E Enjte, 03.28.2024, 03:03pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
AI ECTE ME DIELLIN E LIRISË
Cikël poetik nga KUJTIM MATELI
Kushtuar gjithë shqiptarëve që i pritën me armë e urrejtje pushtuesit fashistë e nazistë

E Enjte, 11.20.2014, 04:24pm (GMT+1)



Ai ecte me diellin e lirisë.

Kushtuar gjithë shqiptarëve që i pritën me armë e urretje pushtuesit fashistë e nazistë. Kushtuar gjithë atyre bij e bijave që me guxim e trimëri nw qytetet dhe zonat e pushtuara nga armiku, shkuan në çdo vatër dhe me fjalën e tyre e ngritën popullin për lirinë e Shqipërisë. Kushtuar gjithë atyre që ranë me lavdi e heroizëm në fushat e betejave.  


Ishte prill, viti `39.
Vdekja patrullonte me këpucë italiane,  
Godiste me qytë portat e shtëpive,
Livadhet dhe arat s`ishin më tonat.
Lart, me një zhurmë të tmerrshme
Sikur botës do t`i vinte fundi,
Përpiqnin krahët avionat.

Ranë dhe dëshmorët e parë. Do të prehen
Në dy vende njëherësh :
Në këngë e në varre.
Në shpate malesh, nën flakën e zjarreve,
Firmoseshin urdhrat për Luftën e Madhe.

Udhëtonte liria në çdo qytet e fshat,
Dimrin e zemrave kthente në behar,
Hapi i bukur dwgjohej tek ecte në rrugicën e lagjes,
E priste dikush për ta zgjuar.
 
Mesnatë.
Diku ndizet,
Diku shuhet një llambë.
Dikush në rrugicë si era vrapon,
Dikush në rrugicë si hije përgjon.
Sonte kësaj rrugice,
Nuk ecën si zakonisht,
Ke një kafe diku për të pirë,
Ke një fjalë për të thënë:
Të jenë njerëzit të lirë.

Ke një diell që do t`ia lësh çdo shtëpie,
Rrezet e tij, rreze lirie,
Drejt mirësisë do t`ia lëvizë botës mendimin.
Nesër ky qytet, nuk do të zgjohet
Prej diellit që lind e perëndon çdo ditë,
Po prej diellit të lirisë, që kurrë
Nuk do ta njohë perëndimin.

Diku dëgjohet një bisedë.
Ti ecën i qetë,
Ti ecën e mban vesh.
Dikush folka nëpër gjumë:
Duam bukë.
Një tjetër:
Nga të ftohtit ngrimë.
Të gjithë thonë:
Duam lirinë!
Dhe ti vrapon rrugicave të lagjes,
Vrapon
Për t`i sjellë të uriturit bukë,
Për t`i sjellë të rreckosurit rrobe,
Për t`u sjellë të gjithëve: lirinë.

Ti diçka mendon.
Herë ndalesh rrugicave dhe vë buzën në gaz.
Çfarë ëndërron?
Një sofër me bukë që të zhdukësh urinë?
Një copë të mirë për kostumin e dhëndërisë
Apo flokët e një vajze ndoshta ledhaton?
Jo.
Të gjitha këto i ke harruar.
Ti ëndërron atë që u mungon të gjithëve,
Ti ëndërron atë që ëndërrojnë të gjithë,
Ti ëndërron lirinë.

Qyteti fle gjumë.
Si the?
Nuk të flihet?
Gjumin me një grusht ujë e përzure nga sytë,
Vdekjen e përzure me diellin e lirisë.

Qyteti dicka sheh.
Nuk mblidhet si më parë në ditën e pazarit,
Të pyes për pajën e nuseve,
Për ditën e dasmave.
Nxjerr prej sëndukut koburen e vjetër
E me vaj e pastron.
Dikush betohet në dritë të kandilit:
Ja vdekje, ja liri!
Ti vrapon rrugicave të lagjes,
Vrapon
Me diellin tënd,
Me diellin e lirisë në çdo shtëpi.

Ndanë rrugicës,
Era me petalet e luleve shushurin,
Po është mbrëmje,në atë stol druri
Mund të uleshin të qetë dy të rinj:
Të prisnin muzgjet ngjyrë trëndafili,
Të këndonin këngë për dashurinë,
Po djemtë e vajzat janë dashuruar me malet,
Kur flenë për jastëk ata kanë:
Një torbë me fishekë,
Pagur italiani,
Maliherin të lidhur me gjalm.
Bora u vesh të gjithëve nga një gunë,
Siç vishen bredhat në lëndinë.

Ndanë rrugicës,
Lehtas në mesnatë kërcet një derë,
Ngjiten për në mal të tjera vajza,
Për në male ngjiten djem të tjerë.
Bredhat në horizont ngjajnë si dantella,
Qershitë ulnin kokën,
Se ishte herët e s`mundën t`i gostisnin,
Lëndinave me vrull buiste bari.
Lindja në bakër ca re bardhoshe i veshi,
Ti u mbështete një grimëz,
Bij të tjerë në male do të gjente e nesërmja.

Atje në shpate ku vetëm shqiponja kishte folenë,
Atje në shpate e ngriti çerdhen liria,
Mijra u vranë në sulme e beteja
Me dy armiq të egër e mizor,
Gjakun në flamur ua ruan Shqipëria.

Pasapartat tuaja nuk i mblodhën Zyrat e Gjendjes Civile,
Më pas t`u shpallnin të vdekur
Si të gjithë njerëzit në këtë jetë,
Pasaportat tuaja i mbodhi me kujdes historia,
Ia dorëzoi Mijëvjeçarit të Tretë



Dëshmorit Hysen Kwri

Fryn erë e lehtë, Osumi hesht,
Drithëron e dridhet ngjyra blu,
Ky zog i bukur pse s`këndon,
Po rri tulatur mbi një dru?

Pse u zverdh bari në lëndinë?
U vyshkën lulet në saksi.
Njerëzve në buzë u mbeti kënga,
Dëshmorë kish rënë një djalë i ri.

Dhimbjen e ndien malet përreth,
Berati ra në zi, i tëri,
Ky luftëtar nga Mazhani ishte,
Emrin e kishte Hysen Këri.


Islam Anxhakut nga Vinokashi

Nga vitet e Luftës,
Erdhën ca  të shtëna,
Trim Islam Anxhakun,
Nuk e lind më Nëna.
Viti `12.
Ishe djalë i ri,
Ismail Qemali,
Bëri Shqipëri.
Liria në zemër,
Dora përmbi armë,
Të kish thirrur koha,
Të mbroje vatan.
Të kish thirrur koha,
Të bëje dyfek,
Të kish shkelur trojet,
Ky andarti grek.
Dëshnica krenare,
U shkrumbua nga flakët,
Bashkë me dëshnicarët,
Ia shërove plagët.
Prapë pushtues të tjerë,
Këtë herë nga deti,
Përsëri me armë,
I priti Përmeti.
Dhe kur në njëzetën,
U mblodhën në Vlorë,
Ish e jotja mendje,
Ish e jotja dorë.

Kënduan këngë për ty,
Mbledhur tek konaku,
Trim ky djalë i ri,
Trim Islam Anxhaku.

Viti `39.
Erdhi me pushtime,
Prapë i mblodhe bijtë,
Moj Dëshnica trime.
Prapë i mblodhe bijtë,
Ligjëron konaku,
I parë ndër të parët,
Flet Islam Anxhaku.
Mençurinë e kombit,
Fjala jote kishte,
Flakë e zjarr baroti,
Fjala jote ishte.
Hyri fjala jote,
në çdo portë e prag,
Iku fjala jote,
Iku tepër larg.
S`ishe fort i thyer,
S`ishe as i ri,
Prapë pushkën në dorë,
Mbajte për liri.
Të thirri Atdheu,
Ti me armë në dorë,
Seç e thinje jetën,
Maleve me borë.
Gjunjët t`u këputën,
Nge s`kishe të rrije,
Me peshqir të reve,
Djersët seç i fshije.
Ti ishe shqiponjë,
Ti ishe liria,
Thellë në zemrën tënde,
Ishte Shqipëria.
Para pushkës tënde,
Dy ushtri seç ranë,
Njëra italiane,
Tjetra me gjermanë.
Ndaj dhe sot këndojmë,
Mbledhur tek konaku,
Trim ky bir dëshnice,
Trim Islam Anxhaku.

KUJTIM MATELI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
UNË NUK KAM NDRYSHUARPoezi nga SERGEJ ESENINPërktheu: FASLLI HALITI (11.19.2014)
PËRPOS LEHJES SË YJEVE ASNJË ZË TJETËRKatër poezi nga libri “Mbi flokët e ullukëve”Nga ADEM ZAPLLUZHA (11.18.2014)
POEZIA E VETME PËR GRUANNga FATBARDH RRUSTEMI (11.17.2014)
LULE GJARPRICikël poetik në trevargëshe nga QAZIM D.SHEHU (11.17.2014)
LULET E MOLLËSPoemë nga RRUSTEM GECI (11.17.2014)
RRUGA ME PLEPA dhe NJË MBRËMJEDy poezi nga FASLLI HALITI (11.17.2014)
Kadare rrëfen pse nuk i ka besuar JorgaqitNJË NGJARJE QË MBARON ME QENNga ISMAIL KADARE (11.16.2014)
DUKE LEXUAR NJË PIKTURËProzë nga QERIM SKËNDERAJ (11.16.2014)
ARBEN DEDJA - FITUES I ÇMIMIT TË LIBRIT MË TË MIRË TË PANAIRIT TË 17-të TË LIBRIT 2014 (11.16.2014)
RISHPIKJA E ARBËRISË - PARAFJALAEsé nga MOIKOM ZEQO (11.15.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 

 
VOAL
[Shko lart�]