VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - ZGJEDHJA E GABUARVILHELME VRANA HAXHIRAJ, fragmenti V nga romani 'Loja e mëkatit'

                                                                                      

E Premte, 04.19.2024, 10:54am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
ZGJEDHJA E GABUAR
VILHELME VRANA HAXHIRAJ, fragmenti V nga romani 'Loja e mëkatit'

E Premte, 01.23.2015, 08:46am (GMT+1)




   Pas pak, ndoshta pas rreth 20-25 minutash, makinat pushuan alarmin dhe ndalën në oborrin e një ndërtese të hershme. Edhe pse ishin zyrat e policisë rajonale, stili i ndërtimit arkitekturor të godinës i tërhoqi vëmendjen Arlindit dhe të kujtdo që e çonte puna apo halli. "E bukura bije në sy menjëherë dhe kushdo e pëlqen pamjen e jashtme të saj, madje deri në admirim. Ngjason njëlloj si dashuri me shikim të parë. Kështu ndodh edhe me një rrugë të veçantë apo me një qytet, që të hynë në zemër e nuk do që të largohesh prej tij,"- mendoi ai vetëtimthi. Ndoshta ishte mendimi i burgosur i atij që vinte nga një vend, ku liria ishte ideale dhe ekzistonte vetëm në ëndrra, apo  mendim i atyre vajzave të gjora, që për vite e vite u kishin munguar ngjyrat e gjalla të jetës. Disa nga ato ishin futur në mendime të thella. Disa syresh rrinin të strukura njëra pas tjetrës dhe prisnin vendimin që do të merrnin për to. Qëndrimet e vajzave ishin të ndryshme, këto ishin në vartësi të kushteve të futjes së tyre në shtëpi publike. Jo të gjitha i kishin detyruar të ushtronin profesionin më të lashtë të botës. Ato që kishin shkuar me dashje, binin në sy lehtësisht, si nga mënyra e qëndrimit të shkujdesur, mospërfillës, apo dallonin nga shikimet provokuese ndaj punonjësve të policisë.

"Ndoshta do të na burgosin për ushtrim prostitucioni ose do të na mbyllin në qendra rehabilitimi, me mendimin se e kemi zgjedhur me dëshirë këtë rrugë të kanaleve apo llagëmeve, e cila, veç zhvlerësimit, poshtërimit, përbaltjes dhe humbjes së dinjitetit si qenie humane, asgjë të mirë nuk na ofron", -mendonte e përhumbur Kaltra. E zhytur në dëshpërim të thellë, pasi i dukej se humbi çdo shpresë për të takuar djalin, priste radhën të futej brenda. Papritur i tërhoqën vëmendjen britmat histerike të njërës prej tyre që e kishin marrë në pyetje. Nga theksi i italishtes, dukej që ishte sllave. O Zot, vetëm gërthitjet e saj acaruese dëgjoheshin, jehona e të cilave përcillej nëpër muret e asaj godine e mbërrinte deri aty..

  " -Unë bëj atë jetë që më pëlqen. Nuk më ka detyruar asnjë njeri. Kam ardhur me dëshirën time. U largova nga papunësia dhe varfëria e vendit tim. Iu dorëzova të  parit njeri që më premtoi se do të më gjente punë në Itali. Mbase ju jeni kundër dhe e përbuzni, kurse mua më pëlqen ky profesion. Nuk më mungon asgjë. E ç'dua më tepër nga jeta?!
    -Pse kështu e imagjinon jetën apo lirinë tënde, ti? Je kaq e re dhe shpërdoron vetëveten, mohon të qenit femër? Kjo është e pabesueshme,jo,jo...ishte një zë pyetës tejet i acaruar.
    -Nuk kam qenë ndonjëherë më mirë në famljen time, se sa këtu.  
    -Çfarë do të bësh pasi të të lëshojmë ne, nëse e fiton këtë të drejtë?
    -Do të shkoj prapë atje.Tashmë ajo është shtëpia ime...Për mua nuk ka asnjë rrugëdalje tjetër. Ky ishte fati im, të cilin unë e pranova pa kushte.
    -Po nëse ne e shkatërrojmë si qendër prostitucioni, sepse është biznes i jashtëligjshëm, ti çfarë do të bësh?
     -Do të dalë në rrugë.
     -Të njëjtat fitime ke si në rrugë edhe në lokal?
     -Më thuaj se cili mashkull nuk joshet nga trupi im? Shiko, shiko çfarë trupi, ç'gjoks, ç'këmbë e ç'vithe që kam?! Provo të më nxjerrësh në rrugë dhe ti më kontrollo fshehtas. Unë vras veten nëse kalojnë pesë minuta pa m'u vardisur jo një mashkull, por më...Nuk më beson?

   Tani që unë flas dhe ngre këmbën mbi tavolinë, kapiten, mos i mbajte gjë sytë mbyllur? E pres kokën nëse ti nuk je kapërditur i angështuar dhe tani të janë rizgjuar, madje të janë ngrefosur gjëndrat e epshit prej hamshori. Shumica e burrave të ngeshëm, që bëjnë punë zyre, njësoj janë...ndryshojnë ata që bëjnë punë të lodhshme fizike. Burrat me neps nuk kanë ndonjë ndryshim me qenin, i cili i vardiset bushtrës, së cilës i shkon pas...Ndaj vë bast me çfarë të duash, se tani mendja të rri në një vend...ta  ka qejfi të kalosh një natë me mua... Ndërsa më pyet e më bërtet, po më përpin me sy...Sa i njoh unë meshkujt...ti nuk e ke idenë... Kanë qenë burra në pozitë të lartë shtetërore dhe kanë rënë në këmbët e mia, apo të të tjerave... Aty ku lind sherri, me siguri që në mes është një femër. Pa praninë joshëse të femrës, nuk fitohet asnjë betejë dhe nuk merret asnjë lloj pushteti. Kapiten po të bëj një pyetje:" Burrat e mëdhenj kë do të përdorin në këtë rol, gruan, apo të dashurën?" Edhe pse ke frikë të përgjigjesh, ti e di shumë më mirë nga  unë...do të përdorin të dytën, morozen. Burri e ruan gruan, edhe kur nuk ka ndjenja për të, sepse ajo është pasqyra morale e familjes së tij në opinion, është dinjiteti i tij, që nuk mund ta marrë nëpër këmbë kurrë.

   -Pusho, se do të fus në qeli nga ku të mos dalësh kurrë më...!- për herë të parë ngriti zërin oficeri
   -Tani më pëlqen që u nxehe me mua për një të vërtetë të hidhur. Me forcë nuk arrin asgjë. Nëse je i zoti dhe më bind se në jetë ndodh ndryshe, e pranoj qelinë, me kënqaqësi.  por...edhe ata më besnikët e kurorës bashkëshortore , e kanë harruar dashurinë e tyre të madhe, qoftë edhe "të vetmen dashuri të jetës" kur kanë rënë në krahët e një kurve si unë... E di pse?

   Sepse me ato si puna ime, duke qenë në krahët e tyre, ju burrat harroni se cilët jeni. Harroni që keni një grua me të cilën jeni lidhur si rezultat i dashurisë tuaj të çmendur. Sikur nuk e dini që keni një familje. Ndoshta nuk e keni kuptuar që jeni baba. Si duket nuk ju bije ndërmend se keni përgjegjësi morale, si prind, si qytetar dhe si përfaqësues shtetëror në karrigen ku u kanë ulur. Ju nuk e keni të qartë, kurse ne femrat, po.  Ju burrat keni frikë nga e vërteta, ndaj shpesh herë jeni aq të dobët, sa i fshiheni edhe vetevetes. Një mosmarrëveshje familjare kërkoni ta harroni në krahët e një tjetre, pasi atë kënaqësi që u dhuron fshehtësia, nuk ua jep dot gruaja. Marrrëdhëniet intime e të shfrenuara me ne, larg syve të botës, në dhoma me ngjyra të përndezura që tërbojnë edhe demat, ju bëjnë të ndiheni më epshorë. Kam vënë re se tek meshkujt e papërgjegjshëm ekziston instikti i kafshës e cila nuk njeh norma, etikë, ndjenja. Të atillët duan të bëjnë vetëm seks me cilëndo, vetëm të shfrehin mllefin e grumbulluar prej mangësive që ndjejnë nga gruaja e tejlodhur, apo duke qenë të tejngopur nga intimiteti bashkëshortor, kërkojnë të ndryshojnë shijen e ndjesive. Me këtë rast dua të kujtoj një nga rrëfenjat e Dekameronit, ku Pogaçio, lakminë seksuale të burrave e krahason me 100 gjellë me kungull. Edhe pse ai jua ka nxjerr bojën tipave të tillë, ju harroni që gratë janë bërë nga e njëjtë lëndë, janë si puna e kungullit, të cilin sido që ta gatuash, ai kungull ngelet... Nuk ka emër tjetër.

  E shkreta grua! Pasi kthehet nga puna, pastron shtëpinë, lanë, hekuros, gatuan, kujdeset për edukimin apo mbarëvajtjen në mësime të fëmijëve dhe së fundmi pasi ka shtruar tryezën për darkë, nuk ka më fuqi as për të ngrënë edhe jo më t'i shkojë mendja për qejfe. I dhemb i gjithë trupi, e grryen mendimi se çfarë duhet të bëjë nesër që burrit dhe fëmijëve të mos u mungojë gjë. Mes brengash dhe hallesh bije në një gjumë të thellë, një gjumë gjithë ëndrra. E mjera femër, që ka harruar se edhe ajo është njeri. Kush u merakos vallë për të? A e kanë pyetur veten se edhe ajo është prej gjaku, mishi dhe ndjenjash? E di ndokush se cilat janë dëshirat, ëndrrat dhe pasionet  e saj, apo si e ka parafytyruar ajo jetën? Jo, kurrë..., askush.

  Sepse shumë prej jush harrojnë se me detyrën që kryeni, nga ju varet fati i sa e sa njerëzve, që mjerisht besimin e dhënë e shpërdoroni.  Mendoj se ju keni nevojë t'ju kujtojnë se në radhë të parë është etika, ajo që të ballafaqon me të tjerët, me punën, me opinionin për të thënë me mburrje se cili je. 

    -Me ty nuk mund të flasësh dot...Në qeli çojeni! Kur ta qep gojën e të mësojë se si duhet të sillet, atëherë do të flasim ndryshe, - klithi ai duke i rënë tavolinës me sa fuqi kishte.
    -E shikon oficer? Nervozizmi yt tregon se unë kam të drejtë. Unë nuk dua të vuaj shpirtërisht si ato gra që presin burrin me tavolinën shtruar deri në agim, atë burrë që bën një jetë të dyfishtë. Dua që me hiret e trupit tim të kënaq burrat që kanë nevojë të qetësohen pak nga hallet e përditshme. Më pëlqen t'u plotësojë kënaqësitë trupore dhe shpirtërore atyre meshkujve të cilëve gratë e tyre të rraskapitura e të padëshiruara, nuk ua dhurojnë  dot. Përderisa më paguajnë mirë, të tjerat për mua janë jo vetëm pa rëndësi, por fare pa asnjë vlerë. Jeta ime është jeta ime dhe ajo më përket mua, me të cilën do të bëj atë çka shoh më të dobishme. Për mua më e arsyeshmja dhe më e drejta është jeta që kam zgjedhur të bëj. Ndaj më lini të lirë që të ushtroj atë profesion që më përshtatet.
    -Në qeli, në qeli derisa t'i vijnë mendtë..."- klithi ai pa pasur asnjë pikë mëshire.
    -Të hyj tjetra...

     Ndërkohë syri i botës sapo ishte zgjuar nga ajo natë e pagjumtë dhe një rreze tinëzare e tij i ishte përvjedhur dritares së Komisariatit të Policisë, përmes një reflektimi rrenacak. Kaltra e përhumbur dhe e pavëmendshme ndiqte lojën e dritës, që herë dukej dhe herë zhdukej , të cilën e krahasonte me fatin e saj.  Kurse në mendje i gëlonin mendime:" Drita së paku është e lirë kurse unë...Ndoshta ai rrezatim është pasqyrim i asaj që iku dhe që nuk kthehet më. Në përthyerjen e tij duket sikur shoh një të qeshur idhnake, ku reflektohet hareja e shthurur e fatlumëve në natën magjiflakët dhe të argjendtë që koha ka lënë  pas. Çudi gjithçka ishte dhe është në kundërshtim me fatin tim të zi. Mirë të më bëhet...Tani e gjej veten para një fjalëkryqi, me shumë të panjohura, që për shkak të paaftësisë sime nuk di t'u përgjigjem"-ajo sikur u rizgjua nga thirrja e oficerit...

 -Tjetra...!

   Kaltra hyri në majë të gishtave nga frika se mos prishte atë çast qetësie të rreme, e cila kishte rënë befas në atë zyrë ku mbretëronte një rregull i skajshëm që binte në sy të çdokujt që hynte brenda për herë të parë. Megjithëse ishte vetëm oficeri, atmosfera dukej e rënduar. Mes ajrit të asaj zyre ende qarkullonin fjalët fyese të asaj që sapo doli ndaj gjinisë mashkullore dhe jetës... Gjithsesi, në gjithë qenien e saj, ajo ndjeu peshën e rëndë të fjalorit vulgar e të papërgjegjshëm të saj. Kjo gjë e vuri në pozitë të vështirë. Ndjente një angështim në kraharor dhe nuk ngopej dot me oksigjen..."Edhe unë jam një e atij lloji si ajo...Edhe pse nuk kam shkuar me dëshirë, nuk jam gjë tjetër veçse një putanë...si ajo dhe faji është i imi. Unë dhe vetëm unë e zgjodha këtë rrugë, ndaj jam përgjegjëse për çdo pasojë. Unë doja nga jeta atë që nuk më takonte, diçka që fuqitë e mia mendore, materiale apo pozita ime shoqërore nuk ma lejonin. Së paku për sytë e burrave që vinin tek Bar"Angeli", në psikologjinë e oficerit dhe të të gjithë atyre që më kanë parë e më shohin kështu gjysmëlakuriqe, nuk jam gjë tjetër , veçse një e përdalë...një prostitutë që ushtron profesionin  më të vjetër të rruzullit tokësor. Uf...si do të shpëtoj nga ky siklet! Po a do të shpëtoj dot vallë?!" -teksa i merrej fryma duke gulçuar, pyeste vetëdijen, po prej kujt priste përgjigje? Papritur vetëndjeu nga thellësia  e qenies së saj një kujisje si të qyqes. Ishte klithma e një nëne të yyy dhimbsur që i zvargej tatëpjetë fytit, i shkonte deri në stomak, duke përciell tek ajo ndjesinë e të vjellit. Ishte kujtuar vonë, gjithsesi tashmë ndjenja e nënës kishte ngritur krye, ajo ndjenjë sublime, që nuk krahasohet me asgjë në botë.  Ajo vazhdonte mendimet e përhumbur, kurse oficeri  nuk e ndjeu fare.

   "I gjori ai! Mos të harrojmë se edhe ai mashkull është dhe... Duket si mos më keq, në një pozitë të vështirë. Kjo vihet re sidomos në qëndrimin e tij të çoroditur dhe tejet nervoz...!"-ajo e ndiqte në heshtje teksa ai kishte kapur kokën me të dy duart dhe papritur mbushi një gotë ujë që mezi e kapërdiste në gllënka të vogla . Ndërsa ajo vazhdonte të qëndronte në këmbë e trembur. Gjithë trupin ia përshkonin mornica..."Për shkak të gojës dhe karakterit të papërmbajtur të asaj sllaves, kushedi se si do të sillet me mua? Pa le se ç'vendim mund të marrë ndaj meje,"- bluante në mendjen e saj të turbullt. "Po im bir, ku është tani? Çfarë bën Jonidi im? A më kujton dot ? Ndoshta nuk më mban mend as fytyrën, pa le gjestet...!"- dhe në një çast të vetëm ajo solli ndërmend sa shumë skena ledhash, apo çaste lojërash dhe përqafimesh me të birin. Hodhi sytë nga oficeri dhe një drithërimë e acartë i përshkoi trupin që nga thoji e deri në majë të flokut. Kapi krahët me duar dhe nisi të dridhej si ndër ethe...

     Ndërsa priste në ankth pyetjet e kapitenit, Kaltra nuk ishte as në tokë e as në qiell...Heshtja e tij i dukej një ferr i vërtetë. Kjo e rëndonte edhe më shumë gjendjen e  saj të nderë. Nga pritja e ethëshme për të marrë një lajm nga djali, tashmë edhe kjo i duhej..."Çdo sekondë më është bërë e padurueshme. Më duket se mbaj mbi shpinë një shkëmb vullkanik, që nuk më lë të marrë frymë. Koha për mua ka ndalur në vend, sepse ajo nuk lodhet, nuk mërzitet. Mua më duket sikur më pret, kurse ajo galopon dhe pa e ndjerë të dyja moshohemi. Ngaqë në dukje koha është ngërthyer në këtë zyrë të komisariatit të policisë, kurse mua më duket se atë  e kanë vendosur si ngarkesë në shpinën e një breshke që ecën po aq ngadalë, sa ç'ecën ajo. Tani jam shndërruar në një fantazmë që merr frymë me spazma ngërçi. Nuk më ka ngelur më asnjë shpresë që ta shoh tim bir. Njeriu që do të më ndihmonte, u burgos bashkë me mua. Si do të më vej filli vallë? Jam në hall të madh, më tepër për fatin e djalit, se për vete më ka vajtur fati rrokullimë. Përse duhet të ankohem, kur nga jeta mora atë që kisha dëshiruar...?!"- ajo u përmend kur së fundmi oficeri u kujtua që ajo kishte disa minuta që priste...dhe e thirri. "Ndoshta vuri në provë durimin tim?! Ku i dihet?" - dhe hodhi shikimin e drojtur mbi të. Tani asaj iu duk disi më i zbutur,  më i qetë...Gjithsesi ajo vazhdonte të kërciste dhëmbët, ndërsa flokët i kishte të rrëqethura, të ngritura përpjetë dhe të ashpër si gjembat e iriqit.

  -Si të quajnë?

  Ajo ende nuk kishte nisur të fliste, një trokitje e lehtë në derë e la me gojën hapur. Ishte oficeri i rojës që diçka i pëshpëriti shefit.

  Pas pak hyri djali me të cilin ajo ishte në dhomë, ku e gjeti policia. Ishte i shoqëruar nga një zotëri. Ngriu në vend e zgurdulluar. "Tani më mori lumi!" mendoi ndërkohë që oficeri e nxori atë në paradhomë dhe nisi të bisedojë me zë të ulët me ata të dy.
 -Përshëndetje...,jam Aldo!- dhe i paraqiti një dokument që identifikonte veten dhe vendin e punës. -Siç e shihni vij nga Qendra e Integrimit për vendet e Lindjes, kryesisht për Ballkanin. Zotëria është personi ndërlidhës për operacionin që kryet natën e kaluar në Bar "Angeli".
   -Zotëria duhet të na njohë me vajzën që u bë shkak i ndërhyrjes sonë.
  -Është personi që kishit brenda dhe tani ndodhet në paradhomë.
  -Ajo nuk duhet të mësojë që kallzimin e kam bër unë, -ndërhyri Arlindi pasi u deklarua  se cili ishte, ç'qëllim kishte pasur që ndodhej në kazino atë mbrëmje dhe që e la veten të kapej në flagrance nga policia.
   -Po e quajmë rastësi qënien tuaj atje dhe që të mos ngjallen dyshime, ti duhet të kalosh në pyetje si gjithë të tjerët. Mendoj se ruajtja e sekretit ka më tepër vlera, jo vetëm për personin tuaj, por për të gjithë.
   -Zotërinjë, akoma nuk dimë nëse aksioni u krye i plotë ose jo,- shprehu dyshimet oficeri.
    -Për këtë duhet të thërrisni vajzën, e cila është gati të dorëzohet dhe të bashkëpunojë me ju. Madje është ajo nismëtare për këtë askion. Ose më mirë u bë ajo shkak për një ndërmarrje të rëndësishme kundër prostitucionit dhe kumarit.
    -Më mirë të mbarojmë punë me ju dhe pastaj mësojmë për aktivitetin e kazinosë.   Kapiteni nisi menjëherë nga pyetjet. Ai kishte mbështetjen e Aldos, i cili iu përgjigj shumë dyshimeve të tij idhur me lejën e qarkullimit, banesën dhe punësimin e të riut shqiptar.
      -Kapiten, zonja nuk më njeh se cili jam, ndaj po qëndroj brenda nëse nuk keni kundërshtim..
    -Natyrisht që mund të qëndroni. Ndoshta më nevojiteni, zoti Aldo.
    Menjëherë pas daljes së Arlindit nga zyra e shefit të policisë, thirrën vajzën.

   ***

    -Eja..., ulu në karrige!
Ajo përshëndeti nën zë, me kokën varur në kraharor dhe u ul. Rrinte në cep të karriges si mbi gjemba.
 -Kam ardhur këtu të bëj një kallzim, të cilin duhej ta kisha bërë kohë më parë, por nuk kisha asnjë mundësi, - pati kurajën t' i thoshte shefit të policisë.
  -Më vjen keq, ndoshta e thoni që të shpëtoni, zonjë. Por nuk keni ardhur ju me dëshirë, sepse ne ju arrestuam për ushtrim prostitucioni, që shteti ynë e dënon me ligj.
       -Po zoti kapiten, keni të drejtë. Veç duhet të më besoni se kohët e fundit , ky ka qenë synimi im, që në rastin më të parë të dorëzohesha tek ju.
        -Më parë do të më jepni disa të dhëna për të identifikuar personin tuaj.
        -Quhem Kaltra Rami. Jam shqiptare. Si çdo vajzë e re, kisha ëndrrat e mia. Synimi im ishte të kryeja studimet e larta në vendin tuaj. U njoha me një djalë i cili më premtoi se do të ma realizonte ëndrrën e rinisë. Por vështirësitë nuk ma krijuan këtë mundësi. Gjithmonë me shpresën se, një ditë do ta kapërceja Adriatikun për të realizuar veten, u martova dhe linda një djalë.

        Kur djali kishte përvjetorin e tretë të lindjes, burri organizoi një festë me disa shokë të tij, të cilët nuk i njihja. Më kujtohet si nëpër mjegull, se më zuri birra qysh në gotën e parë. Kjo s'më kishte ndodhur kurrë ndonjëherë. Nuk mbaj mend se ç'ndodhi më vonë. Më kanë marrë nga bari në një gjendje të pavetëdijshme. Më tej nuk di as si e me se kam ardhur. Vetëm kur u gjenda në një ambient të huaj, tejet të huaj, në një dhomë hoteli a diçka tjetër, u shtanga. Doja të ngrihesha dhe të ikja nga sytë,këmbët, por kur e pashë veten të lidhur me këmbë e duar, jam tmerruar. Doja të kërkoja ndihmë, por ishte e pamundur. Kujt t'i drejtohesha? Edhe gojën ma kishin lidhur. Tek porta kishte roje.

     -E flet mirë gjuhën italiane. Si ka mundësi?- pyeti  shefi i komisariatit të policisë.    
     -Kam vite këtu, megjithëse kisha njohuri qysh në vendin tim. Në shkollën e mesme, kam mësuar italisht, gjuhë, të cilën e  kishim lëndë në programin  mësimor. Pastaj shumica e shqiptarëve e kuptojnë gjuhën tuaj.
     -Si u gjende në këtë bar nate ku luhen lojëra fati..., kumari?
     -Një mbrëmje vonë dëgjova disa të shtëna pushkësh. Pas pak u hap porta me forcë dhe dëgjova zërin e burrit tim.
     "-Ti, ti nga e dije që isha këtu?- e pyeta ndërkohë që ai po më zgjidhte këmbët, duart dhe më liroi gojën.
     -Na kishin rrëmbyer të dyve, zemër. Mua më ndihmoi fati dhe erdha të gjeta menjëherë.
     -Kam shumë frikë, mos na kapin, - i thashë unë me besim të plotë se kjo ishte e vërteta.
     -Mbaroi zemër, mbaroi. Tani më ke mua. Bashkë do të shkojmë në një vend të sigurt.
     -Po djali si është? Ku është?  
     -Mos ki merak tani gjithçka është në rregull. Djalin e kanë prindërit e tu.
     -Nga e di ti se është atje?
    -E morën prindërit e tu qysh atë natën e ditëlindjes së tij.
    -Sëpaku ai qenka i siguruar. Gjysma e së keqes, por...Të lutem me përgjërim, më largo që këtej...
     -Sa të na krijohet mundësia do të kthehemi në Shqipëri dhe do të shkojmë tek djali që po na pret. Zemër, ki besim tek unë. A të kasm zhgënjyer ndonjëherë?"- kjo ishte biseda me bashkëshortin dhe qysh atë natë përfundova në  atë Bar nate që kishte një emër të lakmueshëm "Angeli". Ishte ajo natë që më ndau nga bota e të gjallëve. Prej vitesh frymoj këtu në këtë qytet dhe nuk e njoh, pasi që nga ajo natë, nuk kam dalë më prej andej.
     Komisari e dëgjonte me vëmëndje dhe ishte i nervozuar.
      -Domethënë ti ke qenë e burgosura që shfrytëzohej në maksimum. "Mamma mia?!"- klithi ai.
      -Më keq se në burg. Këto vite të hidhura kam përjetuar ferrin.
      -Ç' do të bësh tani?
      -Kjo varet nga ju... Më çoni në burg, në çmendinë, edhe në ferr, vetëm atje jo...
      -S'ke bërë as krim dhe as je e çmendur... A do të doje të të kthenim në vendin tënd?
      -Dua të takoj djalin. Dua të rri me tim bir, pasi për mua veç tij askush nuk u bë i gjallë...nuk u merakos njeri dhe as më kërkoi kush. Të shoh e të çmallem me djalin tim, është e vetmja gjë që kërkoj nga ju.
      -Do të qëndrosh këtu sa të të sigurojmë dokumentat shoqëruese për të kaluar kufirin.
      -Ju lutem më ndihmoni!  Vetëm po të bashkohem me djalin, ndoshta do të arrij të harroj dhembjen që më ka kapluar trup, shpirt e mendje.
      -Po bashkëshortin, nuk ke dëshirë ta takosh?
      -Kam mësuar se ka vdekur në një aksident me makinë."- ."- kjo është historia ime shkurt.  
      -Më jep emrin e tij, të lutem! Tani ne na duhet të njohim jetën që bëhej në Bar -Kazino "Angeli". A mund të na japësh një tablo deri diku me përafërsi?
      -Për aq sa di...ndoshta...
      -Vetëm këtë hyrje ka i ashtuquajturi Bar "Angeli"?  
      -Ju hytë në portën kryesore dhe vetëm në katin e parë dhe të dytë? Po minibarin e lëvizët?
      -Jo...Nga ta dinim.
      Personi  që ju ka informuar, si duket nuk e njeh sa duhet ndërtesën.Pjesa e dukshme është fasada, e cila paraqet "biznesin e ligjshëm". Rafti me pije alkoolike të shtrenjta dhe qelqurina është një derë e fshehtë, që maskohet nga pasqyrat e mëdhaja. Ajo të çon në pjesën tjetër të ndërtesës ku zhvillohet biznesi i vërtetë, tregu i zi, kumari, që bëhet larg syve të klientëve.
          Më pas oficeri nxori një listë emërore dhe pyeti nëse i njihte emrat e tyre.
         -Asnjë atje nuk figuron me emrin e vërtetë. Nëse keni fotot e tyre, edhe mund t'i njoh.
    Papritur nxori një sërë fotosh. Mes tyre ishte edhe fotua e saj. Ajo ndali një çast, psherëtiu dhe lotët iu rrokullisën mbi letër. Pastaj vazhdoi, duke i ndarë fotot në dy grupe.
    -Shumica e meshkujve janë klientë. Kurse këta janë punonjës të dorës së dytë apo të tretë. Mungon pronari i kazinosë..., si dhe nga tutorët kryesorë nuk është asnjeri prej tyre, së paku nga fotot që më keni dhënë.
    -I njeh nëse i shikon?
    -Si fizionomi po..., por emrat jo. U di vetëm nofkat që mbajnë. Disa vajza janë si puna e asaj serbes që dabatoi me ju. Të tjerat duan të riatdhesohen.
    -A ke ndonjë prej tyre, së cilës mund t'i besosh?
    -Kam një shqiptare nga trevat jashtë kufijëve tanë, një bullgare dhe një ukrainase.
    -Të lutem veço fotot e tyre.
   Ajo veçoi dhjetë foto, që e dinte se i kishin mashtruar. Kurse vetëm tri vajzave prej tyre mund t'u besonte.
   -Së paku i njoh për të tilla...pastaj varet nga karakteri i secilës se si do të veprojnë.
   -Atëherë ju të dhjeta do të ktheheni te Bar "Angeli". Dy nga ato do t[ë mbahen derisa të gjejmë zgjidhjen e duhur. Kurse ti me tre vajzat që mendon se janë të besuara, do të punoni për ne, ajo u drithërua prej fjalëve të tij.
   -Më fal, ndoshta nuk u shpreha mirë!
    Ndërlidhësi do të jetë djali që ishte me ty mbrëmë. Ai është djalë i vendosur. Ju të katra as me njëra -tjetrën nuk do të bisedoni. Besoni vetëm tek vetja.
    -Po ju a nuk e mbyllët kazinonë?- ndërhyri Aldo, zotëria që kishte ardhur me Arlindin.
    -Pyetje e drejtë, por ende nuk është dhënë urdhëri i prerë, pasi aksioni ishte i pjesshëm. Ndaj zonja bashkë me disa të tjera do të kthehen atje dhe...
     -Zoti kapiten, ju lutem, mos ma bëni këtë. Më mirë më vrisni me dorën tuaj.Ju kurrë nuk e imagjinoni dot se çfarë kam hequr...Më mirë e vdekur se sa të shkoj prapë atje, nuk mundem më, - i ndërpreu vajza.
    -Zonjë, unë dhe të tjerët si unë nuk vrasim askënd, por vetëm duam të shpëtojmë jetë të pafajshme.
   -Ju, jo vetëm nuk e kuptoni, por nuk e merrni dot me mend, ose nuk mund ta imagjinoni dot se si do të hakmerren ata me ne...
   -Kjo nuk do të zgjasë shumë. Ne dimë se si veprojmë. Nëse nuk na ndihmoni ju, do t'u japim liri këtyre krimeve që po marrin jetë njerëzish, që pasurohen përmes drogës, trafikut të armëve, trafikut të qenieve njerëzore. Zonjushë, dhe për sa kohë duhet të lejojmë që ligjin ta bëjë dhe ta zbatojë krimi? Nëse nuk sakrifikon apo vetëmohohet dikush, krimi i organizuar apo i rastësishëm do të na shkatërrojë si njerëzim pa dallime kombësish.
   -Mos më përzgjidhni mua,pasi nuk mundem...kam një djalë nëntë vjeç që ka ardhur të më kërkojë. Ende nuk e kam parë. Ju lutem, mos ma humbisni të vetmen mundësi që më është krijuar.  
    -Çdo minutë e humbur, ndihmon kriminelët dhe tutorët. Do të doje vallë që djali yt të përfundonte si karem i trafikut të tyre dhe nesër të bëhej kriminel?
    -Jo, jo kurrën e kurrës. Më mirë të vdes se sa ta shoh tim bir të shndërruar në një përbindësh. Mos vallë duhet të jem unë domosdoshmërisht e pranishme për të kapur një bandë kriminelësh? Mirë për mua, po për djalin nuk ju vjen keq? Ju lutem nëse besoni në Zot, më lini të lirë...,bëjeni për hir të tij. Është veçse një fëmijë që rrezikoi jetën deri në vetmohim, vetëm për të gjetur nënën. A nuk është rrëqethëse, madje nuk është e dhimbshme për një prind?
  -Zonjë, na duhet ndihma jote dhe e atyre që janë bërë pronë e tutorëve në mënyrë të dhunshme. Na duhet bashkëpunim që të frenojmë sadopak trafikimin e qenieve njerëzore...apo krimin e organizuar. Pa bashkëpunim nuk mund të bëjmë dot asgjë.
      Ajo vazhdonte të dëneste me ngulçe... që të këpusnin shpirtin. Veçse po ta gjykoje pak, shkaku ishte ajo, ishte zgjedhja e saj e gabuar, ndaj kishte arritur deri aty.     
      -Zonjë, mos këmbëngulni më kot... nëse nuk bëjmë gjë, ti rrezikon jetën. E di  se kush e vrau burrin tënd? Një ditë do ta mësosh të vërtetën. Por pa u zgjidhur ky lëmsh, nuk ke shpëtim as ti dhe as ato që kërkojnë të jenë të lira, -nuk e bëri fjalën dy Kapiteni
                     Vazhdon...
 

VILHELME VRANA HAXHIRAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
PRANVERAT E SHEKULLIT – DIMËRPoemë nga QERIM SKËNDERAJ (01.20.2015)
LETËR SIME BIJENga JGM LE CLESIO (01.19.2015)
KURSE MUA NUK MUND TË MË SHKULINCikël poetik nga ADEM ZAPLLUZHA (01.19.2015)
PASUNARICikël me poezi nga PËRPARIM HYSI (01.18.2015)
LIRIZMI NË ARTEssé nga THANI NAQO (01.18.2015)
FLATRAT E DETIT TË HUMBURPoezi të zgjedhura nga JUSUF GËRVALLA (1 tetor 1945 - 17 janar 1982) (01.17.2015)
NË HYRJE TË LABIRINTITVILHELME VRANA HAXHIRAJ, fragmenti IV nga romani 'Loja e mëkatit' (01.17.2015)
FESTA E ESHTRAVE - poezi me rastin e kthimit të eshtrave të Isa Boletinit në Kosovë- Isa Boletini, në veten e parëNga RRUSTEM GECI (01.16.2015)
Corriere della Sera - HOUELLEBECQI KA FRIKË PËR JETËN (01.16.2015)
VARROSEMI NË AJËR, MË PARË SE TË VARROSEMI NË DHÉPoezi të zgjedhura nga BETIM MUÇO (janar 1947 - 15 janar 2015) (01.16.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]