VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MËNGJESE TË NJË KOHE QË SHKOI
Cikël me lirika nga PËRPARIM HYSI

E Premte, 12.26.2014, 07:58pm (GMT1)


Imazh

Dy krahë femre, të zhveshur gjer në supe
Të bardhë e të hajthëm u zgjatën drejt meje
Nuk më kujtohen, në qenë zonje a zonjusheje
Jam aq i ngazëllyer sa nuk mbahem hareje.

Kam hare e gaz sa hiç nuk mbahem
Kënaqësia që ndjej më shihet në sy
Imazhet i kujtoj dhe me veten zë hahem:
Ah, që nuk bëhem dhe njëherë i ri!

Pa titull

Njerëzit dashurojnë, pa vënë re, praninë e ndjenjave
Ndodh ndonjëherë që ka dhe fund të pashmangshëm
Tek shkruaj kështu, s'jam larg të vërtetave
E kam pësuar dhe ndaj jam i "alarmshëm"

Ka çaste dhe momente krejt të sinqerta
Shpalosen mes tyre dhe fllade pasioni
Vjen koha tjetër: pleqërishkreta!
Dhe zë që pasionin ta grryejë erozioni.

Natë vjeshte

Yjet rrezëllitës vezullojnë hareshëm
Ngjajnë si fenerë varur mbi drurët e përgjumur
Unë zë i vështroj, se jam krejt i ngeshëm
Dhe humb mendimesh në një kohë të "humbur"

Ç'natë e veçantë në këtë vjeshtë të vonë
Të duket sikur vjeshta po çapit ngadalë
Sado i përhumbur, por mendja më shkon
Në një natë si kjo, por kur isha djalë.

Pa zë sulem tutje, tutje djalërisë
Në një natë si kjo, kam qenë me "atë"
Moj vjeshtë e dikurshme, vjeshtë e dashurisë
Në këtë natë me yje, një lemzë më zë.

Griq-griq më griu... dhe nuk më lëshon
Pse çapit ngadalë, o moj vjeshtë e vonë?!...

"Nyja Gordiane"

Nyjen Gordiane do ta pres me shpatë
Ashtu siç e preu Aleksandri i Maqedonisë
Se nuk duroj, ta dish, moj buzëmjaltë
Kam rënë në rrjetën tënde të dashurisë.

Jam munduar shumë që veten ta zotëroj
Po ja që nuk duroj dot më.
Ah, sikur ta dini se sa ju dashuroj!
Dashuria? Është një "grip" që më zë.

Më zë ky "grip" dhe hiç nuk ka shërim
Kot kanë shkuar vaksina a ilaçe
Dhe kam arritur veç në një përfundim:
Më shëron veç ti, o moj buzëmjalte!

Nuk e shqiptoj dot emrin tënd
Se kam frikë se mos del bashkë me shpirtin
Sa më dhëmb ky shpirt! Sa më dhëmb!
Dhimbja më ka pushtur të gjithin.

Tiranë, 27 nëntor- 20 dhjetor 2014

PËRPARIM HYSI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.