VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
KANË NDODHUR SHUMË GJËRA Cikël poetik nga SULEJMAN MATO E Martë, 10.28.2014, 09:09am (GMT1) KANË NDODHUR SHUMË GJËRA Disa kanë vdekur të tjerë janë mbytur, Disa kanë ecur , të tjerë kanë dremitur. Disa kanë rënë, të tjerë janë ngjitur, Disa kanë mbetur me sy të habitur. Dhe kjo ka ndodhur Në mënyrë të papritur. Dikush është bërë president, një tjetër shkrimtar, dikush është bërë disident, një tjetër tradhtar. dikush është bërë deputet, një tjetër kamarier, njëzet gazeta gënjejnë çdo ditë, njëzet të tjera vjellin vrer. Kanë ndodhur shumë gjëra, vërtet, që s'i kuptojmë as unë as ti. Jeta është bërë tjetër jetë dhe njeriu tjetër njeri. NA E VODHËN DEMOKRACINË Na e vodhën demokracinë politikanët dhe karrieristët e dashura ime. E futën nëpër vetura e ngjitën nëpër podiume, e përplasën në salla plot dritë diplomatike. Tani s'na mbeti asgjë tjetër, veç të vajtojmë për ty, demokracia ime... Kishim një shekull që të prisnim të vije. UNË MBETA I VETËM Na gënjyen të gjithëve dhe na lanë. Sapo filluan shtërngatat e para të shirave se si ikën një nga një, pa kuptuar. Unë mbeta i vetëm me iluzione në duar. Si në kohën e kolerës Heshtim të dy shikohemi në sy. Si në kohën e kolerës bëjmë dashuri. JEMI MËSUAR ME VDEKJET Këtu dhe nënat sikur janë mësuar me vdekjet. Memece dhe të qeta kalojnë midis nesh. Bisedojmë për të vdekurit si për gjëra të zakonshme I përcjellim për në tokën e ftohtë me qetësi dhe indiferencë. Vdekja... Dher vdekja ecën në kortezh , paralel me ne, kokëulur, midis të gjallëve. TOKË DIELLORE Sa bukur qenka të jetosh në Shqipëri aty ku njerëzit në vend të zarzavateve hanë gazeta dhe politikë. Të jetosh në Shqipëri me hajdutë dhe politikanë, me poetë dhe matrapazë, trutharë dhe liberalë... Të përgjosh anijet që vijnë nga brigjet e huaja, t'i kthesh sytë diellit në lulishten "Rinia" Sa bukur qenka të jetosh në Shqipëri me policë dhe poetë, të burgosur politikë dhe studentë me komunistë dhe agjentë, me ideologë dhe disidentë... E megjithatë diçka e keqe ikën prej nesh përgjithmonë dhe diçka vjen... i ngjan polenit të luleve të prillit, Toka e dashur lëviz, lëviz, si qenie e gjallë drejt perëndimit. POPULLI Populli pështë memec. Populli nuk i njeh ligjet. Më mirë të flasin oratorët Ata që përdorin fjalë të bukura ata që nxitojnë të dalin të parët në podiume, ata që bëjnë zhurmë më tepër se ena e zbarzët kur rrokulliset tatëpjetë. Ata që bëjnë prova para pasqyrës, për të shqiptuar sa më bukur fjalët " '' O populli im!" dhe ""O Demokraci!"" Ata që s'kanë asgjë të përbashkët me heshtjen dhe fisnikërinë popullore, me popullin që " nuk i njihka mirë ligjet." as kthesat e shpejta në çastet historike, me popullin, i cili s' nxiton të ngjitet në presidiume të mburret e të thotë: "Unë jam populli! Unë jam uragani që përfshij gjethet e vjeshtrave të mia, Unë jam thundra që shtyp çdo krimb që ngrihet e flet në emrin tim." SULEJMAN MATO
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |