VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
HISTORIA E SHALUAR NGA HIJA Cikël poetik nga ANTON PAPLEKA E Premte, 12.05.2014, 11:14pm (GMT1) NË LABIRINTIN E POEMËS Atë ditë që hyra në labirintin e Poemës Nuk e dija se aty brenda Më kishte zënë pritë Minotauri Kam vite që udhëtoj Pa mundur ta gjej derën për të dalë së andejmi As Minotaurin nuk e kam takuar ballë për ballë Vetëm ia kam dëgjuar nga larg Bulurimat e llahtarshme... Më kot ëndërrova Më kot prita Të takoja Arianën Që do të më jepte fillin shpëtimtar Tashti jam i bindur Se jetën do ta ngrys Duke u vërtitur në labirintin e Poemës Tingujt e fundit që do të dëgjoj Do të jenë bulurimat e llahtarshme të Minotaurit Që përplasen pas mureve... PËRRALLË PËR VIJËN DHE PËR HIJEN Vija, vija Ku të përgjon hija Hija e tokës Të godet prapa kokës Agsholit i pushoi zemra Mbeti i varur si kufoma e të arratisurit Në telat me gjemba... Nuk përgjigjet as vija, as hija Tokën e kokën i rrëmbeu mëmëlubia Në hullitë e kujtesës djalli mbjell Farë ëndrrash të këqija Rreth plepit plim me harabela Tërhuzen e hingëllijnë njëqind pela Vija të thyera Ku ngecën shpresat e fyera Lulëkuqet e shqyera Vija, vija Shina të ndryshkura ku rrokulliset historia Historia E shaluar nga hija Natë e ditë çukërmon te vija... HIJA E NJË ZOGU Më rrëshqet mbi fytyrë hija e një zogu Që gjakon të m'i çukitë sytë Nuk ia dal mbanë ta përzë këtë zog Që quhet kohë Njëra flatër e tij është prej flake Flatra tjetër e tij është prej hiri Nuk e di si të shpëtoj nga hija e tij Nga sqepi i tij i përgjakur Krrokamat e tij mbushin heshtjen Në bjeshkë e në vërri Dielli nuk pranon të më falë një rreze Për t'ia ngulur si shigjetë në zemër Më rrëshqet mbi fytyrë hija e një zogu Që të m'i çukitë sytë... KRIMI I BERTOLT BREHTIT Një natë prej netësh Për shkak të pagjumësisë Ose për shkak të asaj dehjeje që quhet frymëzim Dramaturgut gjerman Bertolt Brehti Iu duk vetja taumaturg Dhe nga mendja e tij sajoi një përbindësh Që e pagëzoi Arturo Ui Së pari ky përbindësh i urryer U hodh në sulm dhe pushtoi teatrot Kudo nëpër botë Duke korrur duartrorkitje të pafundme Për vete dhe për babanë e tij Dramaturgun gjerman Bertolt Brehti I pakënaqur nga sukseset që arriti Arturo Ui braktisi librat ku banonte Braktisi edhe skenat e teatrove Dhe zbriti në botën reale Ku solli në jetë bij dhe nipër Pasardhësit e Arturo Ui-së Kolonizuan mbarë botën Themeluan parti politike Fituan fushatat e zgjedhjeve U kurorëzuan kryeministra, presidentë U adhuruan si zota nga turmat e fanatizuara Madje ata shkruan libra si stërgjyshi i tyre Dramaturgu gjerman Bertolt Brehti Popujt e shtypur nga tirania e llahtarshme E pjellës së urryer të Arturo Ui-së E mallkuan nga zemra Atë krimimel që u bë taumaturg Dramaturgun gjerman Bertolt Brehti Që solli në jetë këtë murtajë të zezë E cila bëri kërdi në planetin tonë... Për fat të keq Ky lloj përbindëshi nuk rrezikohet të shfaroset! VDEKJA ËSHTË PIKËRISHT KJO GJË Në tryezën time gjeta një zarf Ku ishte shkruar adresa e një poeti Të vdekur disa muaj më parë Dhe unë thashë me vete Se vdekja është pikërisht kjo gjë: Adresa e një miku të vdekur Të cilit nuk mund t'i shkruash më Ti nuk mund t'i çosh askund Kartolina Mesazhe të gjata, të shkurtra apo të koduara... As me avionë As me postë elektronike As me ëndrra paralajmëruese Asnjë nga mesazhet e tua Nuk do të mbërrijë tek i vdekuri Komunikimi me të është po aq i pamundur Sa me një galaktikë të largët në qiell Vdekja e një njeriu është pikërisht kjo gjë: Gjasmimi i Atlantidës që u fundos Në humbëtirat e detit! MUND TË NDODHË SI NË ËNDRRA E bukura syrin si yll Kur e çel e kur e mbyll Si hëna që ndrit në pyll... (Nga një lirikë shqiptare) Mund të ndodhë si në ëndrra Të takosh një yll në rrugë Ti mund t'i thuash : Mirëdita! Si një kalimtari që e ke njohur diku Dhe për çudinë tënde ylli mund të buzëqeshë Mund të ndodhë si në ëndrra T'i mbushësh sytë me vezullimin e një ylli Dhe ta ndiesh veten sikur ke pirë Disa gllënjka verë rituale Në kupën e kaltër të qiellit të natës Mund të ndodhë si në ëndrra Të soditësh një yll që ndrit Dhe të vësh re se rrezet e tij Janë qerpikët e syve që i çel e i mbyll E bukura me emër ylli Mund të ndodhë si në ëndrra Të takosh një yll në një rrugë Dhe falë këtij takimi të pandehësh E në vend të një rruge të zakonshme Ti ecën në kalldrëmin e Udhës së Qumështit... SYTË E TU Yjtë më të mëdhenj më vështrojnë me sytë e tu. - Pablo Neruda Duke parë sytë e tu, them me vete Se sy të tillë janë yje që kanë zbritur Nga qielli i kaltër Për të zënë vend në fytyrën tënde Sytë e tu janë dy burime Ku dita vjen të pijë Për të shtuar dritën e saj Duke parë sytë e tu, mendoj me drithërimë Se po t'i mungonin këto ninëza të ndritshme Kjo botë e zymtë, e mbuluar nga smogu Do të ishte humbëtirë e errët Natë dimri pa hënë e pa yje... Por ja ku i hapin qepallat Sytë e tu që qeshin Dhe bota i ngjan horizontit në ag I ngjan qiellit në muzg Kur ia behin yjtë e parë Dita është më shumë ditë Nata nuk mund të jetë plotësisht natë Aty ku qeshin sytë e tu Binjakë të yjve që ndizen në qiellin e paanë.. SIMPLEGADET E MIA Malet e larta Rreth luginës ku kam lindur Ishin Simplegadet e mia Më vonë Ato male të larta që preknin qiellin I kam ngatërruar në fantazinë time prej fëmije Me malet magjike të përrallave Që hapeshin e mbylleshin vetëtimthi Duke kaluar nëpër qafat e atyre maleve Duke u larguar nga lugina ku kam lindur Nuk e gjeta dot Bashkën e Artë Dhe brigjet e Kolkidës U zhdukën para meje si brigje ëndrrash... Jam i trishtuar Që nuk munda ta shtie në dorë Bashkën e Artë Po kam një besim të patundur Se edhe më i trishtuar do të isha Po të mos kisha kaluar përtej Simplegadeve të mia: Malet e larta rreth luginës ku kam lindur ANTON PAPLEKA
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |