VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PRANVERAT E SHEKULLIT – DIMËR
Poemë nga QERIM SKËNDERAJ

E Martë, 01.20.2015, 06:46pm (GMT1)


Ju re,
që lundroni mbi maja malesh,
në kodrinën time
qëndroni veç njëherë.
I hidhni një sy blerimit të skajshëm,
pastaj...
edhe breshër le të bjerë.


Nuk jam i bukur.
Një ezmer i blertë vetulltrashë.
Diçka të këndshme që kam brenda,
ngutem e ngutem
ta nxjerr jashtë.

As i dobët s'jam,
brinjët nuk më duken.
Lëkura mbi bark e nën gushë,
nuk fsheh kate me dhjamë.

Jam pak i ngathët,
s'di të loz bixhoz,
as poker, as shah,
me jetën nuk loz.

Dikur koka keq m'u rrëzua
e ra mbi supin e djathtë.

Ishte një grusht i fortë, si në boks.
E mora veten,
se nuk më ra në gjoks.
Isha prap në jetë,
koka gjeti mbëhtetje në supin e vetë.

Kjo që them nuk është bombë
që shpërthen
e krijon një gjendje të bujshme.
Është dika e veçantë,
diçka si rrymë e nënujshme.

Po të zhytesh pak thellë
ia ndjen trysninë.
Diku, midis algave të dendura
do të hasësh njerinë.

Duket, kam mbirë nga toka
si një filiz i brishtë.
Jo nga dhimbja e mitrës,
nga shqyerja,
nga dalin të fortët,
por edhe "me bisht".

Nuk e di në jam gjallë
e pulsi më ka vdekur,
a i vdekur
e pulsi më punon!
Veç e di mirë:
diçka nga të dyja më mungon!

S'di si ta shuaj zemrën që më digjet,
ujin s'e duron.
Ftohet e mpihet,
asnjë dorë nuk afrohet,
asnjë dorë s'më ledhaton.

Ikin e vijnë
e unë vetëm rrudhem.
Zbardhem si bryma mbi bar.
E gjatë rruga,
e vështrë,
me pluhur e ajër të tharë.

Në se mbytem një ditë,
s'do të ndodh
as në pus, as në litar.
Do të jetë një enë e stërmadhe
ku janë mbledhur lotët e njerzve
që kanë qarë.

Miku im më i mirë është duhani.
Tymi tij,
drejt e në zemër
më ledhaton me helm
si një shemër.

Unë s'e shkel fijen e barit,
ndërsa bleron e shkujdesur nën gëmushë.
Kur dikush e përçudnon
ia plas të qarit,
ndizem e bëhem prush.

Dua që njerzit të ngjyrojnë si lule,
të qëllojnë me aromë
si në varr dhe në jetë.
Atëhere unë qesh e loz si fëmijë,
ndihem poet i vërtetë.

Pritja e gjatë më ka sfilitur,
më ka lënë të mjerë,
si pika e lotit të burimit kur shter.

Fjalët më dalin mundimshëm,
me dhimbje,
prandaj i dua.
I thash një ditë gruas:
njësh me katër lindjet e tua.

Jetën e dua gjer në përgjërim
në dy skajet e saj.
Qesh kur qesh ajo,
kur qan
dhe unë qaj.

Kur hiqet zvarrë
me zemrën coptuar,
leckë e përgjakur...,
vë duart në tëmtha
si fëmijë i plakur.

Në shekullin e dimrave të tmerrshëm,
dimra që s'çelën pranverë,
pak lule të mekura,
të zbehta,
sa lindën,
u vushkën,
u thanë menjëherë.

Unë u plaka pa lule
në këtë dimër shekull.
Pash veç agime të hirta
nga syri përzier me vetull.

I ashpër ky shekull dimër,
i vrazhdë.
Furtuna këputi dhe lisa.
Pa mbrojtje më gjeti dhe mua,
jashtë.
Përplasja s'më theu,
por krisa!

Katër pranverave që çela me gruan,
nga sytë gjysmë të hapur
u dhash pakëz diell.
Erdhi kjo pranverë e përgjakur,
më e përgjakshmja e shekullit
që skuqi e nxiu
tokë, det e qiell.

Dhe ato ikën,
ikën larg.
Zgjodhën udhën e mundimshme,
të gjatë.
Ikën nga ky shekull,
mos t'i verbonte me mjegull.

Në se këto pranvera
do të lulojnë një ditë,
do të kthehen serish
të veshura me dritë.

Veç këtij shekulli i mbajnë mëri.
Ndoshta do të vijnë në shekullin e ri.

Atëhere vetullat e mia të rrëzuara
do të marrin hark.
Sytë do të pinë dritë sa të dehen,
nga mëngjesi në darkë.

Maj 1997

QERIM SKËNDERAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.