VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PANXHARËT E KUQ dhe ÇARLÇAPLINI
THANI NAQO, fragment nga romani 'Pezhishka'

E Djelë, 12.28.2014, 11:09pm (GMT1)


....................
I vetmi person, që takohej rregullisht, ishte profesori i filozofisë, të cilin gjimnazistët e thërrisnin me nofkën Lenini i Vogël. Profesori kishte erdhur në Amerikë pesë vite të shkuara e jetonte në një apartament me të bijën, Migenën. Deri para dy viteve kafen e pinin tek klubi "Patrioti", ku mblidheshin emigrantët shqiptarë. Mirëpo, kur plasi Sherri Politik dhe një mbeti i vrarë me kaçavidhë në gjoks, Artan Bareli dhe Lenini i Vogël preferuan klubin "Utopia", pavarësisht se aty nuk bëhej Kafe Turke e as servirej Raki Skrapari. Mirëpo, pas dy javësh, një shqiptar i panjohur, por që nga dialekti dukej se ishte nga anët e tyre, tregoi me gisht Leninin e Vogël, pastaj Artan Barelin e tha me ironi fyese:
"Amerika ka shpirtin e gjërë; pranon edhe Panxharë të Kuq."
"Më mirë Panxhar i Kuq se sa Rudibaga, 1) si puna jote," - i qe përgjigjur Artan Bareli dhe, për herë të parë në jetën e tij, kishte marë pamjen luftarake të ndeshjes me grushta.
Tek "Utopia" shërbehej kafe ekspres, për një dollar e një çerek. Pije alkolike, të markave të ndryshme, nga dy deri në tre dollarë doza; aq më mirë se në verandë lejohej pirja e duhanit. Mbasditeve, kur dielli anohej në anën tjetër, veranda rrihej nga rrymat e ajrit që vinin nga oqeani ose nga lëvizja e shpejtë e makinave. Nga aty mund të shihje streepdancueset 2) kur dilnin galic nga dera e pasme e klubit Zogu i Kaltër. Artan Bareli dhe Lenini i Vogël nuk i binin në sy njëri-tjetrit e hiqeshin sikur nuk shikonin çfarë ndodhte mbrapa kazanit të plehrave e në sediljet e makinave. I ashtuquajturi Çarlçaplini, ndihmësi i Artan Barelit në mirëmbajtje oborresh, i cili siç kishte talentin të imitonte majmunët, ashtu kishte edhe zotësinë për t'u kacavirur nëpër pemë, ëndërronte të bëhej aktor i Hollivudit. Çarlçaplini ishte klient i rregullt i Klubeve të Natës e thoshte se një shishe birrë Heineken aty paguhej shtatë dollarë, kurse Gjysëmorshi Erotik pesëdhjetë dollarë. Me Çarlçaplinin Artan Bareli nuk ishte takuar që kur plasi Kriza Financiare; padyshim, ndihmësi i tij kishte hequr dorë nga Klubet e Natës, përderisa nuk i funksiononte telefoni celular.
"Ose, - mendon tani, - Çarlçaplini ja ka mbathur në ndonjë shtet tjetër."
"Aktorë të mëdhenj bëhen ata që imitojnë veten e tyre e jo të tjerët," - i kishte thënë Lenini i Vogël Çarlçaplinit.
Ditën e fundit, që punuan bashkë, ndihmësi i tij ishte gëzuar kur ustaj i dhuroi njëqind dollarë. Para se të ndaheshin imitoi Leninin e Vogël, pastaj Prostitutën Ruse.
Ndërsa u mëshoi pedaleve të biçikletës, Çarlçaplini imitoi edhe zërat e tyre:
"Kriza e Benzinës shvlerëson Çmimin Erotik..."
"...por jo për leninistët, tavarish!"
...................................

THANI NAQO


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.