VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - DY ITALIANËTTregim nga FASLLI HALITI

                                                                                      

E Shtunë, 04.20.2024, 01:05pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
DY ITALIANËT
Tregim nga FASLLI HALITI

E Mërkurë, 10.01.2014, 12:22pm (GMT+1)


 Ato ditë që kapitulloi Italia fashiste, xhaxhai solli në shtëpinë tonë dy italianë:  Dominikon dhe Xhovanin.

 Domeniko ishte paksa i ndrojtur, disi brun, por në shikimin e parë dukej që ishte punëtor i madh. Xhovani ishte tip i shkathët, i afrueshëm, me të miqësoheshe me një herë. Ai kishte zë të bukur dhe s'i rrihej pa kënduar e pa i rënë harmonikës, që fshatarët i thoshin saze goje. Ai qante atë saze. Dukej punëtor, por punën nuk e hante. Të jepte përshtypjen se kishte qenë oficer ose nënoficer. Që ditët e para xhaxhai s'di pse s'e pati për zemër Xhovanin. Ai, këngën dhe harmonikën e gojës e qante, por për punë s'ia thoshte, për punë s'e kishe. Domeniko punonte shumë, kurse  Xhovani  edhe bukën e drekës e hante shtrirë në hijen e shelgut që ndodhej në mes të arës. Edhe kur korrte grurë, Xhovani binte në gjunjë dhe korrte gjunjazi.  Domeniko ishte edhe një artizan i shkëlqyer.  Bënte ca kosha, ca kanistra, ca shporta që të linte pa mend. Unë habitesha me kanistrat dhe shportat e tij, aq bukur i thurte ato. Thurte me purteka thane dhe fije kallami. Nuk më harrohet ajo kanistra, brenda së cilës  thuri edhe një shportë. Shporta shërbente si furrik, ku pula bënte vezën dhe vezët nga shporta vendoseshin në kanistër. Para se ta thurte kanistrën, Domeniko ia shpjegoi xhaxhait me këmbë me duar, me gjysma fjalësh se si do ta thurte. Xhaxhai e kuptoi e u kënaq. Bëje i tha. Bëje. Punë e bukur më duket. Do ta shohim më mirë kur ta mbarosh së thururi.

Unë nuk luajta nga vendi. Aty ndenja derisa Domeniko e mbaroi kanistrën. Sa e bukur, sa e bukur që i doli ! Si duket, Dominiko e mendoi me zemër dhe e thuri po me zemër. Sa estetike dhe sa praktike ishte kanistra që thuri Domeniko. Një vepër e vërtetë arti. Xhaxhai i rrahu shpatullat. Aferim i tha. Italiani u kënaq, por përsëri ai nuk lëshohej, rrinte përsëri i ndrojtur. Ai e tregoi veten mrekullisht edhe si punëtor dhe si artizan i talentuar. Ai jo vetëm e nxirrte bukën e gojës, por ndjente dhe kënaqësi, kur shihte se ne kënaqeshim të gjithë me koshat, shportat, kanistrat e tij... Sidomos kanistra me atë shportën në mes, ishte kryevepra e tij. Xhaxhai i kishte rrahur shpatullat. Unë qeshja nga gëzimi dhe e prekja me dorë si diçka  të shenjtë atë kanistër. Gruaja e xhaxhait mori një pulë dhe e futi në shportë. Pula bëri vezën dhe në kanistër u vendos veza e parë. Mbas një jave kanistra u mbush plot me vezë të bardha. Ta shihje sa bukur rrinte pula brenda në shportë dhe sa bukur rrinin vezët që e rrethonin shportën si zaje lumi.
 Vëllai i madh i donte njëlloj që të dy italianët. Nuk bënte dallim se kush punonte më shumë e kush punonte më pak; kush ishte më i zoti e kush ishte më pak i zoti. Edhe italianët e donin vëllanë e madh. Punonin që të tre. Në fillim bënë një hendek të thellë përqark kopshtit të shtëpisë që s'ishte parë në asnjë kopsht tjetër të fshatit tonë. 

Arkitekt i hendekut, kuptohet, kishte qenë ai, italiani Domeniko. Ishte hendeku i parë me skarpat që shihnim ne dhe gjithë fshatarët e fshatit Plug i Madh. Ne s'e njihnim atëherë fjalën kanal, pale pastaj fjalën skarpat. Xhaxhai e pëlqeu shumë hendekun. Të lumtë i tha Domenikos dhe i rrahu shpatullat.Vëllait dhe italianit tjetër, Xhovanit, nuk i erdhi mirë që xhaxhai kishte përgëzuar vetëm Domenikon. Xhovani e shprehu keqardhjen. Në fillim rrëzoi vetullat, tendosi buzët, pastaj preu këngën gjatë punës. U bë i heshtur. Kjo heshtje zgjati disa ditë. Xhovani e pranonte se Dominiko ishte i zoti për të thurur shporta e kanistra, ishte mjeshtër, një artizan i shkëlqyer që ai jo vetë nuk i afrohej, por edhe krenohej me të si bashkatdhetar, por sa për kanalin ai s'e pranonte. Kanalin ata e kishin hapur të tre së bashku: ai, Xhovani, vëllai im i madh dhe jo vetëm Domeniko.

Përherë të dytë Xhovani u pikëllua në dasmën e vëllait të madh. Natën e parë të dasmës Xhovani ishte tepër i gëzuar. Ai e donte vëllanë. E quante fratello. Kjo ishte arsyeja e parë që ai ishte alegro, i gëzuar. Arsyeja ë dytë ishte se gjatë ditëve të dasmës ai do të shfaqte gjithë talentin e tij si këngëtar. Do të dilte mbi Domenikon i cili e linte shokun në hije si punëtor e mjeshtër artizanati. Natën e parë të dasmës Xhovani këndoi këngët më të bukura që dinte. I këndoi me shpirt e talent sa i la gojëhapur të gjithë dasmorët. Harroi se Italia e tij fashiste kishte kapitulluar dhe se ai ishte një kapitullant, një ushtar i mundur, i dorëzuar, një rob lufte. I dukej sikur ishte në shtëpinë e tij, sikur po këndonte në dasmën e vëllait të vet të vogël. Të gjithë fshatarët që kishin ardhur për këngë u mahnitën. Edhe Murat Bilbili që ishte bilbili i fshatit mbeti gojëhapur. Kaq shumë e pëlqeu. Madje Murati i mësoi të nesërmen italianit një nga këngët e tij më të bukura dhe në darkë ata e kënduan të dy së bashku. Veç t'i dëgjoje. Murat Bilbili ia hidhte, italiani ia priste si të ishte një fshatar i vërtet shqiptar. Të gjithë dasmorët u kënaqën. Xhovanit i rridhnin lot lumturie nga sytë. U mallëngjye ngaqë atë po e mirëprisnin si këngëtar. Mbase dhe iu kujtua dasma e vet, shtëpia, babai, nëna, gruaja, motra vëllezërit e vegjël, që s'i kishte parë prej pesë vjetësh. Hamendjet ishin të ndryshme për lotët e italianit. Por unë mbaj mend që atij atë natë i ndritën sytë dhe lotët ishin petale që këputeshin e binin në të dy faqet e tij si në dy lëndina. Tani ai ndjehej më i qetë. Nuk e hante bukën kot. Domeniko ishte artist në thurje koshash, kanistrash, shportash, ai ishte artist në këngë.  Unë u gëzova që italiani u çel i tëri. S'e duroja dot zymtinë e tij, atë hije që i mbulonte sytë e fytyrën si perçe. Atij i shkonte kënga, drita, por jo perçja e zymtësisë. U afrova tek italiani dhe i rraha shpatullat. Të lumtë goja, i thashë Xhovanit, të lumtë goja e të këndoftë zemra, Xhovani. Ai më përqafoi duke më thënë menjëherë,- grazie, grazie, mile grazie, mio piccolo fratello!

-Të lumtë goja Xhovani ! - i tha dhe Murat Bilbili.
-Të lumtë goja ! -i thanë të gjithë dasmorët me radhë.

    Xhovani u përlot përsëri nga vlerësimi që po i bënin. Pikat e lotit binin si petale pjeshke mbi faqet e tij. Sytë, buza, vetullat po i qeshnin. Gjoksi i ulej e i ngrihej ngaqë kishte kënduar shumë. Megjithatë ashtu i lumtur ngaqë i kishte kënaqur të gjithë dasmorët dhe që ata e kishin pëlqyer dhe vlerësuar me entuziazëm, ai po mendonte të këndonte edhe një këngë tjetër. Duke kërkuar në repertorin e tij, sytë i mbante lart, shikonte tavanin e odës së miqve sikur tavani të ishte repertori ku ai do të gjente këngën.

Ndërkaq Riza Thana, një bujk i mirë, i tha xhaxhait:
-Po për punë si i ke këta italianët?
-Ky këtu, tha xhaxhai për Domenikon që s'kishte kënduar asnjë këngë, por kishte mbajtur vetëm iso, ky punon shumë, është punëtor i madh Flori i ka duart. Kurse ky tjetri, tha xhaxhai duke i treguar me bisht të syrit Xhovanin,  ky s'e ha punën, vetëm për këngë është. Qejf o qerrata është ky...

Xhovani u pre menjëherë. U zbeh në fytyrë. Vetullat i ranë poshtë. Nga goja e tij, nuk doli më as një këngë. Ai e kuptoi se xhaxhai diçka të keqe foli për të, diçka të keqe i tha Riza Thanës, kurse për Domenikon shprehu një simpati të thellë. Këtë radhë italiani kishte pësuar pikëllimin më të thellë, fyerjen më të rëndë. As kur kishte kapitulluar ushtria e tij, s'kish ndierë një fyerje kaq të rëndë sa kjo. Në fund të fundit ushtria, ishte ushtri. Ai nuk ishte komandanti i saj që të ndiente fyerje. Ishte vetëm një ushtar i thjeshtë. Pastaj ajo kishte qenë një ushtri pushtuese... Të mbronte atdheun, po.

Atëherë dhe atij do t'i vinte turp, do të fyhej, do të ulte kokën që s'mundi ta mbronte dot atdheun e tij. Ajo ishte një ushtri që kishte pushtuar atdheun e këtyre njerëzve që i ishin gjendur siç i gjendet vëllai, vëllait. Prandaj dhe ai nuk kishte ndier ndonjë fyerje personale ditën e kapitullimit të kësaj ushtrie. Mbase edhe ishte gëzuar. Ajo që kishte bërë ushtria e tij kishte qenë një luftë e padrejtë, pushtuese dhe ai mbase ndjeu kënaqësi kur ajo mbaroi me turp. Turpi me turp ishte larë. Po fyerja që i bëri xhaxhai, nuk durohej. Kjo ishte një fyerje e madhe dhe ai nuk mund ta duronte dot. Ushtria e tij kishte qenë e dobët dhe e padrejtë, kurse ai e konsideronte veten një ushtar të mobilizuar që s'kishte dashur të luftonte kurrë për të pushtuar të tjerët. Nuk punonte sa Dominiko. Dakord. Ai nuk kishte qenë bujk, por një mekanik i thjeshtë në një ofiçinë të vogël. Nuk ishte mësuar me punë fizike. Nuk punonte dot me bel, po kjo nuk do të thoshte se s'ishte punëtor. Ai nuk e pranonte se ishte një pigro, një dembel i keq. Përkundrazi, ai, veten e mbante për laborioso, për punëtor në zanatin e tij.

Natën e dytë e të tretë të dasmës, Xhovani s'e hapi gojën. Nga goja e tij s'doli më asnjë këngë. Vëllai iu lut që ai të këndonte për të, se dasma ishte e tija dhe jo e xhaxhait, por italiani nuk këndoi edhe dy net të tjera. Ai i tha vëllait se i kishte ikur humori, se i ishte helmuar shpirti. Ai dembel ?! Ai pigro?! Kurrën e kurrës! Më në fund Xhovani i tha vëllait se të nesërmen mbrëma do të këndonte vetëm për të, për Murat Bilbilin që ishte bilbili i fshatit dhe që e vlerësonte atë. Të nesërmen mbrëma italiani Xhovani këndoi vërtetë, por këndoi vetëm këngë melankolike, vetëm këngë të pikëlluara...
***
Mbas fyerjes që i bëri xhaxhai, Xhovani punoi i prekur në sedër, pa pyetur për mundim e lodhje. I përgjakeshin duart. Ai i mbështillte me lecka që të punonte më me lehtësi e sa më shumë që t'i tregonte xhaxhai se ai nuk ishte dembel, porse duke qenë kovaç ai nuk iste mësuar të punonte tokëm, por hekurin. Hendeku rreth arës së Ferrës së Nikollit mbaroi. Fshatarët u habiten me hendekun e hapur prej tyre. Ai nuk ishte hendek, por një vepër arti. Aq bukur e kishin hapur ata  së bashku me vëllanë tim të madh, sa s'ishte parë ndonjëherë në anët tona.

Janë mësuar me llogoret këta qerratallenj - tha xhaxhai, kur pa hendekun të mbaruar. Duke gërmuar e hapur hendekun rreth arës sonë, këtyre  u dukej sikur vazhdonin të hapnin llogore lufte për të mbrojtur kokën e vet...
***
Pas dasmës dhe  me ikjen e vëllait ushtar, iku dhe Xhovani nga shtëpia jonë. Vajti kovaç te usta Nuzo Jevgu...

Domeniko mbeti në shtëpinë tonë. Ai donte  xhaxhanë si babanë e vet dhe xhaxhai e donte atë si djalin e tij të madh.

FASLLI HALITI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
EDHE UNË JAM ÇAMRRUSTEM GECI – 10 poezi për Çamërinë, nga libri, “Heroika “ (10.01.2014)
PSE THIRRI FAUSTIN NË TIRANË NOVRUZ XH SHEHUNga Prof. Dr. KLEANTH ZOTO (10.01.2014)
DUAJE SE ËSHTË RINGJALLJA JOTEPoezi nga SHPRESA DEMOLLI (09.30.2014)
KTHIM NË TË SHKUARËNTregim nga GUY DE MAUPASSANT (09.28.2014)
'HAJDUTI' NË SHTËPINË TONËTregim nga PËRPARIM HYSI (09.27.2014)
POETI QË PARAPËLQEN METAFORËN(mbi librin «Akorde  Cicërimi» të poetit Qerim Skënderaj)Nga Prof. Dr. KLARA KODRAFASLLI HALITI (09.27.2014)
VEJUSHA E MARTUARProzë nga QERIM SKËNDERAJ (09.26.2014)
GJARPËR NË GJI…Tregim nga QAZIM D. SHEHU (09.26.2014)
POEZI NGA JOHN KEATSI përktheu: FASLLI HALITI (09.26.2014)
PSEUDOBLEPSICikël poetik nga ALI M. LAJÇI (09.25.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]