E Premte, 04.19.2024, 11:58pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
NDAL FALSIFIKIMIT TË HISTORISË (I)
Romanet ''Zgjimi'' e ''Pishtarë'' dhe e vërteta historike
Nga SKËNDER LUARASI

E Premte, 10.17.2014, 03:28pm (GMT+1)


                      SKËNDER LUARASI

Në gazetën Telegraf (3, 4, 6 tetor 2014) "˜'kritiku letrar'' Xhemal Veizaj përkujtoi shkrimtarin me kombësi maqedonase Sterjo Spasse dhe shprehu opinione mbi ngjarje dhe personazhe të jetës së krijuesit të shquar të letërsisë shqipe. Ai (në një intervistë të gazetës Telegraf, dt. 3.12.2013, theksonte se qe mik me Ilinden Spassen) perifrazonte gjerë e gjatë fragmente të librit "˜'Im Atë Sterjo'' të mikut Ilinden, trillimet atë e bir mbi persekutimet e tyre nga diktatura dhe peripecitë e botimit të ciklit letraro-historik "˜'Rilindasit'' (romanet "˜'Zgjimi'', "˜'Pishtarë'', "˜'Zjarre'', etj.). Akuzoi e përgojoi edhe kritikuesit e këtyre veprave , shkrimtarë e historianë si Dritëro Agolli, Gazmend Shpuza e Skënder Luarasi në ngjarje të cilat i kam sqaruar vite më parë (artikulli Skënder Luarasi përballë Sterjo Spases : Birit Ilinden, për të atin Sterjo Spasse... , Petro S. Luarasi , Republika, 31 mars, 1996).
I keqinformuari për çështjet e diskutuara, "˜'kritiku letrar'' që aktroi rolin e tellallit për hir të mikut e pazarit, shkaktoi padashur domosdoshmërinë e diskutimit të disa shkeljeve parimore, të cilat po të gjykohen me objektivitet mund të shkaktojnë një skandal shkencor e politik, me përmasa mbarëkombëtare.
Flitet e shkruhet shumë për rishikimin e historisë së popullit e kombit shqiptar, padrejtësitë që janë kryer në të shkuarën nga rrethana e faktorë të ndryshëm dhe pasqyrimin sa më të saktë të saj në tekstet shkollore e botimet akademike. Dihen edhe interesat e presionet e shteteve të huaja dhe grupimeve të caktuara për t'ia përshtatur identitetin shqiptar interesave të tyre.
Pak dokumenta e diskutime janë publikuar, analizuar e debatuar mbi pasqyrimin e së vërtetës historike në letërsi dhe pasojat e shtrembërimit të saj. Shpresoj se materiali i përzgjedhur nga kujtimet e studjuesit atdhetar Skënder Luarasi e ndihmon këtë çështje me shembuj konkretë.
Lexuesi le ta gjykojë çështjen, fenomenin Spasse, përgjegjësinë e çdo atdhetari dhe rolin e kritikut letrar. Shpreh keqardhjen që, në zbulim të së vërtetës, detyrohem të publikoj fakte që nuk ia shtojnë vezullimin dekorit përkujtimor të shkrimtarit të talentuar Sterjo Spasse në 100- vjetorin e ndarjes nga jeta.
Petro S. Luarasi


Kur mbrojta "˜'Gjeneralin e ushtrisë së vdekur'' të Kadaresë më kërcënuan se do të më jepnin plumbin prapa kurrizit. Ndaj nxitoj të kritikoj veprat e Sterjo Spasses ("˜'Zgjimi'' e "˜'Pishtarë'') që populli shqiptar të mos ma japë atë plumb në lule të ballit. Plumbin do t'ia kisha shkrepur zemrës me vetë dorën time, po të kisha dezertuar ditën e 7 prillit 1939 dhe po të mos kundërshtoj tani të përsëritet e Premtja e Zezë!...

E shkruaj këtë kritikë për ata që romanet "˜'Zgjimi'' e "˜'Pishtarë'' nuk patën nge t'i lexojnë, për ata që nuk patën më durim për t'i përfunduar, për recenzentët e pandjenjë dhe redaktorët e padenjë që ia reklamuan popullit shqiptar si vepër shembullore për t'u lexuar e studjuar! (S.Luarasi, Kujtime, 1976).

Romanet ''Zgjimi'' e ''Pishtarë''

"˜'...U botuan dy volume, ''Zgjimi'' dhe ''Pishtarë'' nga Sterjo Spasse, dy të parët nga cikli i romaneve ''Rilindasit''. Barra që mori përsipër autori qe e rëndë, interesimi i publikut shqiptar se qysh ia ka paraqitur autori botës Rilindjen e kombit tonë është i madh.
Nga mënyra qysh e ka trajtuar temën autori, kuptohet se Spassja dashur-padashur nuk ka shumë simpati për Rilindjen shqiptare.

Por Rilindja është aq fort e shtrenjtë për ne, sa që nuk mund të mos prekemi kur në letërsinë tonë bëhen shtrembërime të rënda rreth luftrave të popullit tonë për liri në shek. XIX dhe në fillim të shek. XX. Është për të ardhur keq që në romanet e Spasses ka të tilla shtrembërime që nuk pajtohen me fjalën e drejtë që kanë dhënë shkencat albanologjike për këtë epokë të lavdishme të historisë sonë.

Këtu nuk dua të flas për dobësitë artistike të këtyre romaneve, për atë material tërkuzë të gjatë e të vjelur e të përvjelur andej-këndej pa kritet, e të zhdërjendur në njëmijë e njëqind faqe, nëpërmjet të cilave autori kërkon të na paraqesë Rilindjen. Megjithëse nuk duhet t'i falet mungesa e përgjegjësisë dhe shkelja e misionit shoqëror-patriotik shkrimtarit që rend pas faqeve.

Porse dua të flas për ato shtrembërime që errësojnë madhështinë e përpjekjeve të popullit tonë për liri në epokën e Rilindjes e që fshehin të vërtetën historike për atë.

Mbivlerësimi i faktorit maqedonas

Pasi lexova me vëmendje romanet në fjalë, unë personalisht arrita në këto përfundime:

1. Ndonëse S.Spassja na premtoi të na rrëfejë për Rilindjen e rilindasit tanë, ai në romanet e tij u cakton lëvizjeve maqedone një shesh aq të gjerë sa që Rilindja jonë përdoret si pretekst për të folur për hallet e dy-tri fshatrave maqedone në skaj të Korçës, fati i të cilave sado i hidhur pastë qenë, nuk mund të zerë atë vend që u cakton autori në romanet për rilindasit tanë.

Sterjo Spasses i është bërë psikozë të ballancojë hallet e fshatit të tij me hallet e Shqipërisë. ''Halli hallit nuk i ngjan'', thotë populli ynë. Dhe hallet e Shqipërisë qenë shumë më të mëdha se hallet e Bullgarisë, Greqisë e Sërbisë bashkë; sepse këto të tria e gëzonin ndihmën e gjashtë pushteteve të Europës, sidomos të Rusisë, kurse populli shqiptar i kishte armiq për vdekje të shtatë Fuqitë e Mëdha, sidomos Carin, tok me Sulltanin e Kralët e Ballkanit.

Problemi maqedon dhe problemi shqiptar nuk kanë patur aspak atë lidhje që përpiqet të na imponojë Spassja në romanet e tij. Unë vetë kam patur rast të shprehem kundër arbitrariteteve të Maliq bej Frashërit qysh në kohën e Zogut (gusht 1929, kur shpërngulën banorët e Prespës) por nuk mund të pranoj se fatkeqësitë e popullsive jo shqiptare të Ballkanit vinin vetëm e vetëm nga arbitraritetet e bejlerëve shqiptarë (madje nga ata bejlerë që luftoheshin edhe nga autoritetet turq) sikundër na paraqiten punët në romane. Në të vërtetë këta bejlerë qenë vegël e pushtetit turk. Por kjo shpikje i duhet Spasses me qëllim që të provojë se, ndërsa popullsia shqiptare s'ka qenë e zonja për protesta sociale, këtë mision e luanin asaj kohe maqedonët...

Një shtrembërim i shëmtuar është fryrja e rolit dhe e influencës së lëvizjes maqedone mbi lëvizjen çlirimtare të popullit tonë. Komitët maqedonë dalin në romanet e përmendur në rolin e një qendre që i frymëzon, i mëson, i komandon patriotët tanë ''të paditur''. Sipas autorit, Themistokli Germenjit i duhet të takohet me një vojvodë maqedon që të marë vesh se ç'janë detyrat e patriotit. Jo! Patriotët tanë të Rilindjes me idealet e tyre të larta ishin aq të mëdhenj, sa u dolën për zot fateve të Atdheut shumë kohë më parë se sa vojvodët e U.M.R.O.-jës t'u shisnin mend a t'i përdornin për shërbëtorë. Do të kishte qenë turp për rilindasit tanë të uleshin në bangon e nxënësve që mësohen të çmojnë lirinë nga ''vëllezërit sllavë''. Sa për Goçe Dellçavët e Damjan Grujevët dhe gjithë UMRO-jët, më mirë do të ishte t'ua linim vetë maqedonëve t'i sqarojnë se sa ''të kulluar'' kanë qenë ata në ''socializmin'' dhe ''internacionalizmin'' e tyre. S.Spassja të mos na marrë për ''të paditur'' sa të mos kuptojmë veprimet anarkiste të mjaft përfaqësuesve të këtyre komitaxhive dhe aferat e tyre me bejlerët dhe andartët, terrorin e tyre dhe grabitje grash...

Me që përmendi Negovanin dhe përshkroi vrasjen e Papa Kristo Harallambit (Negovanit) prej andartëve grek, më 12 shkurt 1905, Spassja përsëri harroi të na thotë se qenë komitaxhinjtë maqedonë (apo mos qenë bullgarë?) në luftë me andartët, më 1903, që dogjën një mëhallë të Negovanit dhe varrosën rreth 40-50 veta e 4-5 familje në gërmadhat e shtëpive të tyre sepse nuk deshën të ndërronin kombësinë e tyre shqiptare?! Apo mos e bënë për internacionalizmin e tyre?

S.Spassja thotë se vojvodët maqedonë i kërkuan Themistokliut t'u shpinte armë, dhe do t'ia paguanin sa të donte, se para kishin me bollëk ata. Neve na lindin pyetjet: Ku t'i gjenin armët patriotët tanë dhe ku i gjenin paratë me bollëk ata ''revolucionarët e kulluar'' maqedonë?

Tjetërsimi i realitetit

Nuk ka faqe në romanet e Spasses ku të mungojnë shpikjet, shpifjet, anakronizmi, insinuata, denigrimi, lëvdatat dhe sharjet vend e pa vend, zmadhimi i cikërrimave që shpien ujë në mulli të armikut të Shqipërisë, dhe zvogëlimi i ndodhive kryesore ose heshtja e tyre, që do të shtonin nderin e popullit shqiptar.

Deformimi i personalitetit të Themistokli Gërmenjit

Sterjo Spassja fyen rëndë zemrën e Nënës Shqipëri kur, në ciklin e tij, birin e shquar të Korçës, Themistokliun, e bën gënjeshtar, ryshfetçi, frikacak, qole dhe ordinancë të vojvodave bullgarë, dhe kërkon të na bindë se, pas kryengritjes së Ilindenit, më 1903, populli shqiptar do të dali në selamet. Faji i autorit bëhet edhe më i rëndë kur kemi parasysh që ai jo vetëm në romanet për rilindasit por edhe në shkrimet e mëparshme shkëndinë e çdo lëvizje çlirimtare në Shqipëri e gjen te Maqedonia dhe Bullgaria ''socialiste'', të cilat i mësojnë shqiptarët një herë ''të çlirohen me forcat e veta'' dhe herën tjetër ''të mos harrojnë se nuk qenë vetëm''. Librat e S.Spasses dëshmojnë se ai nuk e ka kapërcyer horizontin e fshatit të tij maqedon të cilin socializmi në Shqipërinë tonë e çliroi, e shëroi dhe i dha bukë e dritë; dhe se ai nuk e ka fituar vetëdijen e atyre shkrimtarëve shqiptarë të cilët në qendër të preokupimeve të tyre venë fatin e Shqipërisë. As në ''Zgjimi'' as në ''Pishtarë'' nuk na del shumë ''hero pozitiv'' ky Mistoja që trembet t'u dëftejë bashkatdhetarëve se si quhet, dhe që fshihet nëpër hatëj e plevica kur dëgjon që turqit arrestojnë patriotët korçaërë. Vërtet, në 500 veta mund të ndodhë ndonjë frikacak; që prej kohës së Pavarësisë e gjer në 7 prill 1939, gati gjithë mbretërit e perandorët e kanë tradhëtuar çështjen e popujve. Mirëpo që në 5000 djem, nipër të Gjolekës e të Rrapo Hekalit, të zvetënohen që të gjithë e të ulërijnë se u rëndojnë armët dhe, si kope nën kërbaçin e xhandarit turk, më mirë shkojnë të ngordhin në Arabistan sesa të vdesin me armë në dorë për Labërinë e dashur - Jo këtë nuk e besojmë, sikur të na e thonë edhe 100 Vlladan Gjorgjeviçë!

Vojvodat maqedonë, po, janë të gjithë ''heronj pozitivë''. Asaj kohe, Maqedonia, vilajet i Manastirit, me turq, shqiptarë, bullgarë, grekë, vllehë, çifutë, ciganë - burra, gra, pleq, fëmijë - do të kishte rreth 200.000 banorë. Mirëpo që të shtypte kryengritjen e Ilindenit, sipas romanit ''Pishtarë'', sulltanit iu desh të dërgonte 200.000 asqerë.

Shqiptarët nuk kanë qenë kurrë shovinistë

Autori e fillon ciklin e romaneve "˜'Rilindasit'' rreth vitit 1880, kur populli shqiptar nga Tivari deri në Prevezë, që nga Shkupi deri në Janinë, është kacafytur në luftë për jetë a vdekje me hordhitë e Sulltanit, që duan ta mbajnë Shqipërinë akoma nën zgjedhë të Turqisë; kacafytur me diplomatët e Kongresit të Berlinit e me knjazët, që ja mohojnë popullit tone të drejtën të jetojë i lirë në Ballkan; kacafytur me Carin rus, që don t'ia zgjerojë Bullgarisë kufijtë nga Deti i Zi deri në Adriatik. Për këtë luftë titanike të prindërve tanë sesa taborë iu deshën Dervish Pashajt të dëbonte shqiptarët nga Shkupi dhe nga Ulqini dhe të shtypte Lidhjen e Prizrenit, nuk na tregon gjë të madhe S.Spassja. Mua më tingëllon si provokim ndaj Themistokliut e patriotëve tanë fakti që në ''Pishtarë'', pas këshillave që merr nga komitët maqedonë, Themistokliu, nxjerr këtë përfundim: ''Ja, në një Shqipëri të lirë duhej të kishin liri jo vetëm shqiptarët, por edhe ato pakica të çdo kombësie qofshin, mjafton që të mos ishin shovinistë, si ata shovinistët e tërbuar grekomanë e turkomanë'' ( f.13)

Kjo do të thotë se autori i paraqet patriotët shqiptarë si njerëz të infektuar nga shovinizmi dhe që ata ëndërronin të krijohej një Shqipëri me pakica kombëtare. Themistokliu dhe patriotët e tjerë të Rilindjes nuk qenë shovinistë; ata kanë luftuar për të çliruar atdhenë e tyre dhe jo për të patur pakica kombëtare; përkundrazi kanë qenë shtete fqinj që shpresonin ta coptonin Shqipërinë midis tyre sa të prishej perandoria osmane.

Paragjykimet mbi kombin shqiptar

2. Gabim i dytë, i rëndë, i S.Spasses është se ai i hyri punës për të na ndriçuar historinë e Rilindjes sonë duke qenë vetë i ngarkuar me një barrë opinionesh e paragjykimesh të gatuara rreth shqiptarëve nga armiqtë e historisë së tyre dhe duke patur njohuri të cekta dhe të pamjaftueshme. Për autorin e dy volumeve Shqipëria është vend pa histori, pa kulturë; populli shqiptar është pa kombësi, pa tradita, pa virtute; gjuhën e tyre e quajnë ''vënçe'', ''bastarde'', vetveten me përçmim ''shqipo''; në gjuhën e tyre nuk ka fjalë për ''mbesë'', prandaj gjyshërit i thërrasin ''zuska''. Po, po; autori i vulgarizon me përkëdhelje; por thuaji trimit tri herë ''horr!'' dhe gjithë bota do ta thërrasë ashtu. Për autorin rilindasit shqiptarë janë pa aftësi të krijojnë shtet më vehte po të mos kenë ndihmën e ndonjë fuqie të huaj. Autori nuk i njeh dhe s'i përfill fillimet e Rilindjes shqiptare; dhe me keqdashje shtrembëron figurat e mjaft patriotëve të nderuar.

Portreti i deformuar i rilindasve

Në romanet ''Zgjimi'' dhe ''Pishtar'', edhe patriotët më të dalluar të Korçës nuk kanë ndjenja thjeshtë kombëtare: Orhan Cerçiz Pojani, i cili që kësaj kohe ka hyrë në korespondencë me de Radën për hallet e Shqipërisë, herë mendon si efendi, herë si bej, herë si zotni, si ti teket autorit. Fehim Zavalanin, Kryetarin e Komitetit shqiptar të Manastirit që kur jetonte Naim Frashëri, Spasja na e paraqet si puthador të Hysen Hilmi Pashës, ndonse qe ky pasha turk që ja dërgoi, më 1911, duarlidhur, gjyqit ushtarak të Dibrës që të dënohej se qe patriot shqiptar. Të nipin, Menduh Zavalanin, kapedanin e çetës së Dangëllisë, që serbomëdhenjtë e Ohrit e vranë, më 10 korrik 1914, në Shën Naum, krahpërkrah me Telemakun, Spassja e quan ''tradhëtar'', sikundër edhe Qani Ypin, që pat dalë komit që më 1905 kundër Turqisë dhe ra dëshmor në Badër, në maj 1914 në luftë kundër ushtrisë së Kostandinit të Greqisë. Kapedan Kajo Babienin e përshkruan si një kryehajdut që mbante Korçën gjithnjë në frikë se mos e sulmonte për plaçkë. (Madje tani që është dekoruar!)

Qëndrimi ndaj familjes Qiriazi

Për shkak që mund ta dijë vetë, Sterjo Spassja inatin më të madh e ka kundër patriotëve shqiptarë të Manastirit. Ndë pati në Shqipëri një familje e cila për veprimtari patriotike mund të krahasohet me te vëllezërve Frashëri - ajo qe familja e Dhimitër Qiriazit nga Manastiri. Në gjithë Maqedoninë Spassja zorr se do të gjente një familje bullgare të barabartë në vlerë me të Qiriazëve në patriotizëm dhe kulturë. Në këtë urrejtje, shkrimtari ynë bëhet shok me dhespotin grek: në dukje i dënon Qiriazët se qenkan ''protestantë''; Filotheu i mallkon Qiriazët se japin shqip në shkollën e vajzave në Korçë; Spasja i dënon se japin jo vetëm shqip por edhe më shumë anglisht.

Deformimi i Korçës

Veterani i rilindasve të Korçës është një personazh imagjinar Hamid Efendiu, një ish-hoxhë, që kovaçanën e tij e ktheu në qendër agjitacioni, por që nuk beson se gjuha shqipe mund të shkruhet. Dhe kur ia tregojnë: ''Ç'thua more! Ku ka alfabetare të shqipes! Ne s'dimë të lidhim, me nder oshkuret, jo të...'', thotë.

Mirë por ungjilli provosllav e konizmat e shenjtorëve, dhe korllogret e dhespotit, e dhaskajt e dhaskalicat zenë vend të nderuar në romanet e S.Spasses. Dhe vetë e gjora abetarja shqipe nuk do të kish arritur dot në Korçë pa ndihmën e zonjës Shën Mari!
Qytetin e Korçës, një nga qendrat e Rilindjes sonë Kombëtare, autori na e paraqet si çerdhe filogrekësh e turkoshakësh, si një qytet që përdor gati vetëm gjuhën greke, si çerdhe të korrupsionit e të obskurantizmit. Ndërsa na flet gjer e gjatë për revolucionarizimin e fshatarëve maqedonas, Sterjo Spassja ka harruar shtyllën vertebrale të Rilindjes sonë, fshatarësinë, atë fshatarësi trime e cila sa herë që rrëzohej prap se prap ngrinte krye për liri. Ai na flet se Rilindja përgatitej nëpër skuta të errta ku vepronin oportunistë politikë, frikacakë, filogrekë e turkoshakë. Ndonjë filogrek, oportunist e frikacak ka patur edhe në Korçë në fund të shekullit XIX e në fillim të shekullit XX porse ne do të dëshironim që letërsia jonë të na paraqesë në radhë të parë Korçën shqiptare, Shqipërinë e pamposhtur, që lufton për liri, dhe të mos na bënte Spassja të endeshim nëpër labirinthin e njëmijë e njëqind faqeve, në të cilat u vesh aq shumë vese, paragjykime, fanatizëm e shovinizëm shqiptarëve të asaj kohe, saqë kombi ynë del i pazoti për t'u vetqeverisur.

Kur fillon përpjekja për rilindje shqiptare?


Një gabim themelor në ciklin e S.Spasses është që përpjekjet për Rilindjen shqiptare i nis rreth vitit 1880. Kjo s'është e drejtë. Dihet historikisht se qe Tepelenasi i Madh me armatolozët, të shumët shqiptarë, që ndezi kryengritjen për indipendencën edhe të Greqisë.

''Po të kish qenë Ali Pasha më pak njeri i kohës së tij, dhe më shumë i paisur me paramendime politike, do të kish organizuar me kohë grushtin kundër Turqisë, dhe Shqipëria e Greqia, me gjithë Thesalinë e Maqedoninë, do të kishin bërë një mbretëri indipendente shumë të fuqishme''.

Këtë mendim e jep kryerilindasi Ismail Qemal Vlora, të cilit S.Spassja nuk denjon t'i përmendë as emrin në ciklin e tij. Le Bushatllinjtë dhe kryengritjet fshatare që nuk ekzistojnë për S.Spassen në historinë e Shqipërisë e në folklor, por jo, as Bolena, e zeza Bolenë që zuri dyfek me mbrenë!

A mësohej gjuha shqipe në atë kohë?

Bashkëluftëtari i tepelenasit Marko Boçari, që fliste shqip në familje, jo vetëm lexonte por edhe shkruante shqip që në atë kohë. Në atë kohë mësohej shqip; në Arbër lulëzonte kultura në gjuhën e Skënderbeut. Rreth motit 1880, kur luftëtarët e Lidhjes akoma s'e kishin zbrazur plumbin e fundit kundër ushtrisë së sulltanit dhe marshonin drejt Shkupit, në Vakëfet e në Kolonjë fshatarët përpiqeshin të shkruanin shqip. Si ndodhi , pra, që heroi ''pozitiv'' i ciklit të rilindasve ''Elinopullosi'' i shkëlqyer nuk mundi t'i lexojë s'ëmës letrën shqip që i pati shkruar i ati nga kurbeti? Dhe ndërsa dinte historinë e Greqisë që prej Homerit deri te Marko Boçari nuk e dinte që pati rrojtur një Skënderbe që ''qenkesh m'i madh se Leonidha''?

Heroi, tradhëtari dhe "˜'veteranët''
 
Autori, ndër të pesë taborët lebër, tregon simpati të veçantë për atë djaloshin gorar, Fehmi Ali Zboqin, i cili duke u nisur radif e përqafon Miston dhe i thotë: ''Sikur të kthehem gjallë, o Misto , sikur...''. Në romanet nuk marrim vesh çë ndodhi me të pesë taborët lebër përtej Urës së Qabesë, por gjatë luftës Nacionalçlirimtare marrim vesh që Fehmi Ali Zboqi është kthyer shëndoshë e mirë për të keqen e Mistos dhe për dobi të Fazlli Frashërit, të cilin e shoqëroi kur eksponenti i Ballit bënte propagandë nëpër fshatrat e Gorës. Fehmiu u dënua nga gjyqi i popullit, sikundër edhe i biri Abdullah, që u ekzekutua. Kur të shqyrtohen edhe procesverbalet e gjyqit të Themistokliut do të marrim vesh edhe këtë: Që ky Fehmi Ali Zboqi është një nga jallan shahitët që ndihmuan gjyqin ushtarak francez ta pushkatonin Themistokli Gërmenjin në Selanik, më 1917. Mund të marrim vesh edhe shkakun përse S.Spassja ka ardhur në këto shtrembërime të së vërtetës historike të Rilindjes, kur autori të na tregojë ''veteranët'' prej të cilëve i mblodhi burimet letrare.

Roli edukues i letërsisë

Letërsia duhet të tregojë se Rilindja qe një epokë e ndritur, kur populli ynë, i vetëdishëm, ish i sigurtë dhe i vendosur për pavarësinë e Shqipërisë; edhe sepse shpallja e pavarësisë u shty gjer më 28 Nëntor 1912, vonesa nuk ndodhi për faj të shqiptarëve se s'kishin ndërgjegje kombëtare, por ndodhi për shkak të politikës antishqiptare të fuqive të mëdh, sa dhe të shteteve fqinj. Nga letërsia jonë do të kërkonim demaskimin e kësaj politike, gjë që nuk e gjejmë në romanet ''Zgjimi'' dhe ''Pishtarë''.

Dikush mund të thotë që romanet e S.Spasses kanë edhe gjëra të mira. Unë nuk do të pranoja t'i vija në peshë këto ''të mira'' po të pranohet që romanet e tij i kanë gabimet e të këqijat e përmendura më sipër. Dikush mund të thotë gjithashtu që romanet janë letërsi, ku nuk bëhet pa invercione dhe ku autori është i lirë të trillojë. Por unë mendoj se trillimi nuk duhet përdorur kundër së vërtetës historike.

Historia e kombit tonë na dhimbset më shumë se sa delli i shkrimtarit për shpikje e shpifje që errësojnë madhështinë e epokës së Rilindjes. Letërsia duhet të edukojë njësoj si historia.

Skënder Luarasi
7 Mars 1976

(vijon)
SKËNDER LUARASI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ATDHEUTPoezi nga GJERGJ FISHTA (10.16.2014)
ÇELSATTregim nga QAZIM D. SHEHU (10.15.2014)
CIKËL POETIK NGA FASLLI HALITI  (10.15.2014)
NUK MË SHEH ME SYRIN E MIKUT, NA DUHEJ ARDHJA E TIJ dhe SOTTri poezi të reja nga FASLLI HALITI (10.14.2014)
REFLEKSIONE NGA LEXIMI I VEPRËS STUDIMORE: ‘’DODONA NDODHET NË DËSHNICË TË PËRMETIT’’Nga TOMORR ÇAUSHI (10.14.2014)
REFLEKSIONI NË MES TË VJETRËS DHE TË RESË DHE PESHA E METAFORËS POETIKE...!(Duke komentuar poezinë "M ë n gj e s o re - 15" LEXIM DASHURIE" të shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi BERISHA)Impresion nga HASAN SELIM (10.14.2014)
NËPËR XHEPAT E KUJTESËS*Cikël me poezi nga PËRPARIM HYSI (10.13.2014)
TRIPTIK ME POEZI LIRIKENga THANI NAQO (10.13.2014)
KËTU VDESIN ZOGJTËNga ADEM ZAPLLUZHA - Pesë poezi nga libri “Mbi flokët e ullukëve” (10.13.2014)
 -NGA BREG-VALBONA NË BREG-ADRIATIK- TRAFIK MENDIMESHCikël poetik nga ERIOLA MARGJEKA, Shëngjin (10.13.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lart]