VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - 'HAJDUTI' NË SHTËPINË TONËTregim nga PËRPARIM HYSI

                                                                                      

E Premte, 04.19.2024, 04:47am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
'HAJDUTI' NË SHTËPINË TONË
Tregim nga PËRPARIM HYSI

E Shtunë, 09.27.2014, 09:47pm (GMT+1)


Mesviteve '50-të, familja jonë rronte në një qytet që, po ta matësh me syrin e sotëm, ishte vetëm një qytezë dhe aq. Në këtë shtëpi banoja unë me tri motrat e mia dhe, po t'i shihje banorët e kësaj shtëpie nga seksi, qemë si një shtëpi ku dominonin femrat. Meshkuj qenë vetëm imatë dhe vëllai i vetëm që ishte i martuar. Pra, tri motra, nëna, gjyshja nga babai dhe nuse e vëllait. Shkurt: një shtëpi femrash. Vëllanë sapo e kishin marr ushtar dhe barra, për të mbajtur këtë familje, binte mbi prindërit. Imatë qe makazinier dhe nëna punonte me hope në lulishten e qytezës. Sa për nusen e vëllait, babi mendonte se nuk ishte në nderin e një familjeje të mirë që, nusja të punonte , ndërsa burrin e kishte ushtar. Pra, kishim të ardhura të pakta dhe rrisku i keq vinte dhe rritej, se, pikërisht në atë kohë, u hoqën dhe triskat.

Jetonim si në zgrip. Motra e madhe punonte në rrobaqepsi dhe, ato pak lekë që merrte nuk i dilnin as për vete. Sapo qe fejuar dhe, kur thonë, u rrokullis tenxherja dhe gjeti kapakun. U mpleks me dashuri me një oficer që nuk kish as plangë dhe as shtëpi. Këtë oficerin, po ta shihje nga "kashta" (epo kështu thoshte gjyshe Lena, de!), të merrte në qafë. Qe bukurosh, flokun të zi; me një trup atleti, por qe birbollan. Nuk ka një shtëpi ku të fusë kokën,- ankohej gjyshja. Kishte nuk kishte shtëpi, po u sevdallis me motrën tonë dhe shkoi e vajti kjo punë. Çupa, - thoshte gjyshe Lena,- nderin e ka në shtëpinë e burrit. Thoshte gjyshja dhe mirë e kishte, po Sandri, ai oficeri, mbeti në shtëpinë tonë. Pra, shtrëngo dhëmbët, o karkalec! Unë nuk merrja vesh shumë nga këto punë, por dëgjoja gjyshe Lenën, kur shkëmbenin shpoti o me timatë, Komin, o me nënën time të mirë, Katen. Isha apo nuk isha 15-vjeç. NJë ditë dëgjova timatë që të më thotë: - Dëgjo, shkollën e mbarove (flitet për shkollën unike që ishte 7-vjeçare), kam biseduar me një mik që me një karrocë si ato të "gegëve", të dalësh në qytet e të shesësh kuleçë, pipra apo dhe petulla e byrekë kur të ketë. Njëherë u tremba se vallë a do t'ia dilja dot? Po, kur mendoja atë varfëri që kish hapur gojën dhe sa nuk thërriste në shtëpinë tonë, pranova. Që të nesërmen, me babanë u paraqita tek makazina dhe, pasi më furnizuan dhe më njohën me çmimet, më uruan punë të mbarë.
* * *
Ditën e parë e shtyta karrocën si me turp. Më dukej sikur ta kisha karrocën mbi kurriz, por, pak nga pak, sikur ia mora dorën dhe turpi më doli. Kur shita kulaçin e parë, trrak ma bëri zemra! Ndieva një gëzim. Lekët që do fitoja ishin sipas shitjes. Sidoqoftë, zura dhe po "rritesha" ca dhe nga ca. Po të shihja njerëz të njohur, tak dhe ulja kokën: si struci që fut kokn në rërë! Se, gjasme, kjo që po bëja unë, të ishte turp!

Më keq e kisha kur takoja nga ata "xhagajdurët" e klasës sime. Se kish prej tyre që nuk më linin rehat kur isha në shkollë dhe jo tani që jam bërë e "madhe!". E madhe se po punoja. Më vinte turp, po të linte Lashi, ai kokëbardhi i lagjes, që nuk linte dy gurë bashkë. Sa më pa, sikur dha "alarmin!":- Pa shif,shif: Qukja! Qukja qenka ba tregtare!
Hë, po nuk jua kam thënë të tëra. Fytyrën unë e kisha mu si vezë pulëdeti: me quka. Epo nuk është se e "vizatova",de! Lashi vërtet që ishte trazovaç, por qe dhe i dashur. Nuk e kalonte masën. Po, për këtë, Lashin, ndoshta ju flas pastaj. Qeshi Lashi dhe m'u afrua aq afër, sa mendova: kur do ma rrëmbejë të tërë krarrocën?!

Moj Quke,- foli ai,- don me u ba tregtare?! Pastaj, tak nxori një pesë lekësh dhe më tha:- Më jep një kulaç! Unë u skuqa se jovetëm pse Lashi qe blerësi i parë, por kisha dëshirë t'ia jepja pa pare. Por kisha dëgjuar të mëdhenjtë që thonin:- Pa pare, nuk ka çajre! Ia mora lekët Lashit dhe ky, para se të ikte, ma nduku njërën prej gërshetave. Sa e hutuar që jam! Nuk ju kam thënë: kisha gërsheta si ato të Pipi Çorapegjatës! Them tani se atë kohë as unë dhe as Lashi nuk kishim dëgjuar për këtë Pipin!
* * *
Pak nga pak, u bëra shitse. Kontratën me ndërmarjen e kisha kështu: po të mos e shisja të gjithë mallin, karrocën e merrja në shtëpi. Kështu dhe bëja. Aq u dhashë pas punës, sa, ndonjëherë, as që shkoja në shtëpi për drekë. Doja që ta shisja të gjithë mallin. Do të thoni: nuk të merrte uria? Natyrisht, po, për të thyer urinë, xhëku haja ndonjë kulaç dhe e shoqëroja me ndonjë pipërr. Vetëm kaq, ama. Më tej, nuk ma mbante. Se vaj në lakra do të binte. Ç'haje, do ta paguaje. Ndonjëherë, merrja dhe motrën time të vogël, Lumen. Kjo qe 7-vjeç dhe sa u gëzua kur e mora me vete. Imemotër as e kish mendjen në shisja a nuk shisja? Ajo mbeti me gojëhapur kur ia bënin me sy petullat që qenë të ngrohta-valë. Gjyshja ime thoshte:- Fëmijët, po panë diçka që u hahet, duhet ta hanë, se, ndryshe, sjellin tërmet! Dhe unë i zgjodha Lumes një petull e një pipërr! Sa u gëzua! Epo, fëmijë Lumja! Po edhe mua ma bënin me sy petullat e ngrohta, po unë jam e "rritur" tanimë dhe të rriturve nuk u kanë lezet të ngrënët sheshit! Se, po vajti çupa 15-vjeç,- thoshte gjyshe Lena,- është me këmbë në yzengji. E kam dëgjuar me këta veshë unë. Po kur po kështu thoshte dhe imeëmë, Katja. Je rritur, Moza,- më thotë një ditë,- se ja i mbushe 15 vjeç dhe aq kam qenë kur mora tët atë! Mua seç m'u duk vetja dhe e preva të ngrënët në shesh. Sikur edhe të vdisja urie, nuk vija dorë tek karroca,
* * *
Ne banonim në një shtëpi me qera. Rrinim në katin e dytë. Para se të ngjiteshe atje, qe një koridor i gushtë dhe në fund të koridorit ishte banjoja. Aty, në koridor, lija karrocën me gjithë mallin e pashitur. Bëja kujdes që t'i numëroja një për një të gjithë mallrat që kisha. Këtë veprim e bëja në mbrëmje dhe në mëngjes, para se të nisesha për në pazar. Sigurohesha, veç të tjerëve, që dera hyrëse të mbyllej me çelës se nuk dihej: mund të hynte ndonjë hajdut. Nisesha me qejf për punë, por mos kujtoni se fitimi qe kushedi çë?! Kur më dhanë rrogën e javës prej treqind lekë, mend u hodha përpjetë nga gëzimi. Nuk harrova t'i ble Lumes, si më e vogël, dhe gjyshes nga dy pufka për shoq. Lumja qe fëmijë, por dhe gjyshja- copë pleqëri. Pleqëria,- thonë,- është si fëmija! Kur ua dhashë, që të dyja mbushën sytë me lot. Për vete, nuk bleva asgjë. Po, kur pashë at[ë gëzim të madh në sytë e atyre, zemra m'u bë mal. M'u duk vetja si një ëngjëll që di të bëjë vetëm të mira! Apo nuk jam dhe e "bukur" tani?" Pse më duket sikur më kanë ikur dhe ato qukat? Ju kujtoni se po flas kot?! Po ja ai Lash trazovaçi nuk më thëret më "Quke". Se vjen ble vazhdimisht dhe, ndërsa pres të më thotë "Moj quke me gërsheta", jo vetëm s'më thotë, po rri pak gjatë (unë e ndjek me bisht të syrit, xhanëm,se jam 15-vjeç dhe nuk i thonë shaka) dhe, ndoshta nuk besoni, ky, Lashi, i ka lyer flokët me brilantinë! Sytë tani m'i ngul dhe nuk i shqit kollaj. Po ka hak, në fund të fundit, se jam e "bukur"unë! Ma tha gjyshja mua. Kur i thashë gjyshes që "këto qukat më shëmtojnë", e dini se si më tha: - Oh, të të bëhen kurban! Po ato janë nishane. Janë si yje nga qielli! Janë për të ndiell miletin. Të japin bukuri dhe nur. Po mirë e ka gjyshja ime, se mua shumë gjëra, tani, m'i shikon e prapta e zverkut: shikoj djem ( disa edhe më të mëdhenj se Lashi) që më hanë me sy! Po ç'po dërdëllis si kot: hane Sham dhe hane Bagdat! Për ku u nisa dhe për ku u bitisa?! NJësoj si të nisesh për Fier e të sosesh në Lushnje!
* * *
Ditët e para të 15-ditshit sikur shkuan mirë. Njerëzit sa kishin marrë rrogat dhe blinin më shumë. Mandej, binte pjaca. Karrocën me mallin që tepronte e çoja në shtëpi. Inventarin e bëja dhe një mëngjes vura re se mungonin katër kuleçë dhe dy hallva.
Ou,- bërtita unë! Dikush na ka vjedhur! Graria (epo të tëra gra ishim) shihnin njëra-tjetrën se kush do kish vënë dorë tek karroca. Shikonin njëra-tjetrën po dum nuk i jpenin dot. Mua sa nuk më shpëtonin lot nga inati. Dola në pazar, por qeshë e shqetësuar. Në mbrëmje, kur erdhi babai, mend iu hodhëm në kokë:
-Erdhe vonë dhe nuk e ke myllur mirë derën. Ka ardhur hajduti dhe na ka bërë "dasmën".
-Jo,- filloi të mbrohej ai,- e mbylla, por do ketë hyrë hajdut.
Atë natë e gdhiva e shqetësuar. Dëgjova timatë që t'i thotë gjitonit:
- Na ka hyrë një hajdut në shtëpi. Ju kam thënë grave:- Ta zëmë atë hajdut, por gratë si tërë graria! Ama, po guxoi të vijë dhe njëherë, mos më thënçin Kozma Starka, po nuk i preva veshët?!!!

Unë e dëgjova dhe u mbusha me gëzim. Babai im ishte burrë i zoti. Na donte dhe e donim. Xhëku pinte ndopak, por kjo ndodhte në fillim të 15-ditëshit! Po për mos ta humbur fillin: kush të qe hajduti, vallë? Mandej, shkoja dhe më tej: po ja e zumë hajdutin. Po babi im do t'ia priste veshët? Këto qenë pyetjet që më mundonin dhe rrija si me sytë kllap! Sa vinte babi, unë shkoja dhe sigurohesha në ishte mbyllur dera e jashtme? Kaloi kështu nja një muaji dhe hajduti sikur nuk po dukej. Dukej nuk dukej, mua meraku nuk më linte. Një natë ndieva babanë që u ngrit nga krevati dhe, pa ndezur dritën siç bënte zakonisht, zbriti shkallët. Unë (Perëndia të më ndiejë!) e ndoqa tinëz. Vura re (O Zot po ai nuk shkoi nga banja) që u drejtua tek karroca!!! Unë mbajta frymën. Dëgjova që përtypej. I shkreti dhe i miri, babai im, duket qe i uritur. Se kjo "vizitë" shkoi pak gjatë. Unë, e shqetësuar, gati bërtita, por e mblodha mendjen. E kë do bëja me faj? Timatë që na donte dhe e donim aq shumë. Babanë që të gjitha inventaret kish dalë shkëlqyeshëm. Babanë që qe punonjës i dalluar në ndërmarrje? I ngjita po tinëzisht shkallët dhe hiç nuk fjeta. Prita mëngjesin dhe, kur bëra inventarin, mungonin 4 kuleçë e dy hallva!

Baba!- bërtita. Na kanë vjedhur. Mungojnë 4 kuleçë e dy hallva!

Ou!- shprehu habinë ai. Paska qenë i uritur, i "ziu" ai! Se babai im ishte zemërmirë, sado që thoshte se hajdutit do t'i priste veshët. Do t'i priste veshët kur babi im qe aq shpirtbrisht sa nuk therte dot një pulë.

Kështu tha babi im dhe,ndërsa bëri mirëmëngjes me komshinë, i tha:
-More Tare, mos ke dëgjuar zhurmë mbrëmë ti, se prapë ai "hajduti" na i bëri proçkën!
- Po si kështu, more Komi,- shprehu shqetësimin e tij Tarja,- po të vdekur jini ju apo të gjallë?!!!
- Opo u kam thnë grave ta zëmë atë hajdut, po gra hesapi.

Tek dëgjoja këto replika të timeti me komshinë, m'u kujtua që një shoqe ime më e madhe më kish treguar se si kish klexuar në një libër të huaj për një burrë të mirë që kish vjedhur dy bukë se qe i uritur. A më sakt: për fëmijtë e uritur! Dhe babai im do ketë qenë i uritur, se qe fund 15-ditëshi dhe nuk kish më lekë. Në fillim të 15-ditëshit, nga që pinte, ai nuk u afrohej kuleçëve. Pijanecët nuk duan ëmbëlsira. Sa keq që më erdhi për të! Baba!- thashë me vete,- haj të tëra! Edhe kuleçët, edhe hallvat. Po dhe piprrat haji! Se ti, baba, nuk je hajdut. Ti je i uritur. Se rrogat nuk na dalin. Po ti kurrë nuk vë dorë në shtet. Dhe në bëre këtë "faj", unë ta kam bërë hallall dhe kurrë, sa të jesh gjallë, nuk kam për t'ia treguar njeriu. Dhe nuk ia tregova veçse karrocën e strehoja në makazinë. Na është qepur një hajdut,-arsyetoja. Më besuan. Babai kurrë nuk më pyeti për karrocën dhe iku nga kjo botë me mendimin se askush nuk e mori vesh për atë "krim". Kur vdiq, u përcoll me ceremoni dhe u shpërblye me medalje: për përkushtim dhe ndershmëri në punë. Se i tillë qe: as defiçit dhe as sufiçit!

Atë moment kur po nxirnin arkivolin dhe mbrriti aty ku lija karrocën, unë ia thirra kujes. Se, befas, sikur u ndeiva fajtore.

Kur vdiq babai, gjyshja kish ca kohë që na kish lënë ( domosdo, kish dhe moshën), por dhimbja u bë dhe më e madhe se, pas ca ditësh që na la babai, vdiq dhe nëna ime e mirë, Katja. Janë dashur shumë,- thoshin. Eh, - shtonin,- e priste i ndjeri, Komi! Eh, çfarë burri! Sa i ndershëm! Të punoje mes mjaltit si ai dhe mos lëpije gishtrinjtë! Unë i dëgjoja dhe lotët më shkoni lumë. Eh, moj nëna ime aq e mirë! Vinte babi i dehur dhe ajo:- Epo pija për burrat është!
Eh, prindërit e mi të dashur! Prehuni të qetë, në atë botën tjetër!

* * *
Tani dhe unë jam rritur me të vërtetë. Tani, pothuajëse, i shisja ç'kisha në karrocë dhe një ditë dhe më shpërblyen. Vajta bleva një bluzë të kuqe flakë (se e kuqe jam dhe vet) dhe, kur po shihesha në pasqyrë, m'u duk vetja si ajo Paltrohu i Holliwoodit! Se dhe ajo si unë kokëkuqe është. Lëre se lyheh e ngjyhen ato, po ku mund të më afrohet mua nga "bukuria?!". Kur them kështu nuk e kam nga vetja, jo. Ma kanë thënë çunat mua. Po e dini kur m'u mbush mendja? Kur ma tha dhe Lashi. Ky më ndalon një ditë (epo larg syve të njerëzisë, se kam cipë unë, por jo vetëm që kam cipë, po jam dhe 17-vjeç) dhe më thotë: - Moj ti e di ti se sa lezet të kanë qukat dhe më ka hipur në kokë që të t'i ha! Aha, nuk qe punë që durohej. Ca se e kuqe jam, sa se ky, Lashi, më tha kështu, unë sa nuk u ndeza flakë. Po nuk mjaftoi me kaq, po ma kapi gërshetin (oh, nëne, sa i mirë!) dhe, ndërsa ma hoqi lehtë nga vetja, më puthi!!! Hapu dhe të futem brenda! Po Lashi nuk më lëshonte. Sikur nuk ngopej. Ka qenë tazovaç i madh ai. Po sa i mirë është! Hë, desh harrova: me Lashin jam martuar dhe kam arritur në vitet e pleqërisë. Dhe shkruaj kujtimet siç bëra dhe sot.

* kam ndërhyrë


Korrik 2009- shtator 2014

PËRPARIM HYSI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
POETI QË PARAPËLQEN METAFORËN(mbi librin «Akorde  Cicërimi» të poetit Qerim Skënderaj)Nga Prof. Dr. KLARA KODRAFASLLI HALITI (09.27.2014)
VEJUSHA E MARTUARProzë nga QERIM SKËNDERAJ (09.26.2014)
GJARPËR NË GJI…Tregim nga QAZIM D. SHEHU (09.26.2014)
POEZI NGA JOHN KEATSI përktheu: FASLLI HALITI (09.26.2014)
PSEUDOBLEPSICikël poetik nga ALI M. LAJÇI (09.25.2014)
30 POEZI TË RRUSTEM GECIT - TË ZGJEDHURA NGA LIBRAT 'KANUNI POETIK' DHE 'HEROIKA' (09.25.2014)
CËRRIKU I KIN DUSHITTregim nga ALEKO LIKAJ (09.24.2014)
PO UNË JAM ÇAM, MËSUES!Tregim nga NAMIK SELMANI (09.24.2014)
POEZI TË ZGJEDHURA NGA GIORGIO CAPRONI DHE FRANCO FORTINIPërktheu: FASLLI HALITI (09.23.2014)
TAKIM ME NJË TË VDEKUR*Tregim nga PËRPARIM HYSI (09.23.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]