E Enjte, 04.18.2024, 01:36pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
PËRKIME TË ÇUDITSHME
Rrëfenja nga PËRPARIM HYSI

E Shtunë, 11.01.2014, 09:18am (GMT+1)


Rrahmëni qe bashkëfshatari im. Qe jo vetëm familjar i mirë, por dhe punëtor që nuk kishte shok. Veç këtyre tipareve qe dhe gojëëmbël dhe kurrë nuk u grind me njeri. Kudo që punonte, dallohej se bënte punë me cilësi. Jetonte, kur thonë, me djersën e tij. Po, kur thonë turqit, nuk ka iksan pa noksan që, më shqip fare: çdo njeri ka të mira, por dhe ndonjë huq që nuk e kanë të tjerët. I tillë qe dhe Rrahmëni. Në çdo bllok ku punonte apo kudo ku i shkelte këmba, kurrë nuk kthehej në shtëpi pa një krah me dru. Të ishin dhe shkarpa, ai do t'i çonte në shtëpi. Thoshte: e para është buka; mandej ujë dhe e treta druja. Duhet, or tunjatjeta, si në dimër, po dhe në behar. Në dimër, s'ka njeri që nuk e do drunë se do zjarr të ngrohet. Se kush nuk e di atë këngën nga qëmoti: xhan o burrë, xhan o zjarr/. Po dhe në behar se do ndezësh zjarr për rrobat, po për banjë e ku mbarohen hallet e robit.

Kur shkoje në shtëpinë e tij, jo vetëm të priste me krahët-hapur, por nuk të linte pa vizituar " muzeun" e tij të druve. Aty prapa shtëpisë (oborri qe i pastër se të tillë e mbante dhe vetë, dhe e shoqja aq e mirë), të ftonte për një "vizitë" pak extra. Ja, shiko,- të thoshte,- këtë kapicën këtu e kam nga bloku 8, këtë tjetrën e kam që nga "Guri i gomares" kur qemë për zbor. Kapica këtu është marrë në Seman. Dhe vazhdonte e vazhdonte. Çdo vizitor (unë kam qenë një i tillë, se Rrahmëni e ka ngjitur shtëpinë me shkollën) nuk rri dot pa vënë buzën në gaz me këtë "muzeum" drush e shkurresh të ngritur aty pas shtëpisë së RRahmënit. Mbi çdo kapicë ka ndonjë etiketë. Emërtoje si të duash: daç muzeum drush me disa pavijone. daç dhe "farmaci" me disa "sirtarë" në miniaturë. Kurrë "muzeumi" nukmbetë bosh. Mbarohet njëri "pavijon" dhe Rrahmnëni e zëvendëson me tjetër. Aty shënohet një etiketë e re. Kur e pyet për këtë "huq" ( pa dyshim, një huq i mirë), të thotë:- Aha, vetëm ujku ha qesim. Ropi ndaj i ka mendtë. Duhet të ecë me llogari. Se të vijë si të dojë dimri, Rrahmëni ia ke gjetur "ilaçin": me ca dru lisi prerë tek pylli i Vajkanit dhe dimri më bëhet kurban. Shkarpat për behar. Druri është si zahreja: teste-teste! Si do zot, trahanaja. Lezettin e ka në dimër, se nuk hahet në gusht, de! Rrahmëni... sa njeri punëtor! Një ditë vjeshte me vetëtima e gjëmima, tek shkonte në punë, këptutet një degë e trashë plepi dhe i bie mbi trup. I dëmtoi shtyllën kurrizore dhe u kthye në invalid. Katandisi mbi ato karrocat e invalidit. Nuk ka më "muzeum" drush në shtpinë e tij dhe pleqtë e plakat që merren me nomatisje e "tertipe" të moçme, tek i qajnë hallin për fatkeqësinë që e gjeti, shtojnë: tek drutë e kishte shtirë Zoti dhe nga druri e gjeti. I shkreti! RRahmëni tani nuk e ka "muzeumin", por ajo karroca e invalidit shkëlqen tek e sheh që del, qoftë dhe rrallë nga shtëpia. I hanë duartë për punë dhe laj-thaj e pastron atë karrocën që dhe rrotat i mban dritë.
* * *
Një plak hollak, i gjatë si hosten çapitet rrugës. Dëgjohet një uturimë makine dhe, nga karroceria, pasagjerët: kooperativistë që po shkojnë në qytet, i bërtasin plakut:
-Hajde, xha Ristan, se do shkojmë në qytet!
- Ju paça, çuna,- përgjigjet plaku hokatar,- po nuk më pret puna. E kam me ngut!!!
"Çunat" brohorasin nga të qeshurit. Ia dinë huqin. Xha Ristani nuk hipën kurrë mbi makinë. Ka hipur njëherë në jetë të tij dhe u përcoll së gjalli: - Më zuri "xhindi"!.- tregonte. Më nuk vë këmbë. Dhe nuk vuri tërë jetës së tij. Sado që qytetin e kish larg, por në këmbë e niste dhe e bitiste. As mos ma merrni me rezerva: dhe në Tiranë e soste në këmbë. Bukën me vetez,- tregonte,- dhe han më han, për tri ditë e soste. Qe njeri që kishe qejf ta dëgjoje kur merrte fjalën. Gënjeshtër nuk njihte. - Më gavnjeve njëherë, me mua nuk i ndreq më urat. Nuk është se të vura "tomatikun" tek koka dhe më gavnjeve. Po ashtu badjava hesapi, pepja nuk e ha më atë "pshesh". Në do nder dhe erz, mos gavnje. Pa të më kesh shkuarje dhe me botën (shoqërinë),se në këtë jallane ropi duhet ta ketë mirë dhe me qerrexhinë, po dhe me arixhinë. E thoshte këtë me "arixhinë" se një lagje në fshat qe me arixhinj. Xha Ristani shquhej për miqësi me arixhinjtë. -Janë bujarë,- thoshte,- dhe, në i bëre miq, nuk të lënë në baltë kurrë. Ja t'u tregoj pepja se sa më të mirë nga ne që nuk i sajdisim, janë.
- Më erdhi Elmazi, që thoni, dhe më tha:- Xha Ristan më duhen nja 500 lekë hua,se iu dogj shtëpia Dalanit. Ia dhashë. Por nuk m'u ndënj pa i thënë:- Ore Elmaz, por ti më duket sikur nuk i ke mirë "urat" me atë, Dalanin? Aha,- ma priti,- në fatkeqësi ne,arixhinjtë, nuk e lëmë në baltë njëri-tjetrin. U skuqa, or çuna, nga llafi tij. Ma kish llafin me bereqet. Kështu që t'i vëmë kokë muhabetit: ta kesh mirë si me qerrexhinë(është fjala për njeriun ethjeshtë), ashtu dhe me arixhinë (nënkupto:fukaranë). Dhe, pa pritur, një ditë prej ditësh, xha Ristani pësoi ifrakt. U palos diku buzë rrugës. Aty, pa frymë,e gjeti një bashkëfshatar që qe arixhi. Ou,- bëri arixhiu,- xha Ristani i mirë. E mori në krah, e hodhi mbi qerre dhe e çoi në shtëpi.
Tek e përcillnin në banesën e fundit, thoshin:- Paske qenë "ilaç", o xha Ristan! Siç thoshe dhe të ndodhi.
* * *
Pas dyzet vjetësh punë si marangoz, Alushi, doli në pesnion. E kishte filuar punën që i ri. U nda me kolektivin dhe, kur mori pensionin e parë, ndodhi dhe çudia. Tërhoqi paratë si gjithë të tjerët, po para se t'i fuste në protofol, zuri po u merrte erë?! Ore,- i tha dikusn nga bashkëshokët,- pse u merr erë parave? Aha,- shpjegoi Alushi,- u marrë erë , se dua të provoj se çfarë "ere" kanë?
- Hë,- i thanë,- e gjete se çfarë "ere" kanë?
-E gjeta. Kanë erë dheu. Na bëjnë thirrje për andej " për matan",se ndryshe qe ajo "paraja" më parë: qe era djersë. Djersë pune. Dëgjuesit për rreth nuk kishin si mos çuditeshin me këtë "erën" që ndjente Alushi, ai marangozi i vjetër që, porsa doli në pension. Pakëz për të qeshur qe. Me domosdo. Çudia qe, që marangozi Alush nuk erdhi më për pension. Era e"dheut" kish fryrë dhe e mori me vete. Ç'përkime të çuditëshme! Ndodhin, pa i tregojmë.

Tiranë, 31 tetor 2014


PËRPARIM HYSI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
SONTE NUK JAM KËTUADEM ZAPLLUZHA - Katër poezi nga libri “Mbi flokët e ullukëve” (10.31.2014)
POEZI TË ZGJEDHURA NGA BERTOLT BRECHTPërktheu: FASLLI HALITI (10.30.2014)
SYTË E AMERIKËSCikël me poezi nga poeti NAMIK SELMANI (10.30.2014)
GRABITQARJA TRONDITËSE MIRA MEKSINga NOVRUZ XH SHEHU (10.30.2014)
PËRDHUNIMIProzë nga QERIM SKËNDERAJ (10.29.2014)
KANË NDODHUR SHUMË GJËRACikël poetik nga SULEJMAN MATO (10.28.2014)
H E R O I K APoemë nga RRUSTEM GECI, nga libri 'Heroika' (10.27.2014)
SOFRAPoezi nga QAZIM D.SHEHU (10.27.2014)
ME PETRO MARKON NË TETORIN E CËRRIKUTNga ALEKO LIKAJ (10.27.2014)
NIKOLLË ULNDREAJT I LULON POEZIA MBI GURËNga RAMIZ LUSHAJ (10.27.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lart]