E Premte, 03.29.2024, 04:48pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
Xhejms Xhojs irlandezi kryengritës gjeinu i letrave botërore
E Martë, 02.03.2009, 07:31am (GMT+1)

Xhejms Xhojs (James Joyce), një prej autorëve më të mëdhenj të Shekullit XX, lindi në Rathgar, një rrethinë e Dublinit më 2 shkurt 1882. I përket një familjeje të shoqërisë së lartë. Por kushtet financiare shkojnë duke u bërë gjithnjë e më shqetësuese. Prindërit e regjistruan në shkollën katolike të jezuitëve, Clongowes Wood College, pastaj studion edhe në Belvedere College, institucion tjetër jezuit. Laurohet në gjuhët moderne. Që në vitet e studimeve manifeston një karakter antikonformist dhe kryengritës. Më 1904 shkruan veprën autobiografike "A Portrait Of The Artist" (Portreti i një artisti) të cilën vendos ta shndërrojë në roman "Stephen Hero" (Heroi Stefan). Romani konsiderohet një afresk i shkëlqyer estetiko-metafizik, ku vend qendror zë kërkimi i së bukurës, parë në kuadrin e ankthit të njohjes së çështjes kryesore të ekzistencës: të vërtetës. Stephen Dedalus nuk është thjeshtë një personazh, por një metaforë e madhe e artistit modern, antikonformist e kryengritës kundër dogmatizmit social, shprehur nëpërmjet analizave komplekse psikologjike të shpirtit të protagonistit.


Ndërkohë kishte filluar që të shkruante poezi, të cilat i botoi në vëllimin "Muzikë Dhome".
Në këto poezi ai u përmbajt në modelin romantik dhe e romantikës së vonuar. Ndërsa në gazetën "Irish Homestead" botoi tri tregime të cilat më vonëdo të përmblidheshin në një tjetër libër thelbësor të Xhijsit të titulluar, "Njerëz nga Dublini". Po në këtë kohë u takua me Nora Barnacle, që vinte nga pjesa perëndimore e Irlandës në kërkim të punës si kamariere, e cila pastaj iu bë shoqe për të gjithë jetën.

 

Më 1902 pas vdekjes të së jëmës detyrohet që të sigurojë vetë mjetet e jetesës, duke dhënë një kohë mësim në një shkollë të Dublinit, pastaj transferohet në Trieste, ku u njoh me Italo Svevo, që aso kohe ishte vetëm një nëpunës i zymtë krejtësisht në anonimat. Në Trieste ai vazhdoi që të jepte mësim, por i shqetësuar, duke ndjerë se ky qytet ishte tepër i ngushtë për të, preferon që të transferohet në Cyrih. Më 1922 i kthehet edhe një herë Parisit, ku qendron aty deri më 1940, dhe pas pushtimit nazist detyrohet që të gjejë strehë rishtas në Cyrih.

 

Në fillimet e tij krijuese, gjatë një periudhe pushimesh që kalon në Romë, ai punon si korrespondent i huaj i një banke, dhe fillon që të projektojë ende pa hedhur asnjë rresht në letër, një tregim të jetës dublineze, që do të shërbente si embrion për Ulisin. Ulisi është vepra e dytë madhore e opusit xhoisian. Romani pretendon të jetë një epikë kryeposhtë, ku protagonisti humb në kaosin e Dublinit të fillimshekullit duke bërë "gjeste" banale e të rëndomta. Shkruar mes viteve 1914 e 1921, kryevepra përfaqëson një revolucion estetik, ku përvijohet një këndshikim krejt i ndryshëm i formave, strukturave e përmbajtjeve të romanit. Vepra është thellësisht  autobiografike e në të njëjtën kohë objektive, një paralelizëm midis mitit të Odisesë dhe realitetit të jetës dublinase, filtruar përmes shijes personale për filozofinë, artin, historinë e gjuhës dhe variacioneve të saj. Nga pikëpamja teknike, përdorimi sistematik i "Stream Of Consciousness" ("përroi i ndërgjegjes" ose monologu i brendshëm), arrin në nivele të skajshme dhe tejet të paarritshme nga të tjerët.

 

Në "Ulisse" kërkimi estetik e eksperimental monton "strukturat e thella" të fjalës, me një punë "inxhinierike" mbi trajtat e errëta të komunikimit gjuhësor, nga strukturat e anglishtes dhe prek rrënjët arkaike të të folurit. Mjafton të studiosh Xhojsin të kuptosh se pjesa e parë e Shekullit XX paraqet një epokë të eksperimenteve në të gjitha fushat e kulturës. Duke eksperimentuar forma të reja, modernistët e përqendruan vëmendjen në proceset mendore që zhvillohen në qenien njerëzore, duke kërkuar t'i eksplorojnë ato procese. Nga teknikat e përdorura për të shprehur përroin e ndërgjegjës përfshihen " Flash Back ", ngjarja brenda ngjarjes, përdorimi i similitutave, pra krahasimeve të stërzgjatura, metaforave dhe sistemit të veçantë të pikësimit. Metoda e përdorur nuk përfill logjikën e subjekteve, rregullat e sintaksës dhe shenjat e pikësimit pikërisht për të pasqyruar kaosin e mendimeve.


Në rrafshin privat të Xhojsit, duhet shënuar sëmundja e rëndë e syve dhe për disa kohë humbja e plotë e shikimit, çka e detyroi të bënte ndërhyrje të panumërta kirurgjike. Udhëton pa pushim midis Anglisë, Zvicrës e Gjermanisë. Fragmente të "Finnegans Wake" (Zgjimi i Fineganëve), kryevepra e kryeveprave, janë publikuar nga revistat letrare avanguardiste, duke shkaktuar gjykime të ashpëra dhe polemika.


Fillojnë shqetësimet e para mendore të së bijës, por Xhojs e mban atë gjithmonë me vete, duke e lënë në klinikë vetëm gjatë krizave më të shfrenuara. Më 1939, më në fund, publikohet i plotë "Zgjimi i Fineganëve", një zhvillim monumental i temave strukturore të "Uliksit" frymëzuar nga filozofia e historisë së G. B. Vico. Pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore Xhojs shkon në Zyrih ku edhe vdes gjatë një  ndërhyrjeje kirugjike, më 1941./ Elida BUÇPAPAJ

 

 

 

BOX

 

Cikli me poezi

 

KABRA

Ai rrugëton pas një dielli dimërak

Duke shtyrë pendën e qeve përgjatë udhës të ftohtë të kuqe

Duke u thirrur atyre, me zërin që ata e njohin

Ai i drejton kafshët e tij lart mbi Kabra.1)

 

Zëri u tregon atyre se në shtëpi është ngrohtë

Kafshët bëjnë muu dhe muzikë të vrazhdë me thundrat e tyre

Ai i ndjell ato me një degë peme të lulëzuar që e mban përpara

Tymos avull prej ballit të tyre.

 

I pagdhëndur, i lidhur pas qeve

Sonte i shtriqur gjërë e gjatë pranë zjarri !

Mua më qan zemra prej rrëkesë së zezë

Për degën time të këputur !

-----            

1)Kabra (Cabra) është emri i një rrethine në Dublin, ku familja e Xhoisit ka jetuar prej 1902-1904. Titulli në origjinal i poezisë është Tilly.

 

ECCE PUER

Nga e shkuara terr

Një fëmijë ka lindur;

Me gëzim dhe dert

Zemra ime është grisur.

 

I qetë është djepi

Ku fle kërthija.

Nga gjumi e rikthefshin

Fati dhe dashuria!

 

Fryma e jetës së brishtë

Bie mbi xham;

Bota që nuk ishte

Thotë ja ku jam.

 

Ndërsa fëmija fle,

Një burrë plak vdes

Oh at, i braktisur

Yt bir të lyp ndjesë!

-------

Jo poezi është shkruar me rastin e lindjes të Stefanit (Stephen), nipit të Xhoisit dhe pas vdekjes të të jatit. Titulli nga latinishta do të thotë "Ja ! një djalë"

 

 

KUJTIMIT TË LOJËS SË AKTORËVE NË NJË PASQYRË NË MESNATË

 

Goja është shprehëse e dashurisë suaj. Kërcëlloni

Dhëmbin e trembëdhjetë

Për të hapur gojën vesh më vesh së qeshuri. Kruajeni

Zgjeben dhe qelen tuaj, lakminë lakuriqe të mishit.

Fryma e dashurisë në ju është bajate, e thënë apo e kënduar,

E thartë si fryma e lopëve,

Ashpërsia e gjuhës së tyre.

 

Kjo gri që na kqyr nuk shtrihet

Dot, është asht e lëkurë e mpirë

Buzët e tyre të lyrëta formojnë puthjet e tyre. Askush

Nuk do t'ia donte ato gojë që kini mbi fytyrën tuaj.

Uria e tmerëshme pllakos orën e saj.

Nxirreni zemrën tuaj tej, gjakun e kripur të saj, frut i lotëve.

Merreni dhe kapërdijeni !

 

AJO DERDH LOTË MBI RAHUN 1)

 

Shiu mbi Rahun bie butë, butësisht bie,

Mbi tokën ku i dashuri im i shkretë shtrihet

I trishtë zëri i tij më thërret mua, thirrje e trishtë,

Si një hënë e lindur ngjyrë gri.

 

Dashuri, dëgjomë

Kaq butë, kaq pikëllueshëm zëri i tij kurrë s'ka qënë,

Kurrë papërgjigje, dhe i terrët shiu si tani,

Asnjëherë s'ka rënë.

 

Terr zemrat tona, oh dashuri, lermë të shtrihem e ngrirë

Si zemra e tij pikëllueshëm është shtrirë

Nën gjembat e hënës gri, mykut të zi

Dhe ankimeve të shiut nëpër dhëmbë.

---------

1)Rahun (Rahoon) emër vendi në Irlandë.

I shqipëroi: Elida BUÇPAPAJ

Elida BUÇPAPAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
I çmendur pas Shakirës - Nga Gabriel Garcia Marquèz (01.27.2009)
Tomas Shter Elioti, Poeti i Tokës, Ajrit, Ujit dhe Zjarrit (12.30.2008)
FRAZA POETIKE TË ARTUR REMBOSË (1854-1891 ) (12.21.2008)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 

 
VOAL
[Shko lart�]