VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

AS DITËT NUK I NGJAJNË NJËRA-TJETRËS
VILHELME VRANA HAXHIRAJ, fragment nga romani 'Loja e mëkatit'

E Hënë, 02.09.2015, 11:12am (GMT1)



 Mikpritja dhe bujaria e Enkelit me Vjollcën, si dhe takimi me të birin, e kishin bërë me krahë atë femër të harruar nga njerëzit e një mishi, e një gjaku e një geni me të. Ishte e drejta e saj që të vetëquhej si njeri pa njeri, pasi asnjë nuk e kishte vënë ujin në zjarrë për të, askush nuk e kishte kërkuar në gjithë kto vite mungese. Ishte kohë e shkurtër, vetëm dy ditë që Kaltra kishte dalë nga llomia ku ishte zhytur dhe i dukej se në horizont shihte një dritë jeshile. "Shpresa për të nesërmen, të cilën deri dje nuk e përfytyroja dot, tani nuk më duket ende dilemë. Një dorë e ngrohtë, një fjalë e sinqertë, njerëz të thjeshtë , por bujarë, pa elozhe, pa petkun e një shkëlqimi të rremë, por të drejtëpërdrejtë dhe të vërtetë si drita e diellit, po më kthejnë në realitet. Çudi tani nuk kam më frikë ta shoh të vërtetën e hidhur në sy. Nuk e kisha vënë re se botës së pëgërë nuk i mungokan edhe njerëzit e mirë. Fal tyre sot kam rilindur, jam ngritur nga varri ku më kishin kallur për së gjalli dhe ndiej jetën të më lëvrijë në gjithë qenien time...Faleminderit, Zot!"- mendonte Kaltra duke shijuar si kurrë ndonjë herë atë pragdite të re që asaj i dukej si një gonxhe luleje në shpërthim të petaleve. E si padashur ndjeu e nuhati aromën e lules në imagjinatë, që s'ishte gjë tjetër veçse aromë jete në liri. "Po, po sot jam e lirë. Por nuk duhet harruar se edhe mendimi për konceptin "Liri"e jo më ta fitosh atë, kushtuaka shumë shtrenjtë. Kjo natë e pagjumtë që dikur do të më dukej shekull, sonte m'u duk si një ëndërr e bukur nga e cila kam frikë të zgjohem. Ende nuk jam çmallur me atë që dua më shumë se jetën. Më fal Zot, se kurrë nuke kam ditur që e doja kaq shumë tim bir. Përse ia bëra këtë padrejtësi, këtë krim,përse vallë?!"-ndërmendi ajo me shikim të vagëlluar. "Mos qaj! Është mëkat të qash mbi kokën  fëmijës, se ai është engjëll i pafajshëm!"- dëgjoi një pëshpërimë. Vështroi rretherrotull, por asgjë s'pipëtinte veç frymëmarrjes së Jonidit. Me  siguri ishte zëri i ndërgjegjes që e kujtonte se, "çfarë të mbjellë atë do të korrë". Fshiu lotët e një buzëqeshje, edhe pse disi e stepur, ia ndriçoi fytyrën. Me shikime të ëmbla nisi ta ledhatonte të birin që flinte i qetë në gjirin e nënës.

    Për të gjithë anëtarët e asaj familje mikpritëse, dukej sikur kishte rilindur një jetë. Bashkimin e të birit me nënën e shikonin si një mrekulli.

   Mbasdite pasi u kthyen nga puna Enkeli dhe Vjollca, bashkë me Jonidin, shkuan në spital që të vizitonin Arlindin. Pas tri ditësh ai doli nga spitali. Mjekimet i vazhdoi edhe në ditët që pasuan. Tani ndihej më mirë. Kishte kohë që jetonte në një apartament me një shok, me të cilin ndanin hapësirën dhe shpenzimet. Pasi bisedoi me të, mendoi që Kaltrën me djalin të mos ua linte barrë Enkelit dhe Vjollcës. Me mirëkuptimin e tyre, i mori të jetonin aty me që kishin më shumë hapësirë. Ata ishin vetëm dy persona, kurse familja e Enkelit përbëhej nga katër vetë. Edhe pse qëndrimi i tyre ishte i përkohshëm, atij dhe kujtdo i dukej një barrë e rëndë për ta, pasi ishin në punë dhe kishin dy fëmijë që kërkonin shumë kujdes.

     Të dielën e dytë të lirisë së Kaltrës, Arlindi organizoi një piknik në pyll bashkë me familjen e Enkelit. Ishte një ditë e qetë. Qielli i kaltër pa asnjë hije trishtimi. Askund nuk dukej qoftë edhe një re e vetme. Dielli, sado që dukej si i trembur, gjithsesi  i jepte një shkëlqim brilant dëborës në pyll. Kurse një tufë zogjsh bore doli në fluturim nga pylli. Arratisja e tyre ngjasonte me një skuadrilje avionësh që niset në fushëbetejën ajrore.

    Ata zbritën nga makinat dhe i parkuan në të hyrë të pyllit. Të tre fëmijët vrapuan drejt brendësisë së drurëve të stolisur me shtëllunga të bardha bore. Ndërsa të rriturit kishin ngelur pa gojë para mrekullisë që u doli parasysh. Në mendjet e secilit gëlonin mendime që në heshtje plotësonin njëri-tjetrin...

      "Qetësi... qetësi e brishtë si vetë bora,"- mendonte njëri.
      "Qetësi parajse, e hajthme si pafajësia e dëborës së pashkelur,- pasoi tjetri...
       "Një qetësi, që të josh, e cila të jep një lloj kënaqësie të paprovuar më parë.
Ndaj veshit s'i pëlqen të dëgjojë as tingull, as frymëmarrje, as melodi... Mendimi dhe qenia njerëzore, dy shokë përjetësisht të pandarë, të ngërthyer së toku në një qetësi të paparë...- nëpërmendi Kaltra.

    -Nëse dikush e prish këtë harmoni, e magjishmja s'ekziston më, u duk sikur Enkeli plotësoi mendimet e tyre.
   - Ej ..., - thirri Vjollca e ngazëllyer. -E dini se kur magjia prishet, humb kureshtja për të zbuluar apo për të parë misterin. Në këtë çast të pakrahasueshëm, e mistershmja s'ngelet më e tillë.
     -Edhe nëse fillon lëvizja e ajrit pak me më shumë shpejtësi, magjia përsëri prishet.
     -Çudi! Asgjë s'pipëtinë....
    - Duket se gjithçka ka ngrirë, ka ngelur në vend... Ndoshta edhe Universi e ka ndalur lëvizjen e tij të përjetshme. Kështu më duket mua apo ndoshta kjo ndjesi i ndodh  kujtdo që gjendet mes kësaj bardhësie,- mendonin të dyja gratë, secila më vete.
     Me të vërtetë natyra dukej sikur të hipnotizonte dhe kësisoj të impononte për të gjetur përgjigjen se nga buronte gjithë ajo mrekulli. Atmosfera e përhimtë, mes mugëtirës dhe mjegullës së pyllit në ngjyrë gri, duket si e shndërruar në një masë inerte. Në mendje të gëlon një pyetje gjithë ankth:
    "A ka jetë këtu?" Mendoj se s'ka, se duke dalë nga pylli, syri të kap hapësirë të bardhë... pa fund... Tek-tuk ndonjë dru i përgjumur ia ka frikën lëvizjes së ajrit për të mos ia prishur bukurinë heshtjes magjike. Edhe zërat janë të panevojshëm, të tepërt. Është vetmia me hijeshinë e saj që flet e flet pa pushim. Edhe pse e ngrirë dhe memece, ajo prapë e prapë... pa u lodhur, të fton të zbulosh misterin që ajo ruan në vetvete.
      - Shikoni, shikoni atje tej...Një mur gjysmë i rrënuar...Një kamare, ku një kandil vaji rri ndezur, ndoshta ditë e natë... Kjo dritë e mekët, i vetmi ndriçim që të jep shpresë... E vetmja dëshmi e jetës, i asaj jete që nuk jeton më,-  thirrii njëri prej tyre.
      Pak më larg ata vunë re një pirg dheu, mbuluar nga dëbora...Prej motit të acart ka humbur formën, trajtën dhe emërtimin.
      Papritur një erë e stuhishme rrëmbeu dëborën, që kishte zënë shtrat mbi degët e pemëve dhe zbuloi ngjyrën e gjelbër në të errët të të dy qiparisave hijerëndë, besnikë të përjetësisë...
      Ndërsa pas pak si për çudinë tonë, një Lule Bore nxori kokën e nisi të lëkundë me përtesë petalet e saj të bardha...Midis luleborës dhe qiparisave u duk një pllakë varri...ku gjendej mbishkrimi:
      "Vdiq poeti, i cili jetën përjetësoi..."

      Këtu prehet një poet, i miri poet që me vargjet e tij, shpërndau errësirën dhe natës i dha dritë... njerëzimit i tregoi rrugën në të cilën duhet të ecë... kurse jetës së pajetuar, me penën e tij i ka dhënë jetë...e ka bërë të jetojë tej reales. Cilido që do të kalojë aty, do të sjellë ndërmend një përjetësi... "-..."- lexoi Kaltra e ligështuar. Pastaj belbëzoi -Jo më kot poetët, shkrimtarët, dramaturgët, piktorët dhe skulptorët quhen hyjnitë që shënjtërojnë shpirtrat njerëzorë.
  -Sa bukur i përkufizove vlerat e artistëve?!
   Me mendime të tilla brilante, ku flet vetëm gjuha e shpirtit, të cilat i përsos në shkallë sipërore ndërgjegjja, të gjithë kishin ndaluar në heshtje para atij varri pa emër. Kur flet Nevetja, e pandikuar nga asnjë faktorë natyror apo humane, flet vetëm e vërteta. Kurse Kaltra, u përkul në gjunjë dhe ia largoi dëborën me dorë duke e zbuluar atë pllakë të heshtur, ku heshtja fliste më shumë se mijëra ligjërata. Mes drithërimash lotët rrokulliseshin të qetë, por tejet të lodhur mbi faqet e saj të sedefta. E ledhatoi me dhembshuri atë pllakë varri, sikur të ishte njeriu i saj i afërt. Pastaj me dorën e dridhur këputi dy dega bredhi bashkë me degëzën ku hijeshonte Lulebora e çelur dhe i vendosi te epitafi i atij të panjohuri. "Kushedi si e ka pasur fatin? Mos ndoshta ka qenë një i pafat si dhe unë?! Ku i dihet?!"- belbëzoi dridhshëm e gjithë dhembje. Me mundim gërmoi tokën nën dëborë dhe e çvendosi Luleborën me gjithë rrënjë në krye të atij varri si shenjë përjetësie.
    -I kujt është ai varr, mami?- pyeti Jonidi gjithë kureshtje.
    -I dikujt që mami nuk e njeh, zemra ime e vogël.
    -Po përse kujdesesh për të atëherë?
    -Sepse aty prehet një jetë që ka punuar për njerëzimin. A nuk është bukur kur tregon pak kujdes dhe nderim për një njeri, edhe pse i panjohur, ka pasur vlera dhe ka lënë pas diçka të mirë? Duke e lënë varrin në vetminë e tij, vazhduan rrugën më tej në brendësi të pyllit.

     Më pas bimët nisën të rrallohen dhe ata u gjendën në një fushë të bardhë bore që ngjasonte me një pistë skijatorësh. Jonidi dhe dy fëmijët e çiftit mikpritës nisën të luajnë me topa bore. Loja u ndez kur ata nisën të gjuajnë prindërit.Pas pak të gjithë u përfshinë në atë lojë zbavitëse.               
      -Sot kujtova fëmijërinë, pasi unë jam rritur me borën...,- nënzëriti Kaltra. Në fytyrë iu ravijëzua një buzëqeshje e drojtur dhe e hidhur malli.             
    Teksa ktheheshin për të ngrënë drekë në një Mec Donald, takuan Aldon.
     -Urime zonjë! Kërkoj ndjesë që nuk kam mundur të shprehem më parë pasi isha i zënë. Me këë rast ju përgëzoj. Ju me vajzat e tjera u treguat të vendosura dhe shumë të zonjat. E keni ndihmuar shumë policinë. Për këtë gjest ju vlerësoj jo vetëm unë, por edhe opinioni. Me guximin tuaj që vutë në rrezik edhe, meritoni vëmendje dhe ...
     Ndoshta ndonjë ditë dalim për një kafe apo për një drekë ...Si thoni, Arlind?
        -Natyrisht. Nuk ua kam mohuar ndonjëherë, apo?    
        -E kisha fjalën bashkë me zonjën Kaltra dhe djalin, se ia vlen të festojmë.
        -As unë nuk kam kundërshtim, por kam frikë se mos marr dokumentat dhe më duhet të largohem.
    -Nga dita që do të pajisesh me lejë qarkullimi, ke të drejtë të qëndrosh tre muaj me një vizë pune që mendoj se do të ta siguroj unë.
    - Zoti Aldo, ju faleminderit për ftesën, por kjo nuk varet nga unë...
    -Me këtë gjë do të merrem qysh nesër Me shërbimin që i bëre shtetit tonë, kjo është më e pakta që mund të bëjnë për ty.
      U ndanë si miq me njëri-tjetrin, duke marrë tre drejtime të ndryshme.
     
***

   Mirënjohja e Kaltrës ndaj mirëbërsve të saj nuk kishte kufi. Bisedonin dhe ishin duke parë një film në ekran, ku trajtohej një temë trafikimi, e hidhur si jeta e saj. Arlindi vuri re shqetësim në qëndrimin e Kaltrës dhe ndërroi kanalin televiziv menjëherë." E mjera grua! I duket vetja e tepërt dhe tejet borxhëlie. Kjo vihet re lehtësisht. Përherë na falenderon ne të dyve me që ajo me djalin banojnë në të njëjtën shtëpi me ne. Ose kurrë nuk harron ta përshëndesë familjen e Enkelit. Veçse rezervohet t'i ftojë ata për një kafe apo diçka më shumë, sepse thellë në ndërgjegje e vuan mendimi që e torturon, pasi e di se cila ishte dhe cili person fshihet pas emrit të saj. Kjo dukuri që reflektohet tek ajo është njëlloj inferioriteti që e torturon... Ndaj ajo duhet të shfrehet që të mos e vuaj të shkuarën e saj."- mendoi Arlindi dhe u shpreh...www
      -Mos e përsërit mirënjohjen gjithmonë, se pastaj duket sikur i bije vlera.
      -Arlind, këtu në Itali kam dëgjuar të thuhet:" Kush më vjedh kuletën, më vjedh diçka pa rëndësi. Paratë që ishin të miat, u bënë të tjetrit. Jam e bindur se e kanë skllavëruar atë siç kanë skllavëruar e do të skllavërojnë shumë të tjerë. Por kush më mori nderin me mashtrim, më vodhi diçka të vyer, që atë nuk e pasuron, por mua më lë shumë të varfër."- ndaj e vlerësoj mirësinë.www
      -Ke zemër fisnike, sepse shoh që udhëhiqesh nga arsyeja. Paçka se si rrodhi jeta jote...ti duhet të hapesh me dikë. Duhet ta shprazësh helmin që të shkakton dhembje. Të lutem,  nxirri  nga qenia jote ato që të mundojnë. Të lutem bëje, në mos për vete, bëje për tët bir. Ndryshe do të ngelesh skllave e dhembjes. Nëse nuk arrin ta mposhtësh atë,  do të jesh në ankth, gjë që do ta vuash gjithë jetën. Kurrë s'ke për të qenë e lirë, por gjithmonë do të jesh në vartësinë e dhembjes. Ti përsëri ke për të qenë skllave e qenies sate. Ç'kuptim ka që shpëtove nga... Mendoj se të është krijuar mundësia për ta arritur qëllimin e jetës.
      -Shumë herë kam dashur t'ia rrëfej dikujt shkaqet që më detyruan të arrija këtu, por helmi im nuk duhet të hidhëroj shpirtëra të tjerë të pafajshëm   
     -Kaltra, kur ta ndjesh të arsyeshme dhe të jesh e gatshme për të hapur xhepat e shpirtit, bëje. Kërko brenda vetes, nëpër labirintet e errëta të qenies sate dhe do ta shohësh se do të zbulosh anën e padukshme tënde, e cila është më e bukur, sepse aty qëndron e vërteta.   
    -A do të mundem vallë, Arlind?
    -Për hir të jetës së padrejtë, të asaj jete që ta mohuan barbarisht, yt bir ka nevojë të njohë nënën e tij të vërtetë, pa të fshehta, pa sekrete. Bëje, pasi të pathënat ta ndrydhin dëshirën për të jetuar e qetë, apo të jesh në paqe me vetëveten dhe me të tjerët. Jo sot, por një ditë që nuk është shumë larg ti ke nevojë për faljen e tij. Kush nuk njeh pendesën, nuk di të falë apo të kërkojë ndjesë.
   -Nuk di se nga duhet t'ia nis.
   -Fillo që aty..., nga çasti kur hodhe hapin e parë të gabuar.
   -Jeta ime ka qenë e gjitha një gabim, që pasohej nga një gabim më i rëndë, derisa ato u shndërruan në faje.
     -Kur ia njeh gabimet vetes, je në gjendje t'i riparosh. Mendoj se kjo thënia jote është një hap i rëndësishëm për ty.
    - Faji u bë qyrk dhe doli në rrugë, por askush nuk e pranoi si të tijin. Ndaj shpesh herë thonë se faji ngelet jetim. Historia ka treguar se askush nuk i pranon fajet e veta. Nëse çdo individ do t'ia pohonte vetes gabimet dhe fajet, bota do të ishte ndryshe. Do të ishte më e mirë dhe më dashamirëse për njerëzit e veçanërisht për femrën që të shikonte drejt së nesërmes me më shumë besim tek vetja.
     Ndërkohë ajo ishte në pritje të marrjes së dokumenteve. Por përherë vriste mendjen se ku do të shkonte me një fëmijë? Nuk kishte lidhje apo komunikim me asnjë njeri. Dukej sikur ishte njeri pa njeri, si dikush që kishte dalë nga guri. Nuk kishte shtëpi, nuk kishte punë, nuk kishte një profesion, me të cilin mund të mburrej... Duke nisur nga asgjëja, a do të mundej ta përballonte jetën?
  -Kush mund të më përkrahë mua vallë? Sa herë të më shohin e veçanërisht ata që më njohin, do të ma këndojnë këngën:
   " Prostituta
Ajo...u end
dhe  fjeti
në natën e pafjetur,
u dergj...
në shtratin e molepsur.
Natën
zhytur në ferr e batak,
ditën, oh ditën...
çelet si lulja në prill e maj,
veç në varr kërkon...
 mëkatin të lajë!"
   -Më kujtohet si tani. E si mund ta harroj? Ishte shqiptar ai... Pasi u josh teksa kërceja nudo në tub, më përzgjodhi mua. Atë kohë isha e re, paguhesha shumë dhe ai nuk u kursye, por dha edhe më shumë më tepër lireta se i kërkuan. Mënyra arrogante si këmbëngulte vetëm për mua, dukej sikur më njihte. Ndoshta ishte një lloj hakmarrjeje... Po me kë e kishte vallë? Unë nuk e njihja. E shihja për të parën herë. Pas një vrazhdësie anormale e me një sjellje prej kafshe, ai donte të tregonte se ishte burrë i fortë, i paepur. Pasi bëri seks me mua kafshërisht, madje edhe oral, qeshjet tallëse m'i përplasi në fytyrë. Dukej si shprazja e një mllefi që kërkonte të shfrynte ndaj meje. Në fund ndërsa vishej më citoi vargjet e mësipërme.
   -Vëri vath në vesh dhe mbaji mend mirë këto vargje dhe...nëse një ditë do të fitosh lirinë tënde, ti përsëri nuk do të jesh asgjë tjetër, veçse një putanë. Vetëm po gjete ndonjë sylesh që t'i vësh brirë apo qylafin, edhe mundet. Ç'them edhe unë: Nuk thonë kot: "Qofsh e mirë dhe paç fatin e kurvës..."Ku i dihet ,edhe mund të ndodh. Bëj çfarë të duash ti, këtë patentë e ke të shkruar në ballë, në lëkurë dhe të ka hyrë në gjak...Por edhe ju të përdalat si kafshët jeni..."Ujku qimen ndërron, por zakonin s'e harron!" Më thuaj të drejtën, ndryshon dot ti, mund të bëhesh një grua me norma, nëse të paraqitet mundësia?
    -Mbarove punë, largohu tani dhe mos më detyro të jap alarmin...
    -E shikon? Ti e quajte punë këtë ndyrësi...dhe kë? Profesionin më të lashtë të njerëzimit. Ti kënaq burra të moshave, të ngjyrave, të racave dhe karaktereve të ndryshme...dhe e quan punë? Ha,ha,ha...Vetëm vdekja i lanë hesapet me ty dhe për ato që ia kanë dorëzuar shpirtin djallit!" -bëhem keq sa herë  kujtoj atë skenë fyese, poshtëruese dhe lebetitëse. E qeshura e tij sarkastike, edhe pas kaq vitesh, ende më kumbon në vesh. "Mos vallë vdekja vërtet e shlyen mëkatin tim? Jo,jo. Tim bir kushedi sa herë do ta lëndojnë dhe poshtërojnë duke e quajtur" i biri i prostitutës", apo "Kopili i putanës". O Zot, jam nënë e keqe. Do futet djali në bela për një nënë të padenjë!- mendonte e lodhur. Ndaj ishte në gjendje të tillë apatie.

     Ky mendim se e shkuara e saj do ta ndante atë përmes një humnere me jetën normale që duhej të bënte, e trondiste së tepërmi. Sa herë e mendonte një gjë të tillë trishtohej. Mendimi që e bënte të turbulltë e të paqartë të nesërmen, e cila për të ishte veçse një dilemë, e ndrydhte brenda vetes. Ai dhe ata pak njerëz që e rrethonin ia vinin re trishtimin në sy, druajtjen, mospjesmarrjen e saj në biseda.

  Një ditë ata të tre, Kaltrën, Arlindin dhe djalin, i kishte ftuar Aldo për një kafe. Gjatë bisedave apo takimeve me të, Arlindi e kishte nuhatur se Aldos i pëlqente shumë Kaltra. Ai e simpatizonte jashtë mase atë dhe i kishte hyrë aq shumë në zemër, saqë nuk ishte çudi që për të mund të bënte shumë më tepër. Jo vetëm telefononte shpesh, por edhe shkonte herëpashere në shtëpi për t'i takuar e për të biseduar. Jo rrallë herë dilnin së bashku. Veçse ajo që i bënte përshtypje atij ishte se Aldo nuk kërkonte të abuzonte me të, edhe pse e njihte se nga vinte. Për këtë arsye Arlindi  e vlerësonte shumë për qytetari. Duke u nisur nga pozitat e saj të deritanishme, kushdo mund ta përdorte atë, ta shfrytëzonte situatën e saj tejet delikate. Fati i Kaltrës tashmë i ngjante atij telit që përkulet lehtë dhe mund t'i jepet çfarëdo forme. Ose mund ta krahasoje me një fill të këputur, të cilin kushdo mund ta flakë tej me përçmim si të pavlerë. Kurse ai së paku me mënyrën e sjelljes ndaj saj, ishte brenda të gjitha normave. Ishte i kujdesshëm  që ta respektonte atë dhe përpiqej që as pa dashje të mos e lëndonte kurrë. E trajtonte si çdo femër tjetër me dinjitet që ka nevojë për mbështetje, për përkrahje dhe për qetësi shpirtërore. Sjellja e tij dashamirëse do të ndikonte që asaj t'i rritej besimi në qenien e vet dhe tek të tjerët. Kujdesi i Aldos dhe i miqve të saj shqiptar ishte si një balsam që me kohë do të mbyllte plagët e saj. Ndryshe ai shpirt skajshmërisht i tronditur, nuk do të gjente paqe kurrë.

     Një pasdite pasi telefonoi, papritur Aldo erdhi në shtëpi.
     -Ç'e mirë të solli miku im?
     -Mos vallë jam i padëshirueshëm, apo kam ardhur në kohë të papërshtatshme?
     -Ju lutem, mos e thoni më! Në personin tuaj unë gjeta një mik. Ndaj ju tek unë jeni gjithmonë i mirëpritur.
     -Problemi "Kaltra" është ai që më lidh me dy familjet shqiptare. Megjithëse me Enkelin tashmë jemi miq. Mendoj t'i jap një rrugëzgjidhje zonjës. Më lindi një ide, ndaj vrapova që ta parashtroj me ju. A do të pranojë Kaltra të fillojë një kurs            estetike, në një sallon bukurie të klasit të parë? Mendoj se kështu do të jetë në gjendje të jetojë mirë. Me një diplomë në xhep mund të hapë aktivitetin e saj, këtu ose edhe atje në Shqipëri.
    -Këtu?! Ju faleminderit, por është e pamundur. Do të ishte bukur, por a do të mundem vallë? A do të më lënë që të ecë përpara me këmbët e mia? Kam frikë nga ëndrrat e bukura.
    -Ishin njerëz të thjeshtë ata që nisën të ndërtonin mure me baltë, kurse kështjellat i ndërtuan njerëzit e mëdhenj që zotëronin pushtet, kulturë dhe...  Nuk duhet mohuar se këtë e arritën në bazë të përvojës së atyre të parëve,- ia priti Arlindi.
    Ajo heshtëte, e heshtur, e mbyllur në vetminë e saj dhe të linte përshtypjen se ishte ende e pavendosur.
    -A më dëgjove se ç'thashë? Për të mos krijuar një hendek ndarës mes tyre Aldo i drejtohej asaj në numrin njëjës, kurse ajo mbante distancë.
    -Po. Po...ju dëgjova ...- u përmend ajo si e trembur. Në ato çaste që ndoshta e përfytyronte përballjen e jetës e vetme, i shkonin ndër mend shumë gjëra të papëlqyera. Ndaj dukej se fizikisht ishte aty, por me mendje kushedi se ku?!
    -Mendoj se heshtja flet. Pra përgjigja juaj është "po".
    -Më falni pak se po pyes Arlindin. Më parë dua mendimin e tij.
    -Patjetër...Arlindi për ju ka qenë dhe është si një familjar.
    Atë çast ajo iu drejtua me përgjërim djaloshit që i ishte bërë mbështetje. Ai vuri re mënyrën se si e shikonte ajo Arlindin.
    "Megjithëse është mirënjohëse, mua kurrë nuk më shikon në sy, kurse atij i përkushtohet me të gjitha shqisat...Sa keq më vjen!"- mendoi hidhur Aldo, por nuk hoqi dorë nga synimi i tij dhe po dëgjonte me vëmendje.
     -Kam shumë besim tek fjala jote, sepse jo kushdo do ta bënte atë që bëre ti.  Me shumë guxim e kurajo më nxore nga bataku ku kisha rënë dhe nga llomia ku isha zhytur, ndaj...,- iu drejtua ajo.
    -Po të jepet mundësia, ndaj duhet ta shfrytëzosh, Kaltra, - iu përgjigj shkurt Arlindi.
    -Atëherë këtë duhet ta festojmë. Si thoni sikur të shkojmë diku dhe më pas le të darkojmë bashkë?
    -Pse nuk shkoni ju të dy, pasi unë i kam premtuar Jonidit që të vizitojmë kopshtin zoologjik. Nëse mbarojmë shpejt, ju gjejmë dhe bashkohemi me ju.
      Arlindi me djalin ikën të parët. Pasi u vesh ajo, dolën edhe ata të dy. Gjatë rrugës edhe më pas në tavolinë, Kaltra vazhdonte të heshtëte.
    -Kështu je vazhdimisht, kaq e heshtur?
    -Sipas rastit...Për mua ka pasur një të djeshme të gënjeshtërt që më shkaktoi lëngatë shpirti dhe një të sotme të gjymtuar, së cilës i mungojnë dritat e shpresës. Kur nuk ke se ç'thua, "heshtja është mjaltë që shëron dhe ëmbëlson shpirtin", apo e thënë ndryshe:"heshtja është flori!".
    -Askush nuk e ka të sigurt atë që jeton, zonjë. Nuk duhet ta lëmë të na iki çasti i bukur, por ta gëzojmë.
    -E keni gabim. Për ju e tashmja është prezente, gjë që premton shumë për të nesërmen, kurse për mua...
    -A zgjidh dot gjë heshtja? Nëse do të vazhdosh me heshtjen tënde, më mirë kthehu në shtëpi. Unë po dal me ty që ti të ambientohesh me realitetin jashtë kornizave të pakalueshme.
     -Zoti Aldo, e keni parasysh një dhomë pa ajër, pa orendi, pa njerëz, pa ngjyra...? Kjo jam unë, jam si një shtëpi e zbrazët, apo si një orendi e padëshiruar nga askush.
   -Përsa the, m'u rrit kureshtja që të mësoj më shumë për ty...sidomos me ngjarjet, prej të cilave rrodhi fati yt.
   -E kam të qartë se doni të dini pse dhe si kam arritur deri këtu?! Është mëse e drejtë, sepse kur del me një njeri, duhet ta njohësh qysh nga rrënjët. Aq më tepër kur flitet për një femër me të cilën del mashkulli...
    -Më vjen keq! Nuk e kisha aty ku mendon ti... Ti më ke krijuar përshtypje shumë të mira. Dikush, ose kushtet apo rrethanat ndoshta të ndryshuan fatin...Jam tejet i befasuar sepse tek ti shoh një njeri të mirë që meriton shumë më tepër nga jeta.
   -Tani është dimër dhe mua më pëlqejnë rrugët e shkreta, pemët pa gjethe si  pamja e rrugës që përshkuam kur erdhëm këtu.
   -Kurse për shijet e mia janë vjeshta e ngjyrave dhe pranvera e luleve dhe e gjelbërimit.
    -Fjalën e kisha gjetiu... e jo për stinën. Nuk dua të ndeshem me turma. Pasi ato më tmerrojnë.
    -Ke të drejtë. Po ndoqe turmën, them se do të humbasësh rrugën. Porse unë do të këshilloja që ta harrosh të keqen që ke kaluar. Mos u lidh pas së shkuarës. Nëse do të mirën tënde dhe të djalit , shiko drejt së ardhmes.
    -Kush më siguron se do ta kem një të tillë?
    -Nëse ke vullnet, e ndërton jetën. Atëherë hidhërimi ngelet pas krahëve. Sa herë që do ta kthesh kokën pas, aq herë më shumë do të lëndohesh.Të provosh ta jetosh symbyllur realitetin që të kanë ofruar, kjo të bënë të vuash.
    -Zoti Aldo, e njëjta gjë ndodh edhe nëse ti nuk e pranon një realitet të ri, se përsëri të bënë të vuash. Këtë e kam nga përvoja ime e hidhur.
     -Ti ke shumë nevojë të kultivosh lumturi. E që ta arrish këtë duhet të ecësh me rrymën, ndryshe mbytesh, jo nga rryma, por edhe me një pikë ujë.
     -Nuk di në ç'mënyrë, se?
     -E mira është që ta nxjerrësh jashtë vetes atë që të mundon.
    -Ju kujtoni se kjo gjë më lehtëson. Sa ditë e javë kalova, ndoshta do të kalojnë muaj dhe vite, aq më shumë më thellohen plagët e shpirtit. Më duket sikur nuk do të gjej kurrë qetësi. Kam plot shqetësime që më angështojnë trup e shpirt.
     -Është më keq kur helmin e ruan, kur padrejtësinë që të kanë bërë, e ndrydh brenda vetes. Nxirre jashtë. Edhe pse me shqetësime, jeta ka çaste të bukura që të japin gëzim. Nganjëherë edhe çikërrimave, grimcave të jetuara, që na duken fare pa rëndësi, duhet t' u gëzohemi, sepse  na bëjnë të lumtur. Ndaj çdo njeri ka nevojë të harrojë se cili është e ç'hall ka.
     Ajo puliti qerpikët e gjatë e të dendur dhe një hije trishtimi i ra mbi fytyrën e saj të hijshme. Kjo gjendje u pasua nga lotë kristali, të cilët rrokulliseshin të lodhur mbi mollëzat e faqeve për t'u bashkuar në gropëzën e mjekrrës. Ai e vështronte me adhurim.
  "Kjo grua e bukur, e pafate, ka vite që ka joshur dhe u ka dhënë kënaqësi sa e sa burrave të tjerë, por kurrë nuk u dashurua me asnjërin prej tyre. Ndoshta rrjedha e jetës së saj do të kishte ndryshuar nëse dikush do ta donte atë me pastërtinë e shpirtit. Nëse ajo do të kërkonte brenda qenies së saj dashurinë e vërtetë duke lënë mënjanë vesin, sot të dy bashkë do të kishin një jetë ndryshe. "- mendonte ai pa ia shqitur sytë. Për herë të parë po e shihte me një sy tjetër. "Sikur fati të na bashkonte, si do të ishte jeta jonë vallë?!"- ndërsa ai pyeste veten, erdhën Arlindi dhe Jonidi, i cili u hodh në krahët e s' ëmës..
     -U kënaqe shpirt?
     -Mami, kam parë kafshët e xhunglës, ato të vërtetat. Ishin nëpër kafaze të mëdha dhe rreth tyre kishte shumë fëmijë që u hidhnin ushqim. Ne do të shkojmë përsëri atje bashkë me zotin Arlind.
     -Të lumtë, bir! Herën tjetër do të vij edhe mami me ju. Si thua ?
     -Ne u kënaqëm, po ju si e kaluat?- Arlindi vështronte herë Aldon e herë Kaltrën.        -Mos ju ndërpremë gjë?
     -Jo...thjesht po bisedonim. Madje mendoj ta vazhdojmë bisedën e nisur dhe  ajo nisi të flasë ngadalë.
    -Nuk dua të riparoj të shkuarën se atë e mori e djeshmja me vete, por mendoj se koha kokëforte ka harruar t'i kthejë sytë apo kokën pas për... Veçse tani dëshiroj me gjithë shpirt që mjerimin e përbaltjen t'ia lë të djeshmes. Por më shumë se gjithçka dua që mbi dhembjet që më kanë shkaktuar gabimet e së shkuarës, të mundohem ta ndërtoj të nesërmen që po troket. Mjerisht më duket sikur çasti po vonon dhe si duket nuk do të vijë kurrë për mua. Ditët e mira vijnë vetëm për cilindo që e meriton.
   -Më dëgjo pak, të lutem! Kishe një dëshirë të ethshme që të takoje djalin. Sot e ke në krahët e tu, ndaj mos u anko...
    -Keni të drejtë. Gjithsesi e kam mëse të qartë se koha ecën për të gjithë njëlloj dhe ndryshimet nuk ndodhin sa hap e mbyll sytë. Edhe me plagët e njëjta gjë ndpdh. Nëse nuk rrjedhin edhe pikën e fundit të vrerit, jo vetëm nuk mbyllen, por rrezikojnë të shndërrohen në gangrenë. Ndaj...,për të realizuar një synim dhe për të arritur në gjithçka të mundshme, nevojitet koha e mjaftueshme. I lumtur është ai që di se si ta përdorojë apo ta shpenzojë atë, kur e di që koha ikën dhe nuk vjen më. Mjerë kush nuk e çmon vlerën e saj. Por nuk ma ka fajin as koha dhe askush. Isha unë që humba udhën e Zotit. Rruga për mua  kishte vetëm një drejtim e një kufi që përfundonte në shtëpi. Por kur arsyeja humbet rrugën, logjika ndotet në dinakërinë që gjendet e zhytur në llucën e lekaneve, apo në llominë e kanaleve të pëgëra. Do të doja që në jetën time të bashkëvepronte qëllimi me mundësinë. Dikur i kisha të dyja në dorë dhe nuk dita të bëj lidhjen logjike dhe atë praktike mes tyre.
   -Për qëllime të mira, kurrë nuk është vonë.
   -Ka të drejtë zoti Aldo."Më mirë vonë se sa kurrë"- thuhet, apo e kam gabim?
   -Pak a shumë, edhe ne italianët e përdorim këtë shprehje.
   -Kurse tani koha më ka rezervuar tjetër qëllim, por nuk ekziston më mundësia, zotërinj.
   -Besoj se mundësitë t'i ofron vetë koha. Unë do të ngre një dolli për jetën...
   -Zoti Aldo, për jetën?! Për ju..,për mua..., hëhëhë...!-ajo qeshi hidhur nën zë.
   -Zonjushë, pse të duket çudi? Jeta është dhurata më e vyer, më e bukur që i është bërë njeriut.
    -Për ju të dy do ta pi me kënaqësi, kurse për jetën time nuk ia vlen të ngrihet dolli.
    - Po për Jonidin? Shikoje sa po kënaqet me lojëra elektronike.
Meqë biseda mes tyre ishte paksa delikate dhe jo për veshët e djalit, e çuan të luante në kompjuter.
    -Vetëm për të durova tmerret, llahtarin e përdhunimeve çnjerëzore, përherë me shpresë se një ditë do ta rigjeja tim bir. Por që të pi dollinë e ngritur për mua, më duket ironi.
    -Ashtu të duket tani, por po ta mendosh thellë...
    -Zoti Aldo, i gëzohet dikush që ka pasur një jetë të qetë, pa andralla e pa shqetësime, kurse jeta ime ka qenë...
    -Nuk ka jetë pa shqetësime, pa probleme, pa të përpjeta dhe të tatpjeta... As ditët nuk i ngjajnë njëra-tjetrës. Kurrë nuk rrugëtojnë të qeta si vaji. Ndodh që duken të dashura, kur janë të qeshura e plot diell. Herë kanë ngarkesë negative për shkak të të ftohtit dhe janë të mbarsura me cingërimë shpirti, sa që nuk të lenë as të ngresh kokën. Ndonjëherë ato janë të vrenjtura e të trishta, kurse herë-herë janë me shira të stuhishme që shkatërrojnë atë çka njeriu e ka ndërtuar me mund dhe me djersë. E tillë, si natyra është edhe jeta...e dashur zonjusha Kaltra. O Zot, sa emër të bukur që ke...! Çeleste, emër hyjnor. E tillë duhet të ishte jeta jote.
   -E thatë shumë bukur "duhej të ishte"...,por mjerisht...
   Arlindi ndiqte bisedën e tyre dhe rrallë herë ndërhynte. Kurse ajo sa herë fliste si për aprovim, i drejtohej atij me një shikim të butë e mirënjohës.
  "Si e shikon Arlindin, kurrë nuk ka për të më parë mua...Gjithsesi është e drejta e saj të zgjedhë, pas gjithë atyre traumave që ka kaluar."- hamendësonte Aldo sepse nuk e njihte me detaje marrëdhënien mes tyre.
   -Mos e humb shpresën. Atëherë kur mendon se gjithçka ka marrë fund, ku i dihet se nga ç'rrugëtim i harruar kthehet fati dhe troket në portën e shpirtit tënd.
    -Oh, Arlind i dashur, ajo portë është mbyllur qysh kur...Nëse ju kujtohet kam kundërshtuar të dilja me ju të dy nëpër qytet e vende publike.
    -Edhe pse e kam anashkaluar kundërshtinë tënde, tani dua ta di, përse?
   -Sepse kam frikë nga vetja, zoti Aldo.
   -Ke frikë nga vetja? Ti nuk je e tillë, nuk je e dobët, s'je frikacake. Gabove..., por kjo nuk do të thotë se do të vazhdosh atë rrugë. Kam pak kohë që të njoh dhe kam zbuluar tek ti një person tjetër, një femër të mirë e të admirueshme.
    -Këtë e thoni ju, kurse vetëm unë dhe shpirti im e di se kujt i ruhem...,-dhe papritmas asaj i mbeti fjala në fyt si një halë mbytëse që i ka ngecur kryq e nuk e lë të marrë frymë.
     Ndërkohë një djalë mjekrosh iu afrua tavolinës së tyre dhe pati guximin t'i drejtohej Aldos dhe Arlindit.
    -Ju, dy zotërinj të vërtetë e ulni kaq shumë veten, sa dilni publikisht me një prostitutë të Bar "Angeli-t"?
    Ata të dy u ngritën në këmbë si me sustë. Aldo e ndali Arlindin se mos reflektonte ashpër dhe iu përgjigj atij njeriu të papërgjegjshëm, i cili futi hundët aty ku nuk duhej.
    -Guxo ta thuash edhe njëherë...e di se ç'do të bëj? Nuk e merr dot me mend...
     Në çast një nga ruajtësit e qetësisë në restaurant, sikur mbiu nga toka, i cili sa hap e mbyll sytë iu afrua tavolinës dhe i kërkoi atij të largohej. Porse ai vazhdoi pa ia vënë veshin rojes. Atëherë ai e kapi nga krahu dhe e hoqi zvarrë me forcë.
    -Zotërinj çdo gjë në rregull?- pyeti pronari që përmes një buzëqeshjeje ndjese,  u përkul me nderim para tyre dhe u largua.
    -Në rregull, në rregull. Veçse askush nuk ka të drejtë të prekë privatësinë apo dinjitetin e tjetrit. Gjithsesi ju faleminderit, - ajo vuri re një acarim nervoz të të dy shoqëruesve të saj. I erdhi keq për ta, sepse i vetmi shkak ishte ajo.
     -Diçkaje të tillë ia kisha frikën...Nuk dua që për shkakun tim të preket e përflitet dinjiteti  juaj...Mos harroni se Ju jeni person publik, z. Aldo. Dhe Arlindi që ende është i ri në vendin tuaj, nuk e meriton një fyerje të tillë. Nuk duhet t'ia lejoni vetes që t'u nëpërkëmbet personaliteti, as nga unë dhe as nga dikush tjetër. Duke më shoqëruar në vende të tilla publike, veç shqetësimeve, mos prisni asgjë të mirë nga prania ime.
     -Unë dëshiroj vetëm të të shoqëroj, asgjë tjetër nuk kërkoj. Nuk besoj se të kushton shumë një gjë e tillë, edhe nga Arlindi besoj, i cili është treguar shumë dashamirës.
    -Ju jam mirënjohëse për gjestin tuaj bujar e gjithçka po bëni. Ju jeni njerëz të mirë, i nderuar, ndaj nuk dua ta përdhos emrin tuaj siç ndodhi sot.
    -Nuk e kuptoj përse duhet t'i mbash të gjitha fajet ti?  Nuk ishe ti që shkove tek ai, por ishte ai që erdhi dhe të sulmoi e të dhunoi psikologjikisht. Besomë se ai nuk të bëri asgjë. Vetëm tregoi shkallën e kulturës së tij dhe fyeu veten. Në fund të fundit atë e përzunë nga bar-restauranti me forcë. Kurse ne po vazhdojmë në qetësi.
       -Sa herë do të më mbroni zotërinj?
      -Sa herë të jetë nevoja, aq herë e derisa njerëzit të mësohen që duhet të shohin punët e tyre.
      -Nuk mund të bëheni dot përherë peshqir për gojët e liga. Njerëzit që s'kanë punë, merren me fjalë. Hanë bukën e tyre dhe bëjnë llogarinë e botës.
   -Këta njerëz janë cinik e të paskrupullt, të cilëve u mungojnë elementët e edukatës.
    -Bota është e trazuar, ndaj në vendin tim thuhet se pyll pa derra nuk ka.
    -Gjithsesi do të këshilloja që mikut dhe të mençurit mos nguro t'ia hapësh zemrën. Nëse më trajton sadopak mik, fol me mua...
   -Natyrisht, do të jem e privilegjuar të flas veçanërisht me ju, zoti Aldo. Arlindi thirri djalin, i cili, tejet i ngazëllyer, po i fliste me këmbë e me duar.
   -A nuk e mbyllim mbrëmjen? Jonidi më duket i lodhur...
    Pasi i sollën faturën, Aldo futi liretat brenda një dosjeje dhe u larguan.
    Tek e vështronte vjedhurazi, vuri re se ajo ndihej e qetë përkrahë tij."Si fillim jo keq!"- mendoi ai i kënaqur, megjithëse nuk i shqitej nga sytë dhe mendja shikimi i saj drejtuar Arlindit. Fërkoi ballin me dorë, sikur donte të largonte mendimet që e shqetësonin.

                    Vazhdon
 


VILHELME VRANA HAXHIRAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.