VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NË BUKË LAJTHISH KUJTIMIN PJEK
Poezi të reja nga QAZIM D.SHEHU

E Mërkurë, 12.17.2014, 12:36pm (GMT1)


NË BUKË LAJTHISH KUJTIMIN PJEK

+++
Ti ende s`e di ,as mund ta dish,
Çfarë heshturazi brenda teje vibron,
Kur çapitesh në një shteg lajthishë,
Poshtë bregut kur përroi mërmëron.
Si hidhet drejt teje copw- copë,
Dielli, prerë nga krahët e pemëve,
Dhe hijet lëshohen flokë, flokë,
Me një një shushuritje të dehur.
Sa bën të kapërcesh atë shteg,
Të dalësh në përvojën pa pemë,
Vë re se dielli më s`të ndjek,
Në bukë lajthishë ngjyrë verdhëremë,
Zemrën tënde aty pjek...

SYTË E TU
Çfarë shkau në sytë e dtu,
Një diferencë ngjyrash pa bujë,
Hark ylberi mbi ujë
Pa iu rrëfyer tjetërkuj.
Vërtet ngjyrat pinë ujë
Apo uji nga to ndizet e vuan,
Këtë s`e thua për sytë e tu
Ngjyra e imtë aty  veten shuan...

O VENDE TË MIA..
O vende të mia, brigje,
Dallgë të ngrira, që kur toka,
Në pezm, kështu s`desh të ishte,
Pa ato lugina e kodra.
Ndoshta më e bukur të qe,
Ajo dëshëroi e s`mundi,
Pa malet me kokën në re,
Pa greminat që hijen shkundin.
Dhe pa ato ara të pakta
Pa djerrinat dhe gurët,pa,
Që të mbetej kështu e varfër,
Gjithnjë në grindje njeriu aty ra.
Tani ky mendim gjithnjë sillet
Duke menduar një tjetër vend
Ndaj gjithnjë ,njëri -tjetrit
Ne i lavdërohemi , shesim mend:
Në fshatin tënd as pula s`ha gurë,
Të thërmohet guri s`mundet,
Aty shejtani lëkurën e murrmë,
E rruan thatë e nga gajasja shkundet.
Ç`të marrë që jemi-tokën zoti,
Një herë e krijoi me dëshirë,
Dhe  ne na zgjodhi   që moti,
Ta duam duke psherëtirë...

VIOLINË E DITËS
Violinë e ditës tingujëmbël,
Kërkon duart që rrinë kot,
Zemrën që përzë këngën
Pa derdhur një pikë lot.

Në rreze të diellit ajo varet,
Në yje të kujtesës guximtare,
Me frushull të mistertë ujëvare,
Fshin buzët me petale ajri.

Filtri i marrë i gjelbërimit
I thith tingujt për habi,
Dhe degët në një lis harbimi
Zgjaten për violi.

Kërkoj një emër dhe më sillet
Shubert, Moxart,Bah,
Lisi që në ajër dridhet,
Violinën e ditës mban në krah...

LOJË E MUNGESËS
Exkomunikim

Nuk është faji yt, ti je gatuar,
Karakteropat  i dështuar.
Erë e hidhur në djegie të kohës,
Herdhe e ngrirë e dëborës.

Bisturi e fatit kur u ndërsy,
Jetove ti me egërsirat,
Ato fshehtas jetuan me ty.

Tani fajin seç e mbart,
Fjalë që nuk merr xixë,
Gur i rrokullisur në shpat,
Arsye e çjerrë pa një dritë...

TË MERRJA...
Të merrja atë grumbull reshë,
Në zjarr të diellit krejt t`i digjja,
Argjendin e tyre krejt pa peshë,
Në zemrërim të vet ai ta shkrinte.
Dhe që nga lart pastaj ta hidhte,
Në një fjalë që kush s`e mbajti  mend,
Gjithnjë në argjend ajo do ndrinte,
Dhe bindshëm do zinte vend...

DJALLUSHKË
Ika prej teje si nga djalli,
I pafuqishëm  veten të bind,
Pas ca kohe më përvëloi malli,
Djalli më pushtonte si xhind.
E di, po të afrohem dhe pak,
Zjarr dashurie do teshtijë,
Ai do bindet se pa djall,
Dashuria nuk rikthehet të vijë...

QAZIM D. SHEHU


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.