VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

LULE TË POSAÇELURA
Cikël poetik nga ADEM ZAPLLUZHA

E Martë, 02.10.2015, 04:20pm (GMT1)



LULET E POSA TË ÇELURA

 

 

 

 

Vonë kuptova

Se e padukshmja

Nga një tjetër thellësi

Shumë më e padukshme nxori

Nga brinjët një copë ashti dhe ja dha frymën

 

Pastaj i krijoi grykat dhe malet e thepisura

Nga drurët që i mbolli bëri një kryq

Tre herë bekoi njeriun

Nga vera e kuqe

Pikoi loti

 

Nuk di tani

Në emër të kujt

Zunë të rriten njerëzit

Mbase fajin e kishte kryekëput

Motra lozonjare ose molla e kafshuar

 

Por gjithsesi fajin duhet kërkuar te njeriu

I cili dhunshëm shkundi mollët

Lulet e posa të çelura

Në emër të fjalës

Ose rrenës

 

 

FORMËN E DHËNË NGA NJË FRYMË

 

 

 

 

Me duar prej dheu

I dha shpirt ujit dhe drurit

Si gjethet toka morri  frymë

Në formën e saj më delikate deltina

Dukej se kishte një qeshje hyjnore të njeriut

 

Edhe me qindra mija vjet kaluan në pritje

As njeriu e as dheu nuk e ndryshonin

Formën e dhënë nga një frymë

Që kurrë nuk ndalet

Ky lloj bekimi

 

Kur frynë

Dhe kur çmendet tufani

Njeriu ngjizet për shpirtin e drurëve

Bëhet një me lutjet dhe kryqin prej druri

Sa shumë ngjashmëri me kalin tim prej bore

 

S'patën se çfarë të na bëjnë dimrat e acartë

Nga një krenari madhështore mësuam

Se sa shumë dashuri i përket njeriut

U mësuam nga urtia e malit

Se si duhet me dashtë

 

NA MBAJTËN PËR NJERËZ PAGAN

 

 

Kur kemi kohë bisedojmë me parathëniet

Ashtin e tokës e latojmë si gurin

Nga druri nxjerrim eliksirin

Dhe i shërojmë me frymë

Sëmundjet e tokës

 

Disa qeshën me ne

Na mbajtën për njerëz pagan

Na i shqyen daullet e kushtrimit

Sa herë që deshëm ta thërrisnim shiun

Si djajtë na pengonin retë e fut të mjegullave

 

 

TROKITNIN EDHE NETËVE TË VONA

 

 

 

 

Vetëm në Dardani binte bora e kuqe

Binte pareshtur me shije plumbi

Nga degët e plepave të vrara

Si rrëshira e zezë

Kullonte syri

 

Kullonte tmerri

Netëve i mbyllnim dyert

Nëse gdhinim mëngjesin herët

Trokitnin cerberët e të gjitha llojeve

Trokitnin në dhembjet tona të pashëruar

 

Çdo gjë shqiptare u pengonte dreqërve

Na thanë se po shtohemi si hithi

Duhet prerë që në rrënjë bima

Që rritet e na e zë frymën

Kjo pengonte djajve

 

Me tmerre u rritëm

Rrapëllimat s'ndaleshin

Trokitnin edhe netëve të vona

Rrapëllonin si të babëzitur dreqërit e egër

Derisa dolëm maleve s'pushuan të trokiturat

 

 

 

NJË RAPSOD I VERBËR

 

 

 

 

Mbrëmë

Na thanë heshtni

I kishim të ndaluara këngët

Vetëm netëve të vona nën jorgan

Mund t'i këndonim këngët tona të ndaluara

 

Me ne këndonin edhe zogjtë nëpër kafaze ari

Këndonin edhe muret e zeza të Afrikës

Kudo nëpër botë këndohej himni

E lirisë aq të dëshiruar

Këndonte njeriu

 

Zërat e gjetheve

S'kishin më të ndalur

Himnin e lashtë të drurëve

Vetëm ata popuj dinë ta këndojnë

Vetëm ata që e ndjenë robërinë mbi shpatulla

 

Sa bukur mbrëmë këndonin Bjeshkët e Mira

S'pushonte as zëri i lahutës së vjetër

Diku nëpër hanet e malësisë

Një rapsod i verbër

I këndoi lirisë

                                                                Prishtinë, 10 shkurt 2015

ADEM ZAPLLUZHA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.