VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

URATA
Poezi nga FASLLI HALITI

E Premte, 01.30.2015, 08:06am (GMT1)

F A S L L I   H A L I T I

 


URATA  

Muhamedi kalon fushave, mbi dhè.
Sheh njerëz të gëzuar,
Të gëzuar
Sa s'ka,
Aq të  lumtur i sheh
E aq të hareshëm i duken ata...

Ç'janë këta njerëz të lumtur kështu,
Ç'i lumturon
Këta
Të bekuar?
Ky lëng i gëzon,
Ky lëng i kulluar ?!

Ky lëng i perëndisë
Si quhet
Raki ?!
Nga ferra del ?!
Po e provoj...
M'u çelën sytë,
Marr frymë lirisht.
Uratën paç moj bija e ferrës,
Paç bekimin tim dhe të Perëndisë

Ecën Profeti, ecën
Ecën
Si zot i tokës mbi tokën e bekuar.
Avuj rakie enden si mjegull e dehur
Që i merren këmbët në muzg,
Avuj
Turbullues, 
Avuj marramendës
Avuj të dehur, pluskues .
***
 

Po kjo përskuqje
Nderur tutje
Përtej,
Si qefin violë mbi dhè.
Po ai gjak i kuq, avullues
Po ai lëng i kuq flakërues atje ?

Po këta të sakatuar?
Kush i sakatoi,
Kush i theri robtë e zotit kështu ?
Si?!
Bija  e ferrës
I theri ata ?!
Bija e ferrës,
Ma bëri këtë hata!?

***

Lutje të robërve të Zotit   
Dëgjohen kudo
Lart edhe poshtë
Dëgjohen
Ato:

Mallkoje
Mallkoje,
Ferrën, Profet
Mallkoje mallkoje
  Asreti Muhamed...
***
Të mallkoj
Ferrën,
Bijën e ferrës  
Ta bëj lanet..?!
   Robtë e mi, robtë e mi
Kur unë jap uratën, e jap atë përjetë...!

FASLLI HALITI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.