E Premte, 04.19.2024, 12:42am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
POEZI E FRYMËZIMIT TË PANDALSHËM, NË DRITËN DHE TISIN E GËZIMIT TË PAFAJSHËM DHE TRISHTIMIT TË BUKUR
Në prag të 70 vjetorit të poetit të shquar Ndoc (Anton) Paplekaj
Përgatiti: LULZIM LOGU

E Martë, 01.06.2015, 06:46pm (GMT+1)


Së shpejti poeti i njohur Ndoc(Anton) Paplekaj ka përvjetorin e 70-të të ditëlindjes!
Padyshim një ndër më të mirët e brezit të vet, një krijues shumëplanësh i cili rrok epoka dhe stile komplekse, ku tradita dhe modernia personifikohen mrekullueshëm në frymëzimin e pandalshëm, në dritën dhe tisin e gëzimit të pafajshëm dhe trishtimit të bukur.
Një mesues i përkushtuar i letërsisë, i cili mëkoi me dashurinë e leximit dhe krijimit dhjetra krijues, një njeri kontravers, brenda të cilit po të shprushësh zjarrin e dashurisë, mund të gjesh shumë detaje njerëzore, të pakrahasueshme me të tjerë.
Unë gjithë jetën i ndjehem borxhli për frymën e ngrohtë të komunikimit dhe të prezantimit të aktit të krijimit letrar, sikurse për mbështetjen dhe nxitjen kah poezia e bukur dhe e vertetë, larg manierave artificiale, drejt frymëzimit dhe motiveve gjithmonë aktuale dhe në unison me dhembjen dhe triumfin e ndjenjave të bukura njerëzore.
Ashtu siç duhet ti ndjehen borxhli jo vetëm krijuesit, por edhe institucionet përkatëse që mund, duhen dhe e kanë për detyrë të vlerësojnë kontributin e vertetë intelektual.
Me këtë rast, si nderim modest ndaj figures së tij, si urim i sinqertë për ditëlindjen e tij, po përcjell lexuesit dy shkrime nga dy kolegët e mi poetë dhe publicistë, Ndue Dedaj dhe Gjon Neçaj si dhe nje cikël me poezi të poetit Anton Paplekaj.
Gezuar ditelindjen mjeshtër!

LULZIM LOGU












NJOHËS I THELLË I POEZISË BOTËRORE
DHE LËVRUES AUTENTIK I SAJ

Gjithnjë kam dashur të përcjell një falendërim të përzemërt për Ndoc Paplekën, poetin, studiuesin dhe përkthyesin e mirënjohur, me poezinë e të cilit jemi mbrujtuar qysh në rininë tonë, pasi ajo kishte amën dhe bukurinë e Alpeve shqiptare, që mbase askush s'e kishte rrokur pas Martin Camajt të ikur.
Ndoci u bë prijetar i poetëve të tjerë talentuar të Malësisë së Gjakovës, si Hamit Aliaj, Skënder Buçpapaj, Avni Mulaj etj., një dekadë më të rinj se ai, që sollën në lirikën shqipe padyshim një vlerë unike të saj; thënë në mënyrë të figurshme, shpirtësinë dhe përjetimin emocional të bjeshkënajës alpine, tokës gjakovare etj., çka do të donte punë për t'u analizuar.
Kam qenë gjimnazist në Mirditë, kur e kam takuar për herë të parë Ndocin, në Konferencën Kombëtare të Talenteve të Reja në Korçë, në vitin 1973, dhe që nga ajo kohë 40-vjeçare gjithnjë e kam ndjekur me simpati krijimtarinë e tij, veçanërisht poezinë, deri të librat më të fundit poetikë, ku nuk shterron prurja origjinale përmes risive poetike moderne. Ai dëshmohet jo vetëm si një njohës i rrallë i poezisë botërore, që e sjell për ne përmes përkthimeve e antologjive, por dhe një lëvrues autentik i saj.
Nga ana tjetër më befason mosduku i tij nëpër mediat vizive, a se ai nuk e ka fort për zemër këtë gjë, a se në televizione ka se kush të flasë (!) e njerëz si ai janë të tepërt? Por më shumë më bëfason shmangia e krijuesve të këtij kalibri nga çmimet letrare, tituj dhe dekorimet, që e kam vënë në dukje dhe në një shkrim në gazetën "Shqip"! Por dhe pa këto Ndoc Papleka është po ai, nëse nuk ia japim sot nderet që i përkasin, do t'i marrë vetë nesër...

NDUE DEDAJ




EMËR I GDHENDUR NË RRATHËT E LISIT
Anton (Ndoc)  Papleka,poeti me emrin e gdhendur në rrathët e lisit të vendlindjes së tij,Nikaj Mertur,me shtatin mesatar,e me ca rrudha të shpeshta ne fytyrë,që shtohen çdo vit e më tepër,zëëmbël,e me fjalët që i dalin ngadalë-ngadalë si ndonjë plak i mençur nga anët e tij ku ka lindur,shprehet se nuk do te kishte shkruar nëse do  kishte një femijëri të lumtur...
Ai që në moshë të vogël mbeti jetim,pa baba,duke pranuar perjetësisht vetminë.U lind mes bjeshkëve,në Nikaj Mertur më 10 janarit 1945.Por siç kujton ai nga bisedat e të afërmve.,ajo ditë çuditërisht ishte me diell dhe e ngrohtë.Prindërit e tij merreshin me bujqësi.
Pas hyrjes së forcave partizane në krahinë,në fund të vitit 1944,Marku,babai,u inkuadrua në këto forca të nisuar drejt Shkodrës,ku qëndroi deri në mbarim të vitit 1946.Në këtë kohë,kushëriri i tij akuzohet për armë të fshehura dhe pjesëtar i Ballit Kombëtar.Pasi arrestohet ,përpiqet  të arratiset,por mbetet i vrarë nga rojat që e shoqëronin.
Si pasojë e kësaj vrasjeje,Antonin do ta ndjekë pas tërë jetën hija e zezë e biografisë së keqe politike.
Ne nuk do flasim për krijimtarinë shumë dimensionale të Paplekës, se me atë le të merret kritika,por do flasim për jetën e tij të davaritur dhe plot episode interesante të një krijuesi mbetur jetim në moshën dy vjeçare.
Jo pa qëllim cituam që në fillim të kësaj esseje për Antonin në 70 vjetorin e lindjes,se jetimi i vogël nga fshati Lekbibaj,vuajti vertetë një fëmijëri të vështirë.Në vitin 1947 Antoni mbetet jetim  në moshën 2 vjeçare.Në vitin 1953 fillon shkollën fillore në fshatin e tij,Lekbibaj,pastaj vijon shkollën 7 vjeçare në Gjonpepaj,e vetmja në zone.Ai ruan kujtime të paharruara për mësuesit Zef Doda,Gjon Nika,Nikollë Lushi,Dedë Markaj,i cili krijon rrethin letrar të shkollës dhe e nxit të shkruaj poezi.
Në vitin 1959 Antoni i vogël 14 vjeçar ,pasi mbaron shkollën 7 vjeçare me rezultate shumë të mira,bën kërkesë për t'u pranuar në konviktin  e qytetit Bajram Curri,por kërkesa e tij nuk pranohet.
Ky mospranim  e bind malësorin e vogël se autoritetet lokale nuk do ta lejonin të vazhdonte studimet në shkollën e mesme për shkak të biografisë së keqe poltike.Nga dëshira për t'u arsimuar,largohet nga fshati dhe udhëton vetëm deri në Tiranë,ku troket në dyert e ministrisë së Arsimit.
I ndihmuar nga një titullare e kësaj ministrie,Qibrie Ciu,regjistrohet në shkollën pedagogjike 2 vjeçare në qytetin e nxënësve.Pedagogu i  kësaj shkolle dhe shkrimtari i ri,Gjergj Zheji ia vlerëson disa sprova poetike dhe e aktivizon në rrethin e letrarëve të rinj.E në vitin 1961 boton poezitë e para në gazetën "Zëri i Rinisë".Ndërkohë mbaron shkollën 2 vjeçare dhe fillon  punën si mësues në Kërrnajë të Tropojës.Njëkohësisht vazhdon me korespondencë shkollën pedagogjike "Shejnaze Juka" Shkodër,ku jep provimet plotësuese dhe merr maturën brenda dy vjetësh.
E ai vazhdon të shkruaj poezi.Në shtator të vitit 1962,nën përkujdesjen e Liri Lubonjës,boton një cikël me poezi në gazetën "Zëri i Rinisë".Në vitin 1968 mbaron studimet e larta në fakultetin Histori-Fililogji,dega gjuhë-letërsi shqipe,duke u emëruar në vendlindje mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe.
E ndërkohë vazhdon të botojë poezi në shtypin letrar të kohës, bëhet i njohur si një poet i talentuar që po lind në Tropojë. Në vitin 1971 boton librin e parë me poezi "Zeri im" dhe pranohet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Vitet kalojnë e Anton (Ndoc) Papleka afirmohet si një nga poetët më të mirë të brezit të tij.Vijon botimi i dytë i librit me poezi"Ecim"në vitin 1974,ku nderohet me çmimin e parë në konkursin kombëtar letraro-artistik.Po këtë vit Antoni jep ndihmesën e tij për krijimin e degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për Tropojë,ku zgjidhet kryetar i saj.
E deri më tani Anton (Ndoc) Papleka ka botuar me dhjetra libra me poezi,prozë.përkthime,etj.Në vitin 1999 fiton gradën  "Doktori shkencave" për disertacionin me temë "Kult ,rite,magji në traditën folklorike". Kurse në vitin 2005 Akademia e Shkencave të Shqipërisë i jep titullin "Profesor i asocuar".
Me qënë se nuk është marrë me veprimtari poltike ,nuk ka qënë asnjëherë dhe nuk është anëtar i ndonjë partie politike,ka mbetur në hije,e shpesh herë edhe pa punë pata se të dilte në pension.Veprat e tij në poezi,prozë dhe studime për folklorin janë përkthyer në disa gjuhë .
E janë domethënëse vlerësimet që ka bërë për Antonin Alexandre Zotos,duke cituar : " Kërkesa e regjimit të vjetër nga njëherë e kanë shtyrë shpirtin diskret e delikat të Anton (Ndoc) Paplekës drejt një bojskutizmi paksa të lehtë,por kopshti i  tij fsheh edhe lule me një butësi të vërtetë,të ushqyer nga zëri i tij i vërtetë si dhe nga përkthimet e tij të shkëlqyera,veçanarisht nga frëngjishtja".
Kurse Robert Elsie e ka thënë me kohë verdiktin e tij për Paplekën,duke e cilësuar si një nga krijuesit më të mirë që hyjnë në poezinë më të bukur shqiptare të krijuar në vitet tetëdhjetë në Shqipëri.
Papleka,një  emër i gdhendur në rrathët e lisit,tashmë 70 vjeçar, shkruan e shkruan papra, e siç është shprehur vetë ai ,ndonëse e ka mbërthyer pleqëria, po mundohet të punojë që t'ia shtojë pemës së tij ndonjë degëz apo gjethëz të re.Ai vijon të  shkruajnë "sa here që i vjen poezia",i bindur se dikur do të mbeten ca rreshta,se poezia për të është gjithçka.
Një kontribut të jashtëzakonshëm,që ia vlen të citojmë,Papleka ka dhënë për baladat shqiptare.Duk u rritur në mjediset e kullave malësore të Nikaj Merturit,që në vegjëli dëgjonte nënën duke i kënduar këngë dhe balada të hershme.
Njëherazi duke konkluduar se për shkak të censures shumë tekste me atributet e baladës kishin mbetur pa u përfshirë në rubrikat apo përmbledhjet me balada, e nxiti të hulumtojë në këtë fushë të pazbuluar.Papleka ka mbledhur dhe botuar shumë tekste të plota të baladave të cunguara.Gjithashtu ka paraqitur vlera të shumanshme të baladave tona popullore.Ai ka mbledhur edhe balada të arbëreshëve të Italisë dhe në viset e Shqipërisë politike të vitit 1913.Aktualisht Anton (Ndoc) Papleka jeton dhe punon ne Tiranë së bashku me bashkëshorten,Feriden,edhe ajo krijuese e talentuar dhe autore e disa librave në poezi ,prozë e publicistikë.
Ndaj në 70 vjetorin e lindjes,cekëm disa të veçanta  të Anton (Ndoc) Paplekës, autorin e dhjetra e dhjetra librave me poezi, romane, tregime, legjenda, këngë kreshnike,rrëfenja,studime,përkthime.
Pra Papleka është një krijues i gjithanshëm,enciklopedist,ndaj meriton më shumë vemendje ,pasi ka i  dhënë shumë kulturës shqiptare në përgjithësi,e poezise shqipe në veçanti.
Ndonëse vlerësimin për veprat e tij e ka dhënë me kohë lexuesi,por ata që janë kompentent duhet ta vlerësojnë krijimtarinë e tij 55 vjeçare që në 70  vjetorin e lindjes t'i jepet merita që i takon  këtij zëri të pashuar të kulturës kombëtare.
Ai është dhe mbetet një emër i gdhendur në rrathët e lisit,me të cilin krenohet Nikaj Merturi,Tropoja që i thuri vargje tërë jetën,por edhe mbarë trojet shqiptare që lexohet dhe vlerësohet poeti,shkrimtari ,studiuesi dhe përkthyesi poliedrik Anton (Ndoc) Papleka.
GJON NEÇAJ











ANTON PAPLEKAJ              
Ndoc Papleka lindi më 1945 në Lekbibaj (Tropojë). Ka kryer studimet e larta për gjuhë e letersi dhe ka punuar si mesues, redaktor, skenarist etj.
Njëkohësisht ai është dhe shqipërues i një sërë veprash të autorëve të ndryshëm të huaj.
Ka nisur të shkruajë poezi shumë heret. Libri i tij i parë me poezi është: "Zeri im". Me pas vijne vellimet me poezi "Ecim", "Ngjatjeta, Diell", "Rrathet e Lisit" etj.

NË LABIRINTIN E POEMËS

Atë ditë që hyra në labirintin e Poemës
Nuk e dija se aty brenda
Më kishte zënë pritë Minotauri
Kam vite që udhëtoj
Pa mundur ta gjej derën për të dalë së andejmi
As Minotaurin nuk e kam takuar ballë për ballë
Vetëm ia kam dëgjuar nga larg
Bulurimat e llahtarshme...
Më kot ëndërrova
Më kot prita
Të takoja Arianën
Që do të më jepte fillin shpëtimtar
Tashti jam i bindur
Se jetën do ta ngrys
Duke u vërtitur në labirintin e Poemës
Tingujt e fundit që do të dëgjoj
Do të jenë bulurimat e llahtarshme të Minotaurit
Që përplasen pas mureve...


PËRRALLË PËR VIJËN DHE PËR HIJEN

Vija, vija
Ku të përgjon hija
Hija e tokës
Të godet prapa kokës
Agsholit i pushoi zemra
Mbeti i varur si kufoma e të arratisurit
Në telat me gjemba...
Nuk përgjigjet as vija, as hija
Tokën e kokën i rrëmbeu mëmëlubia
Në hullitë e kujtesës djalli mbjell
Farë ëndrrash të këqija
Rreth plepit plim me harabela
Tërhuzen e hingëllijnë njëqind pela
Vija të thyera
Ku ngecën shpresat e fyera
Lulëkuqet e shqyera
Vija, vija
Shina të ndryshkura ku rrokulliset historia
Historia
E shaluar nga hija
Natë e ditë çukërmon te vija...


HIJA E NJË ZOGU

Më rrëshqet mbi fytyrë hija e një zogu
Që gjakon të m'i çukitë sytë
Nuk ia dal mbanë ta përzë këtë zog
Që quhet kohë
Njëra flatër e tij është prej flake
Flatra tjetër e tij është prej hiri
Nuk e di si të shpëtoj nga hija e tij
Nga sqepi i tij i përgjakur
Krrokamat e tij mbushin heshtjen
Në bjeshkë e në vërri
Dielli nuk pranon të më falë një rreze
Për t'ia ngulur si shigjetë në zemër
Më rrëshqet mbi fytyrë hija e një zogu
Që të m'i çukitë sytë...

KRIMI I BERTOLT BREHTIT

Një natë prej netësh
Për shkak të pagjumësisë
Ose për shkak të asaj dehjeje që quhet frymëzim
Dramaturgut gjerman Bertolt Brehti
Iu duk vetja taumaturg
Dhe nga mendja e tij sajoi një përbindësh
Që e pagëzoi Arturo Ui
Së pari ky përbindësh i urryer
U hodh në sulm dhe pushtoi teatrot
Kudo nëpër botë
Duke korrur duartrorkitje të pafundme
Për vete dhe për babanë e tij
Dramaturgun gjerman Bertolt Brehti
I pakënaqur nga sukseset që arriti
Arturo Ui braktisi librat ku banonte
Braktisi edhe skenat e teatrove
Dhe zbriti në botën reale
Ku solli në jetë bij dhe nipër
Pasardhësit e Arturo Ui-së
Kolonizuan mbarë botën
Themeluan parti politike
Fituan fushatat e zgjedhjeve
U kurorëzuan kryeministra, presidentë
U adhuruan si zota nga turmat e fanatizuara
Madje ata shkruan libra si stërgjyshi i tyre
Dramaturgu gjerman Bertolt Brehti
Popujt e shtypur nga tirania e llahtarshme
E pjellës së urryer të Arturo Ui-së
E mallkuan nga zemra
Atë krimimel që u bë taumaturg
Dramaturgun gjerman Bertolt Brehti
Që solli në jetë këtë murtajë të zezë
E cila bëri kërdi në planetin tonë...
Për fat të keq
Ky lloj përbindëshi nuk rrezikohet të shfaroset!

VDEKJA ËSHTË PIKËRISHT KJO GJË

Në tryezën time gjeta një zarf
Ku ishte shkruar adresa e një poeti
Të vdekur disa muaj më parë
Dhe unë thashë me vete
Se vdekja është pikërisht kjo gjë:
Adresa e një miku të vdekur
Të cilit nuk mund t'i shkruash më
Ti nuk mund t'i çosh askund
Kartolina
Mesazhe të gjata, të shkurtra apo të koduara...
As me avionë
As me postë elektronike
As me ëndrra paralajmëruese
Asnjë nga mesazhet e tua
Nuk do të mbërrijë tek i vdekuri
Komunikimi me të është po aq i pamundur
Sa me një galaktikë të largët në qiell
Vdekja e një njeriu është pikërisht kjo gjë:
Gjasmimi i Atlantidës që u fundos
Në humbëtirat e detit!

MUND TË NDODHË SI NË ËNDRRA

E bukura syrin si yll
Kur e çel e kur e mbyll
Si hëna që ndrit në pyll...
(Nga një lirikë shqiptare)
Mund të ndodhë si në ëndrra
Të takosh një yll në rrugë
Ti mund t'i thuash : Mirëdita!
Si një kalimtari që e ke njohur diku
Dhe për çudinë tënde ylli mund të buzëqeshë
Mund të ndodhë si në ëndrra
T'i mbushësh sytë me vezullimin e një ylli
Dhe ta ndiesh veten sikur ke pirë
Disa gllënjka verë rituale
Në kupën e kaltër të qiellit të natës
Mund të ndodhë si në ëndrra
Të soditësh një yll që ndrit
Dhe të vësh re se rrezet e tij
Janë qerpikët e syve që i çel e i mbyll
E bukura me emër ylli
Mund të ndodhë si në ëndrra
Të takosh një yll në një rrugë
Dhe falë këtij takimi të pandehësh
E në vend të një rruge të zakonshme
Ti ecën në kalldrëmin e Udhës së Qumështit...
SYTË E TU

Yjtë më të mëdhenj më vështrojnë me sytë e tu.
- Pablo Neruda
Duke parë sytë e tu, them me vete
Se sy të tillë janë yje që kanë zbritur
Nga qielli i kaltër
Për të zënë vend në fytyrën tënde
Sytë e tu janë dy burime
Ku dita vjen të pijë
Për të shtuar dritën e saj
Duke parë sytë e tu, mendoj me drithërimë
Se po t'i mungonin këto ninëza të ndritshme
Kjo botë e zymtë, e mbuluar nga smogu
Do të ishte humbëtirë e errët
Natë dimri pa hënë e pa yje...
Por ja ku i hapin qepallat
Sytë e tu që qeshin
Dhe bota i ngjan horizontit në ag
I ngjan qiellit në muzg
Kur ia behin yjtë e parë
Dita është më shumë ditë
Nata nuk mund të jetë plotësisht natë
Aty ku qeshin sytë e tu
Binjakë të yjve që ndizen në qiellin e paanë..

SIMPLEGADET E MIA

Malet e larta
Rreth luginës ku kam lindur
Ishin Simplegadet e mia
Më vonë
Ato male të larta që preknin qiellin
I kam ngatërruar në fantazinë time prej fëmije
Me malet magjike të përrallave
Që hapeshin e mbylleshin vetëtimthi
Duke kaluar nëpër qafat e atyre maleve
Duke u larguar nga lugina ku kam lindur
Nuk e gjeta dot Bashkën e Artë
Dhe brigjet e Kolkidës
U zhdukën para meje si brigje ëndrrash...
Jam i trishtuar
Që nuk munda ta shtie në dorë Bashkën e Artë
Pokam një besim të patundur
Se edhe më i trishtuar do të isha
Potë mos kisha kaluar përtej Simplegadeve të mia:
Malet e larta rreth luginës ku kam lindur
Përgatiti: LULZIM LOGU


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NJË PORTË E MBYLLUR NGA BRENDAADEM ZAPLLUZHA - shtatë poezi nga libri “Mbi flokët e ullukëve” (01.06.2015)
IA DORËZOVE ERRËSIRËSFragment nga romani “Loja e mëkatit”Nga VILHELME VRANARI HAXHIRAJ     (01.05.2015)
MODA 'LAKURIQ'Prozë nga QERIM SKËNDERAJ (01.04.2015)
KRISTOFORIDHI MBI SHQIPËRINË, GJUHËN DHE PËRKTHIMET E SHKRIMEVE TË SHENJTANga MEMLI KRASNIQI (01.04.2015)
ARIXHESHKATri poezi nga QAZIM SHEHU (01.03.2015)
DOLI LIBRI MË I RI I POETIT BRAHIM AVDYLI - POEZI TË VESHURA ME PETKUN E DHIMBJESNga Prof. Mr. MUHAMET ROGOVA (01.03.2015)
MOTIVE DIMRICikël me poezi nga PËRPARIM HYSI (01.03.2015)
KUJTIMENga JOLA MARGJEKA (01.03.2015)
Përshëndetje për fillimvitin 2015SKICA LETRARENga VILHELME VRANARI HAXHIRAJ (01.01.2015)
POETËT E PRUSHITEsé nga RRUSTEM GECI (12.31.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lart]