E Premte, 03.29.2024, 03:52pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
JEHONA DHE DILEMAT E NJË POEME
Esé për poemën 'Dielli dhe rrëkerat' të Faslli Halitit
Nga QERIM SKËNDERAJ

E Hënë, 12.22.2014, 11:01am (GMT+1)


U botua në vitin 1972, plot dyzetë e dy vjet më parë, kur isha njëzetë e dy vjeç. Dy herë i izoluar, si vend, në karaburun, dhe si ushtarak, i ushqyer nga një lloj kodi që të mbante brenda kornizës jeshile, nuk mendoja se jehona e saj mund të mbrrinte deri aty. Në fakt, nuk kisha asnjë informacion për publikimin e poemës deri në momentin kur filloi goditja ndaj autorit. As këtë të fundit nuk e njihja. Nuk e kisha parë kurr dhe as kisha dëgjuar për krijimtarinë e tij.

Një miku im, letrar i zellshëm i poezisë së asaj kohe, kishte mundur ta lexonte, të mbante mend titullin dhe strofën e parë. Kur kaloi aty, vendosi të pushojë pak për t'u shlodhur dhe për të shpenzuar dy fjalë me një njeri që i "haej muhabeti". Kishte ende rrugë për të bërë dhe deshi të shkarkoj diçka nga "pesha" për të vazhduar udhëtimin më i lehtësuar. Goditja e autorit e kishte "goditur" dhe atë, ndaj vendosi të ndaj me mua ndjenjën e trazuar. Njerzit që janë të izoluar kanë nevojë të shprehen, sidomos kur aty i ka çuar e njëjta "drejtësi". Kur flasin me atë që i besojnë, ndihen më të ngushëlluar e më të motivuar për punën që bëjnë.

Miku im, nuk u mendua dy herë, për t'më thënë atë që kishte dëgjuar. Hyri drejtë e në temë. "Është 'goditur' njëri nga poetët e mi të preferuar", tha. "Ka shkruar gazeta lokale". Unë vazhdoja të bëja indiferentin deri në momentin që përmendi titullin e poemës "Dielli dhe rrëkerat" dhe recitoi strofën e parë. Nuk e di pse m'u fiksua se emri i autorit Faslli Haliti, kishte të njëjtën përmbajtje me titullin e poemës. Nga ata dy emra me lidhëz në mes, lexoja tri gjëra. Diell, shi dhe rrëkera. "Dielli dhe rrëkerat" më tingëlloi paradoks dhe mundohesha t'i jepja kuptim nëpërmjet shiut. Rrëkera pa shi nuk ka dhe shiu nuk mund të bjerë ditën me diell. Vrava pak mendjen dhe kuptova se "Dielli" ishte alegorik. Ishte ai "diell" që shpërndante rreze shumë më larg se Karaburuni ku punoja unë. Vura buzën në gaz për të shfaqur një nënqeshje të "kursyer" dhe i kërkova bashkëbiseduesit t'më recitonte strofën e parë që mbante mend:

Çatia e shtëpisë sime është qaramane.
Shtëpia ime është sentimentale,
Dy re në qiell
Ajo vu lotët,
Dy re në qiell
Ajo vu me të madhe.


Sa mbaroi recitimin, nënqeshja ime u bë qeshje e vërtetë, madje me zë dhe shprehu një kënaqësi që nuk e mbulova dot. Ne ishim dy miq të një moshe dhe na pëlqente të bënim një lloj çapkëni kontravers. E dinim mirë që "Dielli" nuk ndriçonte vetëm me rreze por edhe me "vesh", ndaj edhe tingujt e zërit i kontrollonim që të mos dilnin nga zyra ku po flisnim.

"E paska shkelur, Faslliu", thashë. "Kaq i ftohtë qenka dielli i tij, sa nuk shpërndan dot dy re të vetmuara? Mjerë të pastrehët kur i gjithë qielli mbulohet me re!" Miku im ushtarak ngazëlleu i tëri nga interpretimi im.

U ndava me të dhe nuk fola kurr më, as për poemën, as për autorin. Megjithatë në memorien time ishte regjistruar diçka ndryshe nga leximet e përditshme të librave apo shtypit të kohës.

Mesi i viteve tetëdhjetë me gjeti në Lushnje. Autori i poemës së ndaluar kishte kryer dënimin dhe ishte rehabilituar në jetën shoqërore të atij realiteti ku bënim pjesë të gjithë. Unë kisha shkruar disa artikuj në shtypin ushtarak, por përmbajtja e tyre ishte shumë larg "letërsisë së Faslliut". Tashmë kisha lexuar më shumë për të në gazetat letrare. Arti i tij, më vinte ndryshe në stil e përmbajtje. Më kishte bërë për vete dhe doja t'i afrohesha për të pasur më pranë magjinë që zotëronte. Përveç kësaj, kishte diçka tjetër, që më shtynte drejt tij. Ishte vetë Faslliu, ende "enigmë" për mua dhe dilemat që kishte shkaktuar poema e tij. Për të, ishte folur gjithandej, në qendër e në bazë. Ishin marrë të mëdhenjë e të vegjël. Kishin qënë "pro" e "kundër", por sigurisht më shumë "kundër". Këta të fundit e "antarësuan" në kooperativën bujqësore për të prashitur misër e duhan. Pati dhe shkrimtarë të njohur e figura të larta sociale, që në fillim u vunë në krahë të autorit, por më pas i përtypën fjalët dhe i tretën në stomak, të tmerruar nga guximi krijues që ishte hedhur si e zezë mbi të bardhë. Të gjitha këto ishin të panjohura për mua. Nuk m'i tregonte askush, se isha i ardhur dhe pa miq vendas.

Me drojën e nxënësit për mësuesin e adhuruar, iu afrova duke shfrytëzuar një vizatim të tim biri për rrethin e pikturës së qytetit, drejtuar na Faslliu piktor! Më ngjiti biseda me fjalën e parë. Ata që mirkuptohen kanë një kod, i cili lexohet edhe pa folur. E kuptova menjëherë, që më pranoi, e më bëri pjesë të asaj shoqërie që i pëlqente. U ndjeva i lumtur. Do të bisedoja me një njeri që nuk fliste gjuhën e konsumuar të përditshmërisë. Kryefjala e tij ishte Majakovski, Kadare, Dante, Gëte, të gjithë gjigandët e letërsisë shqipëtare e botërore. Në krah të Faslliut, kulturës time po i shtohej një dimesion i ri, ai letrarë, shumë i mangët deri në atë kohë. I recitoja poezitë e tij të botuara dhe ai më lexonte ato të "ndaluara". Njëra prej tyre më mbeti në mëndje, jo aq për artin, se sa për mesazhin që përcillte. Po mundohem ta riprodhoj pa qënë e sigurt se i qëndroj besnik origjinalit:

U pash në pasqyrë
Dhe vura re se isha fryrë!
Faqet ishin skuqur,
Qafa më qe trashur,
Isha bërë me bark.
Çudi!
Shoh rretheqark,
Asnjë puntor,
Asnjë kooperativist
Me bark!...


Kjo ishte njëra nga të shumtat poezi të "sirtarit", të cilat mi "dhuronte" për t'i kyçur në kasafortën personale. Edhe unë i besoja copëza të shpirtit, nga ato që nuk mund t'u besoheshin të gjithëve. Dhamë e morëm shumë me njëri tjetrin, por për poemën në fjalë, nuk folëm asnjëherë. Hija e saj, ishte ende shumë e errët për "diellin", i cili ia kishte inatin autorit dhe po t'i gjente rastin, nga shtëpia "sentimentale" që i venin "vu lotët", mund ta strehonte në një tjetër pa lotë e pa dritë, për të mos e parë kurr diellin e jetës njerzore.

Vetë Faslliu ishte një diell poetik që dhuronte rreze pa kursim për poetët lushnjar.

Mos harro
(shkruan ai)
Kur ti ishe vetëm një bifkë e blertë
Kur ty s'të merrte asnjëri për grurë,
Kur ty s'të dallonte askush nga bari,
Unë pash tek ti kallirin,
Dallova tek ti, kokrrat,
I pari!

(Mos harro)

Pra ai jo vetëm dallonte kokrrën i pari, por edhe të inkurajonte të mbillje pa hezitim, kur shihte që edhe fara ishte e shëndoshë. E kam ndjerë këtë brenda meje. Rrezet e tij ngrohën ndjenjën time, nga e cila mbiu lulja e poezisë. E kisha pritur atë "ngrohje" dhe ma dha vetëm bujaria e Faslli Halitit.

Fillimi i viteve nëntëdhjetë na ndau, dhe unë u enda udhëve të fatit për të zgjidhur hallet e një tranzicioni të gjatë. Nuk gjeta kohë e mundësi as të lexoja poemën e as të flisja me autorin. Tani që jam kthyer nga emigracioni, shkrova këtë shkrim, i nxitur nga ripublikimi i saj pas dyzetë e dy vjetësh, por edhe në shenjë mirënjohje për poetin që vazhdon të më befasojë, njësoj si atë ditë, kur i vajta për herë të parë, me një tufë poezish në bllokun tim të trembur.

QERIM SKËNDERAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
MËNGJESET E BARDHA NË KAFE 'ROSTAND'Esse nga PERPARIM HYSI (12.21.2014)
PËRMIRËSOHET NDJESHËM SHËNDETI I SHKRIMTARIT TË SHQUAR NAUM PRIFTI (12.21.2014)
RRËZË SHELGUT TË PIKËLLUAR QANTE DITACikël poezish nga ADEM ZAPLLUZHA (12.20.2014)
ROMANI SI NJË DEZHAVY E NJË JETE(Mbi romanin “Ankthi i së vërtetës” të Mjeshtres Madhe të Penës Vilhelme Vranar (Haxhiraj)Nga VLADIMIR MUÇA (12.20.2014)
ATDHEU NIS TEK ZEMRA- poemë për shpërnguljenNga RRUSTEM GECI (12.20.2014)
KUR PEMA BIE NËN PEMËRomani " Pavijoni i "filozofëve" të Ilinden SpassesEsse nga PËRPARIM  HYSI (12.19.2014)
JO REQUIEM - PËR SKËNDER DRININ, I FUNDMI I DISIDENTËVENga ZIJA VUKAJ (12.19.2014)
'NË KUJTIM TË ROZIT - ANTONI'Nga ANTON ÇEFA (12.19.2014)
TUPIPërrallë nga MIMOZA DAJÇI (12.19.2014)
KUR ARSHI PIPA JOSHEJ NGA SHKRIMET E DE RADËS (12.18.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 

 
VOAL
[Shko lart�]