VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

YJET
Poezi nga QAZIM D.SHEHU

E Hënë, 11.24.2014, 09:28am (GMT1)



YJET
Për inat të tokës, qielli u mboll me yje,
Toka numëroi lulet, gjelbërimin në pyje,
Qielli kërkoi lulen, toka nuk ia dha,
Yjet u shkrinë dhe ranë mbi ta...
Nëse lulet në qiell do kishim mbirë,
Të shkëlqenin yjet e tokës do e kishin vështirë..

PAMJE
Vijnë me melodi të ngrira
Malet, kodrat ,fushat e shtrira,
Paraardhësit kur i kanë parë,
Fushat me çadra pushtuesish
Malet me luftëtarë,
Kështjellat mbi kodra,
Kështjellarë.
Dhe sot dridhem kur i shoh ndryshe,
Kështjellarët e kthyer
Në tufa amorfe lypse...

KRISMA
Nata shpështillet humnerave të saj,
Më fton ta dua,
Përkund ëndrra të arta,
Në barkun e saj vetëtijnë
Krismat e fjalëve të pakta...

PULËBARDHA
Si pikë e bardhë mbi suprinën e detit mavi,
Fluturon e lëviz me hijeshi.
Pulëbardha.
Aq e fortë kjo pikë,
Pigment,
Tharm magjik,
Sa detin mavi,
E kthen në dritë.

PIEDESTALE
Piedestalet pa statuja  mbetën të shkreta,
Njerëzit pranë tyre shkojnë , përshypje nuk u bën,
Statuja  mbi to mos jetë , mjafton.
Statuja mbi to ende s`ka ardhur,
Piedestalet mbesin si varrre të hapur...

QAZIM D. SHEHU


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.