VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NIKOLLË ULNDREAJT I LULON POEZIA MBI GURË
Nga RAMIZ LUSHAJ

E Hënë, 10.27.2014, 08:07am (GMT1)


1.
Poeti Nikollë Ulndreaj e ban dhe gurin të këndojë në vargje e libra të tij. Atje, në vendlindjen e tij, në Nikaj-Merturin e luginave, maleve e bjeshkëve të bukura, si e thotë vet kanga popullore "rritet lulja mbi gurë". E, përndryshe, këto lule janë edhe poezitë e tij. Ato i lulojnë si kopsht e me rritë si mal poetik. Në tre libra poetik "Tinguj bjeshke" (2008), "Këmbanat e mallit" (2012), "Djepi i stinëve" (2012). Në të katërtin e rradhës për shtyp, të cilit ia ka pagëzue "Semafor". E ka dhe të pestin në flesh... I ka tre mijë poezi në letra. Tre mijë letra i ka me poezi. Janë shumë a pak mos më dvetni, pasi ato janë krejt jeta e tij.

Koha ia ka shtue mbiemnin "Poet". Nderim. Dhe jeta e tij është në to. Mirënjohje. Në to, në vepra e poezi të tij, ka diçka dhe nga jeta e jonë. E imja, e jotja, e atyne që do vijnë. Se poeti është universal. Nikollë Ulndreaj është "Poeti Ynë".

2.
Poezitë e Nikollë Ulndrejat kapin tematika nga ma të ndryshmet të historisë kombëtare e realitetit të sotëm panshqiptar dhe ato peshojnë fort randë, si gurët (shkambinjtë) e Nikaj-Mërturit, vendlindjes së tij, një nga ma të mirat e botës. Ato janë të bukura si gurët e kullës së tij Ulndreaj në Gjonpepaj. Ato kanë melodi si gurët e lumenjve të kthjelltë të Nikajve e të Merturit. Në poezitë e tij ka madhështi nga malet e gurta e të gjelbërta në vrri e bjeshkë të trollit të tij historik e turistik, epik e lirik.

Vet "Shkambi", "gurët e gjallë", na kujtojnë Jezu Krishtin, dritën e dielltë e vrellën e kaltërt, udhën hyjnore të Krishtërimit, që është "palca" e tokës e qiellit, e jetës mbi e nën tokë. Ky besim fetar i krishterë i të parëve tanë ilirë mbijetoi përbotnisht e madhnisht në Nikaj-Mërtur, në shpirtin e jetën e Nikollë Ulndreajt i fisit Nikaj, i degëzimit krasniqas, nikaj-merturas, tropojan. E gjeni dhe në poezitë e tij.

Kur e ndrita fjalën me Jezu Krishtin deshta me thanë se dhe Nikaj-Mërturi është për kohnat e Kombin Shqiptar një "Vend i Shenjtë: Për historinë e dy fiseve të tij, Nikaj e Mertur, në luftna me krajla gjithfarësh e gjithkahnash. Për Eposin e Kreshnikëve. Për bukuritë e tij. Për figurat e tij në letërsi e arte, në trimni e pleqni, në fe e folklor. Kudo. Gjithkund.

Një prej tyne është dhe Nikollë Ulndreaj, me poezitë e tij, me librat e tij të botuem e në dorëshkrim, me kontributet e tij letrare. Ai, me mat vlerat e tij, ka shembëllim lartësitë e vendlindjes së vet nikaj-mërturase. Ai ka takat me u mat me kohën. Ai ka vlera në udhecjen e tij poetike për me i mbet të ardhmes.

3.
Nikaj-Mërturi, ky vend i bekuar, është Shkamb, si Jezu Krishti. Jetoi me Jezu Krishtin në shpirt, kulla e udhë. Jeton për Jezu Krishtin, me idealet e tij të shenjta, me shpresën e tij të madhe, të gjallë, të përjetshme. Të jetosh me e për Jezu Krishtin domethanë të jetosh shpirtërisht e realisht me e për vendin tand të lindës e rritës apo origjinës si për Nikaj-Mërturin e poetit Nikollë Ulndreaj, për të cilin po fjalaflasim sot, si për krejt Shqipërinë e Skënderbeut, si për Ulqinin e Shkupin, si për Prishtinën e Çamërinë, si për Plavë-Gucinë me Sanxhak e për Luginën e Preshevës.

Kur flas për gurët mos të kujtojnë ndokushi se Nikaj-Mërturi është si i thonë asaj shprehjes së kahmosit "Shkamb e gurë". Jo. Ky vend ka lugina të bukura që i kanë mahnit udhëtarët e huaj. Ka lumenj aq të pastër sa ende nuk i kanë parë sytë e botës. Ka bjeshkë të atilla që të zgatin jetën. Ka pllaja aq të rralla si Currajt e Epërm që do ta linin pa gjumë edhe Bill Gajtes derisa me investimet e tij ta bante një fshat turistik për globin.

Nikaj-Mërturi, ky vend i mirë e me të mira, e ndërton jetën edhe mbi gurë. Po. Mbi gurët e Nikaj-Mërturit çelin lule, gurrojnë kroje, ndejet shqipja, jastekon çobani e poeti, ngrihen kulla, bahen diga drite...Gjithçka. Aty ku gjallon guri jeton edhe geni. Pra, në Nikaj-Mërturi gjallon jeta në shumëfishni, në çdo vit e stinë, në çdo trojenik e mërgimtar të atyhit.

Gjin Niklekaj, kryetari i sotëm i Shoqatës të Nikaj-Mërturit, vet i dyti - me bashkautor, vite ma herët, e ka botue një monografi për vendlindjen e tij, me titullin simbolik: "Përmbi shkamb e gurë, fiset Nikaj e Mertur". Po, përmbi shkamb e gurë të Nikaj-Mërturit ngrihen dhe gjithato poezi në libra e dorëshkrim të poetit Nikollë Ulndreaj. Ato gjallojnë e lartnojnë. I sjell poeti. I duhen kohës, brezave.

4.
Nikaj-Mërturi, kjo trevë e historisë e kulturës panshqiptare, të legjendave e realiteteve të mëdha, ban jetën e vet lis e degë, arë e mal, vrri e bjeshkë, tokë e qiell.
Aty bahet jeta e diellit dhe e zjarrit...

Aty bahet jeta e Orëve e Zanave, e Gjeto Basho Mujit me Ajkunën, e Gjergj Elez Alisë me plagë, e Lekë Dukagjinit, e Pjetër Spanit të Pultit...

Aty bahet jeta e lartësive rrënjase nikaj-mërturase, e lartësive të shumanshme: e bajraktarëve Tunxh Myftari e Deli Sokoli...,e Dom Ndoc Nikajt e At Pjetër Mëshkalla, Jusuf Gërvallës e Mark Krasniqit, Ndoc (Anton) Paplekajt, Atifete Jahjagës, Tinka Kurtit, Gëzim Nikajt e Kolë Susajt, Afrim Krasniqit, Ndue e Fran Ukcamës, Marash Hajatit e Murat Gecajt, Lush Susajt, Pjetër e Sokol Neçajt (babë e djalë), Filip Mëshit, trevllaznit Dodë, Kolë e Sokol Progni, Pjetër Metës së Peraje, Gjin Ndrepepajt e Lush Përpalit, Esmeralda Mulajt, Gjin Niklekajt, Elisabeta Gjonpalit (Mis "Shqipëria" 2000), Bardhyl Ukcamës, Gjon Neçajt, Jak Perpalit e Gjin Gjonpalit, Ndue Vatnikajt, Mark Palnikajt, Nikolin Përpalit, Agron e Ylli Prebibajt, Ndoc Qokajt...e dhjetra të tjerë.

Aty, në Nikaj-Mërtur, bahet dhe jeta e Nikollë Ulndreajt, djalit e poetit të trevës. Bahet jeta e librave të tij, prej nga i merr ma të shumtat e motiveve të poezive të tij...

E, poeti ynë Nikollë Ulndreaj flokëthinjur në kohëna po i lulon gurët, po i ban me këndue gurët, po i hijeshon gurët e vendlindjes me vargjet e tij të sotme e të nesërme. Edhe gurët e kombit. Ai që i ban me lulue e vrell gurët me vargje e libra, patjetër ka shpirt, ka fuqi shpirtërore me i rrit muret e kullës e të udhës së vet, të talentit të vet, me i kapërcye muret e kohës së vështirë. I tillë është edhe poeti Nikollë Ulndreaj i nikaj-mërturas, i Alpeve Shqiptare, i brigjeve të Drinit, i Tiranës metropolit shqiptar, i Koloseut në Romë... Poet i mirë i kohës. Poet i trevës së vet, i kombit, i Botës.

5.
Këta gurët e vendlindjes së tij të Nikaj-Mërturit e frymëzojnë që të bahet e mbetet Gjeto Basho Muja i vargut. Ai nuk ka nevojë për qumshtin e Zanave. I ka gurët e vendlindjes muzë, poezi, forcë, lartësi. Të tilla i ka dhe poezitë. Te dyja të lidhuna ndërveti.
Guri ka simbolikën e metaforen e vet në gjithato poezi të tij të botueme në libra, gazeta letre e ato elektronike. Guri rritet si malet e reja alpine, si Maja e Bardhë, Maja e Hekurave, Maja e Shkëlzenit. Si mali poetik Nikollë Ulndreaj. Guri shkrihet në furrë e bahet gëlqere e me të bahen muret e kullës. Si dhe poezi e libra poetik të Nikollë Ulndreajt poet.

Gurët, si në bjeshkët alpine, rreknehen për me ra në luginën e vet. Edhe vargjet e poezitë rreknehen me gurgullimë jetësore me hy në librat e tij, në letrat shqipe, në koh'na shqiptare. Në muzën e shpirtit të tij gurët e vargjeve e poezive rreknehen krejt gjallëri të jehonshme, me forcë si të Eposit të Kreshnikëve. Ngjajnë si një rrgalle e madhe poetike me emnin Nikollë Ulndreaj. Dëgjojani oshtimen e zërit. Po jeho...Priteni ose hapini udhë...Ai po rrgallet në malin e vet poetik, po djerget në luginën e vet poetike. Ai po vjen me veprat e vlerat e veta poetike. Në të sotmen, drejt të nesërmes.
Nikollë Ulndreaj po don me e vargnue me kokrrim edhe një botim tjetër, një antologji poetike. Ai, tashti, ka në rrugë botimi edhe vëllimin poetik "Semafor". Ai e ka ndez dritën jeshile: Po kalon poeti Nikollë Ulndreaj, i lulojnë thinjat e poezitë, i ndritin andrrat e vargjet, po matet me lartësitë poetike të kohës.

NIKOLL ULNDREAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.