VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ARIXHESHKA
Tri poezi nga QAZIM SHEHU

E Shtunë, 01.03.2015, 09:59pm (GMT1)


ARIXHESHKA

Në vijat e pëllëmbës vetëtimëshuar,

Shënohet fat i heshtur.

E pres fallxhoren për ta lexuar,

Mbas shtegut me gjineshtër.

 

Kjo arixheshkë këmbë zbathur,

Me diellin e botës në lëkurë,

Me sytë e zi si fat i ardhur,

M`i miklon vijat në pëllëmbë.

 

Dhe sytë më mbetën tek ajo,

Harrova fjalët për ç`më tha,

Sikur ta dija në më do,

Sikur ta doja bukurinë e saj.

 

Kur kërkoi  paret seç më fiku,

Krej e shkujdesur, fjalëmirë,

 Shputën grusht  e vërtita

Si gjyle të kotë në hapësirë...



METAFORË E LIRISË


Njerëzit, shpinë më shpinë

Ndaheshin në Qafë Morinë.

Dikur aty ecte vetëm ajri,

Por jo shqiptari tek shqiptari.

Metaforë e lirisë rrinte e trullosur,

Fjala serbe me shqipen e plagosur.

Sot, more burra, në Qafë Morinë,

Duke harruar akujt që këtu ngrinë,

Ende seç rri një cipë prej tyre,

Një rutinë vulash si verbëri e syve,

Një dallim krahinash pa kuptim,

Metaforë e lirisë këmbët ngadalë shtrin...



HISTORIA


Mos shko kurrë afër të vërtetave,

Afër gënjeshtrave shko.

Nëse futesh në luginë të mbretërve,

Një përrallë të Andersenit kujto

 

I mbytën të vërtetat këta mbretër,

Me gjakun blu aristokratik,

Gjak i të pafajshmëve nëpër mjekër,

U ra në prehër si acid.

 

Dhe, çuditërisht ,historia

Shënohet veç me ta,

Aty është  turpi dhe lavdia,

Dhe pluhuri i kohës tek ra.

 

Sa e padrejtë kjo kokonë,

Kjo dredharake e pështirë,

Me prijësa që s`e meritojnë

Edhe një fjalë për mëshirë...

QAZIM SHEHU


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.