VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

HARRIMI
Nëntë poezi të reja nga QAZIM D.SHEHU

E Shtunë, 11.15.2014, 10:09am (GMT1)

 

HARRIMI

Ti jeton në natën tënde,
Në qiellin tënd ti jeton,
Sizifin merr përdore,
Tek shtëpi e qejfit e çon.

Lundra që vjen drejt bregut,
Pengohet nga dallgët,
Egërsuar prej qejfit,
Të flakët.

Në lundër nuk guxoj,
Ti hipi, s`munden,
Ca yj të shplarë,
Me vithe tunden..

SHKRUMBI


Fjalën ma mbyte njak,
Pse atë kishe frikë,
Fjala është më e padëmshme,
Dritë.
Ti dritën e saj,
S`munde me e dashtë,
U ndeze si flakë,
Kur bie mbi kashtë.
Tani as shkrumbi,
S`të mbeti më,
Po përse fjala
Qan për të?...


ROBËRI

Robër të vetvetes mbetëm,
Robër pa dashuri,
Pak dashuri po  të kishim,
Veten drejt saj do nisnim.
Po të na pranonte ajo,
Siç ndodh pa hile,
Do flisnim me gjithë zë,
Për robërinë maskiliste....



URITH

Nyje dëshpërimi dot s`i lidh,
Sëpatë e vështrimit tënd shkëlqen.
Më ngjan do mbetem urith,
Tunelit të errët tek dëfren.



VEÇ MEJE

Veç meje të gjithë,
Të gjithë ose asnjëri,
Merren me fjalën , me bukën e saj.
Tani fjala shitet ngutshëm,
Dhe vlerë s`ka.
Dëgjoni mbrëmjeve një mori fjalësh,
Që dalin nga ekranet  plot bezdi.
Zgjohesh në mëngjes dhe një gjetheje i falësh,
Një gjetheje, dy, ri.
Të gjitha janë harruar,
Edhe pse erë nuk fryn, era i merr.
Jetojmë në një kohë të bekuar,
Ku llamburit drita,
Dhe s`ka terr...


RROKULLISJE

Më merr malli të rrokullisem  në një lëndinë,
Atëhere kur dhunoja lulet padashur.
Tani rrokullisem në një  breg vetmie,
Dhe qielli s`do të hapet...

RENDJE

Nuk di, dikujt sa i rendem,
Po dua ta them fjalën.
Nuk di si prej vetes zhgënjehem,
Kur me të s`dua të çmallem.
Gjithnjë dua të rend
Skajeve të kësaj bote të bukur,
Edhe pse e di:e bukur është përnjëmend,
Apo kështu më është dukur...

KUKULLA

Ti ke dalë nga kukulla apo ajo prej teje,
Njeriu kukullën krijoi për lehtësi,
Kur i iku zjarri nga dejet,
Ose me zjarr deshi me u shkri.
Mungesa e thirrte gjithnjë
Drejt kukullës së bukur,
Nga që s`mundi t`i jepte zë,
Drejt teje rendi si flutur...

KËRKIMI


U përskuqëm nga dielli i ditëve të ngrira,
Mbetëm vetëm me hijeshi.
Tani rri e shoh hijet e strukura
Të hapit tënd që gjëmon në thellësi.
Dhe ti je larg ,më larg se një re,
Që ka frikë të rendë drejt resë tjetër,
Në përplasje, një vetëtim mund të qe,
Vetëtima që do ndriste mungesën...

QAZIM D. SHEHU


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.