VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
SYTË Prozë nga DRITA LUSHI E Shtunë, 09.06.2014, 11:09am (GMT1) Deri ditën e fundit, kisha menduar të mos e shihja më kurrë, e as ti flisja . Gjysma e "Po"-së brenda meje, fitoi mbi gjysmën e "Jo"-së. Takimi i duarve, e normalizoi situatën, e po me dukej absurde gjuha e jo-së aq mohusese e pabindur dhe frikësuese. Frike nga se? Isha e lirshme dhe fryma më qe e lehtë si puhizë, deri në çastin që vështrimet u takuan. Sytë e tij u përplasën si vështrim rrufeje mbi të mitë, e bebëzat e mia mes së kafenjtës dhe jeshiles, si në një lojë kokëfortësie nuk lëvizën nga sytë e tij. Qerpikët sado përpëliteshin dhe takonin njeri-tjetrin në të qindtat e sekondës, s'i mbulonin dot vështrimet që u takuan me në fund në një forcë të butë, si drita që vjen nga thellësia e një tuneli, dhe që në dalje bëhet më e plotë e më e sigurt, deri në çastin që shkëlqen e tëra mbi ne. Mora ngjyrë të purpurt në fytyrë. Vështrimi i tij ndiqte çdo lëvizje timen, çdo gllënjke që pija, çdo fjalë që flisja. Vështrimi i tij më shihte dhëmbët, buzët tek bashkoheshin për të artikuluar fjalë, por mbi të gjitha, ai kërkonte Sytë. Një çast ata u puthën rrëmbimthi me vështrime. E purpurta kish' filluar të luante me lëkurën time e sidomos me faqet. Ndonëse përpiqesha të shmangesha e të flisja për gjëra të ndryshme, s'munda t'u vija "embargo" syve të tij, të cilët po i ndieja në çdo qelizë timen. Se kisha menduar kështu. Nuk mendoja se vështrimi i syve të tij, do më zgjonte ndjesi aq të pashpjegueshme, të çuditshme dhe të paparashikuara si pranverës që si dihen ditët, do jenë me diell apo shi. U futa në lojën e syve, ose me mirë, më morën pa më pyetur brenda lojës së tyre. Fillova ta shoh dhe unë me një vështrim kapriçoz, si për t'i thënë: "unë s'e heq vështrimin", "unë mundem të të shoh drejt", "unë guxoj të të shoh, sepse s'ka asgjë të keqe" E nëse i bëja këto arsyetime e justifikime, thellë brenda vetes e ndieja qe po më pëlqente ai vështrim i dyanshëm, që më dukej se shpeshherë trupëzohej në një materie e merrte ngjyra të bukura, ngjyra që vetëm unë dhe sytë e Tij mund t'i shpjegonim dhe shihnim ato çaste. Një çast mbylla sytë, ta merrja brenda meje vështrimin. E kuptova që s'ishte thjesht lojë. Nuk kishte qenë lojë asnjëherë. Zilja e telefonit, më "shkundi" dhe më kujtoi se duhet të shkoja. Ai zgjati dorën duke më përsëritur për të disatën herë :"Do më mungosh". U mundova të isha e qetë dhe i thashë thjesht "mirupafshim". Ai nuk e dinte, që kish' filluar të më mungonte qysh atë çast. DRITA LUSHI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |