VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Një nga librat më të bukur të poezisë shqipe Nga Qazim D. Shehu E Hënë, 01.11.2010, 11:12am (GMT1)
Skënder Buçpapaj, ashtu si Martin Camaj, është një poet i rëndësishëm i letërsisë shqipe, si ai merguar në Europë dhe rikijuar Atdheun përmes metaforash të dhimbjes. Atje ai e tjerr këtë kulturë duke rritur shtatin e veprës së vet, me një emancipim të vetëdijshem e modern të verbit poetik. Po ashtu si Martin Camaj, Buçpapaj është poeti që nuk e harron rrënjen e malësorit shqiptar, veçse ia forcon më shumë filizat kësaj rrënje në truallin prej nga vjen, duke i dhënë një frymë të përbotshme dhimbje. Në kushtet e qarkullimit dhe çngjyrosjes së kulturave të vogla nga agresiviteti i kulturave të mëdha; mprihet gjithnjë e më tepër shtytja per forcim të identitetit, apo pervijimit dhe rritjes së rratheve të kujtesës, të cilat për Buçpapajn janë të pacenueshme. " Frika nga Atdheu" është një metonimi kontekstuale e gjërë, që buron nga dhimbja e mergimit, nga fati ekzistencial i sferave shpirtërore. Pikërisht kur autori nuk mund të marrë pjesë në ndarjen e fundit me Nanen, ajo merr trajtat e një drame vertikale të individit shqiptar, të dëshpëruar thellësisht prej izolimit, e vetizolimit per fajin e imponuar nga vetja e nga të tjerët. "Frika nga Atdheu" është një metonimi paradoksale duke pasur parasysh faktin se Atdheu është kult pa sllogan, ai është "fryma e shpirtit të gjyshërve" siç do të thoshte dikur Dritero Agolli. Atdheu është pjesa e ngulitur historike në përpjekjet titanike që kanë bërë brezat për mbrojtjen e tij si ekzistencë fizike dhe si frymë. Buçpapaj e shtrin tekstin poetik në ideotematikë më të gjërë, duke shtjelluar motivin ekzistencial të njeriut të sotëm që buron nga Atdheu, i frikës, i cili vjen nga përballja e individit të drobitur shqiptar prej peshave diktatoriale me një botë sfiduese të realiteteve të reja, tranzitive. 2 Motivi i ikjes "ku njeriu kërkon të hedhë diku peshën e tepërt" , thiç thotë Kadare-, "po nuk e hedh dot", është motiv qënësor në poezinë e librit i cili mbartet si motiv i dhimbjes përsonale dhe universale. Si poet më shtrirje të gjerë të vargut, me zgjidhje të goditur, Buçpapaj e shtrin motivin në tërë gjërësinë e tij, duke e mbushur poezinë me çaste të jetuara përsonalisht ose që jehojnë në kujtesën e tij të fortë, si çaste të përvijura në vendlindjen e tij, apo diku nëpër botë ku poeti udhëton shpesh. Buçpapaj e shtrin dhe e tematizon frymëzimin e tij për vendlindjen aq sa të duket se kjo "frikë nga Atdheu", është dashuria tij në epiqëndër të vibracioneve intelektuale, emocionale në botëndodhjen e stuhishme, e të qetë, ku qëndron dashuria për Atdheun në trajtën më fine të ndertuar nga një poet europian si Buçpapaj, me natyrë, bar, gjeth, lule, shkrepa e pyje, të cilat shpalosen në qiell si xhubletë, me borë, me pisha, ujëvara, femijëri dhe rini. Aq shumë ngjyroset emocionalisht poezia e S.Buçpapajt me vendlindjen, Tropojën e tij të dashur, sa të duket se po të mos kishte këtë largësi me të s'do të shtjellohej një spektër kaq i përmalluar, një dridhje kaq vibrante e poseduese e ndjenjës dhe kjo është e kuptueshme për një poet të përmasve të tilla. Largësia krijon mall, sidomos largësia që krijohet nga njëmijë e një rrethana jashtë tij.Si poet i vizatimit të imët dhe vibrant të peizazhit ai e zgjedh mirë fjalën, krijon lehtësisht e vetvetishëm detajin që i buron nga shpirti, duke ruajtur kompakësinë energjike të shprehejs poetike, në një nivel të epërm të realizimit estetik. Duke qënë poet i dedikimit të vlerave përkushtuese, stimuluar nga një fantazi ndiesore e begatë, ai pikturon vendlindjen dhe krejt botën në mënyrë moderne, ashtu sic kishte bërë më parë edhe i madhi Martin Camaj dhe shumë poetë të tjerë europianë. 3 Noshta spikamën më të madhe ky libër e ka në këtë tipar, ku vendlindja nuk kalon vetëm me një nocion etnohistorik, po bëhet bartëse, shkas psikomotorik që vë në levizje një gamë pështjelluese ndjenjash, vuajtjesh e përvuajtjesh , mallkimesh, e përmallimesh, pengjesh drithëruese që tani s'mund të korrigjohen më. Jashtë konceptit të një dekoracioni poetik, autori mbart gjithçka përmes unit të tij, sepse vendlindja është bartëse e tipareve të njeriut dhe anasjelltas, njeriu kishte dashur me e përsosë të parën si pjesë të vetës, e pasi nuk ka mundur, i është larguar me ndjenjen e një pengu, si për një njeri të cilin ke dashur ta ndihmosh, e kur s'ke patur çfarë të bësh më, je larguar me peshën e pamundësisë së përjetshme. Padyshim, ashtu si Martin Camaj, autori nuk e harron identitetin e njëkohësisht nuk ndalet aty. Në kohën e globalizmit fleksibël, ku fjala qarkullon me një një dinamizëm vibrant, ai ka ditur të përfitojë nga kultura dhe verbi europian nga edukimi i tij i plotë dhe elitar prej 14 vitesh në perendim. Veshja e shpirtit shqiptar me rrobën e fjalës europaine e bën poezinë e tij moderne, të vecantë dhe tejet të realizuar. Kështu fjala e kulturuar dhe fine, masa e të shprehurit, përdorimet gjuhësore pa tepri, eksplorimet me mënyrat e ndertimit të frazës poetike, eksperimentimet në lojrat e ndertimit të strofave dhe fjalëve, janë tipare stilistike të një poeti me penë të kulturuar, me njohje të thellë e të shumanshme të poezisë europiane dhe botërore . Imazhet konkrete të figurave të poezisë së tij nuk mbartin vetëm efektin e një konstatimi të thjeshtë, ato përhapen si drita e një fantazie poetike në vlim të përhershëm sipër globit, me një lehtësi të paimagjinueshme dhe bukuri të rrallë, çfarë e bën Buçpapajn një poet të nivelit europian dhe botëror. 4. Poeti ka një ritëm dhe tendencë të hapjeve përfytyruese, cka sigurohet edhe prej një tonaliteti intelektual të poezise së tij, si një poet tashmë i formuar me kulturën europaine dhe botërore, por duke ruajtur berthamen e vjeter të artit të tij të madh. Dihet se Skender Buçpapaj është shfaqur si një individualitet i spikatur i poezisë shqipe, qysh në vellimin e tij të parë "Zogu i Bjeshkes ", kur autori ishte vetëm 20-vjeç. Ai është çmuar gjithnjë nga kritika jonë si një ndër poetët më të shquar shqiptarë. Dy krijimet më të bukura, që do t'i quaja poema të shkurtra sintetike, janë "Poema per Nanen" dhe "Shkumbinin." Poema per Nanen, shkruar me një varg të çliruar, i ngjet një monologu të dhimbshem, të dashurisë me të lartë njerëzore, ku vargu hapësinor del natyrshem i tillë përmes një mendimi të thjeshtë e të thellë meditues, e lirik deri në skajshmeri. Poema per Shkumbinin shkruar me një abstragim terheqës, mbart mesazhin e ndarjes dhe bashkimit, të ecjes, të luftes per identifikimin në kahje të kundert të harreses. Sipas poetit, Shkumbini është lumi që zoti e krijoi të parin në këtë botë, dhe si i tillë ai mbart ëndërrën dhe dramën e njerëzimit për të ecur përpara, duke lënë pas të kaluarën. Qazim D. Shehu
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |