VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

TRIPTIK ME POEZI LIRIKE
Nga THANI NAQO

E Hënë, 10.13.2014, 09:10am (GMT1)



PËLLËMBËT ME GISHTA TË SHENJTA

Pëllëmbët e tua, të vogla,
Shenjtërojnë çdo gjë që ti prek.
Shenjtërohen fustankat belholla,
edhe arne e kopsa kur qep.

Gishtat e tua shenjtërojnë,
Lakrorët përqark me tegel.
Me hatër, tinëz, mashtrojnë,
Kulaçit me lek i vë shenjë.

Dimrit me erë të ftohtë,
Fishkëllimat unë ja përqesh.
Kam çorrape e bluzë të ngrohtë
Nga gishtat e shenjtë peshqesh.

1985-2014

PËRRALLË ME LËMENJ

Ti s'ke si ta dish ç' ështe lëmi,
I drunjti strumbullar pse duket i artë.
Pse kuajt spërkatin me xixa kalldrëmi,
Pse qielli, dikur, ishte më i kaltër.

Ti s'ke si ta dish ç'ësht' ngarësi i kuajve,
Era e lëmenjve për ty është fikur.
Ama, kokrën e grurit shkoqitnin prej duajve,
Thundrat e atyre që quhen Krifëngritur.

Ti s' ke shijuar lëpjeta me gjizë,
Dhallë të ftohtë e lakror me radhiqe.
Nafora, që ty, të japin në kishë,
Bekim i lëmenjve në mijra vite.

Ti s'ke si ta dish ç'është vrahtari,
Si pastron grurin me erën e mbarë.
Pastaj, për jastëk, një samar kali,
Të atyre kuajve që unë kam ngarë...

dhjetor 2012

BALADË PËR XHIXHILENË

Pa rënë muzgu ndezin zjarr,
Hëna tundet porsi dajre.
Ah, cigankat trupllastar,
Përdredhin belin me tinguj gajde!

Ç'm'i thëthin sytë m'e vogla,
Gjoksit varur një gjerdhan.
Tring-tring-tring beli me gogla,
Yjet qeshin, hëna qan.

Dum-dum-dumi fton në valle,
Thikat presin flakn' e zjarrit.
Ah, të kisha un' mustaqe,
E një thikë si të ciganit!

Flak këpucët e çorrapet,
Yjet qeshin, hëna qan.
Si ciganët përvesh paçet,
"Xhixhile, aman, aman!"

Ze fryn flladi mbi rakita,
Xhixhilea pëshpërit:
"Që ta dish, kush thur kanistra,
Varr nuk ka, botën shëtit."

Dum-dum-dum e jar-na-na,
Flak' e zjarrit një thëngjill.
"Xhixhile, të keqen nëna,
S'është i yni, aman, mos dil!"

Çapëloj gjoksin e shtrydh zemrën,
Qeshin hënëzat përmbi pellgje.
-Xhixhile mos dëgjo nënën, -
Lotojnë yjet përmbi shelgje.

E gdhij natën si cigan,
Thur kasollen me rakita.
"Xhixhile, të kam xhan..."
"Oh, jam larg, po thurr kanistra..."

1970-2013
THANI NAQO


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.