VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Xhejms Xhojs irlandezi kryengritës gjeinu i letrave botërore E Martë, 02.03.2009, 07:31am (GMT1) Xhejms Xhojs (James Joyce), një prej autorëve më të mëdhenj të Shekullit XX, lindi në Rathgar, një rrethinë e Dublinit më 2 shkurt 1882. I përket një familjeje të shoqërisë së lartë. Por kushtet financiare shkojnë duke u bërë gjithnjë e më shqetësuese. Prindërit e regjistruan në shkollën katolike të jezuitëve, Clongowes Wood College, pastaj studion edhe në Belvedere College, institucion tjetër jezuit. Laurohet në gjuhët moderne. Që në vitet e studimeve manifeston një karakter antikonformist dhe kryengritës. Më 1904 shkruan veprën autobiografike "A Portrait Of The Artist" (Portreti i një artisti) të cilën vendos ta shndërrojë në roman "Stephen Hero" (Heroi Stefan). Romani konsiderohet një afresk i shkëlqyer estetiko-metafizik, ku vend qendror zë kërkimi i së bukurës, parë në kuadrin e ankthit të njohjes së çështjes kryesore të ekzistencës: të vërtetës. Stephen Dedalus nuk është thjeshtë një personazh, por një metaforë e madhe e artistit modern, antikonformist e kryengritës kundër dogmatizmit social, shprehur nëpërmjet analizave komplekse psikologjike të shpirtit të protagonistit.
Më 1902 pas vdekjes të së jëmës detyrohet që të sigurojë vetë mjetet e jetesës, duke dhënë një kohë mësim në një shkollë të Dublinit, pastaj transferohet në Trieste, ku u njoh me Italo Svevo, që aso kohe ishte vetëm një nëpunës i zymtë krejtësisht në anonimat. Në Trieste ai vazhdoi që të jepte mësim, por i shqetësuar, duke ndjerë se ky qytet ishte tepër i ngushtë për të, preferon që të transferohet në Cyrih. Më 1922 i kthehet edhe një herë Parisit, ku qendron aty deri më 1940, dhe pas pushtimit nazist detyrohet që të gjejë strehë rishtas në Cyrih.
Në fillimet e tij krijuese, gjatë një periudhe pushimesh që kalon në Romë, ai punon si korrespondent i huaj i një banke, dhe fillon që të projektojë ende pa hedhur asnjë rresht në letër, një tregim të jetës dublineze, që do të shërbente si embrion për Ulisin. Ulisi është vepra e dytë madhore e opusit xhoisian. Romani pretendon të jetë një epikë kryeposhtë, ku protagonisti humb në kaosin e Dublinit të fillimshekullit duke bërë "gjeste" banale e të rëndomta. Shkruar mes viteve 1914 e 1921, kryevepra përfaqëson një revolucion estetik, ku përvijohet një këndshikim krejt i ndryshëm i formave, strukturave e përmbajtjeve të romanit. Vepra është thellësisht autobiografike e në të njëjtën kohë objektive, një paralelizëm midis mitit të Odisesë dhe realitetit të jetës dublinase, filtruar përmes shijes personale për filozofinë, artin, historinë e gjuhës dhe variacioneve të saj. Nga pikëpamja teknike, përdorimi sistematik i "Stream Of Consciousness" ("përroi i ndërgjegjes" ose monologu i brendshëm), arrin në nivele të skajshme dhe tejet të paarritshme nga të tjerët.
Në "Ulisse" kërkimi estetik e eksperimental monton "strukturat e thella" të fjalës, me një punë "inxhinierike" mbi trajtat e errëta të komunikimit gjuhësor, nga strukturat e anglishtes dhe prek rrënjët arkaike të të folurit. Mjafton të studiosh Xhojsin të kuptosh se pjesa e parë e Shekullit XX paraqet një epokë të eksperimenteve në të gjitha fushat e kulturës. Duke eksperimentuar forma të reja, modernistët e përqendruan vëmendjen në proceset mendore që zhvillohen në qenien njerëzore, duke kërkuar t'i eksplorojnë ato procese. Nga teknikat e përdorura për të shprehur përroin e ndërgjegjës përfshihen " Flash Back ", ngjarja brenda ngjarjes, përdorimi i similitutave, pra krahasimeve të stërzgjatura, metaforave dhe sistemit të veçantë të pikësimit. Metoda e përdorur nuk përfill logjikën e subjekteve, rregullat e sintaksës dhe shenjat e pikësimit pikërisht për të pasqyruar kaosin e mendimeve.
BOX
Cikli me poezi
KABRA Ai rrugëton pas një dielli dimërak Duke shtyrë pendën e qeve përgjatë udhës të ftohtë të kuqe Duke u thirrur atyre, me zërin që ata e njohin Ai i drejton kafshët e tij lart mbi Kabra.1)
Zëri u tregon atyre se në shtëpi është ngrohtë Kafshët bëjnë muu dhe muzikë të vrazhdë me thundrat e tyre Ai i ndjell ato me një degë peme të lulëzuar që e mban përpara Tymos avull prej ballit të tyre.
I pagdhëndur, i lidhur pas qeve Sonte i shtriqur gjërë e gjatë pranë zjarri ! Mua më qan zemra prej rrëkesë së zezë Për degën time të këputur ! ----- 1)Kabra (Cabra) është emri i një rrethine në Dublin, ku familja e Xhoisit ka jetuar prej 1902-1904. Titulli në origjinal i poezisë është Tilly.
ECCE PUER Nga e shkuara terr Një fëmijë ka lindur; Me gëzim dhe dert Zemra ime është grisur.
I qetë është djepi Ku fle kërthija. Nga gjumi e rikthefshin Fati dhe dashuria!
Fryma e jetës së brishtë Bie mbi xham; Bota që nuk ishte Thotë ja ku jam.
Ndërsa fëmija fle, Një burrë plak vdes Oh at, i braktisur Yt bir të lyp ndjesë! ------- Jo poezi është shkruar me rastin e lindjes të Stefanit (Stephen), nipit të Xhoisit dhe pas vdekjes të të jatit. Titulli nga latinishta do të thotë "Ja ! një djalë"
KUJTIMIT TË LOJËS SË AKTORËVE NË NJË PASQYRË NË MESNATË
Goja është shprehëse e dashurisë suaj. Kërcëlloni Dhëmbin e trembëdhjetë Për të hapur gojën vesh më vesh së qeshuri. Kruajeni Zgjeben dhe qelen tuaj, lakminë lakuriqe të mishit. Fryma e dashurisë në ju është bajate, e thënë apo e kënduar, E thartë si fryma e lopëve, Ashpërsia e gjuhës së tyre.
Kjo gri që na kqyr nuk shtrihet Dot, është asht e lëkurë e mpirë Buzët e tyre të lyrëta formojnë puthjet e tyre. Askush Nuk do t'ia donte ato gojë që kini mbi fytyrën tuaj. Uria e tmerëshme pllakos orën e saj. Nxirreni zemrën tuaj tej, gjakun e kripur të saj, frut i lotëve. Merreni dhe kapërdijeni !
AJO DERDH LOTË MBI RAHUN 1)
Shiu mbi Rahun bie butë, butësisht bie, Mbi tokën ku i dashuri im i shkretë shtrihet I trishtë zëri i tij më thërret mua, thirrje e trishtë, Si një hënë e lindur ngjyrë gri.
Dashuri, dëgjomë Kaq butë, kaq pikëllueshëm zëri i tij kurrë s'ka qënë, Kurrë papërgjigje, dhe i terrët shiu si tani, Asnjëherë s'ka rënë.
Terr zemrat tona, oh dashuri, lermë të shtrihem e ngrirë Si zemra e tij pikëllueshëm është shtrirë Nën gjembat e hënës gri, mykut të zi Dhe ankimeve të shiut nëpër dhëmbë. --------- 1)Rahun (Rahoon) emër vendi në Irlandë. I shqipëroi: Elida BUÇPAPAJ Elida BUÇPAPAJ
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |