VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
ARBEN DEDJA - FITUES I ÇMIMIT TË LIBRIT MË TË MIRË TË PANAIRIT TË 17-të TË LIBRIT 2014 E Djelë, 11.16.2014, 09:42am (GMT1) Arben Dedja u lind në Tiranë, më 1964. Është diplomuar për mjekësi dhe kirurgji (1988). Që nga viti 1999 jeton në Itali dhe punoi si ndihmës hulumtues në Universitetin e Padovës. Përveç artikujve shkencorë, Dedja po ashtu mbart një aktivitet të gjerë letrar. Në vitin 2004 ishte fitues ad-aequoi: "Çmimit Ndërkombëtar për poezinë dhe përkthimin, Fondazione Cassa di Risparmio di Ascoli Piceno" në përkthim shqiptar me poezi të zgjedhura nga Attilio Bertolucci. DHOMË GJUMI Një çorape rri varur te doreza e derës një palë breçka mbi komo. Rroj në këtë pezullì veshur-zhveshur të gruas sime. Jashtë përjashto shalët ulëritëse gjithçka është kyçur gjer në kopsën e fundit. PREZANTIMI Ah po, më kujtohen shqiptarët mbërritën me turma nga kufiri verior ç'u shtuan atë vit kukuvajkat në rrethina. E unë dhashë e dhashë e dhashë e dhashë e ndërrova me këtë rast Garderobën e djeshme u ça katërsh ime shoqe për të Linjta të reja. Pastaj kurdët ia behën të qeshur si pranvera me këmbët e drunjta të kalbura nga dallgët pastaj ruandezët që ngatërruan rrugën. E unë dhashë e dhashë e dhashë e dhashë m'u desh prapë t'i falja të Linjtat e Firmosura u kish ikur ca moda Dantellave të Breçkave. Pastaj brofën moldavët me trape fatalë pastaj irakenët duke ecur mbi avra burundasit me guna të çjerra nga ujqit. Prapë unë dhashë e dhashë e dhashë e dhashë kishin gratë afgane gjithë Gjimbajtëset e mia një lypëse boshnjake shtatë palë Breçka kish mbathur. Pastaj erdhën çingalezët me gaca ndër xhepa pastaj kosovarët po sezoni s'kish nisur i Pasarelave në Nju Jork-Paris-Milano. Prapë unë u dhashë e u dhashë e u dhashë ndonëse më hynë në shtëpi Garderobën të vidhnin që, për fat, ishte bosh nga dhuresa e fundit... ...këtu Zonja e ndërpreu rrëfimin se, ndërkaq, i prezantuan një islandez. ELEGJI MIZORE PËR BABANË 1. E lava babanë e vdekur një mëngjes marsi me cikmat e dimrit ende nëpër këmbë dhe pikërisht nga këmbët ia fillova ujë e sapun gjersa mori era myshk e pastaj rrëzë kofshëve sa ia fshika herdhet me këtë rast parë për herë të parë i vesha këmishë e kostum më të mirin duke ia mbajtur herek kokën mos ngjeshej për gjoksi bukur e shtriva të paorë të paunaza i kreha pastaj thinjat e rrova në të thatë zor e pata me këpucët e reja tre-bishta-lugësh-shkulur dhe në fund kravatë i vura pasi bëra më parë nyjen në qafën time. 2. Ati im kur ti vdiqe të mbajtëm njëzetekatër orë pa varrosur të të bënim nderet e fundit një përgjim të gjatë por ndërkaq dimri po e linte tokën ndaj e fikëm ngrohjen në mesnatë ashtu te njeri-tjetri kruspulluar tek dikush spërkaste me parfum dhomën korridorin kuzhinën dhomën tjetër gjithë botën... 3. I ndjeri ati im kur ti vdiqe ishte sipërmarrje e vështirë të të zbrisnim shkallëve të pallatit me punë vullnetare të kohës së enverit një kusho i shtatë kacavarur te telat e dritares së komshiut u mor me drejtimin e operacionit marangozi i katit të pestë i stërmati me metër këndet e kalvarit dikush dëshmor vuri shpinën poshtë qivurit por prapë e thyem që e thyem llampën e shkallëve skërfitëm suvanë teksa brenda ti lëvizje thes me arra ngjisheshe pas kokës që sipas zakonit duhet të dilte përpara. ARBEN DEDJA
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |