VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - NDAL FALSIFIKIMIT TE HISTORISE (II) Skënder Luarasi gjykon ‘’Rilindasit’’ e Sterjo SpassesPërgatiti: PETRO S. LUARASI

                                                                                      

E Enjte, 04.18.2024, 10:30pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
NDAL FALSIFIKIMIT TE HISTORISE (II)
Skënder Luarasi gjykon ‘’Rilindasit’’ e Sterjo Spasses
Përgatiti: PETRO S. LUARASI

E Djelë, 10.19.2014, 07:02am (GMT+1)


Skënder Luarasi

Romani historik - Pasaporta e kombit

Romani historik është për kombin siç është pasaporta për individin, i vlen për të provuar identitetin e tij.
Çdo pasaktësi prish anën autentike ndërsa falsifikimin e dënon ligji.
Romani historik për kombin shqiptar u tregon të tjerëve edhe se në ç'mënyrë e ka çarë udhën e historisë së tij - me lajkat e një puthadori, apo si trimi me shpatë në dorë?

Skënder Luarasi për Sterjo Spassen

E njoha Sterjo Spassen së afërmi më 1946, kur punonim në Komisionin Pedagogjik të Ministrisë së Arsimit. Ai dhe jo vetëm ai, por shumica nga të dymbëdhjetë anëtarët e Komisionit Pedagogjik të Ministrisë së Arsimit, beharin e motit 1946, pranoi tezën se qenë bejlerët e feudalët që e shkëputën Shqipërinë nga Turqia për të shpëtuar pronat e tyre.

Në atmosferën e romaneve të Sterjo Spases ndihet ky ndikim që e helmoi për disa vjet edukimin kombëtar në shkollat shqipe. Unë besoj se Sterjo Spasse, që është prej shokëve tanë më të ditur e më të ngritur, ka gabuar ndaj Rilindasve sepse ka jetuar nën frikën e dy forcave: të atij që s'lë vend pa e përmendur në romane, Maliq bej Frashërit, dhe të F. P., i cili mësuesve u kishte futur datën për njëzet e tetë vjet me radhë. Dhe kjo frikë Spasses ende s'i ka dalë as sot...

Por e gjykova më shumë në Konferencën e Tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve kur ai tok me kolegët shkrimtarë të yshtur nga lart, na përjashtuan së bashku me S.Malëshovën e Y.Dishnicën pse mbronim parimet demokratike dhe fjalën e lirë...

Megjithatë, Sterjo Spassen e kam simpatizuar e përkrahur si koleg, edhe pse mbeti në vatrën tonë ku ka qëndruar në anën e vegjëlisë. Sojin e tij e kam mbrojtur publikisht, edhe kur qeveria e Zogut i shpërnguli nga Gllomboçi, edhe në gusht 1929, kur rinia korçare i ftoi të demostronim së bashku, por ata kërkuan mbrojtjen e konsullit jugosllav dhe shkuan në Jugosllavi. Mëma Shqipëri e rriti jetimin me qumështin e saj, e veshi, e mbathi dhe e arsimoi në shkollë pedagogjike me bursë. Ai, ndonëse i lindur e rritur në skaj të largët të Atdheut tone, e nxuri gjuhën tonë amtare më shpejt e më mirë se disa intelektualë a kryeintelektualë të lindur e rritur në kërthizë të Shqipërisë. Dhe me zellin e një bujku të fortë e punëtor zuri vend në kopshtin letrar të Arbrit ku vlerësohet e ndihet ndë r më të privilegjuarit.

Po pse fidanët që mbolli e lulëzuan, frutin na e japin të hidhur? Ç'ka Sterjo Spasse që popullit shqiptar ia ha bukën dhe përmbys kupën?

Letër dërguar shkrimtarit të mirënjohur Dritëro Agolli

Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë,
I dashur Dritëro,
Lexova romanet Zgjimi e Pishtarë ...
Populli shqiptar gjithmonë ka luftuar për lirinë e vet dhe ka ndihmuar edhe popujt e tjerë fqinjë të fitojnë lirinë e tyre sidomos Greqinë, Italinë dhe Egjyptin. Shqiptari edhe mercenar gjithmonë ka ëndërruar lirinë:
Si shqeratë kur kërkojnë
Mëmatë me blegërimë
Ashtu edhe Shqipëria
Po e kërkonte larine.

Një nga vetitë më të larta të shqiptarit është trimëria: Luftëtarët e Ali Pashë Tepelenës, marshonin kundër rusit e frëngut me këngën "˜'tamburxhi'' dhe i zbrisnin në tokë, i shtinin në burg, "˜'atje të kuptojnë se ç'janë vargonjt e sa rëndë rëndojnë'':
Silihtar! Çvishe kordhën e të Parit tonë;
Tamburxhi, kushtrimi ne shpresën na shton;
Ju male që shihni si zbresim në zall,
Ja kthehemi mundës, ja nuk vimë gjallë!

Romanet e Sterjo Spases fillojnë në mbarim të luftës ruso- turke, kur Rusia cariste synonte t'ia shtonte kufirin Bullgarisë nga Deti i Zi gjer buzë Adriatikut. Në këtë çast rreziku të madh shqiptarët provuan që janë, siç e thotë Ismail Qemali: '' një rracë e fortë që koha nuk mund t'a mposhtë dhe kanë një gjen kombëtar që nuk vyshket nga ngjarjet e ndryshme.''
Dhe shqiptari ia mori luftës:''As për mua, as për ti, por për gjithë Shqipëri''.
Populli shqiptar e ka çarë udhën e historisë me shpatë në dorë. Por Sterjo Spasse nuk beson në këtë të vërtetë. As në njëmijë e treqind dyfeqet te gryka e Kuçit, as në pushkët që krisën n'Urë të Zenicës, faqe flotës së Fuqive të Mëdha, as në betejat e përgjakshme të Shtimbjes e të Stivovës, as të Cernalevës, a të Prizrenit. Po si ta besojë Spassja se shqiptarët mund të jenë trima kur nuk kanë në krye vojvodat e Goçe Delçevit, Kokën dhe Dhamjan Grujevin, "˜'Zemra e Komitetit maqedonas UMRO''!
Në jetën time kam parë dy marshime bijsh të Nënës Shqipëri: njërin me sytë e mendjes së Sterjo Spasses, të dytën me sytë e ballit tim. Sterjo Spasse e nis romanin "˜'Zgjimi'' me marshin që këndojnë pesë taborë lebër duke hyrë në sheshin e hyqymetit në Korçë:
Festë e kuqe na zi sitë,
Na veshën si arixhitë,
Na dhanë nga tri kacidhe,
Fati inë qiramidhe...

Janë katër vargje të marshit vajtimtar që këndojnë pesë taborrë djem të Labërisë. Ata i kanë shërbyer Sulltanit pesë vjet si asqerë. Tani, pasi i kanë lënë të çlodhen një mot në vatrën e tyre, koshadhet turq i kanë shkëputur nga gjiri i nënës dhe nisur me zor për në Anadoll, që t'i shërbejnë Sulltanit edhe pesë vjet të tjerë, kësaj radhe si redifë. Pas tri ditësh udhëtimi, të nisur nga Tepelena,'' këta pesë taborë asqerësh të reckosur, këmbëzbathur, me opinga të shqyera, që mezi mbaheshin në këmbë'', arrijnë në Korçë, ku i lenë të marrin frymë në sheshin e hyqymetit e të hapsanës.
''Asqerët'', shkruan Spasja, ''si një kope e liruar nga vatha, u përhapën në sheshe; ...ndonjë habitej nga muret e hyqymetit e vinte rrotull si pulë e shushatur. Disa grupe-grupe, ranë në lumë dhe turbulluan edhe më keq atë pak ujë që kishte teptisur nga mali i Moravës atë natë me shi. Qytetarët, gojëhapur, shihnin këtë kope redifësh laramane në veshje dhe laramane në sjellje."˜'
Marshimin e dytë e pashë një ditë gushti të vitit1912. Katër çeta të kryengritësve shqiptarë marshonin nga katër anë drejt zemrës së Korçës: Gani Butka nga rruga e Kolonjës, Spiro Ballkameni nga rruga e Follorinës, Qamil Panariti nga rruga e Pazarit dhe Menduh Zavalani nga rruga e Pogradecit. Ç'bukuri burrnore më panë sytë atë ditë dhe ç'këngë trimash më dëgjuan veshët, kur u mblodhën gjithë çetat në rrugën e Shëngjergjit përpara shkollës shqipe!
Çeta e Ganiu këndonte: "˜'Për mëmëdhenë! Për mëmëdhenë!''
Çeta e Spiros: "˜'Sa të rrojë gjithësia!''
Çeta e Qamil Panaritit: "˜'O trima luftëtarë"˜'
Çeta e Menduh Zavalanit: "˜'Merr uratën bir prej meje.''
E them me veten time: Në qoftë se këta katërqind veta i dhanë Korçës atë madhështi kombëtare, ç'madhështi do t'i kenë dhënë Shkupit, kryeqytetit të Kosovës atëhere, ata dyzet mijë trima shqiptarë të veriut kur marshuan drejt hyqymetit nën udhëheqjen e Isa Boletinit, Bajram Curit e të Idriz Seferit?...
Me përshëndetje
Skënder Luarasi

Sterjo Spasja për Korçën ''lule''

Dhe si na e paraqet Sterjo Spasja Korçën, sa zë fill cikli i romaneve ''Rilindasit''?
Korça lule, Korça e Naum Bredhasit dhe e Themistokliut, sipas Spasses, nuk ka karakter shqiptar; banorët e saj heterogjenë nuk duan t'i shohin me sy bijtë e Labërisë.
''Uuu, ç'fytyra të shëmtuara qenkan këta!'' thotë njëri nga sehirxhinjtë për radifët labër para Hyqymetit. ''Eh, ç'palikarja janë ata të dhikamas!''- thotë tjetri për të mburrur andartët grekë. ''Mos janë të burgosur?'' dyshon një kalama.
''Si i kini hallet, o vëllezër? pyet një ish-hoxhë tre radifë nga Gora. ''Ju përplasi shqota këndejza kështu të rraskapitur?'' dhe ''Si qëlluat që qënki vetëm tanët?''
''Të tre radifët , naa, i hapën sytë'', na thotë Spassja; se qyqarët në fshatrat e Korçës rrojnë, por çuditen që edhe banorët e saj si ata flasin, ''vençe''
''Grupi me redifë lëvizi e u shty tutje si një përbindësh i përçudnuar me pesë krerë duke lënë prapa, bashkë me pluhurin, edhe jehonën e këngës labe:
''...çuditem se qish duron,
si s'pëlcet t'ja bëjë bom''.
Neve lexuesive, kur mbarojmë të dy romanet na mbyt jehona e këngës së Spasses, me atë refrenin ndjellakeq ogurzi nga fillimi edhe gjer në fund ''Korçë, moj e zeza Korçë''
...Në një kohë me këngën tek ''Zgjimi'' por në kundërshtim diametral me njëra-tjetrën, doli nga shtypi kënga e një djali nga Labëria:
''Histori e lashtë, histori e vjetër...
çdo pëllëmbë vendi te neve ka sedër,
Armikut i derdhet posi një kuçedër...
Gjithnjë në luftë si rrallë komb tjetër.

I përmendim që t'i lexojë kushdo dhe të vendosë se cila nga të dyja shpreh të vërtetën historike të Shqipërisë.

Ndjenja e miqësisë për të huajt

Nuk ka gjë më të bukur se sa të jesh i mirë, i dashur dhe i sjellshëm me të huajt. Porse ji i mirë sa të duash, nuk mund të rrosh në paqe e qetësi kur s'i pëlqen komshiut të keq. Ai ta prish qetësinë, paqen, ta merr të drejtën nëpër këmbë dhe ta shkel nderin. Dhe në kundërshtim e sipër vijnë zemërimi, sharjet, hakmarrjet, ndizen luftra, vriten njerëz, vendi mbytet në gjak e mbulohet nga kufomat. Çdo e mirë që është krijuar në paqe e shkatërron lufta.

Miqtë e armiqtë

Prej të huajve me admirim ka shkruar romantiku Lordi Bajron, socialisti Bralsford dhe etnologjistja Miss Edith Durham. Sharjet më të ndyra janë thënë për popullin shqiptar prej kryeministrave të Serbisë, Gjeorgjeviçit dhe Pasiçit. I pari ka shkruar se, shqiptarët nuk kanë kulturë, s'kanë as shtëpi as katandi, janë akoma në shkallë prehistorike, rrojnë në pyje të kapur për bishti pas degëve të lisit. Por tek opinioni botëror s'kanë lënë ndonjë mbresë se janë aq të pabesueshme, sa i kanë marrë të huajt për humor, dhe më shumë si sharje për popullin serb që rrugaçë si këta të dy i kishte ngritur gjer në shkallën e një kryeministri. Tek e mbramja, as ne shqiptarët nuk dëshërojmë lëvdata nga armiqtë e Shqipërisë.

Kujt t'i jemi mirënjohës

Shqiptarët i kanë ndihmuar maqedonasit për kryengritjen e Ilindenit, kjo dihet. Por dihet me siguri edhe se me ç'para komitët maqedonas i blenë armët - në mënyrë shumë të keqe. Këta janë ata që më 1902 patën zënë rob amerikanen Miss Stone të shoqëruar me shqiptaren Katerina Cilka që udhëtonte për në Maqedoni për të vizituar prindërit në Samokov. Ata i zunë skllav dhe për lirinë e tyre kërkuan 30.000 lira turke (150.000 dollarë) që me valutën e sotme bëjnë miliona. Dhe me këto para të mbledhura në Amerikë e me të tilla grabitje filloi kryengritja e Ilindenit. Këta grabitës grash që kanë marrë peng Miston, autori na i paraqet heronj që i mësojnë kapedanit të ardhshëm shqiptar se si të luftojë për lirinë e Shqipërisë. Ç'ironi!...

Unë, si shqiptar, nuk u jam mirënjohës vojvodave por Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Ali Pashë Tepelenës, Rapo Hekalit, Pashko Vasës, Abdyl Frashërit, Sulejman Vokshit, Azis Plakës nga Ulqini, Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Themistokli Gërmenjit e qindra e mijra atdhetarëve të tjerë.

Morali i shqiptarit

Puna qëndron ndryshe me ato që thonë e shkruajnë vetë shqiptarët për atdhenë e tyre. Të shkruash më 1962, për 50-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë se ''në Myzeqe këtu e dyzet vjet më pare (domethënë më 1922) nusja më parë se të shtrihej në rrogos të dhëndrit duhej të shkonte në shtrat të beut'' është të shpiesh ujë në mulli të armikut. Dhe as Gjeorgjeviçi nuk ka guxuar të bëjë një insinuatë të tillë dhe t'ia mohojnë popullit shqiptar ndjenjën e lartë të nderit.

Po Sterjo Spasse pse, si e ku e gjeti pjesën pornografike dhe fjalorin e ndyrë? Korça në atë kohë kur zhvillohen ngjarjet qe një fshat i madh që po rritej shumë shpejt nga banorë të fshatrave përreth: Devolli, Kolonja, Opari, ku jeta ka qenë e pastër prej imoralitetit që na përshkruan autori...Unë dua t'i them Spasses se Vani Cico Kosturi, të cilin e kam njohur shumë mirë, për njeri shumë serioz dhe guximtar, nuk i thërriste mbesat e tij "˜'zuska'' por me emrat e tyre të nderuara. Dhe në shtëpinë e tij fisnike nuk hynin plakat për t'iu falur Shënmërisë, po patriotë për të biseduar mbi të ardhmen e popullit shqiptar. Mbi karakterin e këtij babai dëshmorësh flet tragjedia e 17 korrikut 1911, kur ia suallën kufomat e gjashtë dëshmorëve të betejës së Orhan Çifligut, ashtu të copëtuara barbarisht sa nuk njiheshin, dhe ai tha krenar: "Të gjithë janë bijtë e mi"...
 
Disa nga potretizimet e gabuara të S.Spasses

Thotë për Kajo Babienin se sulmonte për plaçkë. Kajon që shpëtoi Korçën më 1902 nga komitaxhinjtë bullgarë, më 1903 nga bashibozukët turq dhe më 1914 nga andartët grekë.

Papa Kristo Negovani nuk qe vrasës e presës, terrorist, por mësues i gjuhës shqipe. Aureolën e shenjtit të Shqipërisë ia ka vendosur populli shqiptar me elegjinë e Loni Llogorit ''Papa Kriston na e vranë!'' S'ka se si ta kthejmë në komitaxhi.

Themistokli Gërmenji na shfaqet se jep ryshfete! Një njeri që është i zoti të japë ryshfet është i zoti edhe të marrë ryshfet. Ryshfeti është mikrobi që moralisht vdes njerëz dhe përmbys pushtete. Bakshishi groposi Perandorinë Osmane. Themistokli Gërmenji ka qenë njeri i mendimit e i veprimit dhe fjalëpak. Themistokliu qe më shumë një sintezë e karakterit të Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit; dhe jo si na thonë, e Fan Nolit dhe e Mihal Gramenos. Ai prirej nga një natyrë sedentare dhe posi i vëllai Telemaku, qe i mbrujtur me një patriotizëm që e bënte të jepte edhe jetën për atdhenë, por në dallim nga ai, kishte aftësinë të merrte vendime të forta në momente të vështira. Me këtë dua të tregoj se ai nuk qe llafazan, nuk qe njeri i ecejakeve, si na e paraqet Spassja. Në një skenë si ajo e taborëve lebër përpara Hyqymetit të Korçës, Mistos, djaloshit flokëkaçurrel, nuk do t'i ngjethej trupi; do t'i ndizej flaka e zemërimit kombëtar, do të përpiqej të shpërthente burgun dhe tok me të pesë taborët të çlironte Korçën.

Maliq bej Frashëri, qe bashkëpunëtor me andartët grekë e komitaxhinjtë bullgarë, në shpalljen e Hyrietit qe kaçak dhe nuk u bë kurrë ofiqar turk. Ai e kishte jatak fshatin e S.Spasses. Sojin e Spasses e përzuri qeveria e Zogut se strehonin agjentët maqedonas, jo ai. Pse ata shulet s'ia dogjën kullën pra? Apo, ia dogjën në roman.
 
Romanet "˜'Zgjimi'' e "˜'Pishtarët"˜'

Autori romanin "˜'Zgjimi'' e nis me zvetënim të rinisë labe dhe e mbaron me ardhjen e lejes turke nga Stambolli për të çelur një shkollë shqipe edhe në Korçë.

Romanin "˜'Pishtarët'' e nis me një brohoritje të Ilindenit dhe vijon me insinuata të urryera për Rilindjen e rilindasit, për heroin e ciklit dhe për ardhmërinë e fatit të Shqipërisë.
"˜'Pishtarët"˜', duke qenë më afër kohës, ka më pak trillime, po ka më shumë ambiguitete, dyanshmërira. Të dy romanet e parë të ciklit përfshijnë aq faqe sa përallat arabe të 1001 netëve. Dhe me të vërtetë, një e treta e lëndës së tyre janë përralla.

Pse kaq të çmuara qenkan përrallat e Sterjo Spasses sa t'ia blejmë me lekët e nderin tonë sharjet që i bën Shqipërisë? Edhe sa romane do të shkruajë, e populli ynë t'ia paguajë që të na poshtërojë rilindasit tanë!

Quaje tri herë ''shqipo'' dhe bota do ta thërrasë ''doç''

Kur lexova dhe dëgjova lavdërime të porositura m'u kujtuan fjalët e urta të popullit: "˜'Kush dhjet në det, e ha në kripë.'' Me romanet ''Zgjimi'' e "˜'Pishtarë'' u pëgër i gjithë populli shqiptar.

Më shkroi një gjerman: "˜'I njoha shqipot nga romanet e Sterjo Spasses''
 
Mendova: thuaj për shqiptarin tri herë ''shqipo'' dhe bota do ta thërrasë ''doç''
" Është i padenjë ai popull që nuk bën gjithçka për të mbrojtur lirinë dhe dinjitetin e tij''.
Përmbyllje:
Kur mbrojta "˜'Gjeneralin e ushtrisë së vdekur'' të Kadaresë më kërcënuan se do të më jepnin plumbin prapa kurrizit.
Ndaj nxitoj të kritikoj veprat e Sterjo Spasses (Zgjimi e Pishtarë) që populli shqiptar të mos ma japë atë plumb në lule të ballit. Plumbin do t'ia kisha shkrepur zemrës me vetë dorën time, po të kisha dezertuar ditën e 7 prillit 1939 dhe po të mos kundërshtoj tani të përsëritet e Premtja e Zezë!...
E shkruaj këtë kritikë për ata që romanet Zgjimi e Pishtarë nuk patën nge t'i lexojnë, për ata që nuk patën më durim për t'i përfunduar, për recenzentët e pandjenjë dhe redaktorët e padenjë që ia reklamuan popullit shqiptar si vepër shembullore për t'u lexuar e studjuar!
(S.Luarasi, Kujtime, 1976)

Shënim nga Petro S. Luarasi
Në një mbledhje me temë: "˜'Thellimi i karakterit kombëtar të letërsisë - problem i rëndësishëm aktual'' Sterjo Spasse u kritikua paq. Sulmoi si luan, bishtoi si dhelpër dhe u struk si iriq. Kolë Jakova e pyeti Skënder Luarasin se si guxonte të shkruante kështu Sterjo Spasse. Ai iu përgjigj që të shihte mirë se kush e përkrahte. Enver Hoxha qe mbrojtësi kryesor i Sterjo Spasses në Shqipëri. Me"˜'indulgjencat'' e Udhëhesësit mbi kokë e nisi edhe familja në Botën e Përjetshme, si të ishin mesazhe qiellore nga Krishti!
(vijon)

Përgatiti: PETRO S. LUARASI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
KRIPA NË UDHËT E TOKËSLexim i veprave të shkrimtarit Shefik ShkodraNga RRUSTEM GECI (10.18.2014)
NDAL FALSIFIKIMIT TË HISTORISË (I)Romanet ''Zgjimi'' e ''Pishtarë'' dhe e vërteta historikeNga SKËNDER LUARASI (10.17.2014)
ATDHEUTPoezi nga GJERGJ FISHTA (10.16.2014)
ÇELSATTregim nga QAZIM D. SHEHU (10.15.2014)
CIKËL POETIK NGA FASLLI HALITI  (10.15.2014)
NUK MË SHEH ME SYRIN E MIKUT, NA DUHEJ ARDHJA E TIJ dhe SOTTri poezi të reja nga FASLLI HALITI (10.14.2014)
REFLEKSIONE NGA LEXIMI I VEPRËS STUDIMORE: ‘’DODONA NDODHET NË DËSHNICË TË PËRMETIT’’Nga TOMORR ÇAUSHI (10.14.2014)
REFLEKSIONI NË MES TË VJETRËS DHE TË RESË DHE PESHA E METAFORËS POETIKE...!(Duke komentuar poezinë "M ë n gj e s o re - 15" LEXIM DASHURIE" të shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi BERISHA)Impresion nga HASAN SELIM (10.14.2014)
NËPËR XHEPAT E KUJTESËS*Cikël me poezi nga PËRPARIM HYSI (10.13.2014)
TRIPTIK ME POEZI LIRIKENga THANI NAQO (10.13.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]