VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

TË NDESHESH ME SFIDËN
Nga QERIM SKËNDERAJ

E Hënë, 09.15.2014, 08:51am (GMT1)


Mbiu para meje si një lule me aromën dhe ngjyrat më të bukura të stinës. U shfaq në kulmin e lulëzimit pranveror. Më gjeti mbuluar nga hijet e dimrit gri që të rrudh e të froh me acarin e viteve rënduar mbi shpinë. Koha më kishte krrusur dhe ecja i përhumbur pa e ditur për ku. I ftohti më mpinte, hija më errësonte vështrimin. Çdo ditë e më shumë ndjeja se humbisja peshë në kotësinë e grive ditore që bëheshin gjithmonë e më të errëta, gjithmonë e më të ftohta. Trishtimi po i rriste përmasat duke u lëshuar terren ngjyrave te tij të preferuara. U bë njësh me mua, konturoi një statujë gri, akull të ftohtë. Druaja se shumë shpejtë kurmi im do të shkërmoqej i tërë, do të kthehej jo në rërë, por në pluhur. Tmerri më vishte me djersë dhe me frikë. Mund të përfundoja në koordinatat e një hiçi.

Ajo më zgjoi kur përgjumja më kishte boshuar trurin, ndjenjën, më kishte budallepsur. Kur hija po më rrëzonte në një letargji totale, në një copë mish me dy sy. Hijes i dha dritë, të ftohtit diell. Ngjyrat e jetës u vunë përballë ngjyrave të vdekjes. Ndeshja kishte filluar e rreptë, e frikshme, e pamëshirshme. Një betejë e vërtetë kontrastesh jo vetëm në ngjyra, por në mentalitete dhe ndjenja. Veçanrisht në ndjenja. Bërthama e tyre tek unë ishte strukur shumë thellë, mbëhtjellë me shtresa akulli. Dielli digjte fortë, por akulli shkrinte ngadalë. Gjithsesi shtresat po thyheshin e rrëzoheshin njëra pas tjetrës, derisa u zbulua thelbi i ndjenjës, zemra. Ajo i ndjeu rrezet dhe filloi të trokasë gjithnjë e më fortë. Ishte një ritm tronditës, një tërmet që kërkon të rizgjoj vlerat, t'i dërgojë sinjale trurit e ti thot: "Hej, zgjohu, je në jetë, jetoje! Mund ta fitosh edhe këtë betejë".

Arma tjetër, bukuria, ajo që binte në sy menjëherë, ishte në anën e saj dhe kishte fituar sa u shfaq. Drita dhe ngjyrat e pranverës i zhveshin, i fshijnë hijet dhe gjethet e dimrit.

Të veshin kostumin e jetës, të ngopin me oksigjen të pastër, të rigjenerojnë, të kthejnë prapa në moshë. Unë po e ndjeja këtë, por jo deri në atë masë sa të ndeshesha, e madje të fitoja. Sidoqoftë ndryshimin e pamjes sime e para e vuri re ajo. "Je zbukuruar shumë - më tha. Ke rënë në dashuri?!." Unë nuk kisha parë kurrë tek vetja as "shëmtim", as "bukuri". Jetoja me normalitetin tim të zakonshëm, që edhe pse ndodhte të tërhiqte vemendjen, nuk kishte shkëlqyer e verbuar askënd. Për këtë arsye, në atë çast ndjeva diçka jo vetëm të papritur, por edhe të harruar. Vetë bukuria po më thoshte je zbukuruar. Më ngjau si diçka hyjnore, iluzive, e pakapshme. Nga ato që janë pjesë e imagjinatës fluturuese, të ajërt, të tejdukshme. Megjithatë diçka konkrete po më vrullonte në trup. Diçka si avull që e ndjeja gjithandej, veçanrisht në frymëmarrje. Rrezet e diellit kishin hyrë shumë thellë. Kishin shkrirë akullin dhe po largonin lagështinë që nxehtësia të mbetej neto, pa mbetjet e dimrit të acartë që më kishte mbrritur deri në palcë. Avulli më delte nga goja, nga buzët ngjyrë prushi. Zemra shkrepte xixa tu jepte flakë buzëve. Nën dritën e saj vura re se si dy trupa u shkrinë në një, dy zemra u sinkronizuan në një ritm, dy shpirtra i dhanë jetë një shpirti të ngrirë që shkonte drejt shuarjes. E kuptova që ishte fituar mbi sfidën, por nuk e kuptova në se isha unë fitimtari, apo rinia e përherëshme që kishte luajtur me kartat e saj.

QERIM SKËNDERAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.