VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

LEXOJ FATIN
Tri poezi të reja nga QAZIM SHEHU

E Mërkurë, 08.27.2014, 08:42am (GMT1)



LEXOJ FATIN

Lexoj fatin në vijat e pëllëmbës,
Si vetëtima të shuara vijat rrinë të heshtura,
Si vetëtima të një mbrëmje të ëndrrës,
Kur muzgu i ndez me gënjeshtra.

Kur hoqa dorë prej tyre dhe ia dorëzova fallxhores,
Kur nga trill i saj ndonjë vetëtimë e tyre u ndez,
Vijat m`u dukën se u shkëputën prej dorës,
Para meje krijuan një gjethnajë,një pyll me gjeth.

S`qe vetëm një shteg, një hyrje prej të marri,
Ca fjalë që më duheshin për të besuar,
Besomëni se pas këtij çasti ,
Vijat rrinin sërish:vetëtimë e përvëluar.

Sa pak gjeta shpresë aty, sa pak,
Sa pak vëmendje, sa pak dashuri,
Pëllëmbën e mblodha grusht , fatit idhnak
Ia hodha si gjyle kundër tij...

QAFË MORINË

Kur akujt duheshin me ngri,
Ngrinë në Qafë Morinë.
Vetëm ajri aty shkelte.
Njerëzit shiheshin shpinë më shpinë.
Kur akujt u deshën me shkri,
Shkrinë pikë pikë mbi Qafë Morinë,
Një cipë akulli qëndron ende për çudi,
Gjersa krushqit e fundit të lirisë të vijnë...


TË VËRTETA TË GJAKOSURA


Afër të vërtetave shpesh kam qenë,
Pastaj mbrapsht prej tyre jam kthyer,
Më tepër më ka pëlqyer një rrenë,
Sesa guxim i tyre i ndërkryer.
Atëhere kam urryer gënjeshtrën,
Sërish drejt tyre jam nisur,
Kur arrita verën më prunë vjeshtën,
Sërish të vërtetat më patën gënjyer.
Kaq shumë gjak perëndish, sajime me lule,
Buzëkuq trillimesh dhe feksje imazhesh,
Ato mbartin e mbanin në themele kockore,
Sa të bëhej të vareshe litarësh.
Torturë e vërtetë të afroheshe drejt tyre,
Gjersa e kuptova më në fund,
Çdo e vërtetë si afrim mynxyre,
Flamurin e gënjeshtrës tund...

QAZIM SHEHU


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.