VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NANË, KTHEJU!
Poezi nga At Pjeter MËSHKALLA S.J.

E Djelë, 10.19.2014, 10:15am (GMT1)



Si shkambi n'për rrymë të shekujve,
muret qendrojnë jetike
ngulun për rranzë thëmeleve,
të Rozafës sonë Kreshnike.

    Dhe sot, që, féja nipave
    shpresët e të Parëve ndritoi,
    lè të shkruhet mbi ballë të mureve:
    "Nanës, që na vorfnoi!".

Njâsaj, që'i ditë prej sulmeve
të Kulçedrës me shtatë krena,
na u bâ mburojë e, të nêmuna
s'duroi t'i shohë këto dhena.

    Njasajë... por vaj, na fajeve
    në verbim s'u vume cak
    e Nanës iu randue zemra,
    iku edh'e la këte prak!

O ju, që parzme hekuri
luftuet për bésë e fé,
idhtë tue valvitun Flamurin,
shenjtnue me gjak e bé,

    zgjonju nën rrasa të heshtuna,
    ngrihnju me pa mjerim!
    Ndihma e Arbënisë, e Pamposhtuna
    ç'u ba?... Si drita u shkim!!..

Po a kurrë, thue, ma kurrë Virgjina
-me gjâmë kah thrret Shqipënia,-
s'do të ndrisë, si ndriti moteve
përbrinjë Rozafës... M A R I A ?!

    Tepër lënguem këso shtigjeve
    si fëmija mbetë pa nanë,
    për né ma dritë nuk lëshuene
    as hyj, as diell, as hanë!

Po a kurrë, ma kurrë, s'do të ngrohemi?
pa shpresë do të rrijmë e të presim?
Po a heshtun gjithmonë vallëja
do të ngeli, në terr kah dënesim?!

    Jo, jo! Pse qiellëve të epëra
    Zoti me dorë të vet
    ka shkrue: "E Zojës asht Shkodra,
    e, Zoja e Shkodrës së vet !"

Qé, ké ato mure të ndrituna,
-zemra m'a ndiën, -qé'i zani
Një populli në hov të galdimave,
tue brohoritë: "O ngâni!..

    Ktheu, N A N A !" O, ditë ma e bukra
    që Arbënia prét, ago!
    Nanë ktheju, e, në mburoje të hireve
    në fé shënjte na vëllazno!

Shkodër, 1927.

Urime ! Fritz Radovani
Melbourne 19 Tetor 2014.

At Pjeter MËSHKALLA S.J.


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.