VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SOFRA
Poezi nga QAZIM D.SHEHU

E Hënë, 10.27.2014, 12:06pm (GMT1)


U ndodha afër tavolinash luksoze, në bankete partish,
U ndodha pranë gjellëve që emrin s`ua dija,
Dhe hëngra diku pafajësisht e diku turpërisht,
Ndërsa i varfër mes të pasurish rrija.
Shetita pastaj në tavolina lypsarësh,
Në tavolina shokësh kur sejcili priste,
Kush do e hidhte hapin prej guximtari,
Kacidhet e fundit aty të linte;
Pastaj pashë tavolina bosh,
Tavolina lokalesh në shi,
Dhe zemra bridhte e mendja më thosh:
S`ka si sofra ime në fëmijëri.
Ajo sofër e thjeshtë, dërrasë arre,
Ku nëna na mblidhte e na fliste,
Në bukë mos thonim gjysmë fjale,
Se ish gjynah e buka s`na ngjiste.
Ajo sofër e thjeshtë si rrotullame dielli,
Varej pastaj e heshtur në mur,
Dhe priste mbrëmjet e mëngjeset,
Të shtrohej  magjishëm me bukë e me ujë.
Dhe sa herë që shkoj në bankete të mëdha,
Mbushur ushqime me verëra të shtrenjta,
Shoh një uri të të ngopurve që hidhet si valë,
Me para të të uriturve që ua vodhën nga djersa.
Sërish e sërish më vjen ndërmend,
Sofra e nënës kur ishim fëmijë,
Thërrimen e bukës mos hidh përdhe
Se buka është shtatë hajmali...

QAZIM D. SHEHU


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.