E Martë, 03.19.2024, 04:08am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
NJERI PA FAT NUK KA
VILHELME VRANA HAXHIRAJ, fragmenti VI i romanit 'Loja e mëkatit'

E Shtunë, 01.31.2015, 09:34am (GMT+1)




  Në muzgmbrëmje vajzat u lanë "të lira". Ato që kishin probleme me drogën e me alkoolin  apo që kishin krijuar vartësi ndaj tyre, i çuan në qendra rihabilitimi. Të tjerat i zbritën nga makina dy e nga dy, në vende të ndryshme që të mos binin në sy. Të gjitha ato papërjashtim, morën drejtimin për te Bar -Kazino "Angeli", porse portën e gjetën të mbyllur. Jashtë saj ishte një lajmërim, ku shkruhej se mbyllej aktiviteti përkohësisht. Gjatë gjithë kohës vajzat ishin nën vëzhgimin e syrit të padukshëm të policëve civilë. Nuk kaloi shumë kohë për ato që u shkonte për shtat zanati i bordelos dhe papritur e pakujtuar u zhdukën nga rruga. E gjetën"punën" sa hap e mbyll sytë. Kurse të tjerat u sorollatën disi derisa i nuhatën me erë tutorët dhe i morën. Çuditërisht vëzhguesit vunë re se të gjitha vajzat përfunduan pas Bar "Angeli", nga ana tjetër, ku kalonte një rrugicë paralele jo shumë e dukshme. Aty gjendej hotel "Venera". Restoranti që ishte në katin e parë të godinës vazhdonte punë i qetë. Po kështu në dukje vazhdonte puna edhe në hotel, në katet e sipërme të ndërtetës. Nga një sy i mprehtë, i kujdesshëm dhe zhbirues, vihej re se ndërtesat me dalje të kundërta në të dy rrugët, sikur ishin ndërtuar në shpinë të njëra- tjetrës. Kjo mënyrë ndërtimi e bënte më të besueshme fjalën e Kaltrës se Bar "Angeli" kishte një portë të fshehtë. Me siguri që kjo e lidhte me hotelin "Venera". Policët e shërbimit, dyshimet për komunikimin mes dy ndërtesave që gjendeshin në shpinë të njëra-tjetrës, ia parashtruan shefit të tyre.

   -Mos jepni përfundime para kohe. Këtë gjë do ta vërtetojmë së shpejti, vetëm se na duhet fshehtësi nga ana juaj, - u shpreh kapiteni i policisë para punonjësve të tij. 

  Gjithsesi gjithçka që ndodhte aty, çdo veprim apo lëvizje kontrollohej e filmohej nga ata. Shumë nga policët vëzhgues u shndërruan në klientë të rregullt në atë restaurant. Për të krijuar besim se ishin njerëz të rastësishëm që kërkonin të bënin qejf, shtireshin sikur ishin dehur apo vinin në qejf e kalonin në ekstazë, sa nuk përmbaheshin. Në një pozitë të tillë e vuri veten Arlindi një natë. Papritur u ndie keq e bëri sikur gjoja nuk ecte dot. Kamerierët i ofruan një dhomë në hotel, i cili pranoi pa kundërshtim, njëlloj si vepron një i degraduar nga efekti i alkoolit apo i drogës.  Nuk u habit fare përsa ndodhi më vonë. Qysh atë natë u gjend në një dhomë shtëpie publike, ku i sollën edhe një prostitutë që t'i "shërbente. Provokoi të vjella që ta përkeqësonte gjendjen e tij dhe të shfajësohej para joshjeve të saj.

Të njëjtat skena apo të ngjashme me to përsëriteshin përditë edhe nga klientët e rinj  policë.

  Arlindi thuajse çdo mbrëmje shkonte tek Restaurant "Venera". Me marrëdhëniet që vendosi me punonjësit aty, krijoi besim tek ata. Hyrjet dhe daljet e shpeshta bënë që ai zbuloi vendet e fshehta, dyer të padukshme nga syri i cilitdo klient, aq më tepër prej të interesuarëve. Gjithashtu ai arriti të zbulojë se vetrata me pasqyra e minibarit te Bar "Angeli", ishte dera që e lidhte atë me katin e nëndheshëm të restaurant Venera. Në atë bodrum zhvillohej tregtia e drogës, e armëve, kumari,   bastet, lojërat e fatit dhe po aty zhvillohej ankandi për shitjen e virgjëreshave nga vendet e Evropës lindore, nga Afrika apo Azija.

   Që trafikantët të mos binin në sy e të ngjallnin dyshime te policia, mallin që sillnin, si :vajzat, droga dhe armët i transportonin në mënyrë të fshehtë, maskuar me kujdes në makinat që furnizonin restaurantin. Edhe magazina që mbante sendet ushqimore dhe pajisjet e hotelit kishte hyrje tjetër, e cila hapej në dy kanata gjatë shkarkimit të mallit. Ishte një përputhje e përpiktë e studiuar mirë mes gjërësisë së pasme të makinës (karrocerisë) me portën e magazines, që nuk lejonte asnjë hapësirë nga ku mund të shihej se çfarë shkarkohej. Çdo mall hynte apo dilte në fshehtësi të plotë.

    Veçse për të mësuar të gjitha të fshehtat e aktivitetit kriminal, apo oraret e përshtashme kur bëheshin pazaret që ata e quanin me mburrje biznes, duhej një kohë e gjatë. Nuk ishte puna vetëm për të kapur në flagrancë këtë qendër prostitucioni dhe trafikimi droge, por duhej punuar për të gjetur rrënjët e rrjetit, si dhe lidhjet me vendet e tjera, pra burimet ku merrej lënda e parë për trafikim.

   Tashmë në kohën tonë, natyrisht kohë e modernizimit, mjetet e informacionit janë aq të përsosura, sa të interesuarit kanë dijeni edhe se çfarë bënë ti në çaste të ndryshme të ditës apo natës. Madje- madje hyjnë edhe aty ku ti beson dhe je i  bindur se je larg syrit kureshtar, në marrëdhëniet më intime. Çimkat spiune hyjnë aty ku nuk ta pret mendja. Cilido vazhdon i qetë aktivitetin e tij, kurse ajo të vëzhgon, të ndjek në çdo hap dhe transmeton e regjistron gjithçka.

  Që të mos binte në sy dhe të zbulohej, Arlindi kryente ndonjë pporosi të tyre duke qwenë tepër i përpiktë. Në këtë mënyrë krijoi aq besim te pronari dhe ata më kryesorët në trafikim, sa arriti të hynte në bodrum. Kur hyri për herë të parë, ai u gjend para një të papriture të madhe. Aty, si në teatër, luhej jeta dhe vdekja. Në një pod të ndriçuar nga një burim drite verbuese, nxirnin në ankand vajzat e reja të të gjitha racave, ngjyrave apo kontinenteve. "O Zot,kurrë nuk e kam imagjinuar apo të më ketë shkuar ndërmend një aktivitet i tillë i paligjshëm dhe kaq i organizuar.  Po ky bodrum qenka një arenë gladiatorësh ku luhet me jetën e skllevërve. Ja, nga errësira po del një vajzë e re, e brishtë, me siguri është e droguar. E gjora vajzë si e kanë trajtuar... duket ngaqë mezi rri në këmbë. Çudi, përse po e paraqesin të mbuluar me një velë transparent? Mos ndoshta për të ngjallur kërshërinë dhe të rrisë epshin e atyre që me para të pista po vënë në peshoren e tregut të zi jetën e saj të pafajshme. Është ende e veshur dhe asaj i vunë një çmim që e nisën nga shifra më të vogla. Pastaj duke i hequr nga një veshje po rrisin çmimin, derisa asaj i nxorën në skenë lakuriqësinë trupore. Deri atë çast dëshmitarë të kësaj lakuriqësie e në këtë moshë, ndoshta kanë qenë ajri, uji dhe drita gjatë dushit, ose në plazh.. Këto tre përbërës të natyrës kanë pasur privilegjin ta preknin, ta ledhatonin dhe ta shijonin atë dëlirësi hyjnore. Kurse tani ajo pafajësi e asaj adoleshenteje të brishtë, nën reflekset e ngjyrës së kuqe, po i përndez dhe po i  tërbon demat. O Zot, kaq papritur, si me sustë ata nisën konkurencën në ankand, duke rritur çmimin. Këta që gërthasin, ku janë vallë? Përse nuk i shoh?!Si punëte tyre të zeza, po prej errësirës dalin zërat e çjerrë të demonëve që këlthasin sikur po blejnë një mëshqerrë që do t'i ushqejë me qumësht. Sa më e shëndetshme, më e re dhe më e përkryer të jetë bukuria trupore e vajzës, aq më e kërkuar qenka. Natyrisht krahas rritjes së vlerave fitimprurëse, është edhe çmimi i mallit që po shitet. Dihet se duke e blerë aq shtrenjtë, pronari  ka të drejtë ta shesë, ta rrahë madje edhe ta vrasë nëse ajo nuk  do t'u bindet ligjeve të xhunglës.Ky është tregu i zi,e tentakulave të oktapodit, apo prej rrjetit të merimangës se në të kundërt do të provojë helmin e saj vdekjeprurës."- ndërsa Arlindi  mendonte i mbushur me vrer dhe dhembje, u ndezën dritat. Kjo i dha mundësinë që të njihte disa prej tyre. Ndërkohë ato pak regjistrues që mundi të vendoste filmuan dhe transmetuan mjaftueshëm. Në këtë arritje atë e ndihmuan Kaltra dhe tre vajzat e tjera. Ai kujtoi se shfaqja në arenë për atë natë mbaroi...Por kishte gabuar. Gjithsesi Arlindi i rrethuar nga të katra vajzat shkoi tek bari për të pirë diçka me to. Papritur vunë re ecejake të nxituara të tyre, që nisën nga bodrumi drejt magazinës.

    Pas pak ra një qetësi varri dhe menjëherë në arenë rifilloi cirku...Arlindi dhe vajzat u larguan paksa. Qëndruan si mënjanë dhe u ulën në një kënd të restorantit nga ku dukej parku i rënduar nga pesha e dëborës. Atë kohë shoqet e Kaltrës i thirrën për punë dhe u larguan menjëherë. Kurse Arlindi dhe ajo vazhduan bisedën.

   -Duken si të shqetësuar apo e kam gabim?
    -Me siguri që duhet të kenë sjell mall për trafikim ose vajza të tjera. Zakonisht ata vazhdojnë gjatë, sepse shfaqje të tilla nuk organizohen vetëm për një fatkeqe.
    -Kaltra, mendon se ende do të vazhdojnë tregtinë me ankand?
    -Sidomos kjo natë e errët, e ftohtë, rrëqethëse dhe e qetë, është mëse e përshtatshme për punë të zeza.
     -Si themi ne andej nga toka jonë, "Ujku mjegull kërkon...!"
     - Pas Krishtlindjes dhe Vitit të Ri u janë shpuar xhepat dhe...
      -Kur erdha për herë të parë këtu, kam kujtuar se kjo ishte vetëm Bar. Ndërsa kur hyra hyra brenda, vura re se kishim të bënim me një kazino, por e vërteta lakuriqe qenka ndryshe. Më vjen çudi se si gënjehen vajzat dhe vijnë këtu nga ana tjetër e Mesdheut, nga matanë Alpeve, përtej maleve Ballkan e Karpateve, apo matanë Atllantikut! Nuk e di, nuk i jap dot një përgjigje apo një spjegim kësaj tragjedie që ka prekur dhe lënduar njerëzimin.
     -Uria bën gjithçka, të detyron ta shtrish dorën...,- belbëzoi ajo hidhur. Arlind, kur njerëzit janë të uritur, në mes të asgjësë, pranojnë të bëjnë gjithçka...Ulin shpinën deri aty sa bëhen urë e vig, ku kalon i mirë dhe i lig. Kur të kërcënojnë se do të t'i vrasin pa mëshirë njerëzit e tu më të shtrenjtë, pranon të flijohesh. Pastaj dinjitetin e të uriturit e nëpërkëmbin dhe dalëngadalë ai shuhet e arrin në atë nivel, derisa ai nuk është më ai, por një lodër për të kënaqur llumin apo mashë për të kryer çdo lloj krimi...Shkurt, barktharin e kanë shndërruar në një mall që e trajtojnë si duan duart e pista, ku lëvrijnë milionat për të mbushur xhepat e të pafeve, të pamoralshmëve...
      -Kaltra, njeriu nuk duhet të harrojë se çdo gjë në këtë botë e ka një çmim. Jo vetëm bëmat e njeriut, por edhe era që nuk është gjë tjetër veçse lëvizje e masave ajrore, ka çmimin e vet sipas ndikimit në natyrë.
   Ai fliste, kurse ajo i kishte hedhur sytë tej xhamave të avullt të vetratës dhe papritur një buzëqeshje u end në gjithë tiparet e saj. Fytyra i mori një ndriçim të beftë, sikur e kishte përkëdhelur mendimi që i gëlonte në tru.           
   -Sa më pëlqen të shëtis në një pyll me dëborë. Më kujton qytezën time atje buzë lumit Drin, i cili vërshon ashtu i blertë, herë i qetë, herë i ngazëllyer dhe herë-herë me tërsëllim,  - belbëzoi ajo. Pastaj u pasua nga një psherëtimë e gjatë dhe lotët i vagëlluan sytë e saj blu që atë çast atij iu dukën tejet të zmadhuar... Kur e pa në atë gjendje malli dhe të përlotur, i erdhi keq për të. Iu dhimbs, edhe pse ajo kishte zgjedhur rrugën e gabuar në jetë."Gabimet janë njerëzore, janë për të gjallin. Nuk ka jetë pa gabime. I lumtur është ai që ndihmon veten apo të tjerët për të dalë nga qorrsokaku ku ka hyrë. Kaltra është e ndjeshme për fajet e saj, por asnjëherë nuk mund të them se është e pandreqshme. Për këtë jam i bindur. Veçse varet se me kë do të lidhet. Vetëm tani duhet të jetë shumë e kujdesshme në zgjedhjen e rrugëve të jetës. Është vetëm njëzetë e tetë vjeçe,"- mendonte Arlindi dhe e vështronte atë me dhembje.

   Më pas ..., heshtje. Ai e sodiste me ëndje dhe analizonte çdo tipar të saj, kurse ajo vështronte matanë parkut.

     Mesnatë...

    Prej ditësh qielli dhe e gjithë natyra kishin marrë ngjyrën gri. Qytetin dhe gjithë atmosferën përreth i kishte mbuluar mjegulla. Zakonisht në gjendje të tilla të zymta atmosferike janë zonat në këmbët e Alpeve, si dhe në kurrizet e shpateve lindore apo perëndimore të Apenineve. Dy ditët e fundit kishte pasur reshje dëbore, e cila e kishte pastruar atmosferën nga vranësirat dhe lagështia që të hynë në palcë. Ishte i bukur, i veçantë ai fundjanari. Gjithçka dukej e bardhë, gjë që shoqërohej me një heshtje varri, e cila përciell një ftohtësi rrëqethëse. Për shkak të erërave të ftohta që vinin nga Alpet e Evropës Qëndrore, cipëza e dëborës kishte ngrirë duke krijuar një sipërfaqe të qelqtë, si të farfurinjtë, që nën rrezatimin e ndriçimit rrugor, i jepte atmosferës një shkëlqim të praruar e marramendës. Papritur ajo u ngazëllye si një fëmijë kur vuri re se rinisi të bjerë dëborë dhe belbëzoi e ngazëllyer: " O Zot, sa bukur! Arlind, Arlind, nisi të bjerë borë..."
       -Është vërtet shumë bukur!
      Si dy fëmijë të gëzuar kur bie borë,  u ngritën nga karriget si për ta përshëndetur rënien e saj.

    Flokët e borës binin mbi xhamat e vetratës duke krijuar figura të ndryshme gjeometrike. Më pas ato shkrinin nga ngrohtësia brenda lokalit dhe krijonin rrëpira si zanafillat e përrenjëve në kreshtat malore. Pas pak në pjesët fundore të xhamave apo mbi vetrat ato u shndërruan në stalaktite si në shpellat akullnajore apo ato gëlqerore që për nga mosha, i përkasin kohës së neolitit.
     -Natyra në dëborë është vërtet e bukur. Unë e kam mall, se tek ne s'bie kurrë. Ndoshta të lejojnë të dalim bashkë nesër një shëtitje në pyll.  Unë jam lindur e rritur në bregdet. Nuk e imagjinoj dot jetën pa aromën e jodit, pa zhurmën e dallgëve, pa rërën, ku vraponim apo luanim me topa prej llastiku kur ishim fëmijë. Askush nuk i dallon dot aromat e qytetit tim.
     -Pse qyteti yt ka aromë ndryshe nga qytetet e tjera të Shqipërisë?
     -Kur bije shi në qytetin tim nga kodrat përreth përcillet aromë ulliri. Kurse piklat e kristalta të shiut që rrëshqasin mbi gjethet e ngushta, të lëmuara e në ngjyrë të blertë të ullirit, duket sikur ato lotojnë curila vaji të pandashme nga aroma e bimës shekullore, bimës së jetës. Brenda në qytet shiu shpërndan aromë bliri dhe akacie. Në bregdet shpërndan aromë jodi, kurse nëpër kopshtet e shtëpive mban aromë trëndafili dhe borziloku përzier me aromë agrumesh. Nëpër rrugën përgjatë bregdetit, aroma e mimozës përzihet me atë të vlagut të tokës.

Në qytetin tim deti s'fle kurrë, ndaj atje dua të zgjohem, ku dallgët e shkumëzuara të më përkundin dhe flladi lehtaz të më përkëdhel e ëmbël të më puth. Për këto arsye nuk dua të jem mërgimtar i përjetshëm.  
       -Edhe këtu bregdet është. A nuk provon të njëjtat ndjesi?
       -Jo. Unë ia njoh tekat e ligjërimet qytetit tim. E njoh gjuhën që flasin bimët, ndërtesat, rrugët dhe e di kur ato janë të pakënaqura. Sa ndryshe është melodia e këngës pambarim të dallgëve në bregdetin e praruar të qytetit tim.
       -Ke të drejtë. Tani më shumë se kurrë, çdo mërgimtar e di se vendlindja është identiteti yt, imi dhe i të gjithë atyre që kanë gjak arbëror.
   Herë pas here, ngaqë  rrinte e përhumbur, binte në depression dhe mbyllej nbrenda vetes. Në një gjendje tillë ishte edhe tani. Kishte tretur vështrimin tej xhamave në hapësirën e pyllit, ku degët e drurëve rëndonin nga pesha e dëborës. Tek -tuk dukeshin trungjet dhe pjesët e degëve të papërqafuara me bardhësinë, e cila më tej dukej sikur ishte pafundësia e Parajsës. Nga që ishte natë dukeshin të errëta, kurse pjesët e zbuluara asaj iu dukën si në mëshirë të fatit.
   Papritur ai duke dashur t'i tërheq vëmendjen asaj, nisi t'i citojë  disa vargje...
"  Aromat e qytetit  tim

Në tisin e errët
 të natës skëterrrë,
në agoni
mbi vigvdekje peshë të jem,
pa hyrë ende në qytet,
në Qafë të Bestrovës
do të nuhas aromën e të bukurit qytet.
Aromë limoni dhe portokalli,
ullirin, akacien dhe blirin,
shpirti pranë kërkon t'i ndiejë.
Puhiza e ëmbël detare
jodin do të më përciellë.
Jo...
nuk vdes!
Prej shtratit do të ngrihem
dhe do të kthehem...
përsëri në jetë.
Atëherë,
vërtet,
i gjallë...
do të ndihem i qetë,
se pranë do të kem
aromën dehëse të qytetit tim!"
-  Ja pse e dua qytetin tim. Për këto dhe sa e sa vlera të tjera.

   Ata të dy vazhdonin të shijonin nga një gotë verë. Ndërkohë në bodrumin e hotelit hareja kishte arritur kulmin, kur papritur mbërriti policia. Por aksioni i kësaj here nuk ishte aq i thjeshtë si herën e parë. Edhe pse kishin rrethuar zonën në të dy rrugët, përsëri krisi pushka. U vra një grua police, dy trafikantë dhe të tjerët u kapën. Pati disa të plagosur. Mes tyre edhe Arlindi, mori një plumb në shpatull. Pas një kontrolli të imtë, policia gjeti drogë të pastër, mariuhanë me shumicë, një ton Canabis, hashash, të paketuar, si dhe dhjetë vajza që shkonin nga katërmbëdhjetë deri në tetëmbëdhjetë vjeçe, të cilat i shpëtuan paqësisht prostitucionit. Fal këtij aksioni më vonë ato u riatdhesuan në vendet e tyre. Atë mbrëmje u sekuestrua gjithçka, por mbi të gjitha, shuma të mëdha në Euro dhe trafikantë nga vendet e tjera. 

   Që nga ajo natë Kaltra ishte e lirë. Por do të ishte në lidhje direkte me policinë për t'u kthyer në atdhe.yyy
  -"Po ku të shkoj ? Nuk njoh askënd. I vetmi njeri që njoh është Arlindi, të cilin e shtruan në spital."- këto i erdhën në mend i thanë se do të ishte e lirë.
      Papritur kapiteni e ndali.
      -Ti nuk ke ku shkon? Pastaj është me rrezik të dalësh në rrugë. Aq më tepër e vetme, zonjë.
     -Më falni, kapiten! Mos më quani më zonjë, ju lutem.
     -Pse?
     -Femrat si unë nuk kanë vlerat e një zonje. Më duket sikur fyhen zonjat e vërteta që e meritojnë këtë emër.yyy
      -Vendi i punës dhe edukata, nuk më lejojnë t'u quaj ndryshe...
     Zoti kapiten, të gjitha shpresat për të më ndihmuar që të takoj djalin i kisha vetëm  tek Arlindi, por ai është plagosur...
    -Arlindi u operua dhe doli me sukses.  Sipas mjekve, ndihet si jo më mirë. Sa të marrë mjekimet e para do të dalë nga spitali. Gjithsesi ai na ka lënë një adresë dhe një numër telefoni. Prit pak. Atë cast oficeri telefonoi dhe dikush iu përgjigj .
     -Po e shoqërojmë ne në shtëpinë tuaj... Ah do të vini ju? Shumë mire, atëherë. Po ju presim...
      -Zonjë, do të qëndrosh këtu sa të vij një mik i Arlindit t'ju marrë.
      -Kapiten, unë nuk e njoh. Si mund të shkoj me një të panjohur. Tani që shpëtova nga shiu, mos vallë po bije në breshër?
     -Ju lutem..., ja foli këtu...,- ajo dëgjoi zërin e Arlindit.
    -Kaltra, urime! Më vjen mirë për të gjitha ato që e kërkonin lirinë, por mbi të gjitha për ty. U realizua dëshira e Jonidit. Pas operacionit jam mirë dhe së shpejti s do të dalë nga spitali. E kam të qartë që nuk ke ku qëndron. Më mirë shkëputu nga vajzat e tjera, që me siguri do t'i strehojnë diku. Tani shko me Enkelin dhe me Vjollcën . Jo vetëm i kam miq, por janë edhe njerëz shumë të mirë. Atje do të gjesh një të papritur të këndshme. Nuk besoj që proçedurat për dokumentet e tua do të zgjasin shumë. Gjithsesi do të shihemi së shpejti. Paç fat!

    Kaltra po priste në një nga ambientet e policisë, kur papritur përmes një citofoni dëgjoi emrin e saj. Duhej të shkonte tek zyra e shefit. Sa hyri u përball me një çift të ri, të cilët u hutuan kur e panë ashtu gjysmë të zhveshur. Porse gruaja e re,e sapoardhur enkas për të, u step dhe u bë lulëkuqe në fytyrë. Më shumë u trondit ajo, kur pa një femër gjysmëlakuriqe, sesa vetë Kaltra.Të qenit nudo për të tashmë ishte një gjë mëse e natyrshme. Në atë çast burri që ishte me të, e mblodhi veten, pasi ishin para një fakti të tillë që nuk e ndryshonin dot. Ai i kapi gruas së tij dorën fort dhe diç i pëshpëriti. Më pas ajo me zor buzëqeshi hidhur dhe e vështroi me droje. Bashkë me të shoqin iu afruan asaj dhe e përshëndetën si me frikë. Ata të dy morën porositë dhe udhëzimet e duhura për të.

     Pasi firmosën një formular, u përshëndetën me kapitenin, i dhanë siguri për Kaltrën  dhe të tre së bashku u larguan me makinë. Pasi u rehatuan, Vjollcës nuk iu durua dhe e pyeti nëse kishte tjetër veshje?  
   -Më fal që po ta them, por duhet të më kuptosh...se nuk mund të dalësh ashtu...
  -Për fatin tim të keq u bë aksion dhe unë ngela me ç'kisha veshur. Megjithëse të gjitha rrobat tona janë të tilla eksituese për...   
    -Ndoshta tani fëmijët janë në gjumë dhe deri nesër, sa të blejmë disa gjëra të nevojshme, mund të veshësh diçka nga rrobat e mia.

  Ndërkohë mbërritën në shtëpi. Vjollca hyri në dhomën e fëmijëve dhe vuri re se dy fëmijët e tyre po flinin. Kurse kur shkuan t'i hidhnin një sy Jonidit, u çuditën që ishte ende zgjuar. Me siguri që ai kishte dëgjuar bisedën e tyre telefonike me policinë dhe e kishte marrë me mend se bëhej fjalë për të ëmën.Ndaj priste kthimin e tyre gjithë ankth. S' kishte faj. U nis në një rrugë pa krye, zgjodhi të ecte drejt së panjohurës vetëm për të gjetuar nënën.

  Jonidi trokiti lehtë në derën gjysëm të hapur të dhomës së ndenjjes. Enkeli, Vjollca dhe Kaltra po bisedonin se çfarë mund të vishte sa për çastin dhe nuk e dëgjuan trokitjen e trembur të djalit. Si nuk mori përgjigje, ai e shtyu portën dhe hyri. Ngeli i ngurtësuar në pragderë, kur vuri re një grua të huaj gjysmë të zhveshur. Si duket ajo s'kishte mundur  të fshinte së paku as tualetin e rëndë. Sa pa të birin nuk e përmbajti dot veten. Nisi të dridhej e tëra, kërciste dhëmbët si ndër ethe dhe u rrëzua përtokë pa ndjenja. Vjollca dhe Enkeli e sollën në vete, ndërsa ajo belbëzonte fjalë pa kuptim. Pas pak u kthjellua. Vuri re se i biri ishte mbledhur sa një grusht në një kënd të dhomës dhe dëneste.
      -Shpirti i nënës! Sa qënke rritur, o biri im i vetëm?! Eja shpirti im i vogël, eja më përqafo, më lejo të të marr pak erë...Më është djegur shpirti prej mallit, zemra e nënës! Më është tharë syri për të të parë, o i shtrenjti im! M'u tha gjuha për të të thirrur një herë, "bir"! Mes lotëve dhe ëndrrave të kam puthur e përkëdhelur, por ti kishe ngelur ai, djali im i vogël. Ashtu të kam ruajtur në kujtesë, i miri im, që qënke bërë burrë,- pëshpëriti mes drithërimash me një zë të dobët sa mezi dëgjohej. Ai u ngrit dhe u bë gati të dilte, por mbajti këmbët te dera dhe nisi t'i flasë ashpër.
     -Jo, jooo...ti nuk je nëna ime. Ajo ishte nëna më e bukur dhe më e mirë në botë. Ajo s'lyhej dhe s'vishej si kjo rrugaçe këtu.Ti do të më bindësh që je nëna ime? Jo...-iu përgjigj djali dhe bëri disa hapa pas i zgurdulluar prej tmerrit.
     -Oh, Jonidi im i vogël...S'ke faj, jo...Bir, më beso! Të lutem, zemër... Jam unë, mami yt që të do shumë. Më prit pak, - iu lut ajo duke u ngritur me mundim.
   -Kaltra, eja me mua të kalojmë matanë. Duhet ta kishim shmangur këtë skenë para tij. Joni mund të pësojë zhgënjim, mund të tronditet deri në atë masë sa të kalojë në depresion. Mos  kërko shumë prej tij. Është veçse një fëmijë që kërkon nënën e ëndrrave të fëmijërisë. Sepse ai të mban mend ndryshe. Më fal që po ta them, por ai kërkon të rigjejë nënën e tij të re, të bukur dhe të veshur si të gjitha femrat e tjera,- vërejti Vjollca, e cila i solli nxitimthi disa veshje nga të sajat.
 
   Hyri në banjë, ku pas dushit bëri një tualet të natyrshëm dhe u vesh ndryshe. Tashmë që trupin e kishte të mbuluar dhe heqja e tualetit të rëndë që e kishte shndërruar atë në një zhgarravinë të shfytyruar, në një femër jonormale, do të sillte ndryshim në sjelljen e të birit.
  "Sa e vështirë qenka të kthehesh në një njeri normal. Më parë duhet të bind veten se unë jam si gjithë të tjerët. Duhet të vetedukohem se mund të jetojë si ata, me të njëjtat norma e në po ato kushte që më ofron jeta, pa i anashkaluar pengesat apo vështirësitë."- me këto mendime hyri në dhomë.
     -Pa shiko kush erdhi? A më dëgjon Jonid? Ngrije pak kokën dhe shiko, - e përkëdheli Vjollca, por ai qëndronte me kokën varur në kraharor dhe vazhdonte të ngashërehej.
      -Ej, shikoje pak, të lutem! Është nëna jote, Kaltra. Nuk e njeh? - e pyeti Enkeli.
      -Po ta dija që nëna ime ishte bërë një rrugaçe që nuk ka shtëpi, unë nuk do të rrezikoja jetën për ta kërkuar.
      -E ke gabim. Kur të rritesh nëna jote do të tregojë gjithëçka që i ka ndodhur.
      Ai kishte frikë t'ia hidhte sytë, aq shumë e kishte tmerruar pamja e saj prej femre të përdalë.
      -Shko përqafoje! Ti s'e di sa shumë e ka pritur ajo këtë çast! Për ty erdhi të punojë këtu. Mos kujto se për të ka qenë e lehtë?!- iu lut Enkeli dhe e mori prej dore.

  I vogli ngriti kokën ngadalë gjithë ankth...Ecte me hapa të vogla duke i hequr këmbët zvarrë dhe me kokën ulur. Nuk guxonte t'i drejtonte shikimin asaj që i thoshte se ishte e ëma. Pas pak u përqëndrua, picërroi sytë dhe papritur një rënkim çjerrës i zvargur, i doli prej shpirtit. Bëri të lëvizte, por këmbët i ishin ngurtësuar sikur dhembja t'ia kishte betonuar pas dyshemesë. Fillimisht ngadalë, me hapa të pasigurta, të rënda, pastaj pak më shpejtë e më pas vrapoi drejt saj. Iu hodh në qafë, u ngjesh pas atij trupi të dashur dhe ngeli ashtu i kalavarur. I merrte erë sepse i kishte munguar aroma dhe ngrohtësia e trupit të nënës. Të dy, nënë e bir, mes drithërimash mallëngjimi, putheshin, përqafoheshin dhe vështronin njëri-tjetrin me mosbesim.  I vogli kishte frikë të ndahej prej saj se mos e humbiste përsëri atë që i kishte munguar aq shumë.
     -Mama, të lutem mos më lerë më vetëm! Unë do të qëndroj këtu me ty,- i pëshpëriste ai dhe u bë njësh me trupin e nënës. Çifti që i kishte mirëpritur shtrëngonin duart e njëri-tjetrit para asaj skene të dhembshme. Vjollcës nuk iu durua dhe nisi të dredhë lotë gëzimi për atë fëmijë të burrëruar para kohe.
  "Sa i pafajshëm, si një ëngjëll i dëlirë! Ai ngjan si dita e re që nis të agojë. Ai është ende fëmijë dhe qysh tashmë i duket vetja i rritur.  Duket sikur mendohet për një vendim të rëndësishëm, që duhet ta marrë vetëm ai. Më duket sikur kërkon ndihmë. Herë më shikon mua, herë Vjollcën dhe herë të ëmën. Shikimi i tij pyetës, është tepër domethënës. Kjo skenë prekëse, që edhe më zemërguri po të qe, i cili ua kishte mohuar të drejtën e të qenit bashkë, me siguri që do të kishte derdhur lotë dhembjeje. Vështrimi i saj i përgjëruar. Goja e kyçur. Buzët i dridhen. E vështron ngultas dhe s'ngopet. O Zot, në atë shikim nëne ka pendim,dhembje, dashuri, mall dhe shumë përgjërim. Si një ikonë e Shën Marisë, mes lotësh, duket se i betohet të birit  se nuk do të ndahet kurrë prej tij. Vetëm vdekja do e ndajë nga ai. Kjo është dhembshuria e munguar dhe e mohuar e një nëne, që nuk e zëvendëson dot askush, "- mendonte Enkeli me Vjollcën dhe u gëzoheshin atyre të dyve.
      -Ju faleminderit , o njerëz të mirë! Pa ndihmën tuaj, ne të dy nuk do ta kishim gjetur njëri-tjetrin.
      -Falendero Arlindin . E gjitha kjo është meritë e tij. Ai është djalë xhevahir. E di që mori rrugën e kurbetit vetëm se gjeti tët bir në bunker? Nëse rastësia nuk do ta kishte çuar atje, kushedi se ku do të kishte përfunduar Jonidi. Thonë mirë se : "Nuk ka njeri pa fat. Edhe Jonidi yt kishte lindur me këmishë, sepse në çaste mjaft kritike, iu kursye jeta..."
      -Mami, mami im!...-klithte ai i gëzuar.
      -Asgjë nuk më ndan tani nga ti, biri im.
     Kishte kaluar mesnata kur u shtrinë të dy bashkë në një shtrat. Ai flinte i qetë dhe mes ëndrrash të bukura buzëqeshte në gjumë, mbështetur kokën në kraharorin e nënës. Ndoshta për herë të parë pas pesë a gjashtë vitesh ai bënte gjumë të qetë dhe e ndjente veten të sigurt e të mbrojtur në gjirin e nënës. Hera herës ngrihej i tromaksur nga gjumi dhe thërriste të ëmën.

      Të zotët e shtëpisë ishin të lumtur që ai fëmijë kurajoz, së fundmi e gjeti nënën, kurse ajo ndoshta gjeti rrugën e vërtetë të jetës. Ishte e re dhe e kishte jetën përpara.  Ajo vërtet kishte një fëmijë nëntë vjeç, kurse shoqet e moshës së saj ishin  ende me studime.

  Pëmes lajmeve në T.V. ajo mësoi se, atë mbrëmje nga një kontroll i befasishëm, policia përsëri arrestoi shumë trafikantë mes lidhjeve që ata kishin me punonjësit që shërbenin në atë lokal. Kurse jashtë qytetit, pas kodrës, matanë urës së lumit Tiber, në luginë u zbulua një punishte e prodhimit të drogës, e pajisur me laborator modern, e cila u sekuestrua bashkë me mallin që u gjet brenda. Të dy lokalet, Bar Kazino "Angeli" dhe hotel "Venera"i mbyllën dhe ua ndërprenë aktivitetin. Ky aksion nuk mund të ishte i fundit i këtij lloji, pasi kushedi sa qendra të tilla të prodhimit të drogës ishin në veprim. Oktapodi duhej kapur nga koka dhe jo nga këmbët. Vetëm ashtu ato humbasin aftësinë mbytëse. Eh, sikur të gjendeshin këmbët e gjarpërit, por mjerisht...

vazhdon

VILHELME VRANA HAXHIRAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NJË LIBËR I PASHMANGSHËM Shaip Beqiri: Hydra des Zorns - Hidra e mllefit, libër dygjuhësh shqip - gjermanisht, botuar në Cyrih nga Limmat Verlag, përkthyer nga Hans-Joachim LankschPërurim nga SADIK KRASNIQI&am (01.30.2015)
URATAPoezi nga FASLLI HALITI (01.30.2015)
KOKA E SHQIPTARITCikël me poezi nga PËRPARIM HYSI (01.30.2015)
NDËRKOHA E KETRITPoezi nga SKËNDER BUÇPAPAJ (01.28.2015)
DASHURI E MALLTregim nga GANI MEHMETAJ (01.28.2015)
FEDERIKO GARCIA LORKANjë parathënie dhe një poezi të përkthyera nga FASLLI HALITI (01.27.2015)
NJË PORTË E HAPUR NË MISTERET E ILIRISËNga Prof. dr. ESHREF YMERI (01.27.2015)
VJESHTA, SI STINË E FRYMËZIMEVE  POETIKE(Jehona Agushi: “Kur vjeshta ik”, poezi, botoi “Migjeni” Prishtinë, dhjetor 2014)Vështrim nga TAHIR BEZHANI (01.27.2015)
ARIU I BORËSPoezi nga SKËNDER BUÇPAPAJ (01.26.2015)
DIELLATregim nga PËRPARIM HYSI (01.26.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 

 
VOAL
[Shko lart]