VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

VEPRA "BRIGJEVE TË DRINIT, MORAÇËS E LIMIT" I RAMIZ LUSHAJ NJË MODEL I NATYRSHËM GJITHËKOHËSIE
Nga DËFRIM CANI, Publicist, Studiues

E Enjte, 02.12.2015, 07:58am (GMT1)


Vepra "Brigjeve të Drinit, Moraçës e Limit" është një libër-kolanë i përvojës së mirë, pasi autori Ramiz Lushaj ka një intelekt të veçantë në risjelljen, ripërmendjen, rikëngëzimin epik dhe në rizgjimin e shenjave tona të kahershme, ndoshta që nga mugëtira e kohrave antike.

Ne sot më shumë se çdo herë tjetër kemi nevojë për kumtet, shenjat, primitivitetin dhe rrenojat tona të vjetra. Ata janë tonat dhe ne i kemi dëshmitë e qënësis tonë të patundshme. Ashtu si astrologët kanë nevojë dhe për pluhurin e yjeve, dhe ne kemi nevojë për ata gurë varresh të shtrembura apo të thyera, për ato eshtra copë-copë, për ata qeramika dhe fjalë të vjetra, të mezikuptueshme sot.

Vepra ''Brigjeve të Drinit, Moraçës e Limit" i Ramiz Lushaj është shkruar me një vizion të lakmueshëm për të dëshmuar gjurmimin e historisë, njerëzve, kullave, shkollës, trimërisë, zakoneve, dokeve, burrërisë, zemërgjerësisë së nënave, lajtmotivin e kohërave, amanetet, këngët e zgjuara dhe këngët e heshtura nëpër një hapësirë të gjërë kohore dhe gjeo-historike.

Në jo pak materiale, duket një depërtim i mrekullueshëm dhe i imët historiko- psikologjik të njerëzve me ngjarjet, gjë që e ka bërë veprën tërheqëse për të rinjtë dhe realist për moshën e pjekur dhe madhore.

''Brigjeve të Drinit, Moraçës e Limit" i Ramiz Lushaj është një vepër, metafora e të cilës vjen rrallë në këtë qasje mes meditimit, aksionit të komunikimit dhe përbashkimit të kohrave. Mjafton të udhëtosh bashkë me autorin në Hot a Grudë, Pogradec a Strugë, Plavë a Guci, Tropojë a Lurë, Shkodër a Ulqin, Tuz a Pejë ideja e një bashkëbisedimi vertikal dhe horizontal është e pranishme.

Lloji i këtyre librave nuk shkruhet lehtë. Autori nuk është vetëm datëzues, as dhe vetëm tregues ngjarjesh apo personazhesh, as dhe vetëm meditues, por një përbashkues racional në një sfond kohorë. Diku në një poet kreativ dhe racional mbi konceptin kohë-njeri, kohë-ngjarje historike, kam mësuar një sintagmë të bukur sa poetike po aq estetike: ''i lidhi kohët në cepat e tyre...''. d.m.th. të shkuaren me të sotmen. Kështu ndodhë dhe me këtë autor në këtë libër-kolanë.

Autori Ramiz Lushaj na njofton një kolanë të këtij vepre, e cila ''perimetron'' gjithë hapësirën shqiptare, shtegëton atje ku gjenden shqiptarët e hershëm, mërgimtarë të hershëm dhe të rinj. Dhe në këtë vepër interesante, në gjashtë vëllime apo më shumë, gjithmonë do të ketë vend për ngjarje e kujtesë të shkuar shqiptare, për rapsodin e poetin, lahutën dhe çiftelinë, të njohurin dhe mikun, për Europën e Amerikën duke na afruar një model të natyrshëm gjithëkohësie...

Tiranë, 11 shkurt 2015
---------------------
-Per VOAL,ch, nga Z. Lushaj, Shengjin, Albani-

DËFRIM CANI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.