VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - ME PETRO MARKON NË TETORIN E CËRRIKUTNga ALEKO LIKAJ

                                                                                      

E Shtunë, 04.20.2024, 04:14pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
ME PETRO MARKON NË TETORIN E CËRRIKUT
Nga ALEKO LIKAJ

E Hënë, 10.27.2014, 08:58am (GMT+1)


Tetori atë vit nuk ishte ftohur ende. Dielli ngrohte, e asfalti i rrugëve të qytetit nga bitumi i uzinës, vazhdonte që të ngjitej pas shollëve të këpucëve që shkelnin mbi të. Profesor Shuteriqi ngriti këpucën si për të na thënë së konstatimi i tij nuk ishte i vështirë për këtë qytet që perfshihet në zonën me të nxehtë të vendit. Kodrat e rrumbullakosura të Dumres si dhe ato të Shpatit të poshtëm që vinin e rrëzoheshin afër Cërrikut, në lagjen Malasej ku sapo le qytetin për të marrë rrugën e Elbasanit, sipas kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, ishin shkaku i vetëm që nuk e thyente këtë nxehtësi të padurueshme e tej cfilitëse.

Kamarieria vendosi në tavolinë nga një gotë dhallë të ftohtë. E kishte kërkuar Petrua. Dritero Agolli një karrike më tej heshtëte edhe pse herë pas here vinte buzën në gaz sa herë që shkrimtari nga bregu përmendëte jetën e çobanit në malësitë e Çikës deri në bregdet. Mësuesi im i letërsisë, Hyjniu, që i kishte sjellë këta tre autorë më në zë të asaj kohe, në Cërrik, në "takim me lexuesin", nuk dukej i qetë në karriken pranë profesor Dhimitër Shuteriqit. Përtej vitrinave të mëdha të lokalit një grup grash nga ato të ndermarjes së fermentimit, nxitonin për tek kinoklubi i qytetit. Konturi i trupave të tyre nga avujt u duk i përçudnuar, të zbehta, si një masë amorfe pa formë që kaluan bri lulishtes së të vetmit lapidar të qytetit i cili kishte fiksuar datën e krijimit të batalionit partizan të zonës gjatë luftës. Me sa dukej do ti kishim aty në sallë. Në çast fillova të vras mendjen se çfarë i lidhte ato me letërsinë. Ishin thjeshtë gra puntorësh, shumica prej tyre pa ndonjë formim të plotë arsimor.

Petro Markua u kollit, pastaj vuri shuplakën e dorës mbi kraharor dhe mbylli qerpikët në çast. Mbase ndjeu dhimbje...
- Cest un cadeau de fume i tha Shuteriqi që nuk e kishte prekur akoma gotën që i solli kamarieria.
Himarioti tundi kokën e madhe me kaçurela.
- E di, e di. Ka një jetë të tërë që po më mban peng. Ma thonë shpesh edhe doktorët. Por ky i mallkuar është si e dashura e parë që bën ta lesh dhe nuk e haron dot. nxori një zë të mbytur Petrua.
- I thashë që e ka dhuratë nga duhani tha kryetari i Lidhjes duke na u drejtuar ne të tjerëve që nuk dinim frëngjisht, ndonëse u kuptua nga përgjigja dhe krahasimi me dashurinë e parë që bëri autori i "Hasta la vistës".
 
Dritëroi pas kësaj propozoi që të lëviznim se për gjysëm ore duhej që të fillonte edhe takimi në kinema. Dhimitër Shuteriqi e ktheu gotën e dhallës në këmbë. Ne të tjerët lëvizëm karriket dhe Hyjniu nxitoi tek banaku pa pritur që të vinte kamarieria sërish tek ne.
 
Ishim vënë shumë shpejt në udhë. Kaluam pranë postës e lulishtes së qendrës së qytetit nën rrëfimin e këndshëm për historinë e Cerrikut e rrëfyer nga një mjeshtër i rrallë si profesor Dhimitri, i cili e lidhte atë edhe me kujtimet nga fëmijëria e tij, kur kalonte me të atin shumë vite të shkuara për tek disa miq të familjes në Dumre. Kur u kthyem drejt qendrës së lulishtes rrugën na e zuri në një mënyrë të beftë një njeri.
Malo Sherifi qendronte përpara nesh si një bust. Me dy duart të lidhur nga pas e me këmbët paksa të hapura duke e fiksuar të majtën pak më përpara, ngriti fytyrën lart duke e tërhequr mbi supin e djathtë. Piceroi sytë e hirtë e u duk se u mbush me frymë duke e tërhequr përbrenda kraharorin e hollë e të rreshkët që dukej i fshehur pas një këmishe fanellatë gri.

-Pertro, a më njeh? Jam Malo Sherifi nga Gramshi tha plaku me një zë si bubullimë
Tjetri nuk i u përgjigj. Lëvizi cigaren në buzë sikur donte ta rrotullonte me dhëmbë e pastaj tundi kokën lehtas.

Ne të tjerët kishim qëndruar.
 
- Si jo. Kemi qenë bashkë në burg gjatë luftës. Më ke kërkuar para ca kohësh edhe një deklaratë si njeri i lëvizjes. i u përgjigj qetësisht bregasi ndërsa mbante tani cigaren në dorë duke mos i a ndarë sytë njeriut që kishte përpara.

Njeriu që na rrinte përballë lëvizi sytë e vegjël gri.

- Mirë, mirë... po nuk ma dhe seee...

Plaku u drejtua dhe na hodhi vështrimin ne të tjerëve, sikur të kërkonte arsyen e asaj pse je. Profesor Shuteriqi vendosi çantën e zezë nën sqetull. Dritëro Agolli ishte kthyer nga lulishtja e qytetit, sikur të mos ishte mes nesh aty. Hyjniu një hap më pas buzëqeshte si i zënë në faj.

- Eh, - bëri dhe u mbush me frymë - nuk të zemërohem dot, Petro. S'ka gjë pse nuk ma dhe atë deklaratë. Edhe pa të mua më njohin mirë këtu në Cërrik. E dinë se ç'kam bërë dhe se si e kam luftuar unë fashizmin. Më nderojnë si veteran. Petro, nuk të mërzitem unë-ë. E di që ke patur shumë punë. Ja me këta shokët e qeverisë, atje në Tiranë. Shkruan libra. I lexojnë edhe fëmijët e mij. Të na rrojë partia dhe shoku Enver. E paçim me malet. Po eja e na dil për një kafe nga shtëpia, bashkë me këta shokët e tu. Të të njof edhe me plakën time që më priti si burrëreshë e sorkadhe mali ato vite.

Dhimitër Shuteriqi kaloi çantën e lëkurës në dorën tjetër. Dritëroi ishte indiferent. Petro Marko hoqi cigaren nga buzët e ngriti dorën tjetër dhe gishtrinjtê i futi brenda kaçurelave gjysëm të thinjura. Donte që të thoshte diçka por u duk se u pendua. E pa drejt e në sy veteranin. Tha:
- Më bëhet qejfi. Si e ke tani gruan?

Shkrimtari u kthye nga Hyjniu sikur donte ti kërkonte që të lëviznim për tek kinemaja ku na prisnin e cila ishte vetëm dhjetë hapa larg nesh.

- Gruaja? Mirë është. U plak tani. Do ti bëhej qejfi të na priste që të gjithëve, kështu siç jemi. Për një kafe e një gotë raki gramshi. Ma zien im vëlla që është merakçi. E ruan për miq të mirë. Ma fsheh se unë atë jallane se le dot. E dua çdo darkë.

- Faleminderit. Nuk kemi kohë tani. - tha Dhimitër Shuteriqi e pa orën sikur donte që ti thonte se ishim vonë.
- Malo, - nxitoi që të thoshte Hyjniu.

Tjetri kishte zgjatur një gjysëm hapi përpara dhe i hodhi vështrimin shkrimtarit. Një çast ngriti pak supin e djathtë e donte që të thoshte diçka por që në moment u duk se e haroi.

- Këta shokët kanë organizuar një takim me qytetarë e naftëtarë këtu në kinema. - i u përgjigje Petrua njeriut që kishe qenë në burg me atë gjatë viteve të luftës.
- Mbase një herë tjetër. - foli Hyjniu
- Rri ti se nuk e kam llafin me ty, se gjitonë jemi dhe nuk ma ke parë një herë derën e shtëpisë.- Ngriti zërin Malo Sherifi e u duk se u bë nervoz. Dallova se i dolën cikla pështyme nga goja kur fliste me ish mësuesin tim. - Dua që ti rrespektoj këta njerëz. Më kupton apo jo?
- Do ti ftojmë përsëri xha Malo - u shfajqësuar tjetri. - Ja ku doli edhe drejtori. Nuk mund që ti lemë tani gjithë ata njerës në sallë që të na presin.

Në derë ishte shfaqur Rustem Disha, drejtori i institucionit dhe na buzëqeshte që atje tej. Pranë nesh kaluan dy a tre gra që dukeshin se ishin ende me rroba pune.

- Po u presim. - tha e qeshi në fytyrë pastaj hapi rrugën që të kalonin gratë të cilat u futën brenda në koridorin e madh atë çast përpara portës së shfaqieve të filmave.
Ne lëvizëm pastaj pasi u ndamë me Malo Sherifin duke dëgjuar prej tij se ishte shumë i mërzitur se nuk e kishte rrespektuar Petro Markon dhe shokët e tij të ardhur nga Tirana duke e pritur në shtëpi. Më pas e pashë që u drejtua tek disa moshatarë të tij që luanin domino aty në lulishten e vetëm në qendër të qytetit tonë të vogël e puntor. Por Rustemi na kërkoi ndjesë një minutë më vonë duke na thënë se duhej që të prisnim edhe disa minuta, ndoshta dhjetë e pak më shumë atje lart në zyrën e tij, në pritje që të vinin puntorët e turnit të parë të uzinës së naftës. Ashtu bëmë, ngjitëm shkallët dhe u rehatuam në kolltuqe. Mbetëm përsëri vetëm pasi drejtori zbriti poshtë për tu kujdesur që salla të ishte plot.

- Petro, po çishte ky, që na doli përpara. - pyeti Dritëroi. - Nuk i kishe dhënë as edhe deklaratë? Keni qenë shokë burgu.

Petrua hodhi vështrimin përtej xhamit të dritares së madhe që kishte përpara ku shquheshin konturet e disa pallateve të vjetra tip rus dy katëshe të ngritura që me fillimin e ndërtimeve të uzinës tre kilometër më poshtë.

- Ka një histori ky njeri - tha pastaj shkrimtari dhe ndezi një cigare dhe fijen e shkrepses e hodhi të pa shuar në një mbajtëse të qelqtë mbi syprinën e tavolinës . - E sollën midis nesh në burg. Italianët dyshonin se ishte komunist. Diku nga fshati i tij ushtria po hapte një rrugë strategjike dhe do të lidhte Gramshin me Korçën. Me sa dukej punohej pranë shtëpisë së tij. Duhej që të ishte i sapomartuar dhe punonte për kafshatën e gojës aty. Na tregonte at'here që një ditë afër drekës kishte parë një ushtar që zbriti tek shtëpia e tij. Ndoshta për të pirë ujë se kohë vape do të ishte në atë çast. I sapoburgosuri e kishte parë edhe dy a tre herë të tjera. Mbase e kishte gruan e bukur. Ku i dihej? Por me sa dukej italianit i kishte hypur në kokë. Të rrinj, djemuri, e të ardhur që përtej nga apeninet, por edhe nevojë fiziologjike, edhe pse ishin pushtues. E la punën dhe zbriti fshehurazi në shtëpi. Dyshimi nuk e kishte gabuar. Dhe pa atë skenë që nuk do të kishte qejf që ta shihte asnjë burrë i martuar. E qëlloi me sopatë dhe e la në vend. Pa u larguar ende nga shtëpia, ushtria italiane e zbuloi dhe dorëzoi si vrasës tek ne në burg. Hetuesit kërkonin që të zbulonin grupin komunist pas tij sepse si guerilas e akuzonin. Po mbase kështu u interesonte për ta mbyllur atë vrasje dhe jehonën që shkaktoi ajo në zonë, por edhe për ta justifikuar ushtarin e tyre dhe moralin e pushtuesit. Nuk e pranonte gramshaku. "E vrava Xhuzepen për të mbrojtur nderin tim dhe të familjes sime. Nuk kam të bëj aspak me komunistët dhe nuk më interesojnë ata. - thërriste ai sa herë e hetonin në një qeli pranë nesh.- Mos më ngatëroni mua me punët e tuaja- na thoshte ne sa herë i a përmendnim vrasjen e ushtarit Xhuzepe. Nuk jam si ju. Jam thjeshtë hallexhiu që vrau dikë sepse tentonte që të ç'nderonte gruan forcërisht. Më kuptoni?
Vonë, shumë vonë më kërkon një deklaratë për të marrë shpërblimin e luftës. Kishte shkruar një letër në adresë të Lidhjes së Shkrimtarëve, sepse atë të shtëpisë nuk ma dinte. E lexova disa herë por nuk vendosa. As edhe ti ktheja përgjigje. Thoshte aty se kishte qenë një luftëtar i vendosur gjatë luftës për liri dhe se ushtarin Xhuzepe e kishte vrarë thjeshtë për patriotizëm dhe si kontribut për çlirimin e shqipërisë nga okupatori.

- E paske tregim të plotë këtë Petro. Nuk e di në se e ke shkruajtur nxitoi të flasë Hyjniu pas atij rrëfimi.

Shkimtari tundi kokën dhe u ngrit nga kolltuku e shkoi që ta fikte cigaren e mbaruar në mbajtësen e qelqtë mbi suprinën e tavolinës e pastaj u kthye qetësisht në kolltukun e tij.
- Nuk i a durova atë kapardisjen - tha Dhimitër Shuteriqi
- Petro, nuk na the në se e mbajtën deri në fund Malo Sherifin me ju komunistët, apo... - pyeti Dritëroi për të bërë humor
- Jo, jo. E hoqën pas dy muaj, në mos gabohem. Nuk ishte si ne. Atë kohë ne po përgatisnim planin e arratisjes. Luftë.
- Çudi, - pyeti Hyjniu - po si e mbajte mënd që nga ajo kohë Malo Sherifin?
- Ah! Veçse për kujtesë mos fol me Petro Markon. Eshtë fenomenal në këtë fushë. Histori e gjallë - tha Dhimitër Shuteriqi që më shumë kishte heshtur në këtë histori. Pastaj si për të ndryshuar temën e bisedës u ngrit në këmbë. - Të shpijmë edhe pak këmbët se poshtë tavolina na pret përsëri.

Rustem Disha nuk e mbajti fjalën. Kishin kaluar afro tridhjetë minuta. Erdh dhe kërkoi falje dhe na ftoi që të zbrisnim poshtë në sallë.

* * *
Atë natë nuk më zuri gjumi fare. Disa orë më parë kishim lënë sallën dhe Petron, Dhimitrin e Dritëroin i përcollëm në buzë të mbrëmjes, kur yjet ende nuk kishin feksur lart në qiell, dhe Cërriku ishte në pritje për tu ftohur nga vapa e mesditës. Erdhi dhe i mori shoferi i lidhjes që ishte kthyer që në mesdite tek disa njerëz të gruas së tij në Elbasan.

Më erdhi ndër mend njohja e takimi i pare me shkrimtarin nga bregdeti tre vite të shkuara tek Kalaja e Ujit të ftohtë në të dalë të qytetit të Vlorës, aty mbi shkëmb ku udha merr e të çon nën bregoret e Jonufrës e të përcjell buzë detit për në qytezën e Orikumit që është ngritur nën këmbët e llogarasë, ku thonë se era flet me perënditë e maleve të vetëtimave që ngrihen e zënë shtat mbi brigjet e jonit duke lënë në buzë të këmbëve të tyre fshatra e njerëz që ngrihen e rriten me gjuhën e zotave.

Ishte një mbasdite gri në fillim pranvere. Petro Markon e gjetëm të vetëm dhe të ulur në një cep të fushëz së vogël të atij shkëmbi që ngrihet disa metro thikë mbi dallgë e që vlonjatët e quajnë thjeshtë kala. Poshtë deti lëpinte gurët dhe zhavorin e imët që shërbente gjatë verës si plazh intim për ndonjë çift të arratisur nga qytetit, larg syve të të tjerëve. Na kishte sjellë rruga aty së bashku me një të afërmin tim që më kishte propozuar ta kalonim atë mbrëmje në Tragjaz tek çurajt ku ishte dhënë një kushurirë e jona njëzet e ca vjet të shkuara. Aty do të na vinte të na merrte një makinë e ndërtimit që do të na çonte deri tek kthesa e fshatit.

- Ky është Petrua më tha shoqëruesi im. - A e njeh Petro Markon, atë romancierin që ka shkruar edhe një libër për Gjormin? Se edhe ti shkruan vjersha. Hajde bëjmë edhe një dorë muhabet deri sa të vij makina e të na marrë.

Unë qëndrova pa e ditur se çduhej të bëja më tej. Më erdhi zor edhe pse kuptova qe shkrimtari ndoshta e kishte kërkuar këtë moment reflektimi aty mbi det. Mbase mendonte dhe skiconte ndonjë veprër të ardhshme në ato çaste, por edhe mund që të rikujtonte ndonjë mbresë a ngjarje që kishte të bënte me të kaluarën e tij... Doja që ti thoja propozuesit se ishte e tepërt që ti prishnim qetësinë Petro Markos në atë vend, por ai nuk priti më. Tha një "e njoh prej vitesh" dhe u shkëput prej meje. Unë bëra sikur kërkoja diçka nëpër xhepa dhe qëndrova prapa. Kur hodha sytë për atje i pashë që romancieri ishte ngritur në këmbë dhe po përqafoheshin si dy të njohur të vjetër. Pastaj im kushëri ma bëri me dorë që të afrohesha e të mos rrija si një "çupë e turpshme" aq larg.

- Eja dhe mirruni vesh se të letrave jeni që të dy tha e qeshi që atje tej si pa faj.
Mu duk sikur i gjithë qielli më ra në atë çast mbi kokë. Duhej që të isha bërë si një lulëkuqe vere...

Kishim folur më shumë për romanin "Stina e armëve" ku shumica e ngjarjeve zhvilloheshin në Gjormë, se ato i interesonin më shumë kusheririt tim fjalaman, e shkrimtari na tregoi se cilave ngjarje e njerëz u ishte drejtuar në krijimin e tij. Doli se shkrimtari i njihte edhe babain e një kushëri tjetër të prindërve tanë. Pastaj na tha se po shkruante disa "gjëra të vogla" si dhe po i rrikthehej poezive të dikurshme të botuar më parë në shtypin e kohës.

Pas nesh erdhi e u shfaq një djal i ri flokëverdhë që i kërkoi falje Petros për vonesën që atje tej tek bordura e betontë. Tha që "ishte qethur tek Dhimua". Dukej që bregasi e priste prej kohësh.

- Është njeriu im nga konomasit që banon në "Ujin e ftohtë", pranë kampit të puntorëve tha shkrimtari dhe i thirri në emër. Atje po qëndroj ca ditë.
Kur nuk i kishim mbaruar ende përshëndetjet me të sapoardhurin mes nesh, atje lart në rrugë u dëgjua boria e një mjeti. Ishte i yni dhe po na priste për udhë. .
* * *
Por takimi i Cërrikut më kishte mbetur në mëndje për shumë kohë. Madje e kujtoj edhe sot shpesh me një lloj nostalgjie që naftëtarët e qytetarë e mij të mirë e të thjeshtë u treguan vërtetë lexues klasi. Njohës të mirë të letërsisë e arteve në përgjithësi. Këtë e dëshmuan pyetjet dhe interesi i tyre tepër i lartë për të mësuar nga bota e letrave. Oratoria e Petro Markos shkëlqeu në atë salle si askush. Foli pas të tjerëve por fjala e tij ngjiti aq shumë sa që nuk rreshtën pyetjet për të kur u ul në tavolinë mes Dhimitër Shuteriqit dhe Dritëro Agollit. Mbajti ca çaste shënime e në fund u ngrit e tha gjithë humor,
- E po përgatituni ta gdhijmë sonte këtu në Cërrik, e qytetin ta lemë së bashku pa gjumë.
Ne që ishim në sallë qeshëm. Qeshën edhe gratë e duhanit që na kishin kaluar para xhamave të mëdha tek "Bufe Ylli", ndërsa pinim për tu freskuar dhallë që e përgatiste Hajredin Tana, një guzhinier i mrekullueshëm por edhe njeri i apasionuar pas teatrit ku shpesh merrte rrole që cërikasit i kujtojnë ende. Më bëri përshtypje që edhe pse kishin kaluar më shumë se dy orë në atë takim me shkrimtarë në kinemanë e qytetit nuk kishin lëvizur nga vendi edhe pse që të gjitha i prisnin detyrimet shtëpiake, burrat që vinin nga puna dhe uzina, fëmijët...

Disa vite më vonë, në një tjetër kohë, pas më shumë se tridhjetepesë vitesh, at'here kur bëja gazetarin e reporterin e terenit në Elbasan, u ndodha me H. B. - në, një ish saldator që punonte në repartin mekanik të uzinës e që shumëkush e njihte në Cërrik si të apasionuar e të çmendur pas librave, edhe pse nuk kishte bërë shumë shkollë at'here. Ai tani bënte pensionistin edhe pse nuk ta jep shumë moshën në fytyrë. Pinim kafen e mbasdites në "Bufe Artisti" që është edhe qendra e qytetit. Ishte viti i mbrapsht kur kishin shpërthyer depot e armatimit e shumëkush largohej menjëherë sapo kalonte mesdita për tu mbyllur në shtëpi. Si dy cërrikas të vjetër kujtuam gjithçkah nga ajo periudhë, por kryetema ishte dhe mbeti Petro Markua në atë takim.

- E di ti se ç'reng kishte bërë atë ditë ai Rustem Disha, drejtori i kinemasë sonë? Kishte shkuar një ditë më parë tek punishtja e duhanit ku punonin shumica e grave tona dhe kish vënë atje një njoftim. "Nesër në orën 15.00 në kinemanë e qytetit organizohet një takim me mjekun gjinekolog të Elbasanit, Mexhit Kruja. Lutemi të merrni pjesë e të flisni për problemet tuaj shëndetësore" Kaq u desh pastaj që salla të mbushej dingas sa që erdh një çast ku nuk mund që hidhje as edhe kokrën e mollës aty. Por kur foli Petrua me shokë, mbetën që të gjitha aty edhe pse kishin nxituar për të takuar doktorin.
 
I tregova se shkrimtarëve atë mbrëmje, por Petros në veçanti, ndërsa po i përcillnim me mësues Hyjniun, u kishte mbetur në mëndje ajo shprehja e tij kur sapo i kish mbyllur përgjigjet shkrimtari që kishte shkruar romanin "Hasta la Vista", i cili u kishte pushtuar mëndjen dhe zemrat në atë kohë gjithë shqiptarëve, "Na kënaqët o njerëz të mirë. Sot na dhatë më shumë shpresë, na e bëtë jetën më të bukur. Ju lutem që të vini mes nesh më shpesh, sepse nuk dimë më çtë bëjmë, shkojmë në punë e bëjmë fëmijë. Kjo është e gjithë jeta jonë"...

I kishte vënë që të gjithë të ardhurit nga kryeqyteti në mendime. Nuk i a kishin marrë saldatorit me të keq. As për propogandë. Po për një lloj zymtie e jete krejtësisht boshe që bëhej atëkohë jo vetëm në qytezat tona periferike. Madje Dhimitër Shuteriqi që ishte edhe kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë tha se mund që edhe ta diskutonin në kryesi që të planifikonin në bashkpunim edhe me shtëpitë e kulturës në rrethe e qytete, që çdo muaj të shkonin e të zbrisnin grupe shkrimtarësh nga Tirana por edhe ato të rretheve duke i çuar tek njëri - tjetri. Pastaj tha shprehjen: "Shkrimtarët janë inxhinjerë të shpirtrave njerëzorë" që ishte e një klasiku, portretin e të cilit ne e mbanim kudo, ndonëse atje në vendin e tij trupin e ballsamosur i a kishin zbuar me kohë nga mauzoleu.

- Nuk ndreqim gjë moreeee. Dashi e cjapi kapen nga brinjët. Duhet që të tjerë ta bëjnë e të mendojnë seriozisht për jetën e njerëzve të provincës, por edhe të qyteteve, se dhe në ato nuk është më mire se sa këtu tha Petro Marko, dhe fiku cigaren e pambaruar mirë me dy gishta duke i a shtypur kokën pa e patur mëndjen aty. Në çast e pashë që u drodh e dorën e hoqi menjëherë. Mbase i dhëmbi e i dogji.
* * *
Duhet që të ketë qenë vitet tetëdhjetë. Mbase nga fillimi apo andej nga mezi. Nuk e kujtoj mirë. Isha tek ime motër në Fier që banonte atje prej vitesh e së bashku me kunatin që më shoqëronte për të më përcjellë, shkuam tek stacioni i trenit që do të më kthente në Elbasan. Mes turmës së njerëzve që prisnin të udhëtonin dallova edhe Petro Markon me të shoqen e tij Safon, që e kisha parë në Shtëpinë Botuese tek redaksia e librit për fëmijë, kur shkoja për librat e mij. Ishte i tjetërsuar, dhe mu duk i lodhur e tepër i plakur këtë herë, por shkëlqimi i syve nuk i ishte venitur në fytyrë. I a pashë në një moment kur u ul e mori një çantë që e kishte lënë tek këmbët e së bashku pastaj me turmën lëvizi nga dera e sapo hapur e stacionit që të nxirte në peron, përballë trenit që po na priste që të gjithë. Isha disa metro larg dhe në sheshin e hapur gjeta rastin që ti afrohem, ndërsa ai e Safua ende nuk kishin vendosur se në ç'vagon do të të hypnin.
- Petro, si je? e pyeta.
Tjetri qëndroi një çast e më pa drejt e në sy.
- Mos je i Cërrikut ti? Mesuesi?
- Po i thashë. Ai i takimit.
Vuri buzën në gaz e pastaj qeshi.Fytyra i u çel e shkëlqeu si nga një dritë..
- Moreee, ai saldatori si është? pyeti, dhe unë ndjeva se kishte një shqetësim të mbrendshëm shkrimtari.
- Mirë është vazhdon që të lexojë.
- Bën edhe kalamaqër tha e nënqeshi duke më shkelur syun. Pastaj ktheu kokën në drejtim të Safos që ishte shkëputur disa hapa larg nesh, e që me sa dukej kishte vendosur edhe për vagonin me të cilin do të udhëtonin drejt kryeqytetit.
- Ka qene tek i biri. E ka këtu të burgosur në kampin e Ballshit - më tha im kunat. Vjen përherë.

Ndërsa zura vend në kabinë e kur treni çante mespërmes fushave të myzeqesë dhe pejsazhet rrendin njëri pas tjetrit në ekranin e madh të dritares, mendova sërish Petron. Nuk mu duk pa kuptim ajo pyetje për saldatorin e Cërrikut.

Shkrimtari, idealisti, revolucionari, publicisti e intelektuali kishte kohë i viktimizuar. I zhgënjyer mendonte ëndërën e humbur të tij. I a kishin vrarë...Por jo atë. Asesi. Kurrë...Petro Marko e sfidoi partinë e idealit të tij.

ALEKO LIKAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NIKOLLË ULNDREAJT I LULON POEZIA MBI GURËNga RAMIZ LUSHAJ (10.27.2014)
EDHE DY POEZI TË PAUL KLE, ILUSTRUAR NGA VETË AUTORIPërktheu: FASLLI HALITI (10.26.2014)
NUK ISHTE VEÇ NJË AGO YMERProzë nga ALI M LAJÇI (10.25.2014)
IKU SHPIRTI IM  dhe MBETËM GJALLËDy poezi të reja nga FASLLI HALITI (10.24.2014)
PIKTORI DHE POETI PAUL KLEEPërgatiti dhe përktheu: FASLLI HALITI (10.24.2014)
METAMORFOZAPoezi nga AT GJERGJ FISHTA (23 tetor 1871 – 30 dhjetor 1940) (10.23.2014)
NË BUKË LAJTHISH KUJTIMIN PJEKCikël poetik nga QAZIM D.SHEHU (10.23.2014)
ZHVIRGJËRIMITregim nga QERIM SKËNDERAJ (10.23.2014)
SA BUKUR ËSHTË KUR KE TË DASHUR!!!Tregim nga PËRPARIM HYSI (10.22.2014)
NJË AKUAREL I HELIDON HALITIT NGA VALBONA DHE DY POEZI TE FASLLI HALITIT (10.22.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]