VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - POEMË PËR ISA BOLETININ(KUSHTUAR GJENERALIT ME PLIS TË BARDHË)Nga XHEMAIL PECI

                                                                                      

E Martë, 04.23.2024, 01:03pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
POEMË PËR ISA BOLETININ
(KUSHTUAR GJENERALIT ME PLIS TË BARDHË)
Nga XHEMAIL PECI

E Mërkurë, 11.26.2014, 02:19pm (GMT+1)



Sikur t'ishte pak ma i naltë qëllimi,/ Skëndërbeg të dytë kish me t'njof Ty, Shqypnia! (Hilë Mosi). Fushë Kosova, desh një mal,/ me Korabin tok të rrinin,/ dhe mbi djep të saj u ndal,/ rriti Isë Boletinin./ Dhe kur nxinë e bubullon,/ mbi Danub e mbi Ballkan,/ balli i burrit Boletin,/ brof e bumbullimat mban. (K. Petriti: Isa Boletini). Shkanë bedenë e nuk u shembe,/ shterrën gurra e nuk u shterre,/ nxinë mote e nuk u erre,/ ranë kulla e s'u batise,/ vdiqën krajla e ti jetove,/ le një sulm e tjetrin nise...(Bardhyl Londo: Isa Boletini) Mal përmbi mal, gjeneral përmbi gjeneralë! (Radio Tirana për Isa Boletinin).


1.

Çanin opingat me tufët e tyre të kuqe nga lindja në perëndim, nga jugu në veri,
Çanin shtigjeve të nëntorëve e thëllimeve të shekujve me zemrat Shqipëri,
çanin dallgëve të tërbuara të historisë, kaptonin male, pyje, fusha e shkrepat me gur'
me ballët Atdhe, me gjokset si shkëmb, me zemrat tek liria, çanin të ngrenin Flamur.
Priste Shqipëria e printe Çamëri-Kosova,
Ismail Qemal Flamuri e Isa Boletin Shqiponja:
Ja e ngrejmë Flamurin në Vlorë,
ja të vdesim more, ja të rrojmë!

2.

Gjëmonte zëri i tij: Kush ka thanë se s'ka Shqypni?!
Kah bukës i thonë bukë e kah ujit i thonë ujë,
Unë biri yt Kosovë, du me thanë se ka Shqypni!
Plisin përmbi vetull e armët brezit ngjeshur,
dy kobure shokës, Nëntorit i shkonte qeshur.

3.

Tokën tonë qe e thau osmanllia,
Lotët tanë s'mundën me e njomë!
E tash na kena me e vaditë,
me gjak të shqiptarit...
Nisnin poemën e madhe të zemrës së tij,
vijave të kufirit opingat e Martirit.
Gjashtë herë ia shembën Kullën,
po prapë Kështjellë e ngriti Krujën,
u zbrapsën knjazët me krajla e taborret e Stambollit
Kullës së Boletinit,
rapsodët i thurën këngë e poetët peng nderimi
iu falën prej vjershërimit,
dhe kënga mori shtat,
mes zjarrit dhe gjakut,
mes strallit dhe flakëve të barutit:
Kosova të lindi, o për Shqipërinë,
Shqipëria të tha: Bekuar qumësht i gjirit!

4.

Isa! Thërriste Kosova. Ai vrapin tek Shqipëria.
Isa! Thërriste Gryka e Kaçanikut.
Isa! Thërriste Shqipëria. Ai vrap e tek Kosova.
Isa! Thërrisnin Termopilet Shqiptare.
Isa! Gjëmonte piskama e Idriz Seferit,
e Mehmet Shpendi dhe Djelmënia e Shalës,
Flamurin e Arbërit si dikur Burrat e Motit,
e ngriste prapë ndër male.
Isa Boletini! Thërriste shteti i ri shqiptar,
dhe zë e zemër thërrisnin vijat e kufirit,
e Ai shkëmb në këmbë nisej drejt Shqipërisë,
t'i falej prej zemrës dhe shpirtit,
e zemër merrte Kombi,
shtigjet merrte Flamuri,
Atdheu dhe Liria:
UNË JAM MIRË,
KUR ASHT' MIRË SHQYPNIA!

5.

Niseshin opingat me baltë, opingat me strall,
opingat për tek balta e ëmbël si mjalta,
nagantë e rrethatore ngjeshur:
Përpara Shefqet Dërgut Pasha e prapa Esat Pashë Toptani,
qëllonte thikë e tradhtisë pas shpine,
përdredhur gjarpër i zi si nata,
qëndronte Shqipëria rrethuar me hijena,
me ujqër e nëperka, me thika dhe me shpata,
e zemra e tij grishej flakëve për liri,
hapur gjoksit sumbullat e xhamadanit,
mes Scillës dhe Haridbës,
mes zjarrit dhe gjakut,
mes kudhrës dhe çekanit,
flakë e strall ndizej atdheu,
për liri s'i falte Isai:
PËR SA T'JETË E GJALLË TRADHTIA,
MBAN ÇDO SHEKULL N'BREZ ALLTIA;
NJËQIND JETË ME I PASË,
KREJT SHQYPNISË IA FALI!

6.

Ai s'kishte të mbaruar akademi ushtarake,
me plane, harta, skica e kurse lufte,
Ai s'kishte as dëftesa, as diploma, as grada,
as ofiqe e as nishana përmbi supe,
Ai nuk joshej pas posteve,
e as jepej pas kolltuqeve me komoditetin e kohës,
Ai s'kishte as dekorata lufte,
e as stërvitje nëpër akademitë ushtarake
të Vjenës, Parisit, Berlinit, Stambollit a të Londrës!
Po edhe sikur t'ia jepnin,
vallë a nuk do të përgjigjej Ai si vetë Marko Boçari:
Diplomat do t'i marrim vetëm në pagëzimin e luftës!
Dhe firmën e vinte prapë shqiptari,
konstelacion i maleve qëndisur me flakë të pushkës.

7.

Me vete kishte malet dhe trimat.
Burrat me plisat e bardhë si kreshtat e Pashtrikut,
gjerdan në gjoksin e Atdheut,
nga Tivari në Prevezë,
nga Gryka e Otrantos tek Gryka e Kaçanikut,
pa pasur reparte a komandë me formacione ushtarake -
që presin të marrin urdhër me radhë!
Ata Kushtrimin e Atdheut për Komandë e kishin:
Ushtarë të Atdheut!
Dhe Zërin e Mëmëdheut
për Një Mijë e Nëntëqind e Dymbëdhjetën:
ZJARR!
Përpara!
Për Tokën tonë që e thau osmanllia:
PA VDEKË SHQIPTARËT,
JO NUK VDES SHQIPËRIA!

8.

Isa Boletini qëndronte në ballë e zemrën flamur e grishte,
Prapa i shkonte Kosova, Kosova me kullat dhe plisat,
Plisat e bardhë skuqur luftërave me gjak.
Përpara ishte Shqipëria.
Shqipëria thërriste,
Shqipëria priste:
Plisi i bardhë si bora e malit,
Krahu i djathtë i Ismail Qemalit.
HAK AS HILE S'I KEMI KËRKUJ'
SHQYPNI ASHT' KAH BUKËS I THONË BUKË,
E KAH UJIT I THONË UJË!

9.

Dhe përshpërisnin larotë e Ballkanit,
knjazat dhe krajlat e kancelarive të dredhive,
dhe mërmërisnin hijenat dhe çakajtë e çakërdisur,
nëpër strofujt e moçëm të nëperkave dhe të djajve.
Dhe shkruanin gazetat e metropoleve të Europës,
për Xhorxh Uashingtonin e Kosovës:
Isa Boletini. Isa Boletini me shqiptarët.
Isa Boletini me zogjtë e shqiponjës.
Seç shkruanin gazetat në faqet e tyre të para,
e me shkronja të mëdha si me qesëndi, bënin shaka:
MË NË FUND, E ÇARMATOSËM ISA BOLETININ!
E buzëqeshte shqiptarçe Ai, koburen nga brezi kur e nxori:
KRAJL AS MBRET, ARMËT S'M'I MORI!

10.

Vështronte Londra, mbushur mjergullash dhe mjekrrash,
diplomatë të thinjur, diplomatët e rrahur në vaj dhe në uthull:
Vallë, a nuk talleshin ata me Shqipërinë, si me një kukull?!
Ansambleja e mjekrrave të thinjura të politikës së Europës,
vështronte e habitur kostumin kombëtar të delegacionit shqiptar!
Dhe ndesheshin prapë vështrimet e shqiponjave
me vështrimet e dhelprave,
dhe ndesheshin prapë në cohët e gjelbërta
të tavolinave vezullonjëse të diplomacisë,
gjuha e plisave të dherit me gjuhën e shtrigave,
të nëperkave dhe të vetë dreqit,
gjuha e drejtësisë dhe e historisë së Shqipërisë,
me gjuhën e intrigave që thurën shekujt e padrejtësisë!
Ballë për ballë:
Ansambleja e mjekrrave të thinjura të diplomatëve
brutalë, hijerëndë e hileqarë -
prej Kongresit të Berlinit e deri tek Konferenca e Londrës!
Ballë për ballë:
Ansambleja e mjekrrave të thinjura të politikës së Europës,
diplomacia e saj e shastisur,
dhe gjuha e përgjakur e vijave të kufirit,
në klithmat e Çamëri-Kosovës.

11.

Këndoi rapsodi në telat e zgavruar të drurit të qershisë:
Isa Boletini, sa na ka marrë malli,
të të prekim dorën, të të puthim tek balli!
Në Mitrovicë, tek ato kodrina,
shtrihen ca fusha, ku lindin veç trima.
Lindi toka, trima patriotë,
që hasmit sofrën ia shtruan me barot.
E Isa Boletini, Nëntor për në Nëntor:
Niset për në Vlorë, e i falet Shqipërisë:
NË GJUNJË, VETËM PËRPARA FLAMURIT.
Ai që malet e Atdheut i kishte për krahë lufte,
Ai që fushën kish për sofër e gjoksin n'plumba pushke,
Ai që pagëzimin dhe bekimin e tokës shqiptare mori Nëntorit:
USHTAR I ATDHEUT, HERO I POPULLIT.
Kosovën shpalosur krahanorit:
MAL PËRMBI MAL,
GJENERAL PËRMBI GJENERALË.
E lart e ngriste fjala e Luigj Gurakuqit,
dora e penës dhe e pushkës së Hilë Mosit,
e fort i falej dhe pena e Sotir Pecit,
e njëlloj-nëpër gurët e çmuar të oratorisë së tij,
edhe zemër e mallëngjyer e Fan Nolit.
NJËZET BURRA FALI DERA E BOLETINËVE,
FLAMURIT, KOMBIT, GJUHËS,
ATDHEUT DHE LIRISË.
Ç'të falte tjetër e ç'të bënte më,
në poemat e opingave me tufët ngjyrë gjaku,
e në rrugën e madhe të pavdekësisë:
NJËQIND JETË ME I PASË,
NJËQIND IA FALI:
VETËM SHQIPËRISË!

12.

Si në çdo mot, edhe sot,
po vie Isa Boletini!
Po vie që të prehet sot e mot në pavdekësi,
aty ku nesër do të ketë një akademi,
një akademi me emër të një kryetrimi:
AKADEMIA USHTARAKE ISA BOLETINI.
Po vie prapë Ai,
po bie aty ku pa diellin për herë të parë,
aty ku dëgjoi këngën e djepit shqip,
aty ku armikun e priti me plumba,
aty ku mikut iu shtrua sofra me besë e bukë e kripë,
aty ku majat e plisave qiellit u ngjitën si pëllumba,
aty kah bukës i thonë bukë e ujit ujë,
atu ku u betua të mos i nënshtrohej askuj,
aty ku lidhi opingat për herë të parë,
aty ku u vuri tufët e kuqe që të ndizeshin flakë e strall,
aty ku mbathi opingat me bubullima,
aty prej ku u nis drejt armiqve si një tërmet,
aty ku prej gjoksit shpalosi vetëtima me rrufetë,
aty ku e vuri plisin e bardhë si borë mbi vetull,
aty ku rri sogjetar amshimi për çdo shekull:
Në Tokën Mëmë, jam vetë Ilir, Dardan e Mbret.
Po vie nga rrugëtimi i gjatë,
Kalorës i Lirisë së Shqipërisë,
Po vie BACA ISË!
Po vie e për sfidë e shtrinë pelerinatën e gjakut:
Pelerinatën e gjakut e shtriu kur mbiu,
si feniks prej hirit, si salamander prej zjarrit,
përmbi Pirgun e Zi të Beligradit,
tek zbritën si Vezufi me llavën e vet,
njëri me kobure e tjetri me pergament:
Isa Boletini e Ismail Qemali-dora vetë!...
Po kthehet si shqiponja në çerdhen e vet,
aty ku një zjarr i shenjtë atdhedashurie e pret,
e hija e tij po ndalet pak edhe në Parlament,
ku me gjakun e tij, vëllezërve zë e u flet:
Përmbi ngërçin, gjaku i të rënëve po thërret!
Po thërret ëndrra e martirëve të lirisë,
Atdheu dhe e ardhmja e tij:
Po Ju pret!...
Po kthehet Martiri i Kombit e Heroi i Tij,
po vie Gjenerali me Plis të Bardhë,
po kthehet në gjirin e Tokës Mëmë,
po kthehet për ta mbajtur fjalën e dhënë,
po vie për të thënë me atë gjuhë përjetësie,
kur Ismail Qemali në Vlorë,
i vuri shqipes kurorë:
PO TË JENI TË BASHKUAR,
ËSHTË E BËRË SHQIPËRIA!
Si në çdo mot, edhe sot:
PO VIE ISA BOLETINI!
Përpara i del një komb i tërë,
e Kosova i thotë me lot:
MIRË SE MË KE ARDHË!
Shqipëria, që ka aq mall për atë Ballë,
i thotë, tek e përqafon kaq fort:
ISA BOLETINI,
MIRË SE NA KE ARDHË!
GJENERAL ME PLIS TË BARDHË...

XHEMAIL PECI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
KUKULLAPortreti i nënësNga ISMAIL KADARE (11.25.2014)
GJITHË KU PREK NDJENJACikël poetik nga VASIL TABAKU (11.24.2014)
YJETPoezi nga QAZIM D.SHEHU (11.24.2014)
AI LUM KURRË S'MA PRISHI GJUMINCikël poetik nga PATRIK SADIKAJ (11.23.2014)
TRI POEZI NGA MICHAEL AJZENBERGPërktheu: FASLLI HALITI (11.22.2014)
KUR SHEH TË RRËZOHEN GJETHET E ËNDRRAVECikël i ri poetik nga REXHEP SHAHU (11.22.2014)
APOKALIPTIKEProzë nga QERIM SKËNDERAJ (11.22.2014)
UNË ISHA ATYTregim nga PËRPARIM HYSI (11.21.2014)
DRITË, PAQE DHE DASHURIPoezi nga L. HOUSMANPërktheu: FASLLI HALITI (11.21.2014)
AI ECTE ME DIELLIN E LIRISËCikël poetik nga KUJTIM MATELIKushtuar gjithë shqiptarëve që i pritën me armë e urrejtje pushtuesit fashistë e nazistë (11.20.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]