë në jetën e tij , nuk ka qëndruar me sytë drejt qiellit?

* * *
Jo vetëm atë natë, por edhe disa net të tjera unë qëndrova në dritare, me sytë nga yjet, gjersa erdhi një ditë që u mërzita me kokën lart dhe e harrova fare dëshirën për të parë portat e qiellit. Ndoshta, në ato net yjore unë, sigurisht, duhet të kem parë dhe duhet të kem kuptuar diçka. Edhe nëse nuk kam parë e nuk kam kuptuar çka fshihet pas asaj që s'shihet dot me sy, kam përjetuar ato net të ëmbla gushti, të mbështjella me vellon e ndritur të yjeve. Kam parë netët e zjarrta të gushtit , që s'kam mundur t'i harroj kurrë.


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
FYTYRAT TONA T'I SHIHNIM NË PIKËN E VESËSPoezi të zgjedhura nga DRITËRO AGOLLI (08.22.2014)
MBI SHPIRTIN E ERËS PAGANEVëllim i ri poetik nga ADEM ZAPLLUZHA (08.22.2014)
PLANETI YT PREJ ZJARRICikël poetik nga JAHO MARGJEKA (08.21.2014)
KUR PASHË VAJZËN IDEALE NJË MËNGJES TË BUKUR PRILLITregim nga HARUKU MURAKAMI (08.20.2014)
KAPEDANI ARVANITAS I PAPADIAMENTIT, SHENJTOR I LETRAVE GREKENga Dr. G. GIAKOUMIS (08.20.2014)
NJË ROMAN ME THEKS TË FORTË SHOQËROR I THANI NAQOSNga ALEKO LIKAJ (08.20.2014)
KËNAQËSIA ESTETIKE QË TË JEP POEZIA E POETIT TË TALENTUAR PËRPARIM HYSINga Prof. dr. ESHREF YMERI (08.18.2014)
SYTË BLU TË DETITCikël poetik nga VILHELME VRANARI HAXHIRAJ (08.17.2014)
PRITJAPoezi nga BESIM BOKSHI (1932-2014) (08.17.2014)
GUSHT NË TIRANËPoezi të reja nga QAZIM SHEHU (08.16.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]