E Premte, 03.29.2024, 07:57am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
HUMNERA E VDEKJES
Nga QERIM SKËNDERAJ

E Hënë, 01.12.2015, 11:52am (GMT+1)


I hodhi duart në fyt dhe e kërcënoi frikshëm: "Pse more i poshtër, pse nuk më lë rehat në hallet e mia! Mirë, këtu mbi tokë, që nuk ma ndave gjurmën..., por edhe atje, more maskara..., atje në minierë..., qindra metra nën dhè... edhe atje nuk më le të qetë!... Pse more, qen bir qeni..., pse kërkon t'ma nxish jetën... Unë edhe mina të vija, mineral me bollëk do të nxirrja!...Ptfuuu, farë e keqe!"

Pasi e pështyu me neveri, e shtyu fortë në tokë dhe iku! Që atë ditë, u zhduk pa lënë gjurmë. U zhduk siç zhduket një kafshë, një libër, apo një objekt tjetër, i cili nuk lë pas, asnjë shenjë. Kaluan ditë, javë, vite, dhjetëvjeçarë, gjysmë shekulli dhe përsëri, asnjë lajm për zhdukjen e tij. Iku një çerek shekulli në diktaturë, po kaq në demokraci dhe prap heshtje, mjegull, errësirë.

Kur u zhduk, ishte njëzetë e dy vjeç. I bukur, i dashur, i mençur, i shkathët, i fortë, i talentuar, pra me të gjitha vetitë e mira që mund të dëshironte një djalë në moshën e tij. Kishte vetëm një të metë, "kleçkën" e trashëguar nga i ati, që kur e mbolli në mitrën e së shoqes. Ky, pasi ia vulosi "kleçkën", pa marrë akoma formën e foshnjës, iku në burg. Që andej, nuk e pa më, derisa u rrit dhe kuptoi pasojat e "vulës" së tmerrshme që e dallonte dhe e diferenconte nga bashkmoshatarët. Ajo, pra "vula", i hoqi të drejtën të lozte, të fliste, të vazhdonte shkollën, të punonte, apo edhe thjeshtë të rrinte bashkë me ta.

Mund të rrinte dhe të punonte vetëm me ata që kishin "kleçkë" si ai, që u ishte stampuar e njëjta "vulë" diferencuese. Pa u rritur mirë, e kuptoi se skena e jetës së tij në shoqëri, ishte shumë e kufizuar. U tha lamtumirë dëshirave dhe endrrave të bukura të moshës dhe iu nënështrua fatit që i ofronte një shoqëri e ndërtuar keq. Do të punonte e jetonte në atë skenë dhe do të shfrytëzonte çdo cep, brenda hapsirës me kufijë të ngushtë. Në fund të fundit, ky ishte fati i tij dhe do t'i bindej pa kushte. Mbaroi shtatë klasë shkollë, si nxenës i shkëlqyer. Pastaj, si të tjerët edhe ai, punoi në kooperatvë, punë krahu, nga ato që bënin edhe shumë bashkëmoshatarë pa ambicje. Kur mbushi moshën, shkoi ushtar në repartin ushtarak që grumbullonte djemtë e "vulosur" nga baballarët. U bë ushtar i dalluar, formoi një trup shumë të bukur, mori një kulturë të konsiderueshme nga librat artistk (lexonte çdo libër që ishte në bibliotekë) dhe përfitoi zanatin e karpentierit.

Kur mbaroi ushtrinë u ndje më i pjekur, më energjik dhe shumë më i aftë për ta përballuar jetën në ato kushte që lejonte "skena e kufizuar" për njerzit me kleçkë. Kooperativa kishte nevojë për zanatin e tij të ri dhe ai nuk u kursye të ndërtonte mure e çati për salla, depo e stalla. Punonte pa orar dhe pa ndjerë lodhje. Kjo, sigurisht, i shërbente kooperativës, por i shërbente edhe atij për të ndërtuar një jetë mormale, madje më të avancuar se bashkëfshatarët kooperativist. Vishej e ushqehej më mirë se ata, ndërtoi një shtëpi modeste edhe ajo më e mobiluar dhe me pastër nga të tjerat. Po binte në sy që familja me "kleçkë" jetonte për bukuri, nuk e vriste fare këpuca dhe as vuante mungesat e simotrave të saj të fshatit. Edhe pse çdo gjë e siguronte me ndershmëri e me djersën e ballit, filloi të vihej në lëvizje ligësia "parimore". Djali i "armikut" nuk mund të jetonte më mirë se të tjerët, ndryshe dëmtohej rëndë parimi i "luftës së klasave". Në këto kushte, pushteti i fshatit, vendosi trasferimin në minierën e thellësive të mëdha të krahinës, atje ku punonin të gjithë djemtë "me hije" të sërës së tij, në kushtet e vështirësive maksimale. Djaloshi iu bind vendimit pa asnjë diskutim. Fati i tij ishte në dorën e tyre, ndaj kishte vendosur t'i nënështrohej, por pa u mposhtur. Ishte i aftë të bënte çdo punë. Me punën e re u ambientua shumë shpejtë. Vështirësitë e para i kaloi me lehtësi dhe përgjithësishtë, u ndje më mirë se në fshat. Edhe pse me tre turne, këtu punohej vetëm tetë orë, ndërsa në kooperativë gjatë gjithë ditës me dritë. Edhe paga ishte shumë më e mirë. Përveç këtyre, vetë qyteza e minatorëve, ofronte edhe disa lehtësi ekonomike. Çmimet ishin të arsyeshme dhe tregëhej bukë gruri. Duke qënë ende beqar, shkonte në shtëpi çdo dy javë me çantat plotë. Tani ishte i veshur qytetarçe dhe lëkura e fytyrës i kishte marrë një hije edhe më të bukur. Këtë nuk e gëlltiste dot pushteti i fshatit. E dërgoi në minierë për të vuajtur si armik klase, ndërsa "armiku" zbukurohet dhe ha "mish e oriz". Vetë Kryetari i Këshillit i qëndisi një letër Partisë në minierë, ku tërhiqte vëmendjen, se atje, lufta e klasave ishte "shuar". I riu nga fshati i tyre, njohur si bir i një armiku të dënuar me 25 vjet burg, jo vetëm vishej allafrënga dhe shiste mëndje në fshat, por ushqente familjen me bukë gruri. Kjo kishte bërë të lëpinin buzët familjet e tjera kooperativiste, të cilave u binte bretku në punë për të siguruar kotheren e misrit. Në fund, Këshilltari paralajmëronte: në se organizata e partisë së minierës nuk merrte masat e duhura, do të drejtohej më lartë!...

Pas letrës "parimore", Djali u pushua nga puna. Pa asnjë shkak apo motiv që lidhej me qëndrimin e tij ndaj punës, u hodh në rrugë. I terrorizuar prej saj, i pambrojtur, pa asnjë pikë mbështetje ku të mbahej për të ecur më tej, mendja i shkoi tek përndjekësi pushtetar. Me grushtat e shtrënguar dhe një lëmsh mbledhur në fyt, shkoi drejt e në fshat. Pa u takuar me të tijët, iu shfaq përball pa mundur të zotëronte inatin për ligësinë "parimore" të njeriut me pushtet. E shtëngoi fortë për fyti, e pështyu, e përplasi për tokë dhe iku!...
* * *
Këtu nis enigma. Zhdukja e të riut nuk ra në sy menjëherë. Përfolja e parë u bë pas një jave. Shkaku ishte një fshatar që endej pyllit në kërkim të lopës së vetme që i kishte humbur. Ishte buzëmbrëmje kur ky, iu afrua Humnerës së Vdekjes, të kontrollonte mos e kishte thithur në barkun e saj.

Humnera në vetvete, ishte një grackë e maskuar për të gjitha kafshët që guxonin të afroheshin pak më tepër se ç'lejonte terreni. Në fakt, rreth grykës së saj, kishte mjaft kullotë. Kafshët e uritura e mbanin frymën atje, meqë ishte edhe fund gushti, e bari ishte tharë gjithandej. Aty, ende dominonte blerimi. Falë një ujvare me ujë të bollshën që shpërndante puhizë lagështie, mbi të gjithë terrenin rretherrotull, kishte bar të njomë e të ushqyeshëm. Pjerrësia vinte në fillim e butë, të mashtronte si një kurth i bukur, duke të joshur me ëmbëlsinë e blerimit. Disa shkurre të shkurtëra shtriheshin horizontalisht dhe e maskonin me mjeshtëri honin e frikshëm, rreth dyqind metra të thellë. Fshatari u afrua me kujdes dhe mprehu vështrimin për të kontrolluar fundin e saj disi të sheshtë, mos "prehej" lopa fatkeqe. Syri mezi arriti deri atje, ngaqë muzgu kishte rënë më përpara se të mbinte në të vërtetë. Ndërkaq, ju bë se dëgjoi një grindje njerzore, një jehonë kërcënuese që përplasej anëve të humnerës dhe thellohej poshtë deri në fundin e paqartë, ku errësira sapo kishte nisur të shtronte qylymin e saj me fije bloze. Veshët i regjistruan një shprehje të çuditëshme që i mbrriti e dobët dhe e dyshimtë: "do të rrah sa të vdesësh!" U përqëndrua të dëgjonte më mirë, por zhurma i vinte e padeshifruar në fjalë. Më shumë i vinte si kërcitje, si thyerje shkarpash, si rrahje e denekëve të drithit në lëm. Nuk po u besonte veshve. Ndoshta ishte frika shkaktuar nga vetmia në mes të pyllit, kur muzgu bie me shpejtësi, për t'u zëvendësuar nga nata që ngjishet e fle në humnera. "Kjo humnerë ha dhe njerëz", tha me vete dhe i ktheu shpinën t'i largohej sa më shpejtë. Në të ikur, dëgjoi kthjëllët tri britma korbi: krrau, krrau, krrau...

Ajo që fshatari dëgjoi pran Humnerës së Vdekjes, u shpërnda ngadalë në të gjithë krahinën, ndërkohë që fshatin e lindjes së Djalit dhe qytezën e Minatorëve, e kishte pushtuar krejt. Kishte mbrritur gojë më gojë, si një gojdhanë e lashtë, pak a shumë si ato që tregohen për Qyqen, Gjonin, etj. Veçse, këtë herë, personazhi i gojdhanës ishte një zog tjetër, Korbi, të cilin letërsia e kishte përdorur për të ndërtuar moralin e fabulave. Shumica e banorëve hulumtues mbi enigmën e zhdukjes së Djalit, tri britmat e ngjirrura të Korbit: krrau, krrau, krrau, i lexonin: "kë rrahu", ose "kush e rrahu!" Interpretimi i këtij lloji, arsyetohej me dy argumente. Sipas tyre, të pakontestueshme. Korbat nuk "këndojnë" pas rënies së muzgut dhe prezenca e tyre pran një "grindje të madhe" njerzish, është e pamundur. Në veshët e fshatarit ishin trasformuar si të tilla edhe nga perceptimi në trurin e tij, të një rrëzimi të mundshëm të lopës në fundin e humnerës. Korbat janë të parët që japin sinjalin e një kafshe të ngordhur. Pra leximi "kë rrahu", ose "kush e rrahu", lidhej me shprehjen "do të rrah sa të vdesësh", të cilën fshatari e cilësonte "të dobët" dhe "të dyshimtë", por të dëgjuar prej tij. Vetë shprehja flet për një dëshmi njerzore lidhur me "rrahjen e madhe". Dikush që kalon aty rastësisht, ndoshta vetë "vjedhësit" e lopës, duke dëgjuar saktë "do të rrah sa të vdesësh", shoqëruar pastaj me zhurmën që dëgjohej si "kërcitje", "thyerje shkarpash", apo "rrahje denekësh drithi në lëm", janë ndodhur pranë një ngjarje shumë të dhunshme. Ata kanë qënë dy, sepse një i vetëm s'mund të pyes vetveten. Ajo që ngatërronte pak në këtë arsyetim, ishte kontradikta që shkaktonin pyetjet dykuptimore "kë rrahu?", ose "kush e rrahu?" . E para "kë rrahu?", tregonte se dëshmitarët njihnin rrahësin, e dyta "kush e rrahu?", tregonte se njihnin viktimën. Këtu hamendjet konfuzionoheshin. Një grup përkrahte pyetjen e parë. Ata argumentonin se vetë pyetësi ka dalluar rrahsin, që me siguri, duhet të ketë qënë personazh i njohur. Dhe personazhi që njihej nga e gjithë zona rrotull Humnerës së Vdekjes, ishte i Plotfuqishmi, ose i cilësuar ndryshe, Operativi i Zonës. Viktima, sipas tyre, duhet të ket qënë "armik" me duart në pranga. Kjo i jepte mundësi tjetrit të ushtronte tortura që në veshin e fshatarit kishin mbrritur si "kërcitje", "thyerje shkarpash", apo "rrahje denekësh drithi në lëm". Grupi tjetër, ai që nisej nga pyetja e dytë "kush e rrahu?", argumentonte të kundërtën. Sipas tij dëshmitarët kishin njohur viktimën. Duke qënë se ngjarja përkonte në kohë me "zhdukjen pa gjurmë" të Djalit me "kleçkë", domethënë birit të armikut të dënuar me 25 vjet burg, viktima kishte qënë vetë Djali. Sigurisht me duart në pranga, sepse i palidhur, me fizikun e fortë e të shkathët si atlet, ishte një rrezik potencial për këdo që mund të matej me të. Ky grup shkonte edhe më tej. Rrahësi që edhe prej tyre pranohej se kishte qënë Operativi i Zonës, kishte shkaktuar vdekjen e viktimës, Djalit me "kleçkë" nëpërmjet torturave. Këtë e plotësonte edhe fakti që fshatari nuk kishte dëgjuar krisje arme. I Plotfuqishmi i informuar hollësisht për përplasjen e Djalit me Kryetarin e Këshillit, nuk mund t'ia falte kërcënimin dhe fyerjen. Kryetari ishte person zyrtar, vetë pushteti në fshat, ndërsa ky, mbrojtës profesionist i shtetit.

Të gjitha këto hamendje, ashtu siç kulmuan, po ashtu edhe u shuan. Kur zërat heshtën dhe ngjarja po mbulohej nga pluhuri i harresës, familjarët e Djalit, të maskuar nga mjegulla, apo koha me shi e vjeshtës, filluan t'i afroheshin Humnerës së Vdekjes.

Shpresonin për ndonjë shenjë identifikuese të kufomës. Nuk kishin më asnjë dyshim për vdekjen e Djalit. Dy përkufizime të fundit për Humnerën, i kishin bindur më shumë për këtë. I pari: grackë e mistershme që ushqehet me njerëz inteligjent e të pafajshëm, i dyti: vend ekzekutimi për njerzit pa varr. Djali i tyre, i përmbushte kushtet për të dy përkufizimet. Një shpresë e zbehtë mbetej verefikimi sipërfaqësor për të parin, se i dyti, kishte ngrënë "peshq" shumë më të mëdhenj, të cilët ishin zhdukur pa nam e nishan. E shkelën cep më cep fundin e humnerës dhe nuk zbuluan asnjë shenjë vdekje njerzore. Disa skelete kafshësh të egra u vlejtën të qetësonin pak shpirtin nga e keqja që u kishte përcjellë gojdhana e britmave të korbit. Së paku, kufoma, nuk kishte ushqyer grabitqarët e pyllit...

Pas zhdukjes së Djalit, familja me kleçë, dalngadalë, po mësohej me humbjen. Në raportet e saj me pushtetin e fshatit nuk kishte ndryshuar asgjë. Nëna dhe djali tjetër, vazhdonin punën në kooperativë si të gjithë të tjerët. Askush nuk po ua përmendte më, as "zhdukjen", as "kleçkën" e kryefamiljarit, i cili po vuante vitin e fundit të dënimit me një çerek shekulli burg.

Në këto kushte, krejt papritur, tek dera e shtëpisë shfaqet Operativi i Zonës, me një bohçe të lidhur në dorë. E lëshoi mbi sofat pranë portës dhe u largua pa folur. E zonja e shtëpisë tentoi t'i buzëqeshte, ta ftonte në shtëpi, ta qeraste, por nuk arriti t'i dallonte as shprehjen më të vogël të fytyrës. U drejtua nga bohçja, ku befasia ishte e plotë. Ende pa e hapur, ndjeu erën e djersës së Djalit. Ishin rrobat e tij, ato me të cilat u zhduk.

Hodhi sytë nga rruga për të dalluar siluetën e Operativit, por ai edhe hijen e kishte marrë me vete. Nuk guxoi t'i vinte emër gjestit të tij. Nuk ia pa dot fytyrën për të pikasur diçka nga ajo që kishte ndodhur me të birin, me gjalljen apo vdekjen e tij, me zhdukjen apo fshehjen e përkohëshme. I shtëngoi rrobat në gjirin e tharë nga puna dhe brenga, i puthi me buzët e çara nga dhimbja dhe filloi t'i lajë me një shi të rrëmbyer lotësh, të cilët vërshuan si të hapej një digë nga retë e ngarkuara të ciklonit tropikal.

Për rrobat e Djalit, u fol e u stërfol gjithandej. U thanë gjëra të arsyeshme e të paarsyeshme, të logjikshme e absurde, të bukura e të shëmtuara, plotë keqardhje e plotë ligësi, pro e kundër gjestit të tij, me pak fjalë, nuk mbeti gjë pa u thënë. Ajo që nuk është thënë akoma pas një gjysmë shekulli, është e vërteta e zhdukjes së një Djali të ri e të të pafajshëm. Dhe paradoksi: Emri i tij regjistrohet rregullisht ne listat elektorale te zgjedhjeve vendore e qendrore, por as i gjallë, as i vdekur!...

Janar, 2015


QERIM SKËNDERAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
MBI POEZINË E REXHEP SHAHUTNga DIK DACI (01.12.2015)
KOSOVË, DASHURIA IME E PARËLexim i 38 veprave letrare dhe shkencore të Prof. Dr. Sabile Keçmezi - BashaNga RRUSTEM GECI, Dortmund (01.11.2015)
FËMIJËRIA NËPËR VARGJET E MIANga PËRPARIM HYSI (01.11.2015)
POETJA DHE OQEANIPoezi nga NOVRUZ SHEHU (01.10.2015)
ZGJEDHJAPoezi nga QAZIM SHEHU (01.10.2015)
VESAPoezi nga JUAN RAMON JIMENEZPërktheu: FASLLI HALITI (01.10.2015)
A DO TA PËRBALLONIM JETËN VETËM ME AJËR, UJË E DRITËVILHELME VRANARI HAXHIRAJ, fragmenti II nga romani 'Loja e mëkatit' (01.07.2015)
TOMSONI DHE KUÇEDRAPoezi nga FAN NOLI (6 janar 1882 - 13 mars 1968) (01.07.2015)
POEZI E FRYMËZIMIT TË PANDALSHËM, NË DRITËN DHE TISIN E GËZIMIT TË PAFAJSHËM DHE TRISHTIMIT TË BUKURNë prag të 70 vjetorit të poetit të shquar Ndoc (Anton) PaplekajPërgatiti: LULZIM LOGU (01.06.2015)
NJË PORTË E MBYLLUR NGA BRENDAADEM ZAPLLUZHA - shtatë poezi nga libri “Mbi flokët e ullukëve” (01.06.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 

 
VOAL
[Shko lart�]